Dhënia e lejeve, drejtori bashkëpunonte edhe me të dënuarin për vrasje

0
173

Sonja Caka

I dënuari Kastriot Kola e pagoi dy herë 550 euro për lejen e parë dhe lejen e dytë. Ish-drejtori, bashkëpunues edhe me të dënuar të tjerë për leje dhe transferime

 

burgu-i-shen-kollitIsh-drejtori i burgut të Lezhës bashkëpunimin kryesor në akordimin e lejeve për të burgosurit e kishte me vetë këta të fundit. Ai kishte një komunikim direkt me ta, duke folur lirshëm për lejet dhe pagesat për to, ndërsa të dënuarit ia lejonin vetes të ndërhynin te drejtori edhe për të dënuar të tjerë. Pagesat ishin në valutë, euro, ndërsa një leje ishte ekuivalente e 250 apo 300 eurove. Nga hetimet, ka rezultuar se i pandehuri Valentin Miri, komunikonte në mënyrë të vazhdueshme me të dënuarin Kastriot Kola (i dënuar 18 vjet për vrasje, përdorues i celularit nr. xxxxxxxxx), i cili kryente ndërhyrje vazhdimisht për të përfituar leje për vete dhe për të ndërmjetësuar për të burgosurit e tjerë. Konkretisht më datë 30. 01. 2013, i dënuari Kastriot Kola, nëpërmjet shtetases A.R me qëndrim në Itali, i ka dërguar me shërbimin Ëestern Union, shumën prej 250 euro, në llogari të Valentin Mirit. Për këtë transfertë Kastrioti  i ka dhënë me sms Valentinit edhe kodin dhjetëshifror (xxxxxxxxxx), me anë të të cilit mund të tërhiqte shumën përkatëse. Nga ana e prokurorisë me procesverbalin e datës 29. 04. 2013, u mor dhe u sekuestrua pranë Unionit Financiar Tiranë, një kopje e mandatit të tërheqjes së parave, dt. 30. 01. 2013. Mbi këtë bazë, më datë 05. 02. 2013, nga ana e të pandehurit Valentin Miri, me cilësinë e drejtorit të IEVP Shënkoll-Lezhë, i është dhënë “leje shpërblyese” për shtatë ditë të dënuarit Kastriot Kola, me fillim orën 13:00, të datës 05. 02. 2013. Pas lejes, i dënuari Kastriot Kola, është kthyer në IEVP Shënkoll-Lezhë, dhe ka pasur komunikime të vazhdueshme në celular me numra të operatorëve telefonikë italianë, ku komunikon kryesisht me një shtetase femër, në lidhje me paratë që ka fituar kjo e fundit në Itali dhe shumat përkatëse që i ka dërguar të dënuarit Kastriot Kola. Ky i fundit po përgatitej të përfitonte një “leje të veçantë” në muajin Prill, pasi kjo shtetase kishte planifikuar që të vinte në Shqipëri gjatë kësaj kohe dhe të takoheshin. Me qëllim përfitimin e “lejes së veçantë”, i dënuari Kastriot Kola pasi ka komunikuar me të pandehurin Valentin Miri, ka ngarkuar të afërmit e tij, të kryejnë veprime konkrete jashtë IEVP–s, për sigurimin e dokumentacionit me qëllim servirjen e rrethanave të rreme në lidhje me gjendjen shëndetësore të familjarëve të familjes Kola. Kastrioti ka ngarkuar shtetasin L.D, që të sigurojë tek mjeku një Epikrizë sikur babai i Kastriotit, shtetasi P. Kola, ka kaluar një parainfrakt kardiak. Më pas, më datë 29/03/2013 shtetasi L.D, sipas orientimit që i kishte dhënë Kastrioti, ka hyrë dhe ka takuar të pandehurin Valentin Miri, ku i ka dhënë shumën prej 300 eurosh, që Kastrioti të përfitonte “lejen e veçantë”. Nga ana e tij, i pandehuri Valentin Miri, pas ka marrë paratë, i ka thënë L.D, që të përgatiste një epikrizë, të cilën ta bënte me argumente të forta (për sëmundje të rëndë)……” Më datë 01.04.2013 L.D. ka marrë epikrizën, por në të nuk ishte përcaktuar se babai i Kastriotit ka qenë i shtruar në spital, por që i kanë bërë vizitë te shtëpia dhe që ka qenë në gjendje të rëndë…. Këtë e kanë paraqitur në sekretarinë e IEVP Shënkoll-Lezhë, sipas orientimit që i ka dhënë i pandehuri Valentin Miri, i cili i ka thënë se i duhej të ikte në Tiranë, se i kishte ndodhur një problem. Më pas, nga ana e tij, Kastrioti i ka kërkuar të pandehurit Valentin Miri, që t’ia përfundonte procedurën e dhënies së lejes së veçantë  “….Të uroj shnet Zotni, shiko e ma maro të mërkurën at muhabetin se më neron. Kalosh Bukur….” Pas paraqitjes së dokumentacionit për leje në IEVP Lezhë, nga ana e mjekut të institucionit është konstatuar se kjo epikrizë nuk i plotëson kushtet për të paraqitur shkak justifikues për “leje të veçantë” dhe si pasojë, nga ana e të pandehurit Valentin Miri nuk ka qenë e mundur pajisja me leje të veçantë e të dënuarit Kastriot Kola, pavarësisht se ai kishte marrë paraprakisht për këtë punë shumën prej 300 Euro. Për këtë arsye, i pandehuri Valentin Miri, e ka sqaruar edhe të denuarin Kastriot Kola. Ai gjithashtu, e sqaron edhe për pozitën jo të mirë që ka në punë pasi ka marrë vesh se mund ta shkarkojnë nga puna si Drejtor i IEVP Shënkoll-Lezhëe. Në lidhje me paratë e dhëna, Kastriot Kola i ka thënë të pandehurit Valentin Miri, se nuk ka problem t’i mbante paratë, pasi mund të duhen për të përfituar lejen shpërblyese kur të vije koha.

Komunikimi me të dënuar të tjerë

 

Nga ana e tij, i pandehuri Valentin Miri, kryente komunikime telefonike edhe me të dënuarin E.N., i cili pas daljes me leje vetë, interesohet për të dalë me leje edhe i dënuari tjetër, shok dhome i tij, shtetasi M.M, kundrejt një shume prej 10.000 lekësh (datë 01. 02. 2013). Më datë 03. 02. 2013, i dënuari E.N e informon të pandehurin Valentin Miri, se do të shkonte ta takonte një kushëri i M.M, dhe i kërkon që Valentini, t’i japë leje shpërblyese të dënuarit M.M (shok qelie) për shtatë dite, pasi do t’i thoshte që t’i dyfishonte ato.  Nga ana tjetër Valentini ka rënë dakord. Më pas, me vendimin nr. 988/4 prot., dt. 07. 02. 2013, nga ana e të pandehurit Valentin Miri, me cilësinë e Drejtorit te IEVP Shënkoll-Lezhe, i është dhënë leja shpërblyese të dënuarit M.M, për një afat prej pesë ditesh. (I dënuari M.M, me vendimin nr. 6895/3, date 22. 11. 2011, është ndëshkuar me masë disiplinore pasi ka thyer lejen shpërblyese që i është akorduar nga Institucioni). Po kështu, edhe Vlerësimi i sjelljes dt. 11. 12. 2012, për këtë të dënuar ka qenë “negativ”. Nga hetimet ka rezultuar se i pandehuri Valentin Miri, me cilësinë e drejtorit te I.E.V.P.Shenkoll-Lezhe, komunikonte në mënyrë të vazhdueshme me të dënuar, si A.L, etj, në lidhje me transferimin nga njëri burg në tjetrin apo nga një godinë në tjetrën.

Masa

Nga ana e Gjykatës së rrethit gjyqësor Tirane, me vendimin nr. 462, dt. 12. 04. 2013, është caktuar masa e sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit Penal, në ngarkim të të pandehurit Valentin Miri. Po me këtë ditë, nga ana e oficerëve të policise gjyqësore, është ekzekutuar vendimi i mësipërm i gjykatës ku është arrestuar i dyshuari Valentin Miri. Nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij, në Fushë-Kuqe, Kurbin, janë gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme parash (janë sekuestruar 14.000 euro dhe 1.064.00 lekë, si dhe janë sekuestruar 650 euro dhe 25.000 lekë) , si dhe tre armë luftarake (një automatik model 56, kal. 7.62mm, me nr. 12038045 me një kreher me 28 fishekë, një pistoletë Zastava me nr. 50103 me një krëhër me 8 fishekë, 10 copë fisheke kal. 9mm, si dhe një pistolete Berrete nr. xxxxxxx, kal 9 mm, me një krehër 16 fishekë, si dhe 11 fishekë të tjerë). Nga aktet balistike ka rezultuar se armët dhe municionet e gjetura në banesën e shtetasit Valentin Miri, janë të rregullta teknikisht dhe realizojnë qitje normalisht. Përveç pistoletës Bereta, dy armët e tjera rezultojnë pa leje. Po kështu, më datë 12. 04. 2013, është realizuar kontrolli i ambjenteve të dhomës nr.10, kati 2, godina nr.4 që i përkiste të dënuarit Kastriot Kola, ku u gjetën dhe u sekuestrua aparati telefonik NOKIA, si dhe karta SIM të nr.xxxxx, me anën e së cilës ky i dënuar, kishte komunikuar me të pandehurin Valentin Miri. Po kështu, në këtë dhomë u gjetën dhe sekuestruan edhe dy karta SIM, të dy kompanive celulare të ndryshme.

Akuzat

Valentin Miri akuzohet se ka kryer veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Prodhimit e Mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, të parashikuar nga nenet 248, 259 dhe 278/2 të Kodit Penal.

Lejet shpërblyese, kur jepen

Të dënuarve, të cilët respektojnë rregulloren e brendshme të institucionit, kanë sjellje të mirë dhe nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore, për realizimin e interesave të tyre emocionale, personale, ekonomike dhe kulturore, drejtori i institucionit mund t’u japë leje shpërblyese, kohëzgjatja e të cilave, në total, nuk mund të jetë më shumë se 20 ditë në vit. Për të dënuarit e mitur, kohëzgjatja e lejeve shpërblyese nuk mund të jetë më shumë se 20 ditë për çdo rast të dhënies së saj dhe, në total, nuk mund të jetë më shumë se 45 ditë në vit. Lejet shpërblyese janë pjesë e trajtimit rehabilitues dhe zbatimi i tyre ndiqet nga punonjësit e shërbimit përkatës. Sjellja e të dënuarit vlerësohet e mirë, kur gjatë vuajtjes së dënimit, në mënyrë të vazhdueshme, i dënuari ka shfaqur ndjenjë përgjegjësie e sjellje korrekte me punonjësit e institucionit, me të dënuarit e tjerë dhe gjatë veprimtarive kulturore e punës së organizuar nga institucioni, si dhe ka krijuar besimin e një qëndrimi të mirë jashtë institucionit. Mosdhënia e lejes shpërblyese motivohet vetëm si masë disiplinore, në përputhje me shkronjën “dh” të nenit 53, si dhe në rastet e një situate të jashtëzakonshme. Leja shpërblyese në burgjet apo seksionet e sigurisë së lartë jepet vetëm me urdhër të Ministrit të Drejtësisë ose me autorizimin e tij nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve. Në rast refuzimi, i burgosuri mund të ankohet në gjykatë, e cila vendos për kërkesën për dhënien e lejes.

Leja shpërblyese i jepet:

a)  personave të dënuar deri në 3 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 1/4 e dënimit;

b)  personave të dënuar nga 3 deri në 10 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 1/2 e dënimit;

c) personave të dënuar mbi 10 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 2/3 e dënimit.

Leje të veçanta

Drejtori i institucionit mund t’u japë të dënuarve leje të veçantë, në rast të sëmundjeve të rënda, të cilat rrezikojnë jetën e anëtarëve të familjes, të vërtetuar me raport mjekësor, apo të ngjarjeve të rëndësishme familjare, si vdekje, lindje apo martesa. Kjo periudhë përfshihet në kohën e vuajtjes së dënimit. Leja e veçantë mund të jepet deri në 7 ditë dhe, me kërkesë të të dënuarit, mund të zgjatet për aq kohë sa e diktojnë rrethanat. Në çdo rast, kohëzgjatja e lejes së veçantë nuk mund të jetë më shumë se 30 ditë. Në rast se dhënia e lejes refuzohet nga drejtori i institucionit, i burgosuri mund të ankohet në gjykatë, e cila vendos për kërkesën për dhënien e lejes. Dhënia e lejes së veçantë i komunikohet menjëherë strukturave të Policisë së Shtetit, ku do të qëndrojë i dënuari.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency