Vrasja e 1941-shit, hasmët duan të marrin gjakun pas 72 vjetësh

0
280

Gjakmarrja

Historia e pazakontë e familjes e një familjeje nga Tropoja, që kërcënohet nga një fis i kësaj zone

 

largea_gjakmarrja021364915445Megjithëse kanë kaluar 72 vjet nga koha kur ka ndodhur konflikti, një histori gjakmarrjeje që e ka zanafillën që prej vitit 1941, vijon të jetë ende aktive në vitin 2013. Problemet me trojet dhe kullotat në zonat e Tropojës kanë detyruar një familje nga kjo zonë të shtegtojë nga qyteti në qytet, me qëllim që të shpëtojë nga plumbat e hasmit të vet. Tashmë të gjithë anëtarët e familjes Beraj ndihen të kërcënuar dhe se pak kohë më parë i janë drejtuar policisë, për t’i marrë në mbrojtje si rezultat i kërcënimeve që vijojnë t’i vijnë nga anëtarët e fisit Avdia në Tropojë. Kërkesa është bërë pak kohë më parë, por ende dhe sot familja e Hysen Berajt nuk ka marrë një përgjigje. Të ndodhur nën presionin e hasmit të tyre të vjetër, Hyseni së bashku me gruan e tij Fetijen dhe dy djemtë, Alsen dhe Algert, janë larguar nga Tropoja dhe janë zhvendosur në një banesë në zonën e Sukthit në Durrës. Pas qëndrimit disa kohë në këtë zonë, anëtarët e familjes kanë mësuar prej disa miqve të tyre në Tropojë se duhet të ktheheshin në shtëpinë e tyre, pasi kishin marrë garanci nga hasmët. Mirëpo, në fakt, sapo janë kthyer, pas pak kohësh sërish problemet e vjetra, megjithëse ishte menduar se qenë sheshuar, ishin komplikuar akoma dhe më tepër, pasi pala kundërshtare kërkonte marrjen e gjakut, pasi të parët e fisit Beraj kanë vrarë gjatë viteve të luftës një nga anëtarët e fisit Avdia.

Zanafilla e krimit

Seriali i vrasjeve e ka zanafillën në vitin 1941, kur për një sherr për pronën dhe kullotat e bagëtive, anëtarë të dy fiseve Avdia dhe Beraj kanë hyrë në konflikt me njëri-tjetrin dhe për pasojë ka mbetur i vdekur shtetasi Brahim Beraj, që është babai i Hysenit dhe gjyshi i Alsen Berajt. Historia më pas ka vijuar me vrasjet seriale, ku këtë herë ata që do të përgjigjeshin ishin anëtarët e fisit Beraj, të cilët jo shumë larg nga humbja e njeriut të tyre vranë një anëtar të familjes Avdia në Tropojë. Kanë mjaftuar dy të vdekur nga të dyja palët që të hapej konflikti, ku të dy fisit janë betuar për hakmarrje të vazhdueshme. Mirëpo, ndryshe nga siç ishte menduar për shumë vite nuk ndodhi asgjë, për më tepër këto dy fis kanë jetuar normalisht deri në fund të viteve 1990. Ardhja e komunistëve në pushtet dhe vendosja e ligjeve ekstreme detyroi anëtarët e dy fiseve që të qëndrojnë të heshtur, pasi dhe toka për të cilën ata ishin në konflikt është sekuestruar nga shteti dhe mbjellë më pas nga kooperativat bujqësore. Mirëpo prishja e regjimit komunist dhe hapja e depove të ushtrisë në vitin 1997, rihapën konfliktet e vjetra, dukë bërë që anëtarë të fisit Avdia, edhe pse të rinj, të mbajnë në memorie vrasjen e gjyshit të tyre dhe për pasojë të kërkojnë gjakun nga anëtarët e familjes së Hysen Berajt.

Zhvendosja në Tiranë

E ndodhur në këto kushte, familja Beraj ka zgjedhur të largohet në zonën e Sukthit, ku pasi ka qëndruar për një kohë në këtë zonë ka vendosur të rikthehet sërish. Mirëpo në verën e vitit 2003, banesa ku ata jetonin është qëlluar me armë zjarri dhe pas kësaj ngjarjeje, familja e Hysen Berajt është larguar në drejtim të Tiranës. Megjithëse shumë larg nga Tropoja, ata sërish e ndiejnë veten të kërcënuar, duke bërë që pas çdo sinjali kërcënimi që marrin, t’i drejtohen policisë, duke i kërkuar ndihmë dhe të marrë masa për parandalimin e një krimi të mundshme.

 

Nuk kishin paguar faturat tatimore

Selenicë, bllokohen 17 kamionë me mineral të marrë në minierë

Bashkia e Selenicës në bashkëpunim me forcat kundër krimit ekonomik të policisë së Vlorës, kanë bërë ndalimin e 17 kamionëve me lëndë minerare, sepse nuk plotësonin dokumentacionin e nevojshëm. Kamionët janë ngarkuar me mineral në minierën e Selenicës dhe më pas kanë marrë rrugën në drejtim të qytetit të Vlorës, por që më pas janë ndaluar nga forcat e policisë së rendit dhe ato bashkiake. Në një deklaratë për mediat kreu i bashkisë, Ferdinant Aligjoni, ka thënë se të 17 kamionët kanë ushtruar veprimtari të jashtëligjshme, duke mos paguar asnjë detyrim fiskal pranë pushtetit vendor. Sipas tij ndaj të gjitha subjekteve është bërë një kallëzim penal në prokurori, ndërsa kontrollet do të vijojnë dhe për subjekte të tjera. Në vijim ai ka thënë se është shfrytëzuar periudha zgjedhore për të kryer veprimtari të paligjshme në nxjerrjen e mineraleve. “Ne i sigurojmë të gjitha subjektet, se do të ushtrohen kontrolle të imtësishme deri sa të plotësohen me dokumentet përkatëse dhe të shlyejnë të gjitha detyrimet, në të kundërt do të bllokohen”, – tha ai.

 

Aksioni antidrogë

Policia asgjëson 11 parcela me drogë

Policia e Tiranës ka asgjësuar 11 parcela me kanabis në Zall-Bastar të Tiranës. “Nga komisariati i policisë nr. 4 Tiranë u arrit realizimi i operacionit koduar “Luca 1″ ku u asgjësuan 11 parcela të mbjella me bimë të ngjashme narkotike të llojit kanabis sativa, ndodhur në pyllin e fshatit Luce-Zall-Mner, Komuna Zall-Bastar, Tiranë”, – bën me dije policia e Tiranës. Gjatë këtij aksioni kanë rënë në pranga dy persona, banues në Kamëz: Nazmi Hasan Mahmuti, 46 vjeç, dhe Bilal Hamit Aruçi, 40 vjeç. Policia ka nisur hetimet për të identifikuar persona të tjerë të implikuar në trafikun e lëndëve narkotike.

 

Ngjarja në Pogradec

Aksidenti, makina godet për vdekje fëmijën

Një fëmijë ka humbur jetën mesditën e djeshme në Pogradec, pasi u përplas nga një automjet në aksin rrugor Pogradec – Tushemisht. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se viktima Griseld Kaçori po udhëtonte me biçikletë në anë të rrugës, kur është përplasur nga një makinë tip “Chrysler” që udhëtonte me shpejtësi. Pavarësisht përpjekjeve të shumta nga kalimtarët e rastit për ta shpëtuar, fëmija nuk ka mundur ti rezistoj plagëve të marra ku ka pësuar edhe vdekjen e menjëhershme. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Ndërkohë në komisariat është shoqëruar edhe drejtuesi i automjetit, Xh. B.

 

Vjedhjet në Milot

Grabitësit marrin mbrojtëset metalike të rrugës

Mbrojtëset anësore të autostradës Fushë-Krujë – Milot kanë rënë pre e grabitësve, ndërsa banoret akuzojnë për këtë punonjësit e firmës ndërtuese të këtij aksi rrugor. Sipas tyre këto mbrojtëse metalike janë vjedhur në mes të ditës nga një grup njerëzish të organizuar me automjete me mjete çmontimi. Dyshimi kryesor i banorëve është se ato janë vjedhur për t’u shitur për skrap, ndërsa theksojnë së kur i kanë pyetur për këtë veprim ato janë shprehur së nuk janë paguar për punën e tyre. Mungesa e këtyre mbrojtëseve vë në pikëpyetje të madhe sigurinë në këtë aks rrugor, i cili prej vitesh është në listën e zezë të aksidenteve në vendin tonë. Heqja dhe vjedhja e këtyre objekteve fillon në Thumanë pranë kryqëzimit të Bushneshit dhe shkon deri në afërsi të fshatit Gjorme të Kurbinit. Ndërkohë, përveç vjedhjes së këtyre mbrojtëseve, një tjetër dukuri në këtë aks është edhe dëmtimi i tyre në daljet anësore. Këto dëmtime janë shkaktuar nga banorët e zonës të cilët janë munduar të sigurojnë një hyrje më të shpejtë në autostradë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency