Standard.al

Lame: Nuk lejojmë legalizime të falsifikuara, Bashkia: Akuzojnë ata që betonizuan Tiranën

Hoxha, thirrje qytetarëve: Mos u mashtroni, çdo ndërtim pa leje do të prishet

 

Fadroma-2_1_607627

Nga selia e Partisë Socialiste, Artan Lame deklaroi ditën e djeshme se qeveria e re nuk do të bëjë asnjë legalizim të ndërtimeve që janë në zonat bregdetare dhe që paraqiten me dokumente të falsifikuara. Sipas tij, qeveria e re që do të krijohet në shtator do të vazhdojë aksionin për prishjen e nderimeve pa leje. “Ne do legalizojmë falas shtëpitë në zonat informale, programi do bëhet brenda 100 viteve, por nuk do legalizojmë asgjë të kundërligjshme në vijën bregdetare, dhe rrugë kombëtare, në parqe, zona të trashëgimisë kulturore, zona turistike. Ne po mbledhim informacione për falsifikimet që po bëhen me legalizimet e ndërtimeve pa leje, në Dajt, Pogradec, Krujë, në bregdetin Orikum – Vlorë, në zonën historike të Lezhës ku vazhdojmë të marrim denoncimet nga qytetarët”, – tha Lame. Ai bëri me dije se Kryeministri i zgjedhur Edi Rama do të bëjë publike paketën e emergjencës kombëtare për territorin, sapo të jetë emëruar në këtë post, ndërsa denoncoi edhe atë që e quajti shkatërrim të hapësirave të gjelbra, duke iu referuar parkut të lodrave tek “7 Xhuxhët”.

Bashkia

Zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës menjëherë reagoi në lidhje me akuzat e bëra nga Artan Lame. Ajo sqaroi se tashmë bashkia e kryeqytetit nuk udhëhiqet më nga interesat e Ramës, por qytetarët janë të parët. Anila Bisha theksoi se, në fakt, tashmë Tirana ka planin e saj urbanistik pas 11 vitesh dhe janë pikërisht ata që për shkak të interesave të tyre personale e lanë kryeqytetin pa plan. “Bashkëprojektuesi i betonizimit dhe i shkatërrimit të mijëra metrave katrorë hapësira të gjelbra të zhdukura për 11 vite nëpërmjet aferave korruptive akuzoi sot (dje) Bashkinë e Tiranës. Siç i hëngrën këto mijëra metra katrorë hapësira të gjelbra dhe i kthyen në përfitime të majme sot po hanë turpin me bukë duke hedhur akuza të pabaza ndaj Bashkisë. Ata që për 11 vjet për interesa personale lanë Tiranën pa një plan urbanistik duke lejuar zhvillim klientelist kanë kurajon të flasin dhe akuzojnë sot Bashkinë e Tiranës. Tirana ka sot planin e saj urbanistik mbi të cilin do të zhvillohet qyteti, të hartuar me ekspertizën më të mirë vendase dhe të huaj dhe miratuar me konsensusin më të gjerë të mundshëm. Sepse sot Tirana nuk udhëhiqet nga interesat e Ramës por nga interesi i qytetarëve të saj”, – deklaroi zëdhënësja e bashkisë.

Hoxha

Inspektorati Ndërtimor vijoi dje aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në Tiranë. Ditën e djeshme inspektorati e ka përqendruar punën e tij me prishjen e një shtese pa leje në katin e sipërm të një pallati, në rrugën “Mihal Grameno”, në njësinë bashkiake nr. 2. Drejtori i Inspektoratit të Ndërtimit, Florenc Hoxha, ka përsëritur thirrjen e tij ndaj qytetarëve të Tiranës të mos ndërtojnë pa leje dhe të mos bien pre e mashtrimeve të eksponentëve të lartë socialist për legalizimin e tyre, se të gjitha ndërtimet pa leje do të prishen. “Inspektorati Ndërtimor Urbanistikë i Bashkisë Tiranës sot po vijon punën e tij në lidhje me ndërtimet pa leje. Pra për të goditur çdo ndërtim pa leje në qytetin e Tiranës. Këtu pas meje shikohet që në mënyrë abuzive ka lulëzuar një ndërtim pa leje, shtesë kati, të cilën ne do ta vendosim përpara kushteve të ligjshmërisë duke e kthyer në gjendjen e mëparshme”, – u shpreh Hoxha. Ky i fundit tha se ka një kontakt të vazhdueshëm me ALUIZNI-n për të vendosur në kushtet e ligjshmërisë çdo objekt të ndërtuar pa leje, i cili mund të ketë aplikuar pranë ALUIZNI-t. Asnjë prej këtyre objekteve nuk mund dhe nuk do të përfitojë nga legalizimi. “Po verifikojmë dhe po konstatojmë çdo ndërtim pa leje që është bërë gjatë këtyre muajve të fundit. Kemi pasur një korrespondencë me zyrat e ALUIZNI-t për të përcaktuar kushtet e ligjshmërisë dhe për të përcaktuar çdo objekt pa leje, i cili mund të ketë aplikuar pranë ALUIZNI-t pikësëpari duke e përjashtuar atë nga legalizimi dhe më pas për të vepruar me forcën e ligjit. Garantojmë edhe njëherë qytetarët e Tiranës, që do të veprojmë ndaj çdo objekti të paligjshëm që është ndërtuar në mënyrë abuzive gjatë këtyre kohëve në qytetin e Tiranës”, – deklaroi ai. Më tej kreu i Inspektoratit Ndërtimorë i ka bërë thirrje eksponentëve të PS-së të mos ndërtojnë pa leje dhe kërkoi nga PS të mos e politizojë çështjen e ndërtimeve pa leje për të mbrojtur eksponentët e saj.

 

 

 

Kryeministri, ngushëllime homologut italian për humbjet njerëzore të aksidentit të Avelinos

Kryeministri Berisha i ka dërguar një telegram ngushëllimi Kryeministrit Italian Enrico Letta, ku i shpreh ngushëllimet për humbjet e jetëve njerëzore në aksidentin tragjik të ndodhur pak ditë më parë në afërsi të qytetit të Avelinos. Në mesazhin e tij kryeministri shprehet: “I dashur zoti Kryetar i Këshillit të Ministrave,Me keqardhje të thellë kam mësuar për aksidentin tragjik të rrëzimit të autobusit të pasagjerëve në afërsi të qytetit Avelino, si pasojë e të cilit humbën jetën 38 qytetarë e u plagosen disa të tjerë. Në këto çaste hidhërimi e dhimbjeje të madhe, në radhë të parë për familjet e viktimave, por edhe për ju, qeverinë Tuaj e popullin italian Ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta e të qeverisë shqiptare dhe ndjenjat më të thella të solidaritetit njerëzor për humbjet e jetëve njerëzore, si dhe urimet për shërimin e plotë e të shpejtë të të lënduarve. Shqiptarët u bashkohen lutjeve tuaja që shpirtrat e viktimave të kësaj tragjedie të rëndë të gjejnë paqen e amshuar”, – shkruan kreu i qeverisë në mesazhin e tij.

 

Reagimi

Ambasada amerikane përshëndet qeverinë e re, përgëzime për numrin e grave

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës deklaroi dje se mirëpret ministrat e sapozgjedhur të kabinetit të ri të Aleancës për Shqipërinë Evropiane. Në një deklaratë për shtyp, ambasada vlerëson me nota pozitive emërimin dhe caktimin e një numri më të madh grash në dikasteret kyçe të qeverisë. “Përfshirja e ministreve pasqyron një hap pozitiv drejt barazisë më të madhe gjinore brenda udhëheqjes politike të Shqipërisë”, – thuhet në deklaratë. Ambasada e SHBA nënvizon se pret me kënaqësi të punojë me Këshillin e ardhshëm të Ministrave në zbatimin e axhendës së reformave për të arritur synimet e Shqipërisë për integrimin evropian. “Shumë prej ministrave të caktuar kanë pasur përvoja profesionale dhe arsimore në Shtetet e Bashkuara”, – vlerëson më tej ambasada, e cila shton: “Gjithashtu, presim me kënaqësi vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me të gjitha partitë e përfaqësuara në Kuvendin e Shqipërisë”.

Comments are closed.