Basha: Të bindur për transparencë të plotë e ligjore sipas Kodit

0
132

Ina Jano

Takimi me Sequin, kreu i PD-së: PD, e vendosur të mbrojë administratën dhe institucionet publike nga revanshi i mazhorancës së re

Sequi: Statusi i kandidatit, i arritshëm brenda dhjetorit

 

Basha-Sequi1-450x250Takimin e parë zyrtar në postin e kreut të Partisë Demokratike, zoti Lulzim Basha, e ka zhvilluar me ambasadorin e Bashkimit Evropian, Ettore Sequi. Në selinë e PD-së i pari mbërriti kryetari i sapozgjedhur, për t’u akomoduar në zyrën e tij, ndërsa i përpiktë ishte edhe ambasadori Sequi, i cili fiks në 11:00 ishte i pranishëm në ndërtesën e Partisë Demokratike. Gjatë bisedës, Basha e siguroi Sequin për vullnetin e palëkundur të partisë që ai drejton për të bërë çdo gjë transparente në lidhje me zgjedhjet e 23 qershorit. “Partia Demokratike është e vendosur që transparenca të bëhet në mënyrë të plotë sipas parametrave ligjorë që ka Kodi Zgjedhor, jo të shtyhet për kalendat greke, siç u propozua dje dhe as të fshihet, është konsumuar qartësisht një krim elektoral”, – tha Basha. Ky i fundit kujtoi edhe rastin e Shkodrës apo të Lezhës, ku ka pas një vjedhjeje votash dhe që kjo tashmë është bërë publike dhe as mazhoranca e re nuk ka kurajo që ta mohojë atë. “Corpus delicti ndodhet mbi tavolinë, 1250 vota në Lezhë, 700 vota në Shkodër. Përpjekja për të mbyllur sytë apo pretenduar se ky Corpus delicti nuk është, nuk gjendet aty, pretendimi se nuk na lejohet të shohim këtë korpus delikti për arsye procedurale të paqena dhe të shpikur me dopio-standarde nën presion politik nga një Kolegj, dukshëm nën trysni, nuk i shërben aspak vendit as legjitimitetit, as mazhorancës dhe as zhvillimeve të ardhshme. Në këtë kuptim është e domosdoshme që të gjithë të angazhohen në përputhje me ligjin, në përputhje me Kushtetutën për të bërë transparencën e plotë. Partia Demokratike është e vendosur që ta bëjë këtë transparencë në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme sikundër është e vendosur që precedenti më i rrezikshëm i përdorimit të elementit kriminal dhe futjes në Parlament të elementit kriminal të mos e lejojë të kthehet në një rregull që do ta kthente Shqipërinë vite pas në një gjeopolitikë të papranueshme për të, por nëpërmjet transparencës ti presë rrugën sot këtij fenomeni dhe të kthejë besimin tek vlerat e demokracisë, tek vlerat e barazisë së votës dhe jo transformimit nëpërmjet përdorimit të elementëve kriminalë dhe metodave që ai njeh”, – u shpreh Basha.

Administrata

“Shpreha shqetësimin tim për frymën e presionit, kulturën dhe mendësinë e presionit ndaj institucioneve, kulturë e cila për fat të keq vihet re në komunikimin e deritanishëm ndaj drejtuesve të mazhorancës së re në raport me pothuajse çdo institucion publik, duke filluar nga më i larti Presidenti i Republikës, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Kolegji Zgjedhor, ILDKP, AMA, e shumë e shumë institucione të tjera ku duket se ka një revansh verbal i cili duhet të frenohet menjëherë sepse është një mendësi e tejkaluar për shqiptarët dhe nuk mund të tolerohet në vitin 2013. PD qëndron dhe do të qëndroje fuqishëm në mbrojtje të institucioneve dhe jam i bindur se do të kem mbështetjen e gjithë partnerëve tanë evropianë dhe euroatlantikë”, – u shpreh Basha, ndërsa bëri me dije se kishte diskutuar këtë çështje edhe me ambasadorin Sequi.

Integrimi

Në ketë takim Basha siguroi ambasadorin Sequi dhe të gjithë partneret evropianë për vendosmërinë e PD-së për të vijuar rrugën e saj si forca kryesore evropianizuese dhe e vokacionit perëndimor të shqiptarëve. Ai tha se PD do të japë të gjithë kontributin e saj që Shqipëria të marrë sa më parë statusin e vendit kandidat i cili u pengua nga PS me mosvotimin e 3 ligjeve. “PD ka qenë dhe mbetet forca kryesore evropianizuese dhe e vokacionit perëndimor të shqiptarëve. Është forca që ka nisur procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Shqipërisë, ka arritur disa faza shumë të rëndësishme si nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, aplikimi për anëtarësim të plotë, rekomandimi pozitiv nga Komisioni Evropian, për statusin kandidat i cili fatkeqësisht u bllokua nga mos votimi në kohë i tre ligjeve nga opozita sot në mazhorancë. PD është forca politike që ka bërë të mundur përmes reformave, ftesën për NATO dhe anëtarësimin e plotë në NATO dhe do të jetë forca politike që do të japë gjithçka sot në opozitë dhe nesër në mazhorancë për vazhdimin e rrugëtimit tonë për në destinacionin final që është në fakt edhe një nga porositë gjenetike të Partisë Demokratike “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropën”. Në këtë kuadër sigurova ambasadorin Sequi për përpjekjet e vazhdueshme të Partisë Demokratike sot por edhe me fillimin e sezonit të ri parlamentar për t’u angazhuar fuqishëm në mënyrë që rrugëtimi, drejt marrjes së statusit kandidat dhe hapave të tjerë, të jetë sa më i shpejtë, duke vazhduar rrugëtimin tone mbi trashëgiminë që kemi deri tani”, – u shpreh Basha.

Sequi

Ambasadori Sequi, në përfundim të takimit me Bashën, në deklaratë për shtyp tha se statusi i BE-së është totalisht i mundur që të merret brenda muajit dhjetor. Ai tha se BE është e gatshme të ndihmojë si opozitën ashtu edhe qeverinë në mënyrë që vendi të ecë përpara në rrugën e integrimit. “Ne besojmë që në mënyrë që të bëjmë progres në rrugën drejt Bashkimit Evropian, dy gjëra janë të rëndësishme. Qeverisje të fortë që mirëfunksionon dhe evropiane, gjithashtu edhe një opozitë të fortë, moderne dhe që funksionon mirë. Jam i bindur se në Evropë, gjithkush është i bindur në rëndësinë e rolit që luan opozita në një sistem demokratik. Ne, kolegët evropianë, shprehëm nga Brukseli dhe nga Tirana rëndësinë e përfundimit normal të procesit elektoral dhe një kalim normal të kompetencave. Kjo është shumë e rëndësishme gjithashtu edhe në lidhje me perspektivën drejt Bashkimit Evropian. Kjo është gjithashtu shumë e rëndësishme edhe kuadër të mundësisë për të marrë Statusin e vendit kandidat. Statusi i vendit kandidat është i arritshëm brenda dhjetorit. Kjo është ripërsëritur edhe nga Brukseli. Dje presidenca lituaneze ka shprehur të njëjtën gjë në lidhje me statusin e Shqipërisë. Çka është e rëndësishme që të arrihet, është që të ekzistojnë përpjekje të përbashkëta nga të gjitha forcat politike. BE padyshim është i gatshëm të asistojë në këtë proces, me kusht që procesi dhe reformat të vijojnë më tej”, – ka siguruar Sequi.

 

 Bylykbashi në krah të Bashës

Kryetari i ri i Partisë Demokratike zoti Lulzim Basha, në daljen e tij të fundit ka qenë i shoqëruar nga deputeti demokrat Oerd Bylykbashi. Kjo nënkupton se ai do të jetë njëri prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të liderit të ri demokrat. Bylykbashi deri më tani mbante postin e shefit të kabinetit në Kryeministri, duke qenë njëri prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të tij. Ai u përfshi në listat për deputetë të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 23 qershorit dhe u zgjodh deputet i kësaj force politike në qarkun e Durrësit.

 

Sot takimi

Shqipëria dhe Greqia, afër marrëveshjes për toponimet

Më në fund duket se një problem i vjetër do të marrë zgjidhje dhe në kufirin shqiptaro-grek nuk do të ketë më probleme të tilla për çështje emrash. Në lidhje me këtë problem ambasadori shqiptar në Greqi, zoti Dashnor Dervishi, do të zhvillojë një takim me dhe ministrin e Jashtëm të Greqisë, Evangelos Venizelos. Ministrja e Jashtme e Shqipërisë i ka propozuar palës greke që në pasaportat e të lindurve në Greqi, vendlindja të shkruhet në dy gjuhë, në shqip dhe anglisht. Burime nga Ministra e Jashtme bëjnë me dije se përfaqësues të qeverisë greke, me shumë gjasa do ta aprovojnë këtë propozim. Sipas të njëjtave burime, marrëveshja është shtyrë për tu nënshkruar, për pasojë të zgjedhjeve politike të 23 qershorit, ndërsa pritet që sot të ketë zhvillim dhe të paktën një vendim edhe pse paraprak në lidhje me këtë çështje e cila ka qenë problematike.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency