Çmendet Reali, gati 93 mln euro për Bejlin

0
135

Përgatiti Altin Vorpsi

Totenhemi e refuzon ofertën e “mbretërorëve”

Çmimi i lojtarit më të mirë të Premier Ligës gjatë sezonit të shkuar është 120 milionë euro

 

bale-real-madrid-tottenhamReali i Madridit e ka seriozisht. Florentino Perez i ka bërë një ofertë zyrtare Totenhemit për të blerë Garet Bejlin… por akoma nuk ka përfunduar asgjë, pasi ajo është refuzuar. Pas lajmit të arritjes së akordit mes yllit uellsian dhe spanjollëve, lojtari është rebeluar ndaj klubit të tij dhe u ka kërkuar që ta lejojnë të largohet në “Bernabeu”.

Prapaskena

Bejli i ka kujtuar presidentit Daniel Levi se ata kishin një pakt që, nëse Totenhemi nuk do të kualifikohej në Champions, atëherë ata nuk do ta pengonin të largohej dhe ia ka rikujtuar këtë gjë bosit të tij. Kjo sjellje e mesfushorit 24-vjeçar është telekomanduar nga Florentino Perez, i cili 24 orë më vonë ka bërë edhe ofertën e parë zyrtare për kartonin e futbollistit. Në tavolinën e Levit është firmosur një çek prej 93.8 milionë eurosh, e njëjta shumë që madrilenët paguan për transferimin e Ronaldos nga Mançester Junajtid në vitin 2009.

Mediat

Sipas shtypit spanjoll, oferta nuk ka qenë më e lartë, për shkak se nuk duan të thyejnë rekordin e transferimit më të shtrenjtë në historinë e futbollit. Perez ka frikë se një lëvizje më e kushtueshme se ajo e Ronaldos do të shkaktonte pakënaqësi te portugezi, i cili është në proces rinovimi dhe humbja e statusit të lojtarit “më të paguar” të klubit mund të nxisë rebelimin e tij. Gjithsesi, “The Sun” zbuloi se përgjigjja ndaj kësaj oferte ishte negative, edhe pse akordi mund të jetë çështje ditësh.

Çmenduria e vërtetë

Përgjigjja e Spërsave për Realin ka qenë se çmimi i lojtarit më të mirë të Premier Ligës gjatë sezonit të shkuar është 120 milionë euro. Por realisht akordi mund të arrihet për një ofertë mbi 96 milionë euro. Sipas shtypit iberik, palët i ndajnë vetëm 2.2 milionë euro, kështu që marrëveshja nuk mund të prishet për kaq. Heshtja e klubit të Totenhemit, që deri dje e përjashtonte kategorikisht largimin e asit, lë të kuptohet se Bejli shumë shpejt mund të bëhet “galaktiku” i fundit.

Flet Vilas Boas

Vilas Boas refuzoi të mohonte një ofertë zyrtare të Realit për Garet Bejlin apo dëshirën e lojtarit për t’u larguar nga “White Hart Lane”. “Nuk dua t’i komentoj lajmet e mediave, nuk mund të flas për asgjë”, – tha trajneri i Totenhemit pas fitores 6-0 të Spërsave ndaj Kinës së Jugut. Kur gazetarët këmbëngulën sërish nëse është e vërtetë që ka një ofertë zyrtare nga Reali, portugezi tha: “Nuk dua të komentoj”. Pak ditë më parë, Vilas Boas e përjashtonte në mënyrë kategorike largimin e lojtarit. Por, 35-vjeçari shtoi se uellsiani, i cili mungoi sërish për shkak të një dëmtimi, pritet të jetë në fushë në miqësoren me Monakon: “Do të rikthehet në stërvitje të mërkurën dhe shumë shpejt do të luajë”.

 

 

Masteri

Stramaçoni shkon për “leksione” te Ançeloti

Karlo Ançeloti ka ftuar Andrea Stramaçonin të ndjekë stërvitjen e Realit në Los Anxhelos. Objektivi i ish-trajnerit të Interit, i cili ndodhet në SHBA, është të mësojë sekretet e një profesori që ka drejtuar klube të mëdha, ashtu siç ka bërë pak kohë më parë me Guardiolën. Strama është duke dhënë provimet e masterit në Koverçano dhe më 5 shtator do të ketë prezantimin e temës së diplomës.

 

PSG

Sipas mediave, PSG do Betegën për të zëvendësuar Leonardon

Në Francë besojnë se ish-juventini Roberto Betega mund të marrë postin e drejtorit sportiv te PSG-ja, lënë bosh nga Leonardo. Por, drejtori i përgjithshëm i PSG-së, Zhan-Klod Blank, edhe ky ish-juventin, përgënjeshtroi gjithçka. Sipas “L’Equipe”, për të zëvendësuar brazilianin është përmendur edhe alternativa e Franko Baldinit, përpara se ai të bëhej drejtori sportiv i Totenhemit.

 

Trukimet

Zbardhen të tëra përgjimet e Herkules-Sabadej

Presidenti i Ligës Spanjolle të Futbollit konfirmoi se policia po heton për trukim ndeshjen e sezonit të shkuar të Segunda Divizion, Herkules-Sabadej. “Janë zbardhur përgjimet dhe ne jemi në dijeni të tyre”, – tha Havier Tebas. Trajneri i Herkulesit, Kike Hernandez, u akuzua nga ish-mbrojtësi i Sabadej, Abraham Paz, se tentoi ta blinte në ndeshjen e 17 marsit që Herkulesi e fitoi 3-1.

 

Pjaniç – Pastore, gati shkëmbimi mes tyre

Roma-PSG, i shpallin luftë njëra-tjetrës në merkato. Pas interesimit të klubit francez për mesfushorin Miralem Pjaniç, Roma i kundërpërgjigjet me të njëjtën monedhë. Kryeqytetasit po mendojnë për një shkëmbim midis Pjaniçit dhe Pastores dhe deklarojnë se kjo është mundësia e vetme për të marrë lojtarin. Argjentinasi është vlerësuar shumë nga trajneri Rudi Garsia për aftësitë e tij teknike. Garsia dëshiron që t’i japë një shans lojtarit, për të parë kapacitetin e tij, pasi deri më tani nuk kemi parë se deri ku mund të shkojë. Duket se tekniku i Romës nuk i ka bërë akoma llogaritë se kush do t’i japë lamtumirën ekipit dhe kush do të qëndrojë, pasi ai dëshiron që t’u japë një shans të gjithë lojtarëve që ka në dispozicion. Për mesfushorin ka shumë kërkesa dhe klubi më i interesuar duket se është PSG. Por drejtori sportiv Sabatini ka gati përgjigjen. Nëse doni Pjaniçin, na jepni Pastoren. Pastore është më shumë se një nxënës për Valter Sabatinin, i cili në vitin 2009 e transferoi në Itali tek Palermo. Sabatini duket se është i gatshëm të përfshijë në marrëveshje Miralem Pjaniçin dhe një shumë të konsiderueshme, që varion nga 15-20 mln euro, shumë kjo që mund të përfitohet nga shitja e sulmuesit Osvaldo.

 

Opinioni

Kapelo: Higuainin e zbulova unë, i ngjason Raul Gonzalezit

Fabio Kapelo e kërkonte Gonzalo Higuainin te Reali në kohën kur trajnonte madrilenët dhe tani flet për gjendjen e tij. “Kur isha te madrilenët, e mbyllëm marrëveshjen për dy argjentinas, Gagon dhe Higuainin, si dhe një brazilian, Marselon. Këto operacione ia vlejtën”, – rrëfen italiani. Ai më pas flet edhe për pikat e forta të lojtarit: “Kapaciteti i tij, lëvizjet që kryente në fushë, por edhe mënyra se si e sulmonte portën. Ishte e dukshme që kishte një potencial të madh. Sa është rritur në këto vite? Shumë, por e gjithë merita për këtë progres është e tija, sepse ka punuar shumë. Ishte një lojtar i mirë dhe interesant, ndërsa tani është sulmues i madh. Besoj se mbi të gjitha Higuain ka pasur fatin të luajë përkrah Raulit, një sulmues që në zonën e rreptësisë ishte gjithmonë në vendin e duhur dhe në kohën e duhur”. Dhe Kapelo ia përsëriste gjithnjë që “Pepita” duhet të imitonte bomberin e “galaktikëve”. “’Kopjoje Raulin dhe mundohu të lëvizësh njësoj si ai’ i thosha. Çfarë mund të bëjë Higuain për Napolin? Napoli është një shoqëri serioze dhe e rëndësishme, Higuain është një sulmues që shënon. Mendoj se lidhja midis tyre me shumë gjasa do të jetë e mbushur me të papritura nga të dyja palët. Napoli për titull me Higuanin? Nuk kam shumë qejf të bëj të tilla parashikime, por natyrisht që dy milaneze janë më të rrezikuarat nga përforcimi i napolitanëve”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency