Vjen i nxehti afrikan në Shqipëri, arrihen temperaturat 40 gradë celsius

0
164

Fundi i korrikut dhe muaji gusht më të nxehtët, të merren masat

 

1516Temperaturat po shënojnë pikën e tyre më të lartë duke arritur në 40 gradë celsius. Meterologët pohojnë se i nxehti afrikan tashmë ka mbërritur edhe në vendin tonë, me temperatura tejet të larta duke lënë pas  verën e freskët. Sipas meterologëve i nxehti afrikan sapo ka nisur në vendin tonë, kështu që temperaturate larta mbi 40 gradë celsius nuk do të mungojnë gjatë fundit të muajit korrikut  dhe gusht.  Dita e djeshme s’ka qenë aspak favorizuese për kryeqytetasit të cilët vazhdojnë aktivitetin e tyre ditor në Tiranë. Temperatura e nxehta duket se janë në favorin e të gjithë atyre që jane duke pushuar në bregdet. Në këto ditë të nxehta janë të moshuarit ata të cilët duhet të tregojnë shumë kujdes ndaj temperaturave të larta.

Kategoritë

Mjekët pohojnë  se të sëmurët kronikë e veçanërisht të prekurit me sëmundje kardio-vaskulare duhet të evitojnë këto dalje. Sipas mjekëve të moshuarit nëse nuk ndodhen në shtëpi gjatë pikut të vapës, nuk duhet të harrojnë që gjatë daljes së tyre të marrin me vehte edhe një çadër verore me qëllim që të mbrohen nga rrezet e dëmshme të diellit. Problemi i daljes jashtë me çadër duket se është një problem për meshkujt, pasi femrat e kanë më të lehtë të dalin me një kapele verore, syze të errta dielli për të shmangur të nxehtin, duke u dukur njëkohësisht edhe moderne.Të rejat, e kanë më të thjeshtë shmangien e vapës, të veshur lehtshëm, ku mbizotojnë pantallonat e shkurta, kapelet verore më moderne dhe kanatieret shumë ngjyrëshe. Stilistët pohojnë se kjo verë i përket kreativitet, lirisë së zgjedhjes dhe kombinimit të ngjyrave. Ndërsa të vegjëlit i përkasin asaj kategori të cilët duhet të shmangin oraret e nxehta të diellit. Fëmijët gjatë këtij orari sipas mjekëve pediatër nuk duhet të qëndrojnë në ambjente të ekspozuara ndaj diellit, por duhet të qëndrojnë në zona të mbyllura të mirë ajrosura. Sipas specialistëve dalja e fëmijëve këshillohet të bëhet më tepër gjatë mbasdites kryesisht pas orës 18:00, ku rrezet janë të padëmshme. Nuk përjashtojmë këtu edhe atë kategori fëmijësh të cilët enden rrugëve të Tiranës pa asnjë mbrojtje, për të nxjerrë bukën e gojës. Dita e sotme do të arrijë temperaturat maksimale që arrin vlerat 36 -38 gradë celsius. Mjekët në temepratura të tilla rekomandojnë shmandien e rrezeve të diellit gjatë orarit të drekës 11:00- 16:00, si dhe konsumimin e sa më shumë lëngjeve natyrale dhe ujit. I nxehti rrit rrezikun për aksidente rrugore, pasi ai shkakton luhatje të parametrave në organizmin e njeriut”- ka pohuar specialisti i departamentit të promocionit, pranë Institutit të Shëndetit Publik, Boris Miska. Ndaj duhet të merren masat paraprake ndaj të nxehtit për të evidentuar çdo rrezik për jetën.

 

Durrës

Protesta para bashkisë, shoqëria civile, lirim të hapsirave publike

Shoqëria civile ka protestuar para Bashkisë së Durrësit për zënien e hapësirave publike në plazh. Në mënyrë simbolike Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Shoqata Reago kanë vendosuar përpara Bashkisë së Durrësit Shezllon dhe çadra plazhi duke bërë përgjegjës për këtë situatë bashkitë e qyteteve bregdetare. Ata janë shprehur se një situatë e tillë nuk mund të tolerohet pasi është shkelje e të drejtave të njeriut. Mungesën e plazheve publike e konfirmojnë edhe pushuesit e shumte në qytetin e Durrësit. Prej vitesh në bregdetin shqiptar kanë lulëzuar plazhet private të cilët rrethojnë hapësirat duke pakësuar gjithmonë e më shumë  hapësirat publike në plazhe.

 

Thatësira rrezikon të mbjellat në Myzeqe, zgjidhja vaditja me impiante

Për fermerët e Myzeqesë, vera ka ardhur me probleme , duke mos i lënë ata të pushojnë gjatë stinës më të nxehtë të vitit. Thatësia e verës, po u dëmton të mbjellat qindra fermerëve shqiptarë. Të detyruar nga nevoja, përtej imagjinatës fermerët po krijojnë metoda vaditjeje. Nuredin Cani, është një ndër fermerët e fshatit Grabjan të Lushnjes, i cili kërkon të sigurojë ujë për të mbjellat e veta, duke shtrirë tubat në rrugët automobilistike. Impiantet duket se janë zgjidhja e momentit. Të blera jashtë vendit fermerët punojnë duke shfrytëzuar ujin e kanaleve kulluese, i cili dërgohet nga tubacionet nëpërmjet traktorit, që luan rolin e gjeneratorit në momentin e zhytjes së pompave. Kostua është tepër e lartë 18 mijë lekë të vjetra kushton një orë vaditjeje me traktor. Zona e terbufit në dimër përmbytet , ndërsa në verë thahet për ujë, kjo bën që kanalet mos të kryejnë funksionin për të cilat janë ndërtuar, qofshin këto kullues apo vaditëse.

 

Shëndetësi

ISHP: 280 mijë persona vuajnë nga Hepatiti B dhe C

Shqiptarët janë një ndër popujt e Europës të prekur më shumë nga hepatitët viralë B dhe C. Të cilësuara si epidemi të bardha, viruset e tyre përhapen në mënyrë të fshehtë, shpesh pa e ditur njerëzit që janë bartës të tyre dhe pa ditur riskun e zhvillimit të një sëmundjeje të rëndë në trupin e tyre, me vdekshmëri të lartë. Sipas një studimi të fundit të bërë nga Instituti i Shëndetit Publik, rreth 250 mijë persona në vendin tonë janë të infektuar nga virusi i Hepatitit B dhe 30 mijë të tjerë janë të infektuar nga virusi i Hepatitit C.  “Shqipëria, në lidhje me Hepatitin B, ka prevalencën më të madhe në Europë. Në krahasim me shumë vite përpara, kur prevalenca ka qenë 20 për qind, tani është ulur në 6 për qind, pavarësisht se mbetet ende shumë për t’u bërë. Futja e vaksinës së Hepatitit B dhe shtrirja e programit të parandalimit të Hepatitit B tek fëmijët dhe tek adoleshentët, ka bërë që në këtë grup moshash, kjo sëmundje pothuajse të eliminohet”, – pohon Silva Bino, shefe e sëmundjeve infektive. Viruset e hepatiteve janë A,B,C,D dhe E. Më problem tek shqiptarët është virusi B dhe C. Virusi B gjendet në gjak dhe përhapet nga kontakti seksual, nga nëna shtatzënë tek fëmija, transfuzionet e shpeshta të gjakut apo shiringat dhe aget josterile. Personat e prekur nga virusi B mund të jenë thjesht bartës të tij, por raste të tjera të cilat avancojnë shpejt mund të jenë bartës kronikë dhe janë të rrezikuar të pësojnë hepatit kronik, cirrozë apo kancer të mëlçisë. Ndaj mjekët bëjnë apel për testimin e popullatës dhe trajtimin e mëtejshëm. 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency