Kërkoni kritika

0

foto104Mos kundërveproni ndaj shpërthimeve emocionale

Loading...

Çlirimi i emocioneve mund të rezultojë si i rrezikshëm nëse ai çon në një kundërveprim emocional. Nëse nuk kontrollohet, ai mund të përfundojë në një grindje të ashpër. Një teknikë e veçantë dhe efektive për të kufizuar ndikimin e emocioneve u përdor në vitet 1950 nga Komiteti për Marrëdhëniet Njerëzore, një grup për menaxhimin e punës i krijuar në industrinë e çelikut, për trajtimin e konflikteve që shfaqeshin përpara se ato të ktheheshin në probleme serioze. Anëtarët e komitetit miratuan një rregull, sipas të cilit vetëm një person mund të zemërohej në një çast të caktuar, jo dy në të njëjtën kohë. Kjo bënte që të mos përgjigjeshin rrufeshëm ndaj një shpërthimi zemërak. Ajo gjithashtu e bënte shfrehjen emocionale më të lehtë, duke e bërë vetë shpërthimin më legjitim. “Në rregull, është radha e tij.” Rregulla ka edhe një avantazh tjetër: ndihmon njerëzit të kontrollojnë emocionet e tyre. Nëse thyeni rregullën, tregon se ju keni humbur vetëkontrollin, kështu që reputacioni juaj fillon të bjerë.

Përdorni gjestet simbolike

Çdo i dashuruar e di se, për t’i dhënë fund një zënke, gjesti i thjeshtë i dhënies së një trëndafili të kuq funksionon mjaft mirë. Veprimet që do të sillnin një ndikim emocional konstruktiv për njërën palë, shpesh i kushtojnë pak ose aspak palës tjetër. Një gjest simpatie, një deklaratë keqardhjeje, një vizitë në varreza, dhënia e një dhurate të vogël nipit apo mbesës, shtrëngimi i duarve ose përqafimi, një drekë së bashku – të gjitha këto mund të jenë mundësi të paçmueshme për të përmirësuar një situatë emocionale armiqësore me një kosto të ulët. Në shumë raste, me një të kërkuar falje mund t’i largoni emocionet në mënyrë efektive edhe kur ju nuk pranoni përgjegjësi personale për veprimin, edhe kur pranoni qëllimin për të dëmtuar. Kjo mund të jetë një nga investimet më pak të kushtueshme dhe më të frytshme që mund të bëni.

Kërkoni kritika

Një pjesë e madhe e kohës në negocim harxhohet duke kritikuar. Më mirë sesa t’u rezistoni kritikave të palës tjetër, kërkojini ato. Në vend që t’u thoni atyre ta pranojnë apo hedhin poshtë një ide, pyetini se çfarë nuk shkon në këtë ide: “Cilin shqetësim tuajin nuk e merr parasysh ky propozim pagash?” Shqyrtoni gjykimet e tyre negative për të zbuluar interesat në themel të tyre si dhe për të përmirësuar idetë tuaja nga pikëpamja e tyre. Ripunoni idetë tuaja duke u nisur nga ajo çka mësoni prej tyre dhe në këtë mënyrë kthejini kritikat nga një pengesë në procesin e arritjes së një marrëveshjeje në një element thelbësor të këtij procesi. “Nëse po ju kuptoj drejt, ju po thoni se nuk mund ta përballoni një rritje page prej më shumë se 2000 dollarë për 750 mësuesit që keni. Po sikur ne ta pranojmë këtë, me kusht që të gjitha paratë e kursyera duke punësuar më pak se 750 mësues me kohë të plotë t’u shpërndahen si shpërblim mujor mësuesve që janë aktualisht në punë?”

Një mënyrë tjetër për t’i kanalizuar kritikat në një drejtim konstruktiv është ta ndryshoni krejtësisht situatën dhe të kërkoni këshillën e tyre. Pyetini se çfarë do të bënin po të ishin në pozicionin tuaj. “Çfarë do të bënit nëse do të rrezikohej puna juaj? Anëtarët tanë ndihen kaq të pasigurt për punën dhe të zhgënjyer nga ulja e pagave, saqë po diskutojnë t’i kërkojnë një sindikate militante t’i përfaqësojë. Nëse do ta drejtonit ju këtë shoqatë, si do të vepronit?” Pra, në këtë mënyrë ju i nxitni ata të përballen me gjysmën tuaj të problemit. Duke vepruar kështu, ata mund të jenë në gjendje të gjejnë një zgjidhje që përmbush interesat tuaja. “Një problem më vete është se mësuesit mendojnë se askush nuk po i dëgjon. A nuk do të ishte mirë të organizoheshin takime të rregullta, në të cilat mësuesit të mund të konsultoheshin me këshillin drejtues të shkollës?”

Loading...