Bruka: Do të të nxjerr edhe syrin tjetër si të parin

0
198

Sonja Caka

Kërcënon gruan pas daljes nga burgu

Gruaja, e cila ishte strehuar në qendër pritëse për gratë e dhunuara, lajmëroi policinë, e cila e arrestoi. Gjykata e dënon me 7 muaj burg

 

dhuna_ndaj_gruasDhunon rëndë gruan, dënohet nga gjykata dhe urdhërohet që të mos i afrohet ish-bashkëshortes dhe katër fëmijëve të tyre. Del nga burgu, ndjek ish-gruan, e cila pas dhunës ishte strehuar te qendra pritëse e grave të dhunuara dhe, ndërsa po udhëtonin në të njëjtin autobus të linjës Kamëz – Tiranë, ai e kap për krahu dhe nis ta kërcënojë se do t’ia nxjerrë edhe syrin që i ka mbetur, ashtu sikundër bëri me të parin. Gruaja e frikësuar kërkon ndihmën e kontrollorit dhe faturinos të autobusit, duke u treguar ngjarjen dhe kërkuar ndalimin e autobusit. Më pas është lajmëruar policia dhe Qazim Bruka do të përfundonte sërish në të njëjtat qeli dhe më pas do dënohej për “Pengim të zbatimit të vendimit të gjykatës” me 7 muaj burg. Burri ka mohuar të ketë prekur apo kërcënuar ish-gruan, ndërsa dëshmitë e servirura nga akuza tregojnë të kundërtën. I pandehuri nuk ka shprehur aspak pendesë për veprimet e kryera, por vetëm ka mohuar t’i ketë kryer ato.

Ngjarja

Në vendim e zbardhur të saj, Gjykata e Tiranës shpjegon edhe dinamikën e ngjarjes së muajit shkurt të vitit 2013. Sipas këtij vendimi, rezulton se shtetasja Hyrije Bruka, për shkak të problemeve të vazhdueshme që ka pasur me bashkëshortin, bashkë me 4 fëmijët e saj jeton në Qendrën Kombëtare të Pritjes së Viktimave të Dhunës në Familje, Kamëz. Në datën 28.11.2011, Qazim Bruka ka dalë nga burgu pasi kishte vuajtur dënimin e dhënë për plagosjen e rëndë të bashkëshortes së tij Hyrije Bruka. Për shtetasen Hyrije Bruka dhe katër fëmijët e saj, me vendimin nr. 747 datë 1.2.2013 të Gjykatës së Tiranës, është lëshuar urdhër mbrojtje, i cili e detyron paditësin Qazim Bruka që të mos kryejë vepër dhune në familje, të mos kërcënojë paditësen dhe fëmijët, të mos cenojë, ngacmojë paditësen dhe fëmijët, të mos i afrohet paditëses dhe fëmijëve në distancën më pak se 1000 metra. Sipas gjykatës, më 20 shkurt të këtij viti, rreth orës 10.30, shtetasja Hyrije Bruka, së bashku me shoqen e saj që jeton në të njëjtën qendër, kanë dalë për të shkuar në Tirane. Kanë hipur në autobusin e linjës Kamëz – Tiranë dhe pak më vonë aty ka vajtur faturinoja dhe ato i kanë treguar abonetë. Pak më vonë aty ka vajtur kontrollori i linjës dhe u ka kërkuar abonetë. Gjatë kësaj kohe, në krahun e shtetases Hyrije Bruka është afruar i pandehuri Qazim Bruka, i cili e ka kapur me dorë te krahu i majtë i palltos. Ajo nuk ka folur me Qazimin por i ka kërkuar kontrollorit të linjës që të ndalonte autobusin pasi personi që e ka kapur nga krahu është ish-bashkëshorti i saj dhe ajo është në konflikt me të. Në këtë situatë, kontrollori e ka larguar Qazimin dhe gjatë kësaj kohe ai i është drejtuar Hyrijes me fjalët: “Mbaj mend se do të të nxjerr dhe syrin tjetër. Pak e ke syrin tjetër që unë të kam nxjerrë”. Në atë kohë kallëzuesja, së bashku me shoqen e saj kanë zbritur nga autobusi dhe kanë njoftuar patrullën e policisë.

Reagimi

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe i pandehuri, i cili ka mohuar të ketë kërcënuar ish-gruan dhe ka treguar versionin e tij të ngjarjes. I pandehuri Qazim Bruka ka shpjeguar se rreth orës 09:00 ka hipur në autobusin e Kamzës për të shkuar tek një shoku i tij në Tiranë. Në momentin që autobusi është afruar tek rreth rrotullimi i Bathores që është dhe stacion, ka dëgjuar një të bërtitur nga fillimi i autobusit. Në moment ka parë që ishte bashkëshortja e tij. Ai nuk ka lëvizur ndërsa faturinoja është afruar tek ajo dhe e ka pyetur se çfarë kishte. Ajo i ka thënë që në këtë autobus është dhe bashkëshorti im që gjykata i ka caktuar urdhër mbrojtje. Në këtë vendim ai është urdhëruar që të mos i afrohet 1000 metra shkollës së fëmijëve ndërsa për vendet e tjera siç është urbani publik nuk është shprehur. Pranë tij është afruar faturinoja dhe kontrollori që të mos e linin të lëvizte. Më pas gruaja e tij ka bërë kallëzim.

 

Tiranë

Dhunoi bashkëshorten, prangoset 66-vjeçari Volli

Një 66-vjeçar është arrestuar dje në kryeqytet pasi ka dhunuar bashkëshorten e tij. Shtetasi Vladimir Volli u kap në flagrancë nga forcat e komisariatit numër 2 në Tiranë. Sipas policisë së kryeqytetit, 66-vjeçari Vladimir Volli, banues në Tiranë, me arsim 12 klasë, i dënuar më parë për “Dhunë në familje”, është arrestuar pasi ka dhunuar bashkëshorten e tij banuese në rrugën “Ymer Kurti” në kryeqytet. Materialet tashmë i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndërkohë që mbi 66-vjeçari rëndon akuza për veprën penale të “Dhunës në familje”.

 

Shkodër

Përplasen nga kamioni, humb jetën çifti, rëndë djali

Një aksident i rëndë është shënuar paraditen e djeshme në aksin rrugor Shkodër – Lezhë, duke shkaktuar dy të vdekur dhe një të plagosur rëndë. Sipas burimeve zyrtare policore, viktima të këtij aksidenti kanë mbetur bashkëshortët Hysni Brahimi, 67 vjeç,dhe M. Brahimi, 61 vjeç, si dhe i plagosur rëndë ka mbetur djali i tyre, Dritan Brahimi. Po sipas burime policore, Benzi me targa SH 9726 C me të cilin po udhëtonin familja Brahimi u përplas me një kamion të drejtuar nga Sandër Zalli pranë fshatin Beltojë. Nga hetimet paraprake dyshohet se drejtuesi i kamionit është shkaktari i aksidentit pasi ka prerë në mënyrë të gabuar rrugën. Trupat e të vdekurve janë dërguar në morgun e Shkodrës. Policia ka shkuar në vendngjarje po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit të rëndë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency