Kryebashkiaku i Tiranës: Ndërtimet pa leje nuk do të legalizohen, do të prishen

0
146

 “Çdo objekt i nisur në formë të jashtëligjshme e pret një dhe vetëm një fat, ai që i rezervon ligji, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë procedurë legalizimi në raport me këto ndërtime. Kjo të jetë e qartë “si drita e diellit” dhe t’u bëhet e qartë qytetarëve”

 

bb_301_543018

Të gjitha ndërtimet pa leje në Tiranë do të prishen. Ky ishte premtimi i kryetarit të bashkisë, Lulzim Basha, në një takim me drejtues të njësive vendore dhe punonjës të Policisë Bashkiake dhe Inspektoratit Ndërtimor. Kryebashkiaku ka qenë i prerë në qëndrimin e tij për të prishur ndërtimet pa leje të ndërtuara në territorin e Tiranës sikundër ka bërë serish të ditur se kushtet kur Tirana ka një plan urbanistik dhe marrja e një leje ndërtimi është sot më e thjeshtë, asnjë ndërtim i tillë nuk mund të përfitojë legalizim. “Sot (dje) në prani të një plani urbanistik që e bën marrjen e lejes më të thjeshtë se kurrë më parë, është detyra juaj e parë më kryesore dhe e prerë të veproni në mënyrë energjike nën drejtimin e kryetarëve të njësive bashkiake për të identifikuar çdo proces, shkelje ligji që fillon apo vazhdon me ndërtimet pa leje, për të marrë hapat ligjore qoftë nga vendosja e gjobave dhe masave të tjera administrative deri tek prishja në flagrancë, prishja totale e këtyre objekteve. Çdo objekt i nisur në këtë formë e pret një dhe vetëm një fat, ai që i rezervon ligji, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë procedurë legalizimi në raport me këto ndërtime. Kjo të jetë e qartë “si drita e diellit” dhe t’i bëhet e qartë qytetarëve”, – është shprehur Basha.

Kalim kompetencash

Kryetari i bashkisë u ka dhënë mundësi njësive vendore të kenë më shumë kompetenca. 11 njësitë e Tiranës do të ushtrojnë pjesërisht funksionet e sigurimit, të rendit e qetësisë dhe mbarëvajtjes së punëve publike brenda territorit përkatës, funksionet e kontrollit dhe zbatimit të ligjshmërisë e të standardeve teknike në fushën e ndërtimit. Për të kryer këto funksione, njësive bashkiake u delegohen 50 punonjës të Policisë Bashkiake dhe 50 inspektorë të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor si dhe një fond financiar prej 32 milionë lekësh, për shpenzimet operative. “Do të ketë një kompetence të plotë vendimmarrjeje dhe ndërhyrje të plotë në ato raste kur konstatohet se ju nuk po veproni në kohë apo nuk po veproni siç duhet. Natyrisht kjo do të sjellë pasoja si për ju, si për njësitë bashkiake, por unë dua ta nisë sot (dje) me mirëbesim se kjo masë do të japë efektet e dëshiruara, pikësëpari me një problem madhorë që është konstatuar këto muaj që rendon në periudha elektorale që janë ndërtimet pa leje në qytetin e Tiranës, ku toleranca do të jetë zero, larg çdo tentative për ta politizuar, larg çdo presioni të çfarë do pale për të përdorur lidhje kontakte, emra për të kryer veprimtari të paligjshme ndërtimore në qytetin e Tiranës”, – tha Basha. Sipas Kryetari të Bashkisë “nuk do të ketë një ndarje që këtë pjesë e kontrollon Policia Bashkiake e bashkisë së madhe, këtë pjesë e kontrollon inspektorati Ndërtimor i bashkisë së madhe. Territori fillon të kontrollohet nga ju, si hallka më afër qytetarit, më afër problematikës së qytetarit. Në krah të kryetarëve të njësive vendore, të cilët janë kryetarë të zgjedhur me votë drejtpërdrejt nga qytetarët e asaj njësie vendore dhe ka të gjithë legjitimitetin për të drejtuar veprimtarinë tuaj në terren”.

Më shumë të drejta për minibashkitë

Po kështu në një projektvendim që pritet të miratohet në shtator, minibashkitë do të kenë akoma më shumë kompetenca për t’u qëndruar më pranë qytetarëve. “Së shpejti në Këshillin Bashkiak të Tiranës do të paraqitet një tjetër projektvendim, i cili do t’u bëjë të mundur atyre të ushtrojnë kompetenca të tjera për sa i përket çështjeve që u vijnë në ndihmë qytetarëve, riparime, mure oborresh, tarracash apo çatish, hapja apo jo e një dritareje, vënia e një pompe uji, nuk kanë pse të jenë më atribute që trajtohen vetëm në Bashkinë e Tiranës, por do të decentralizohen në mënyrë të plotë dhe do të jenë kompetenca që do të trajtohen nga kryetarët e njësive vendore. Bashkëpunimi me kryetarët e njësive vendore do të shtrihet edhe në fusha të tjera, ndaj ne duhet të forcojmë dhe aty ku nuk e kemi, të nisim një kulturë bashkëpunimi dhe bashkëveprimi, ku në objektiv dhe në fokus ka vetëm një qëllim: shërbimi sa më i mirë ndaj interesave të qytetarëve të Tiranës”, – theksoi kryebashkiaku.

 

 

Provimi i shtetit, ngelin 40% e mësuesve

Nga 667 mësues rreth 250 prej tyre ishin ngelës në provimin e shtetit. Këto janë të dhënat që publikon Agjencia Kombëtare e Provimeve e cila bën me dije se vetëm 60% e kandidatëve ishin kalues ndërsa pjesa tjetër do të duhet të rijapë provimin. Niveli i ulët është treguar në fushate matematikës dhe fizikës ndërsa të rinjtë që kishin mbaruar për gjuhë të huaja arritën rezultatet më të larta. “Gjithsej u regjistruan 777 kandidatë, nga këta 667 u paraqitën në provim dhe rreth 60% e tyre e morën provimin. 40% do t’i nënshtrohen provimit të shtetit në sezonin e dhjetorit. Vazhdon të ketë një cilësi më të ulët në fizikë dhe në informatikë, sidomos në degët dyshe, matematikë-informatikë apo matematikë-fizikë. Në fizikë nga 10 veta që morën pjesë, vetëm katër e morën. Në matematikë-fizikë po ashtu e morën 4 veta nga rreth 20 që morën pjesë, është një kalueshmëri më e ulët. Në këto degë duhet të shkojnë kandidatë më cilësorë”, – u shpreh Ddrejtori i Drejtorisë së Provimit të Shtetit, Niko Terezi. Terezi sqaron se 40% e mbetësve të provimit të shtetit do të kenë mundësi ta japin provimin në sezonin e radhës, i cili është në dhjetor por me një tarife të rritur me 25%. “Nëse tarifa për herën e parë është 10 mijë lekë të reja, për herën e dytë është 12 mijë e 500 lekë të reja”, – deklaroi Terezi. Studentët kanë të drejtë ta japin provimin e shtetit deri në 5 herë. Ndërsa studentët e diplomuar pas 12 janarit 2011 nuk mund të ushtrojnë profesionin e tyre pa kaluar më parë provimin e shtetit.

 

Morinë, për një ditë kalojnë 22 mijë kosovarë

Më shumë se 22 mijë udhëtarë kanë kaluar në pikën kufitare të Morinës gjatë 24 orëve të fundit duke shënuar dhe rekordin për këtë sezon. Me gjithë numrin e lartë të sporteleve, një pjesë kosovarëve kanë mbetur për orë të tëra në kufi.

Disa prej tyre kanë ankesa edhe për patrullat e policisë. Sipas tyre, gjobat dhe ndëshkimet po bëhen në mënyrë te paligjshme dhe nuk u plotësohet formulari apo mandate i pagesës.

Pika e Kalimit kufitar të Morinës mban peshën kryesore të hyrje daljeve përgjatë sezonit turistik. Mesatarja ditore kalon në 10 mijë persona.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency