Kolegji Zgjedhor ndan mandatet, nuk ndryshojnë rezultatet, koalicioni i majtë merr 83 deputetë dhe koalicioni i djathtë 57

0
183

Florenc Drizari

Ndarja e mandateve në Kolegjin Zgjedhor nuk ndryshon rezultatet e zgjedhjeve të dala më 23 qershor

 

kolegji

Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë vendosi në mënyrë përfundimtare ndarjen e mandateve për 12 qarqet e vendit. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor erdhi si pamundësi e KQZ-së për marrjen e një vendimi të tillë, ndërkohë që me vendimin e djeshëm, trupi gjyqësor i ngritur veçanërisht për çështjet zgjedhjeve i dha fund procesit elektoral në vend. Gjatë ditës së djeshme, trupi gjyqësor pranë Gjykatës së Apelit zhvilloi 12 seanca gjyqësore, aq është edhe ndarja administrative sipas qarqeve. Vendimet e Kolegjit Zgjedhor nuk ndryshojnë numrin e mandateve të marra nga çdo parti politike në zgjedhjet e 23 qershorit, ku koalicioni i majtë ASHE ka fituar 83 vende në parlament dhe koalicioni i djathtë APMI, 57 vende.

Më herët ishte Partia Socialiste që me anë të një padie në Kolegj kërkoi certifikimin e zgjedhjeve, duke anashkaluar dorëzimin e procedurave në KQZ me argumentin se komisioni më i lartë zgjedhor nuk ka numrat e nevojshëm të anëtarëve për ta gjykuar këtë çështje. Pas marrjes së paditës, Kolegji u  mblodh pasditen e së premtes duke zhvilluar 12 seanca gjyqësore për çdo qark të vendit. Vendimet e Kolegjit Zgjedhor nuk ndryshojnë numrin e mandateve midis koalicioneve, por përllogaritja e tyre u bë në bazë të tabelave të rezultateve që kishte dorëzuar më parë Partia Socialiste dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Si PS ashtu edhe KQZ në sallën e gjyqit nuk paraqitën kundërshti për tabelat e rezultateve. Mendoni përfaqësuesit e PD-së, duke mbajtur një qëndrim kundër ndarjes së mandateve nga Kolegji Zgjedhor në kushtet e dorëzimit të kërkesës së PS-së.

PS

Partia Socialiste e përfaqësuar nga përfaqësuesi ligjor në Kolegjin Zgjedhor, Koli Bele, kërkoi ndarjen e mandateve nga kjo trupë gjyqësore me argumentin se është përmbushur afati ligjor për të marrë një vendim të tillë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka kuorumin e nevojshëm për shpërndarjen e tyre. Koli Bele tha se rezultat është i qartë për të gjithë dhe Kolegji duhet të bëjë formalisht vetëm certifikimin e mandateve në mënyrë formale, duke i dhënë fund procesit që vazhdon që pas 23 qershorit. Sipas tij, pretendimet e PD-së për pushimin e çështjes, tentojnë të zvarrisin procesin dhe për pasojë formimin e qeverisë së ardhshme në shtatorin e ardhshëm. Fillimisht përfaqësuesit e PS-së kërkua para trupit gjyqësor bashkimin e çështjeve për 12 qarqet e vendit një çështje të vetme, duke argumentuar se thelbi është i njëjtë dhe po ashtu trupi gjyqësor. Por pretendimet e përfaqësuesve të PS-së u hodhën poshtë nga Kolegji, i cili shqyrtoi më vetë çdo çështje gjyqësore.

KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u përfaqësua në Kolegj nga drejtorja Juridike Dëshira Pasko. Në pretendimet e saj, Pasko tha se KQZ gjatë ditës së djeshme zhvilloi një mbledhje për shpërndarjen e mandateve, por mungesa e kuorumit bëri që kjo çështje t’i lihej për vendimmarrje Kolegjit Zgjedhor. Përballë trupit gjyqësor Pasko dorëzoi tabelat e rezultateve të dala nga KQZ, procesverbalin e mbledhjes si dhe listën shumemërore të partive politike, prova këto që u kërkuan edhe nga anëtarët e Kolegjit. Në lidhje me vendimmarrjen e Kolegjit, drejtoresha Juridike në KQZ, ia la në dorë gjykatës të vendosë për ndarjen e mandateve, duke mbajtur një qëndrim asnjanjës lidhur me dy pretendimet e kundërta të PS-së nga njëra anë që kërkonte certifikimin e zgjedhjeve, dhe PD-së nga ana tjetër që pretendonte se kërkesa nuk plotësonte afatet.

PD

Përfaqësuesi i PD-së në Kolegj, Ivi Kaso, i kërkoi trupit gjyqësor pushimin e çështjes të ngritur nga PS, me argumentin se ajo nuk plotësonte afatet ankimore që parashikon Kodi Zgjedhor, nuk adresohej në kohën e duhur në institucionin e duhur, për faktin se sipas tij, çështja duhej të kalonte në KQZ. Gjithashtu Ivi Kaso kundërshtoi çdo vendim të Kolegjit për marrjen në shqyrtim të secilës çështje të ankimuar nga PS për ndarjen e mandateve. Si palë e interesuar në proces, z. Kaso tha se ligji për ndarjen e mandateve parashikon afate, procedura dhe institucion, të gjitha këto sipas tij, u shkelën nga Partia Socialiste me kërkesën e bërë në Kolegj, pa kaluar më parë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Fillimisht ai kundërshtoi pretendimin e PS për ndarjen e mandateve pa u përmbushur afatet për t’u ankimuar në KQZ, kërkesë e cila u rrëzua nga Kolegji, trupa e së cilës vendosi shqyrtimin në themel të çështjes.

Kolegji Zgjedhor

Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë, pranoi të shqyrtonte çështjen e ngritur nga PS për ndarjen e mandateve për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit. Kolegji fillimisht rrëzoi kërkesën e PS-së për bashkimin e çështjeve në një të vetme, ndërsa pranoi shqyrtimin e çështjes në themel. Gjatë ditës së djeshme Kolegji Zgjedhor miratoi ndarjen e mandateve duke administruar prova nga PS dhe KQZ për 12 qarqet e vendit. Pas zhvillimit të 12 seancave gjyqësore, Kolegji miratoi përfundimisht ndarjen e mandateve për koalicionet, brenda koalicioneve dhe listën shumemërore. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor vulos përfundimisht rezultatet e zgjedhjeve të 23 qershorit në vendin tonë, duke i hapur rrugë betimit të qeverisë së re në muajin shtator.

 

Edi Rama në CNN-in turk: PS ka projekt ambicioz për transformimin e Shqipërisë

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama gjatë vizitës së tij në Turqi, u ftua nga një tjetër media e ndërkombëtare, CNN-i turk, ku ai u intervistua mesditën e së premtes nga drejtoresha e lajmeve e këtij televizioni në Stamboll.

Biseda u përqendrua tek qeveria e re që nis punën në shtator, në reformat që ajo do të ndërmarrë, por edhe për vitet e punës së zoti Rama si kryetar i Bashkisë së Tiranës për 3 mandate.

Rama deklaroi se Partia Socialiste ka një projekt ambicioz për transformimin e Shqipërisë. Ai theksoi se bashkë me Italinë dhe Greqinë, Turqia do të jetë partner strategjik i Shqipërisë në fushat kryesore.

Ndërkohë, të shtunën në orën 14:30 me orën lokale, Rama do të takojë Kryeministrin e Turqisë, Recep Taip Erdogan, takimi i dytë brenda një kohe të shkurtër.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency