Standard.al

INSTAT: Afarizimi në telekomunikacion, rritje 0.5% në tremujorin e parë

Ervin Kaduku

 – Numri i të punësuarve shënoi një rënie me 13% me bazë vjetore në tremujorin e parë, tkurrja më e madhe kjo që ka parë ndonjëherë ky sektor. Por, pagat për të tjerët janë rritur me 19.5% me bazë vjetore, zgjerimi më i madh që nga tremujori i parë 2011

 

 

man-with-phone

Sipas të dhënave nga INSTAT-i, shifra e afarizimit në vlerë në tregun e telekomunikacioneve është rritur me 0.5% me bazë vjetore në tremujorin e parë të vitit, duke ngadalësuar ndjeshëm ritmet e rritjes në raport me dy tremujorët e mëparshëm, kur u panë norma dyshifrore zgjerimi. Pas një rënieje të vazhdueshme që nga 2010-a, tregu përmirësoi ritmet e rritjes në 2012-ën, por që erdhi në pjesën më të madhe si rrjedhojë e ndryshimit të çmimit të “terminimit” të thirrjeve ndërkombëtare, i cili mbahet në nivele rreth 20 cent për minutë nga rreth 6 cent për minutë që ishte përpara liberalizimit (mars 2012). Tashmë ai duket se po i rikthehet ritmeve normale të rritjes.

Në një treg në maturim, kompanitë e telekomunikacionit po përpiqen që të bëhen më eficiente. Sipas të dhënave të INSTAT rezulton se numri i të punësuarve shënoi një rënie me 13% me bazë vjetore në tremujorin e parë, tkurrja më e madhe kjo që ka parë ndonjëherë ky sektor. Por nga ana tjetër, punonjësit e mbetur kanë parë të ardhura më të larta. Pagat janë rritur me 19.5% me bazë vjetore, zgjerimi më i madh që nga tremujori i parë 2011, kur hyrja në treg e operatorit të katërt shtoi konkurrencën për punonjës.

Tregu në 2012-n

Nisur nga informacione nga burime të ndryshme, del se katër kompanitë celulare gjeneruan shitje prej rreth 42.3 miliardë lekë përgjatë 2012-ës ose 3.7 miliardë lekë më tepër se viti 2011.

Numri i përdoruesve u rrit me 7 për qind dhe i bisedave me 17 për qind, por efektin kryesor në zgjerimin e tregut e dha ndryshimi i çmimit të “terminimit” të thirrjeve ndërkombëtare .

Pavarësisht konkurrencës, kompania “Vodafone” konfirmon dominimin në treg, ku nga 46.8 për qind të totalit të tregut sipas të ardhurave në 2010-n, në 2012-n pesha e saj është rritur në 54.7 për qind. “AMC” zë 31.6 për qind të tregut, nga 40.7 për qind në 2010.

Kompania, e cila hyri e treta në treg, “Eagle Mobile” zë 9.4 për qind të tregut në fund të 2012-s, nga 12.5 për qind të vitit 2010.

Kompania “Plus” hyri në vitin e dytë të plotë të operimit në treg, ndërsa pesha e saj në sektor, sipas të ardhurave, arriti në 4.3% në fund të 2012-ës.

 

 

CEZ jep ultimatumin: Institucionet të shlyejnë borxhet brenda pesë ditësh!

Ervin kaduku

Institucionet debitore ndaj kompanisë “CEZ Shpërndarje” kanë afat vetëm pesë ditë, deri më datë 7 gusht, që të shlyejnë detyrimet e tyre, në të kundërt, kompania do të marrë masa me ndërprerje të energjisë elektrike. Debitorët më të mëdhenj të kompanisë “CEZ Shpërndarje” vazhdojnë të jenë institucionet publike buxhetore dhe jo buxhetore, ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve etj. Problematika e zgjidhjes së borxhit që këto institucione i kanë kompanisë daton që nga administrata e mëparshme.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar, kompania u detyrua të merrte masa për ndërprerjen e energjisë ndaj të gjitha institucioneve dhe ujësjellësve, por hasi reagimin e menjëhershëm të qeverisë, sipas së cilës, nuk do të lejohej ndërprerja e furnizimit me energji e të gjitha ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve që rezultonin debitore. Borxhi në atë kohë që këto institucione i detyroheshin CEZ arrinte në 38 milionë euro dhe kompania kishte bërë apelime të shpeshta për shlyerjen e detyrimeve.

Duket se paratë që i nevojiteshin kompanisë çeke, i kërkon edhe administrata aktuale. Një ditë më parë, kreu i “CEZ Shpërndarje”, Sahit Dollapi, bëri të ditur nisjen e importit të energjisë nga ana e kompanisë në një vlerë prej 200 milionë kilovatorë për të mbuluar humbjet e muajit gusht. Situata financiare për CEZ pritet të vështirësohet edhe më tej me afrimin e stinës së ftohtë që sjell edhe rritje të konsumit energjetik dhe rrjedhimisht një rritje të humbjeve në rrjet e shoqëruar kjo dhe me çmime energjetike më të larta.

 

 

Comments are closed.