Peshkimi i të miturve në internet ja si hapen kodet e vidhen të dhënat

0
221

Elton Qyno

Dy nxënës shkolle nga Mamurrasi dënohen me 1 vit burg dhe lirohen nga Gjykata e Tiranës

Anëtarët e grupit të hakerave “Albanian Cyber Army”, përdorin pajisje që janë në përdorim nga FBI-ja

 

 

2a8f579Një program i quajtur “Phishing” ose “Peshkimi” që ishte ndërtuar me shumë mjeshtëri nga dy të mitur nga Mamurrasi, i ka dhënë mundësinë atyre që të “livadhisin” në shumë faqe interneti, përfshirë këtu edhe në ato faqe personale të mijëra personave në vend por dhe jashtë shtetit. Më të sulmuarat kanë qenë faqet personale të njerëzve si Facebook dhe shumë të tjerë, ku qytetarët publikojnë më tepër informacion se ç’duhet rreth jetës së tyre private. Dy nxënësit minorenë Gelard Dalti dhe Samed Ferizi, anëtarë të grupit “Albanian Cyber Army”, janë autorë të këtyre sulmeve, dhe që falë zotësive të tyre kompjuterike dhe duke përdorur aparatura që përdoren dhe nga ekspertët kibernetikë të FBI-së, arrinin të thyenin kodet e sigurisë, dhe më pas të merrnin prej andej shumë informacione ndaj personave të ndryshëm, duke përfshirë këtu njerëz të thjeshtë, vajzat miss, politikanë,efektivë policie etj. Dy minorenët tashmë janë dënuar nga gjykata e Tiranës me një vit burg, por për shkak të moshës së tyre të mitur, ky dënim është pezulluar, duke bërë që ata të jenë të lirë. Kjo gjë nuk i ndalon ata të përdorin internetin dhe të sulmojnë sërish faqet në web, prandaj që më mirë ata që mendojnë se janë të pathyeshëm, duhet të fshijnë të gjitha të dhënat ose të mos japin informacione në chat dhe web-e të tjera, pasi në të kundërt do të jenë “viktima” të anëtarëve të grupit “Albanian Cyber Army”.

 

Nofkat e autorëve

Dosja e hetimore ndaj dy hakërave ka filluar mbi bazën e informacionit që ka patur Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, se të pandehurit Samed Ferizi dhe Gerald Dalti, janë anëtarë të grupit “Albanian Cyber Army”, i cili ka publikuar video, foto dhe imazhe të këtij grupi në Internet, nga të cilat rezulton se ky grup përbëhet nga disa anëtarë. Ndër pjesëtarë të grupit rezultojnë dhe dy të pandehurit me pseudonimet 1NJ3CTOR – 4L (Samed Ferizi) dhe N3G4T1VY (Gerald Dalti).Të dhënat e publikuara në Internet në adresat www.facebook.com,www, youtube.com etj. janë këqyrur me procesverbalet përkatëse, nga të cilat ka rezultuar se ky grup ka sulmuar faqe të ndryshme në internet brenda dhe jashtë Shqipërisë si në Kosovë, Serbi etj. Nga hetimi rezultoi se të pandehurit Samed Ferizi dhe Gerald Dalti janë pikërisht përdoruesit që mbajnë pseudonimet e lartpërmendura dhe kanë kryer aktivitet kriminal në fushën kompjuterike.

Përgjimi në teren

Me vendim të organit procedues është autorizuar kryerja e vëzhgimeve dhe përgjimi ambiental i të pandehurve Samed Ferizi dhe Gerald Dalti. Nga raportet e vëzhgimit nuk është konstatuar ndonjë e dhënë konkrete për veprimtarinë kriminale të këtyre shtetasve, por është konstatuar fakti që ata shpenzojnë kohë të gjatë në banesat e tyre, duke krijuar bindjen se aktivitetin kriminal e kryejnë, nëpërmjet përdorimit të kompjuterave në banesat respektive. Në këto kushte, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka vendosur lejimin e kontrollit të banesave të shtetasve Samed Ferizi dhe Gerald Dalti. Mbi bazën e këtij vendimi, më datë 9.10.2012 është kryer kontrolli i banesave të shtetasve në fjalë, nga të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa pajisje kompjuterike desktop, laptop, USB, CD dhe DVD. Konkretisht, në banesën e të pandehurit Samed Ferizi u sekuestruan një kompjuter së bashku me njësinë, tre USB dhe 17 CD. Në banesën e të pandehurit Gerald Dalti u sekuestruan një kompjuter laptop, një modem me mbishkrimin Albtelecom, një USB dhe 21 CD.

Programi “Peshkimi”

Nga ekspertimi i njësive kompjuterike është konstatuar se gjithçka bëhej falë adresës së internetit www.000webhost.com. Në lidhje me këtë adresë, nga këqyrja e të dhënave kompjuterike datë 26.12.2012, rezulton se ajo administrohet nga kompania “SoftLayer Technologies Inc”, me adresë në Dallas, Teksas, SHBA. Kjo kompani jep pa pagesë për përdorim të çfarëdoshëm, faqe web për personat e interesuar. Këto faqe web-i përdorent nga kriminelët kompjuterik për të krijuar faqe ëeb fillestare të falsifikuara të rrjeteve sociale si Facebook, Twitter etj., me qëllim për të mashtruar përdoruesit e tyre, për të vjedhur adresat e llogarive të tyre si dhe fjalëkalimet përkatëse. Konkretisht kjo quhet metoda “Phishing” ose e cila e përkthyer në gjuhën shqipe nënkupton fjalën “Peshkim”. Konkretisht nga këqyrja rezulton se “Phishing”, është akti i tentimit për kopjimin e informacionit si “emri i përdoruesit”, “fjalëkalimet” etj, nëpërmjet kamuflimit si entitete ligjore gjatë komunikimit elektronik në adresa interneti popullore dhe sociale, adresa për kryerjen e ankandeve etj, të cilat përdoren kryesisht për të joshur publikun që nuk dyshon. Mesazhet elektronike “Phishing”, mund të përmbajnë lidhje Interneti me adresa të cilat janë të infektuara me virus kompjuterik. Kjo metodë kryhet kryesisht nëpërmjet mesazheve elektronike të rreme apo komunikime chat dhe shpesh i drejton përdoruesit të japin detajet e tyre tek një faqe interneti e falsifikuar, të cilat kanë pamjen e atyre legjitime. Kjo nënkupton që nëse “viktima” klikon, automatikisht, sistemi lidhet me adresën e emërtuar nga ky person, e cila ndodhet nën adresën origjinale www.000webhost.com me qëllim që ajo të shkruajë në fushat përkatëse adresën e tij të postës elektronike apo emrin e përdoruesit si dhe fjalëkalimin. Këto të dhëna ruhen automatikisht në një të dhënë “TXT”, sipas konfigurimit të bërë nga vetë krimineli kompjuterik. Kjo e dhënë “TXT” shkarkohet herë pas here prej tij për të parë dhe marrë të gjitha të detajet e viktimave, të cilët kanë klikuar në adresën e tij dhe kanë shkruar adresën e postës elektronike dhe fjalëkalimin përkatës.

Vjedhja e llogarive

Në hardiskun e kompjuterit të të pandehurit Samed Ferizi janë gjetur të dhëna, të cilat vërtetojnë se ky shtetas ka përdorur pikërisht metodën “Phishing”, për të vjedhur të dhënat personale të shumë individëve. Konkretisht, në kompjuter është gjetur një e dhënë kompjuterike, e cila është rikonstruksion i një faqeje Interneti me adresë 000webhost.com/members, e cila mund të jetë vizituar ose të ketë qenë e ruajtur në kompjuter, në të cilën dallohet që përdoruesi i emërtuar “a7448333”, ka patur të krijuar një faqe Interneti me adresën texas-free-chips.host22.com. Kjo adresë rezulton të jetë përdorur nga i pandehuri Samed Ferizi për të vjedhur llogari të ndryshme në rrjetin social Facebook. Pra kjo krijon një bindje të fortë se i pandehuri Samed Ferizi ka hapur një faqe “Phishing” për vjedhjen e të dhënave personale të “viktimave” të tij.

Pajisjet e FBI-së

Në kompjuter gjenden të dhëna që lidhen me thyerjen e rregullave të disa lojërave të ndryshme kompjuterike si “Counter Strike” etj. Gjithashtu, gjenden disa programe për kryerjen e ndërhyrjeve në ndërfaqësit e internetit që janë të përdorshme nga çdo përdorues kompjuteri, të cilat janë bërë me skripte dhe gjuhë programimi të veçanta, programe që përdoren nga FBI-ja, kundër kriminelëve kibernetik si dhe një program i quajtur “Havij1.10”, i cili shërben për të bërë ndërhyrje në sisteme kompjuterike nëpërmjet metodës “SQL Injection”. Në kompjuter janë gjetur gjithashtu të dhëna që lidhen me pseudonimin “1NF3CTOR”, “N3GAT1VY”, “SHIKZZ”, pra krijohet bindja se përdoruesi i këtij kompjuteri, shtetasi Samed Ferizi ka patur aktivitet me anëtarët e grupit “Albanian Cyber Army”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency