Italia pret vendimin final, Berslusconi mund të dënohet me 4 vjet burg

0
149

Nëse multimiliarderi Berlusconi vërtet do të shkojë në një qeli burgu, është më se e pabesueshme për italianët. Kjo, për shkak të moshës së tij 76-vjeçare, dënimi me burg, siç është e zakonshme në raste të tilla në Itali, do të kthehet në arrest shtëpie

 

berlusconi21

Në Itali pritet me interes një vendim i Gjykatës Supreme të Apelit kundër ish-kryeministrit Berlusconi. Ai akuzohet për evazion fiskal. Vendimi i gjykatës mund të ketë pasoja për të gjithë Italinë. Silvio Berlusconi, tashmë i akuzuar dhjetëra herë, këtë të martë mund të dënohet për herë të parë në procesin e quajtur “Mediaset”. Në dy instancat e mëparshme, 76-vjeçari u dënua me katër vjet burg dhe me ndalim të funksioneve publike për pesë vjet. Meqë Berlusconi e ka kundërshtuar çdo vendim të deritanishëm gjyqësor, duke e çuar çështjen në Gjykatën e Apelit, vendimi është pezulluar. Tani Gjykata e Kasacionit në Romë e ka radhën për ta zgjidhur çështjen në instancë të fundit. Nëse Gjykata Supreme Italiane e Apelit e konfirmon verdiktin e fajësisë, Berlusconi, tri herë Kryeministër, do të dënohej për herë të parë me një vendim, që hyn në fuqi. Gjyqtarët e gjykatave më të ulëta në Milano e konsideruan të vërtetuar se Berlusconi ka kryer evazion fiskal me transaksionet e koncernit të tij mediatik “Mediaset”.

Vendimi mund të ketë pasoja për qeverinë italiane

Por vendimi i gjykatës nuk ka të bëjë vetëm me të ardhmen politike personale të Berlusconit. Nëse Berlusconi duhet të dorëzojë mandatin e tij në Senatin e Romës, kjo mund të ketë pasoja edhe për qeverinë italiane. Partia e Berlusconit, Populli i Lirisë, (PdL), është partneri kryesor në koalicionin e Kryeministrit socialdemokrat, Enrico Letta. Spekulohet se PdL mund të largohet nga koalicioni tashmë i dobët i qendrës së majtë, në rast të një vendimi për fajësinë e Berlusconit nga Gjykata më e lartë e Apelit. Një rrjedhojë mund të jenë zgjedhjet e reja, një manovër e rrezikshme kjo për këtë vend të dobët të Eurozonës, i cili ndodhet që prej më shumë se dy vjetësh në recesionin më të thellë që nga viti 1945 dhe që vuan nga një papunësi e lartë. Nëse multimiliarderi Berlusconi vërtet do të dergjet në një qeli burgu, është shumë e pabesueshme. Për shkak të moshës së tij 76-vjeçare dënimi me burg, siç është e zakonshme në raste të tilla në Itali, do të kthehet në arrest shtëpie. Më i dhimbshëm për ish-kryeministrin mund të jetë fakti se për të do të jetë e vështirë që të mbrohet nga dënimet në proceset e tjera, pa mandat publik. Kundër Berlusconit po zhvillohen edhe disa procese të tjera, si për korruptimin e kundërshtarëve politikë dhe në të ashtuquajturin “Procesi Ruby”, për nxitjen e të miturve për prostitucion.

Miliona për seks

Moguli i medieve e ka ditur shumë mirë se “Ruby” në atë kohë ka qenë e mitur, e pati akuzuar Berlusconin kryeprokurorja Ilda Bocassini në maj në gjyqin në Milano. Për mbrëmjet në Arcore gruaja e re është paguar direkt prej tij. Më shumë se katër milionë e gjysmë euro i ka paguar Berlusconi “Ruby”-t, deklaroi Bocassini. Kjo rezulton nga telefonatat e kontrolluara, shënimet e sekuestruara dhe të dhënat bankare të siguruara. Prokuroria e kishte akuzuar veç kësaj ish-kryeministrin për abuzim me postin, pasi në pranverë 2010 ai kishte provuar të çlirojë nga problemet me drejtësinë “Ruby”-n me një telefonatë në Milano.

 

 

Ashtu si në Shqipëri, dështon parada e LGBT në Mal të Zi

Qeveria malazeze ishte angazhuar për paradën e LGBT-ve në Budva, por ka mendime se këtë gjë ata e bëjnë vetëm për të treguar se Mali i Zi e ka arritur pjekurinë politike për t’u anëtarësuar në BE. Shumë të plagosur dhe më shumë se 20 arrestime: ky është rezultati i trishtuar i paradës së parë LGBT (Pride Parade) në historinë e Malit të Zi. Më shumë se 1.000 kundërprotestues të zemëruar i sulmuan rreth 30 homoseksualë protestues në Budva me gurë, shishe dhe vezë. Disa orë më vonë një prift ortodoks erdhi për të shpëlarë me ujë të bekuar vendin “e përdhosur” prej takimit të homoseksualëve dhe të lezbikeve dhe për të “larguar të keqen”. Këto trazira priteshin, thotë Jelena Daçiç, drejtore për të Drejtat e Njeriut pranë organizatës joqeveritare malazeze “Juventas”. Duhet të bëhet më shumë për barazinë dhe të drejtat e homoseksualëve në Mal të Zi, paralajmëron Franziska Brantner, eurodeputete e të Gjelbërve në një intervistë me “DW”. “Kjo nuk ka lidhje vetëm me këtë demonstratë. Këta njerëz jetojnë çdo ditë me diskriminimin”. Në Mal të Zi ka një ligj kundër diskriminimit të homoseksualëve dhe ligje për mbrojtjen e tyre, por një barazi ligjore e çifteve homoseksuale nuk ekziston. Dhe sulmet kundër homoseksualëve dhe lezbikeve janë shtuar vitet e fundit.

 

Papa, kundër diskriminimit të homoseksualëve

Pas vizitës triumfale në Brazil, Papa Fraçesku gjatë kthimit në Romë, është shprehur kundër diskriminimit të homoseksualëve në Kishën Katolike. “Ata janë vëllezërit tanë”, –  ka thënë Papa. Deklaratat e Papa Françeskut në një konferencë shtypi për homoseksualitetin e priftërinjve, të improvizuar në avion, kanë shkaktuar një valë reagimesh në mediat ndërkombëtare. Papa paralajmëroi që të mos diskriminohen homoseksualët. Tendenca homoseksuale nuk është mëkat, por akti homoseksual, tha Papa gjatë fluturimit për në Romë, pas vizitës triumfale në Brazil. “Kush jam unë të gjykoj?”. “Po qe se një person është homoseksual dhe kërkon zotin dhe është njeri me vullnet të mirë, kush jam unë të gjykoj mbi të?”, – pyeti Papa në mënyrë retorike. Nga katekizmi dimë se këta njerëz nuk duhet të përjashtohen nga shoqëria, por përkundrazi duhet të integrohen në shoqëri. “Ata janë vëllezërit tanë”, – ka thënë Papa. Sipas njoftimeve në media, papa i është përgjigjur me këtë pyetjes së një gazetari të “Wall Street Journal” mbi qëndrimin e kishës katolike për homoseksualët. Po sipas njoftimeve të kësaj gazete, Papa është shprehur se duhet të dallojmë mes homoseksualitetit dhe lobit homoseksual në Vatikan. Ky i fundit përbën problem, kur me informacione sekrete bëhet presion ndaj njerëzve. Mediat italiane kishin spekuluar më parë për ekzistencën e një grupimi të tillë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency