Berisha: Financat shqiptare janë transparente, gjendja ekonomike, solide

0
136

Ina Jano

Kryeministri: “Qeveria e fryrë”, barrë e madhe për taksapaguesit shqiptarë. Vetëm Bjellorusia me qeveri më të madhe se kjo e Ramës

 

mbledhje-e-qeverise2-300x199Në mbledhjen e tij të djeshme, Këshilli i Ministrave miratoi disa vendime dhe projektligje të rëndësishme, në funksion të programit të qeverisë. Ashtu siç e cilësoi që në fillim edhe vetë Kryeministri Berisha, këto vendime lidhen me ekonominë dhe hapat për ta çuar atë sa më përpara, ndërsa këtu bëri me dije të gjithë hapat që ndodhin për transparencën e ekonomisë. “Në rendin e sotëm ka disa projektligje dhe vendime, të cilat kanë të bëjnë me ‘gropën’ e financave shqiptare, siç po thotë piktori, i cili në mënyrën më të pakonceptueshme dëshmon se nuk ka “abc”-në e infrastrukturës së institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai ka një muaj që çirret, si duket ka fiksuar ndonjë kompani për të ndarë paratë me të, për kompani ndërkombëtare auditi, ndërkohë që Fondi Monetar Ndërkombëtar është kryeauditi botëror për çdo qeveri, për çdo vend të lirë dhe të dhënat e tij janë të dhënat ndërkombëtarisht më të besueshme. Po kështu edhe të Bankës Botërore, të Bankës së Shqipërisë dhe të Komisionit Evropian”, – tha Kryeministri Berisha. Më tej ai u shpreh se financat shqiptare janë financa transparente. “Dua të theksoj edhe një herë se financat shqiptare janë financat më transparente. Çdo qindarkë që hyn në buxhetin e këtij vendi kalon nëpërmjet sistemit bankar dhe është lehtësisht e kontrollueshme dhe e publikuar”, – pohoi numri një i mazhorancës. Kryeministri tha, gjithashtu, se gjendja ekonomike është solide dhe kjo, natyrisht, në qoftë se nuk e sulmon me shpenzime dhe këtu përfshiu menjëherë numrin e madh të portofolave ministrorë. “Kryeministri ka të drejtë të emërojë ministër cilin të dojë. Kjo është në tagrin e Kryeministrit dhe ai ka përgjegjësinë e tij, por ndërtimi i një qeverie më të madhe se Italia, Spanja, Gjermania dhe se të gjitha vendet e tjera të Bashkimit Evropian është një thes i rëndë mbi barrën e taksapaguesve shqiptarë”, – tha Kryeministri Berisha.

Qeveria e Ramës

Mbledhja e parashikuar të fillonte në orën 11:00 të paradites së djeshme, u shty për shkak se në të njëjtën kohë kryesocialisti Rama kishte vendosur të prezantonte kabinetin e ri qeveritar që do të nisë nga puna në shtator. Kryeministri Berisha nënvizoi se nuk ka çfarë të komentojë për atë kabinet, pasi ai është një kabinet që flet vetë, por vlerësoi se prania e disa zonjave më shumë në të përbën një hap qartësisht pozitiv. Zoti Berisha, duke u ndalur në komentimin e emrave të bërë publik nga shefi i socialistëve, nuk la mënjanë edhe batutat e bëra me ministrat e tij. “Zoti Kosova, sapo u shpall kabineti i ardhshëm, ku famozi Ilir Beqja do të ulet në karrigen tënde për të çuar përpara mashtrimet antiglobaliste që u paraqiti shqiptarëve. Natyrisht nuk mund të them se është më pak i lumtur zoti Bode që në karrigen e tij do të ulet Çimi, se kështu e thërriste deri dje, i cili i hyri në zemër Ramiz Alisë vetëm se i tha të mbjellim patate. Kjo është e vërteta e Shkëlqim Canit dhe e karrierës së tij. Aldo, Sul Bushati në timon. Nuk më takon mua të komentoj në këtë mbledhje kabinetin, sepse flet ai vetë. Ai është kabineti që flet vetë. Majlinda e shoh që je e kënaqur. “Hermesi” të ndjek pas. Ndërsa një pjesë të zotit Pollo, “kushërira”. Edhe ajo është një risi e këtij kabineti që do të vijë pas datës 7 shtator. Megjithatë, këto janë disa nga çudirat, sepse të tjerat do të vlerësohen vetvetiu. Asgjë të re nga fronti i perëndimit – thotë Erih Maria Remark. Asgjë të re nga fronti i 1 prillit. Asgjë e re, të themi atë që është, përveç faktit që prania e disa zonjave më shumë në qeveri përbën një hap qartësisht pozitiv. Kjo nuk mund të mohohet. Për të tjerat, shih e shkruaj”, – komentoi Berisha me buzën në gaz. Duke lënë mënjanë ironinë, Berisha deklaroi se kjo është një “qeveri e fryrë” dhe që është një barrë e rëndë për të gjithë taksapaguesit shqiptarë. Ai tha se kjo qeveri është më e madhe se e atyre shteteve të Bashkimit Evropian, ndërsa pohoi se aktualisht vetëm Bjellorusia ka qeveri më të madhe se kjo që ka prezantuar kryesocialisti. “Kryeministri ka të drejtë të emërojë cilin të dojë ministër. Kjo është në tagrin e Kryeministrit dhe ai ka përgjegjësinë e tij, por ndërtimi i një qeverie më të madhe se Italia, Spanja, Gjermania dhe se të gjitha vendet e tjera të Bashkimit Evropian është një thes i rëndë mbi barrën e taksapaguesve shqiptarë. Pavarësisht se disa lakej dhe servilë duan t’u mbushin mendjen se ministrat socialistë hanë më pak dhe se do të kushtojë më pak qeveria. Kjo është e kundërta. Janë 21 ministra. E thashë që emërimet janë në tagrin e Kryeministrit dhe po ashtu edhe ndërtimi i ministrive. Ato ndërtohen sipas vendimit dhe konceptit të tij. Nuk është ai problemi, përveç ‘kushërirës’. Problemi është se mbi shpatullat e taksapaguesve shqiptarë do të rëndojë qeveria më e madhe. Aktualisht ia kalon vetëm Bjellorusia. Bjellorusia ka një qeveri më të madhe se qeveria që u shpall sot nga Kryeministri i ardhshëm. Unë uroj që të mos ndjekë rrugën e tij edhe në drejtime të tjera, siç e filloi me qeverinë. Unë jam kundërshtari i tij dhe në asnjë rrethanë nuk do të jem këshilltari i ndokujt”, – u shpreh Berisha në mbledhjen e djeshme të kabinetit qeveritar.

 

Facebook

Kryeministri: Qeveria e Ramës, jo e babëzisë, por e lukunisë

Shefi i qeverisë ka komentuar në Facebook edhe emrat e kabinetit të ri qeverisës, ndërsa nuk ka lënë pa rikujtuar edhe ministrin e ardhshëm të Brendshëm dhe ngjarjen që ka ndodhur me të atin e zotit Tahiri. “Të dashur miq, për herë të parë në histori, aleanca e 1 prillit u paraqet shqiptarëve standardin e saj, kalimin nga qeveri parlamenti në qeveri personale të Edi Ramës. Qeveria e re për oreksin e ministrave të saj, dosjet që kanë në prokurori për aferat për vjedhje dhe fshehje pasurie, mund të quhet jo qeveria e babëzisë por qeveria e lukunisë. Qeveria e Piktorit është qeveria e garancisë së trafikantëve në grupin e PS-së. Në krye të Ministrisë së Brendshme një njeri me të atin të arrestuar në flagrancë për trafik ilaçesh dhe histori skafesh etj. Qeveria e aleancës së 1 prillit është qeveria e neobllokmenëve, e nepotizmit, e ministrave me diploma false. Ky kabinet qeveritar është identik me qeverinë “Çarçani 2”. Përpara drejt të shkuarës me Piktorin dështak! sb”, – ka përfunduar shefi i mazhorancës.

 

Toponimet

Dervishi takon Venizelosin: Athina premton bashkëpunim për zgjidhje

Ambasadori shqiptar në Greqi, Dashnor Dervishi, zhvilloi dje një takim me ministrin e Jashtëm grek, Evangelos Venizelos. Greqia dhe Shqipëria kanë potenciale të shkëlqyera në marrëdhëniet dypalëshe, pavarësisht disa problemeve lehtësisht të tejkalueshme, ky ishte thelbi i takimit, që sipas ambasadorit shqiptar, u zhvillua në një atmosferë të përzemërt, në frymë bashkëpunuese dhe konstruktive. Ambasadori Dervishi tha se gjatë këtij takimi u diskutuan çështje me rëndësi dypalëshe. Sipas tij, kryediplomati grek ka theksuar se problemet e krijuara artificialisht duhet të zgjidhen duke shtuar kontaktet. Lidhur me problemet e shkaktuara nga shkrimi i toponimeve greke në pasaportat e fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi, Venizelos ka premtuar që stafi i tij do të hyjë në kontakt të menjëhershëm me autoritetet e Ministrisë së Jashtme për ta zgjidhur këtë çështje, e cila sipas ambasadorit tonë në Greqi, fatkeqësisht po penalizon fëmijët. Ambasadori shqiptar Dervishi i ka ofruar ministrit grek angazhim të plotë për zgjidhjen e problemit si në afat të shkurtër ashtu edhe në mënyrë përfundimtare. Sa i përket marrëveshjes mes dy vendeve për kufijtë detarë, Venizelos ka deklaruar se duhet të gjendet zgjidhje me frymë pozitive dhe vetëm nëpërmjet kontakteve. Ai ka theksuar se problemet nuk duhet të trajtohen bazuar në retorika të panevojshme. Ndërkaq zëvendëskryeministri grek dhe njëherësh ministri i Jashtëm, Venizelos ka bërë të ditur se do të jetë pjesë e delegacionit zyrtar, gjatë vizitës që Presidenti i Greqisë Karolos Papulias do të zhvillojë në Shqipëri në datat 5-6 nëntor, vizitë që siç u shpreh do të krijojë hapësira të reja në marrëdhëniet dypalëshe. Nëpërmjet ambasadorit shqiptar, Venizelos ka ftuar z. Edi Rama të vizitojë Greqinë para marrjes së detyrës si Kryeministër i Shqipërisë, në muajin shtator.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency