Rama takohet me Erdoganin në Turqi: Plan i gjerë bashkëpunimi

0
147

Florenc Drizari

Rama: Rreth 2 orë e 30 min me km Erdogan dhe një sërë ministrash të të dyja palëve

 

rama-erdoganKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi një vizitë zyrtare në Turqi gjatë së cilës u prit në takim edhe nga Kryeministri Turk Recep Tayip Erdogan. Gjatë kësaj vizite Rama u prit nga zyrtarët e lartë turq në cilësinë e Kryeministrit të ardhshëm të Shqipërisë. Përmes një njoftimi në rrjetin social Twitter, Rama e ka komentuar takimin me nota shumë pozitive ndërkohë që detaje të tjera rreth këtij takimi munguan.

“Rreth 2 orë e 30 min me km Erdogan dhe një sërë ministrash të të dyja palëve. Një plan i gjerë bashkëpunimi në proces. Mikpritje e shkëlqyer!”, – thotë Rama në profilin e tij.

Takimi i tij me Kryeministrin turk erdhi një ditë pas dhënies së një interviste për CNN-in turk, ku ai deklaroi se Turqia është një partner strategjik i Shqipërisë dhe gjithashtu një shembull i mirë për t’u ndjekur sa i përket transformimit pozitiv të vendit viteve të fundit.

“Me zotin Erdogan jemi takuar para zgjedhjeve dhe sinqerisht është një emër që unë e vlerësoj shumë për atë çfarë ka bërë për shtetin e tij. Gjatë bisedës sonë ai na premtoi se do të na ndihmojë për sa i përket marrëdhënieve mes Turqisë dhe Shqipërisë.

Së bashku me Italinë dhe Greqinë, Turqia u bë partner strategjik yni. Ne Turqinë e shohim si një partner strategjik, duam që të forcojmë dhe ta zhvillojmë marrëdhënien që kemi me vendin tuaj. Ne duam që të përfitojmë nga procesi i transformimit verbues që ka përjetuar Turqia këto kohë, ne e shohim atë si shembull.

Problemet me të cilat ne po përballemi sot, veçanërisht problemet që hasim në shëndetësi, në arsim, janë probleme shumë të ngjashme me ato që ka kaluar Turqia para shumë vjetësh”, – nënvizoi Rama.

Edhe pse ende nuk ka marrë detyrën si Kryeministër i vendit, Rama takohet me Erdogan për të dytën herë brenda një harku të shkurtër kohor. Në fund të muajit maj, lideri i PS-së u prit në Ankara nga kreu i ekzekutivit turk.

Aktualisht, duke iu referuar edhe deklaratave të zyrtarëve të lartë në vendin tonë, por edhe atyre turq, raportet mes dy vendeve gëzojnë një marrëdhënie të ngushtë bashkëpunimi. Për këtë mjafton të shohim investitorët e huaj turq në vendin tonë, ku sipërmarrjet e tyre prekin edhe sektorë kyç të vendit, si në ato të përpunimin minerar, në energjetikë, në arsim etj.

Nga ana tjetër të dy vendet zotërojnë një bashkëpunim edhe në kuadër të pjesëmarrjes në NATO, pjesë e së cilës endi ynë u bë para 5 viteve. Ndërkaq, mbështetja e Turqisë për vendin tonë, por edhe për shqiptarët në rajon është e njohur. Shpeshherë zyrtarë të lartë turq kanë mbështetur të drejtat e popullit shqiptar në Kosovë.

Sipas burimeve brenda PS-së, mësohet se Rama e ka ftuar homologun e tij të ardhëm në një vizitë zyrtare në Shqipëri.

 

Takimi i parë Rama – Erdogan

Në fund të majit të kaluar Edi Rama u takua me Kryeministrin turk Recep Tayip Erdogan. Gjatë atij takimi sipas zyrës së shtypit të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe Erdogan biseduan për forcimin e bashkëpunimit ekonomik e institucional, intensifikimin e shkëmbimeve tregtare, konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë mes Turqisë dhe Shqipërisë, si dhe për miqësinë tradicionale mes popullit shqiptar dhe turk që qëndron në themele të bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Edi Rama e njohu Kryeministrin Erdogan me programin për Rilindjen dhe vendosmërinë për të jetësuar në Shqipëri një proces transformimi dhe modernizimi të ekonomisë, qeverisë dhe shërbimeve publike, duke u nënvizuar faktin se për herë të parë në programin për Rilindjen, Turqia konsiderohet, krahas Italisë dhe Greqisë, si një partner strategjik.

Edi Rama shprehu, po ashtu, admirimin e tij për arritjet e zotit Erdogan në luftën kundër korrupsionit dhe papunësisë, në ndaljen e rrënimit në arsim e shëndetësi dhe në transformimin e ekonomisë dhe shoqërisë turke. Ai i kërkoi zotit Erdogan ndihmë të mëtejshme për të çuar përpara axhendën modernizuese për Shqipërinë. Zoti Erdogan shprehu kënaqësinë për vizitën dhe respektin e tij të madh për Shqipërinë e shqiptarët. Ai konfirmoi, po ashtu, edhe gatishmërinë e tij për të ndihmuar Shqipërinë për t’u zhvilluar ekonomikisht dhe për të luftuar varfërinë e papunësinë.

Pas takimit, Edi Rama shkroi në faqen e tij në Twitter se kujtimi më i bukur nga kjo vizitë ishte libri që i dhuroi kryeministri Erdogan me dedikimin: “Të dashurit Edi Rama me urimet e mia për sukses…” T. Erdogan!”, – ka raportuar zyra e shtypit e PS-së.

 

 

Muaji i Ramazanit, Nishani shtron iftar. Rama uron në Twitter nga Turqia

Muaji i shenjtë i Ramazanit ka qenë vazhdimisht në qendër të vlerësimit dhe nga politika e krerë të shtetit.

Në vigjilje të Natës së Kadrit në Muajin e Shenjtë i Ramazanit, Presidenti Bujar Nishani ka shtruar iftar duke mbledhur personalitete të njohur të fesë, kulturës, politikës, ambasadore etj, ndërsa kryeministri i zgjedhur Edi Rama ka përçuar një urim nga Turqia, ku ndodhej për vizitë zyrtare.

“Muaji i Ramazanit është një rit madhështor e kuptimplotë. Në këto ditë besimtarët ngrenë lart sakrificat. Me anë të agjërimit ju tregoni superioritetin e virtytit mbi vesin. Përmes kësaj sfide që bëni, ju bëni atë që më tepër se gjithçka i duhet njerëzimit, dëshmoni dhe forconi besimin tek Zoti”, – tha Nishani në një fjalë të mbajtur para iftarit.

Kurse Kryeministri i zgjedhur Edi Rama përmes Facebook dhe Twitter dërgon këtë mesazh urimi.

“U uroj gëzuar të gjithë myslimanëve natën e plotësimit të Librit të Shenjtë!”

Urimi vjen 3 orë pasi Rama theksoi se përfundoi takimin kryeministrin turk, Tayip Erdogan. Takimi u mbajt në kryeqytetin turk ku Rama ndodhet për vizitë zyrtare.

Edi Rama ka përcjellë gjithmonë urime për festa fetare, por kjo për Natën e Kadrit vjen nga toka e një shteti ku ai ndodhet për vizitë, shtet që zbaton zyrtarisht me përpikmëri çdo rit fetar mysliman.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency