Standard.al

Kukësi po bën historinë

Altin Vorpsi

Në faqen e saj zyrtare në internet, UEFA, “qeveria” e futbollit në Evropë, i ka kushtuar dje një hapësirë të konsiderueshme formacionit verilindor. Fati i Kukësit në Europa League tashmë ka pak rëndësi, sepse nënkampionët e Shqipërisë treguan se bukuria e futbollit qëndron në faktin se në përplasjet me eliminim direkt, renditja dhe koefiçentët nuk do të thonë asgjë. Pra, me pak fjalë skuadra e binomit Starova – Cungu po “sfidon” ligjet e fizikës.

 

fitorja e kukesitAskujt nuk i ka shkuar në mendje se një ditë shqiptarët do të krenoheshin më shumë për një skuadër që ka në “histori” vetëm një edicion në Superiore sesa vetë kombëtarja. Me këtë të fundit jemi mësuar që të bëjmë tifo, edhe pse asnjëherë nuk ia ka dalë që të kthejë ëndrrën në realitet. Ndërkohë, për ekipin “e ri” të Kukësit nuk ka më fjalë për ta përcaktuar. Skuadra e drejtuar nga dyshja Starvoa – Cungu është kthyer në një “flamur” që të gjithë në Shqipëri duan ta “valëvisin”.

UEFA “flet” me superlativa

Fitorja 2-0 me Metalurg Donetskun, në takimin e parë të turit të tretë kualifikues të Europa League ka bërë jehonë edhe te UEFA. Institucioni i futbollit evropian i ka kushtuar një hapësirë të veçantë në faqen e tij zyrtare suksesit të nënkampionëve të Shqipërisë, që në këtë fazë të kompeticionit kishin koefiçentin më të vogël në renditjen e 58 skuadrave pjesëmarrëse. “Kukësi i përulur vazhdon të gjëmojë për Shqipërinë”. kështu titullohet shkrimi që përshkruan mbrëmjen magjike të skuadrës verilindore kundër ukrainasve të Donetskut, që kurrsesi nuk e kishin menduar që do të largoheshin nga Shqipëria me një rezultat negativ që kompromenton edhe kualifikimin. “UEFA.com” citon edhe trajnerin Armando Cungu, sipas të cilit “Kukësi po bën historinë”. UEFA e hapte këtë shkrim me një fjali shumë domethënëse: “Për Kukësin, numrat e renditjes së skuadrave në Ligën e Evropës janë germa pa vlerë në një copë letre”.

R dhe R

Pas triumfit ndaj Metalurgut, të gjithë kanë hedhur vëmendjen drejt rekordit të Kukësit dhe rivales që do të ketë në fazën “paly off” ky formacion. Kukësi është ekipi i vetëm shqiptar që nuk ka humbur asnjë nga 5 ndeshjet e zhvilluara deri tani dhe që ka regjistruar ecurinë më të mirë në kompeticionet evropiane. Në rast kualifikimi ndaj Metalurg Donetskut, ëndrra do të vijojë në fazën “play off”, përballë kundërshtarëve të tillë si Totenhem Hotspur, Dinamo Kiev apo Fiorentina.

 

Plani

Ja si do të nisë Bajerni sezonin e ri

“Tashmë do të nisim të argëtohemi. Jemi gati për të nisur Bundesligën”, – tha Pep Guardiola pas fitores së “Audi Cup”. Pavarësisht nga eksperimentet me 4-3-3, 3-3-3-1 apo edhe moduleve më ekstravagante, Pep duket se e ka konsoliduar formacionin me të cilin do të luajë këtë sezon. Mediat gjermane nisen nga dy ndeshjet e fundit të “Audi Cup” kundër Sao Paulos dhe Mançester Sitit, në të cilat 42-vjeçari bëri ndryshime minimale nga skuadrat me të cilat mposhti brazilianët dhe anglezët. Por çfarë konfirmuan dy ndeshjet e fundit? Në radhë të parë, rolin e organizatorit dhe shkatërruesit përpara mbrojtjes do të vazhdojë ta bëjë Bastian Shvajnshtajger. Pep mendonte që këtë rol ta mbulonte Tiago dhe Shvajnin ta spostonte përpara në mesfushë, por ndeshja me Dortmundin ia rrëzoi njëherë e mirë këtë plan. Zv.kapiteni fitoi balotazhin me Tiagon për pozicionin e numrit “6”. Alkantara do të marrë rolin e fantazistit të mirëfilltë (numrit 10) përkrah Krosit, që herë pas here do të rikthehet pas për të ndihmuar Shvajnin kur Bajerni të mbrohet (4-2-3-1). Roli i Martinezit duket përfundimisht i vendosur, ai do të jetë në qendër të mbrojtjes, përkrah Dantes ose Boatengut, por për momentin braziliani duket favorit. “Robbery” konfirmohen në krahët e mesfushës, ndërsa eksperimentet me Lamin si mesfushor, duket se kanë qenë thjesht të tilla, dhe kapiteni mund të avancojë vetëm kur Bajernit i duhet të ndryshojë rezultatin. Edhe Lam ashtu si Shvajni e ka të sigurt vendin në krah të djathtë të mbrojtjes. Por surpriza duket numri “9”. Pavarësisht se Manxukiç po shkëlqen, për Guardiolën Myler mbetet zgjedhje e parë. Por çfarë do të ndodhë kur të rikthehet Gëce? “Nuk e kemi problem luksin. Tek Bajerni nuk do gjeni asnjë lojtar që është i kënaqur në stol”, – tha Rumenige. Nëse mediat kanë të drejtë apo jo kjo pritet të konfirmohet të hënën, kur kampionët në fuqi të kupës do të ndeshen me amatorët e kategorisë së katërt Rehden.

 

Merkato

Reali është gati të kryejë “çmendurinë”

Garet Bejl është gjithmonë e më pranë Realit të Madridit, pasi vendosi që të mos udhëtojë së bashku me skuadrën, në ndeshjen miqësore kundër Monakos. Sipas mediave britanike, futbollisti ishte i pranishëm të premten në qendrën stërvitore, por ushtroi presion mbi klubin për të mos udhëtuar, pasi dëshiron që të konkretizohet sa më shpejt kalimi tek Reali i Madridit. Duket se Bale i kërkoi klubit që të merrte një vendim sa më të shpejtë për të ardhmen e tij, ndërsa në rast grumbullimi për miqësoren e Francës, do të deklaronte se ishte i dëmtuar dhe nuk mund të luante. Të dy klubet, Totenhem dhe Reali kanë gjetur një marrëveshje mbi bazën e 120 milionë eurove, çka do ta shndërronte 23-vjeçarin në blerjen më të shtrenjtë në historinë e futbollit, por klubi anglez nuk ka kaluar ende hezitimet e tij të fundit. Nga ana e tij, trajneri Vijas – Boas, ndonëse këmbëngul se s’ka pasur asnjë ballafaqim të drejtpërdrejtë me Bejl apo përfaqësuesit e tij, ka qenë i detyruar të pranojë se “ka dëgjuar nga burime të ndryshme se futbollisti kërkon të largohet”.

 

 

 

 

Comments are closed.