Standard.al

Dixhitalizohen kartelat e të dënuarve në burgje dhe në Shërbimin e Provës

Sonja Caka

Halimi: Nga 1 shtatori ato do të zbatohen në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit në Shqipëri. Dixhitalizimi sjell menaxhim në kohë reale të sistemit të të dhënave për të dënuarit në vend

 

zatvorU realizua dhe premtimi i fundit, dixhitalizimi i kartelave të të dënuarve dhe Shërbimi i Provës. Ky ka qenë anonçimi më i fundit që ministri i Drejtësisë Eduard Halimi bëri përmes rrjetit social Facebook, duke prezantuar edhe risinë që sjellin këto dy sisteme të reja dixhitale në dy prej institucioneve nën varësi të institucionit që drejton. “Grupi i talentuar i bashkëpunëtorëve të mi përfundoi sot dy prej sistemeve elektronike më të dobishme në menaxhimin e kartelave të të dënuarve që janë në burgje dhe atyre në shërbimin e provës. Sistemi elektronik E-GOV CRM SHP për Shërbimin e Provës dhe sistemi E-GOV CRM DPB për dosjet e te dënuarve në Drejtorinë e Përgjithshme te Burgjeve, janë dy sistemet më moderne të administrimit dixhital të arkivit dhe gjendjes aktuale të personave që vuajnë një dënim penal. Gjatë vizitave zyrtare të mia, në disa vende të BE-së kërkova të merrja modelet e sistemeve të tilla, të cilat dhe në vendet më të zhvilluara ishin duke u ndërtuar, ndaj i nxitur nga ngjarja e para disa muajve ku një person kishte hyrë e dalë disa herë nga gjykata për vepra penale ndaj të miturve dhe se për të mungonin rekordet në Drejtorinë e Burgjeve, i kërkova vendosmërisht bashkëpunëtoreve të mi të merrnim masa të menjëhershme për të parandaluar raste të ngjashme”, – shprehet ministri Halimi, ndërsa shpjegon edhe kostot e këtyre dy sistemeve të reja dixhitale. “Pa asnjë shpenzim nga paratë e taksapaguesve, ekspertët e IT-së, arritën të sillnin sy sisteme të cilat do të menaxhojnë në mënyrë elektronike të dhënat për të dënuarit, të dhënat personale, krimet për të cilat janë dënuar, gjendjen psikologjike, lidhjet me alkoolin apo drogat, prirjet negative, përpjekjet për rehabilitim, të dhënat për sociologët, psikologët, mjekët, kartelat mjekësore, të dhënat për policinë, të dhënat për gjykatën e prokurorinë”, – vijoi ai sqarimet e tij. Më tej në publikimin e tij në rrjetin social, ministri shton: “Sistemet elektronike do të bëjnë që të menaxhohen më lehtë dhe në kohë reale të dhënat e të dënuarve, do të rrisin kontrollin mbi të gjitha lejet që jepen në burgje, mbi të gjitha raportet e sociologeve në shërbimin e provës në lidhje me rehabilitimin, do menaxhohen rastet e korrupsionit eventual, rastet e verifikimit të takimeve dhe kontrolleve në burgje”.

Transparenca

Publikimi i ministrit vijon me transparencën që do të sjellë në vijimësi në këto dy institucione. Ai shton: “Kam qenë dhe jam gjithmonë i bindur se dixhitalizimi rrit transparencën dhe transparenca rrit përgjegjshmërinë e çdokujt përballë ligjit, duke reduktuar korrupsionin dhe ndihmuar në sigurinë publike të qytetarëve. Këto sisteme përmbajnë elementet më të larta të sigurisë dhe mbrojtjes së të dhënave, duke respektuar privatësinë e të dënuarve dhe të të gjithë përdoruesve të tjerë të interesuar. Nga 1 shtatori ato do të zbatohen në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit në Shqipëri. Kjo ishte reforma e fundit që kishim premtuar të realizonim këtë vit në fushën e dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë. I jam mirënjohës cilitdo që besoi në projektin e drejtësisë dixhitale si mundësia me e mire për të ofruar shërbime cilësore dhe transparente për çdo qytetar. Fal kontributit të nëpunësve të administratës ne realizuam çdo projekt të premtuar, patëm arritje te rëndësishme dhe një qeverisje të suksesshme”, – përfundon mesazhi i tij.

 

 

Krimet e Rënda

Pushimi i hetimeve, rrëzohet kërkesa e Arben Frrokut

Rrëzohet kërkesa e avokatit mbrojtës të Arben Frrokut për pushim të hetimeve ndaj tij dhe për pasojë edhe rrëzimin të kërkesës së akuzës për zgjatje të afatit të hetimeve. Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë nuk e pranoi dje kërkesën e avokatit mbrojtës, Tonin Prendi, për pushimin e hetimeve ndaj Arben Frrokut. Avokati kërkoi nga gjykata të refuzohet zgjatja e hetimit edhe për dy muaj Frrokut dhe të pushohet akuza për mungesë të provave. Prokurori i kundërshtoi pretendimet e mbrojtësit, duke argumentuar se brenda afatit dy mujor të zgjatjes së hetimeve, pritet ekstradimi i Arben Frrokut dhe Jak Jakut në Shqipëri. Me ardhjen e tyre, sipas akuzës, do të pyetën për ngjarjen dhe më pas do të vendoset dërgimi apo pushimi i hetimeve ndaj të dyshuarit. Sipas prokurorisë, e vetmja provë shkencore që akuza ka siguruar është gjetja e disa faktorëve plotësues në pallton e të dyshuarit, që mendohet se mund të jenë mbetje baruti. Në sallë ishte i pranishëm edhe vëllai i të dyshuarit, tashmë i mandatuar si deputet i qarkut të Shkodrës, z. Mark Frroku. Personi nën hetim Arben Frroku ndodhet i arrestuar në shtetin fqinj të Greqisë në pritje të ekstradimit drejt Shqipërisë, pas vendimit të marrë nga Gjykata e Lartë e Athinës që pranoi kërkesën e palës shqiptare për lejimin e ekstradimit. Tashmë pritet që ekzekutimin e ekstradimit ta firmosë ministri i Drejtësisë greke, e cila do i japë mundësinë organit të akuzës së Krimeve të Rënda të marrë në pyetje vetë të akuzuarin lidhur me këtë akuzë.

 

 

Comments are closed.