“PD, parti e njerëzve të lirë, Rama me INSTAT-in kërkon manipulimin e të vërtetës”

0

Ina Jano

Loading...

Kryetari i ri i PD-së për herë të parë kundërpërgjigjet për deklaratat e Ramës dhe për zërat kritikë brenda selisë blu. Deklaratat u bënë nga përurimi i rrugës “Gramoz Pashko”

 

16906_583657378352114_133092035_n

Rama, me ndryshimin e INSTAT-it, kërkon të manipulojë të vërtetën dhe të fshehë dështimin e premtimeve piramidale të 23 qershorit. Kjo mund të quhet përgjigjja e parë e kreut të Partisë Demokratike, zotit Lulzim Basha, për kundërshtarin politik, në postin e ri të selisë blu. Duke iu referuar deklaratave të Ramës në lidhje me INSTAT-in, Basha deklaroi se PD-ja do të bëjë një opozitë të fuqishme në lidhje me këtë çështje. “Qëndrimi i djeshëm (i së enjtes) i kryesocialistit edhe një herë dëshmon një mendësi të vjetër antishtet, antiinstitucione. Ky është një propozim, për të zhdukur dhe eliminuar një zë të fuqishëm të së vërtetës, që është Instituti i Statistikave, zë të cilin opozita e djeshme e ka përdorur sa herë i ka leverdisur. Nuk kemi të bëjmë vetëm me qëndrim me dy standarde, por kemi të bëjmë me një projekt të rrezikshëm antishtet, zhdukja e një zëri të besueshëm siç është INSTAT, me qëllim për të manipuluar të vërtetën dhe fshehjen e dështimeve të pritshme dhe mosmbajtjen e premtimeve piramidale të 23 qershorit”, – pohoi lideri demokrat. Ai garantoi se Partia Demokratike do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të çdo institucioni, sikundër do të demaskojë pa reshtur çdo përpjekje të mazhorancës së re, për të manipuluar dhe fshehur mosmbajtjen e premtimeve të 23 qershorit. “Partia Demokratike do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të çdo institucioni, do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të INSTAT-it si një institucion i zërit të besueshëm dhe i të vërtetës dhe në çdo rast do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të së vërtetës dhe nxjerrjen e saj para shqiptarëve ashtu siç është, demaskimin e çdo përpjekjeje për ta manipuluar atë akoma pa u instaluar në pushtet, si një përpjekje për të manipuluar vetë kontratën e 23 qershorit që po faktohet dita ditës si një kontratë mashtrimi, karshi qytetarëve shqiptarë”, – theksoi z. Basha. Që në ditët e para të marrjes së detyrës, zoti Basha është duke u përballur edhe me zërat kritikë brenda partisë së tij. Një nga eksponentët e lartë e PD-së, kryetari i grupit parlamentar, zoti Astri Patozi, dy ditë më parë deklaroi se emri i Bashës ishte i paracaktuar dhe se gara nuk ishte reale. Përgjigjja e kryetarit të ri demokrat ishte se selia blu është një parti e hapur për çdo zë dhe e lirive të shprehjes. “Në Partinë Demokratike, çdokush thotë atë që mendon apo atë që do të thotë. Kjo vlen për anëtarët e thjeshtë të PD-së, vlen për drejtues, vlen për këdo. Ne jemi dhe mbetemi parti e njerëzve të lirë dhe lirisë së shprehjes së mendimit në çdo kohë dhe për çdo çështje. Për çështjen në fjalë, mbi 41 mijë anëtarë të PD-së janë shprehur qartë dhe duke dëgjuar vullnetin e tyre, zërin e tyre, është detyra ime, por edhe e gjithkujt prej nesh të angazhohemi maksimalisht për një përballje të fortë, të vendosur e të pandarë me sfidat që na presin dhe kthimin e këtyre sfidave në mundësi për PD-në dhe nëpërmjet PD-së, për shpresat dhe aspiratat e çdo qytetari shqiptar karshi mazhorancës problematike të mashtrimit të 23 qershorit”, – nënvizoi Basha.

Rruga e re

“Kjo është një rrugë tërësisht e re e kryeqytetit, që u shërben mbi 8 mijë banorëve dhe mbi 30 mijë qytetarëve të tjerë që do ta përdorin atë si arterie komunikimi ditë për ditë. Është një rrugë e bërë me parametra modernë, që ka ndryshuar tërësisht cilësinë e jetës së këtyre banorëve, këtu, mban emrin e një prej themeluesve të Partisë Demokratike dhe sot jam jashtëzakonisht i kënaqur që bashkë me banorët shikojmë përfundimin e një pune e cila faktikisht bëri sikur nisi për afro 10 vjet, por nuk nisi asnjëherë. Sot, kjo rrugë është një premtim i mbajtur për këta banorë, është një tjetër dëshmi e transformimit në qytetin e Tiranës, nga përkushtimi dhe fokusimi i vëmendjes së bashkisë së qytetit, tek nevojat e qytetarëve dhe tek problemet e projektet që përmirësojnë cilësinë e jetës anembanë qytetit”, – u shpreh kryebashkiaku Basha në lidhje me rrugën e re që përfundoi punimet pas 10 vitesh që kishin nisur dhe që nuk kishin përfunduar. Rruga “Gramoz Pashko” është një investim prej 99.6 milionë lekësh. Ajo u shërben rreth 8 mijë banorëve. Përgjatë kësaj rruge me gjatësi 541.5 m, gjerësi 7 m dhe trotuare në dy anët, janë ndërtuar kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza, është risistemuar dhe pastruar kolektori, janë vendosur 69 shtylla të ndriçimit rrugor si dhe janë mbjellë 270 pemë bli. Përgjatë gjithë segmentit rrugor, janë kryer punime për linjat rezervë, fibra optike dhe shërbimet inxhinierike nëntokësore.

 

 

Qëndrimi

Alibeaj: Askush s’mund të ngrejë dyshime për zgjedhjen e Bashës

Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj dhe ish-ministri i Drejtësisë, në një reagim të parin të tijin pas zgjedhjes së kryetarit të ri të Partisë Demokratike, u shpreh se askush nuk mund të ketë dyshime sa i përket liderit të ri. Alibeaj nënvizoi se gara e mbajtur në selinë blu ishte me rregulla të qarta, ndërsa deklaroi se rezultati ishte dhe më i qartë se kaq. Për ish-ligjvënësin e PD-së, i cili nuk ishte pjesë as e listave të kandidatëve për zgjedhjet e 23 qershorit, rezultati 80 me 20 ishte një mesazh i fortë që dhanë demokratët, në përballjen e dy alternativave. Sipas Alibeajt, demokratët vlerësuan jo vetëm kandidatët, por votuan mes atyre që ishin pjesë përbërëse e administratës politike dhe partiake të PD-së dhe që ishin pjesë e përgjegjësisë për humbjen më 23 qershor si dhe atyre që nuk ishin pjesë e përgjegjësisë dhe që u prezantuan si opsion për ringritjen e demokratëve. Për sa i përket qëndrimit të eksponentëve të lartë në PD për një proces zgjedhor të paracaktuar, Alibeaj thotë se këto pretendime duhet të bazohen në fakte dhe jo në indice personale. Alibeaj u shpreh se tashmë është koha që një orë më parë të fillojë puna me ristrukturimin e Partisë Demokratike, në mënyrë që opozita të jetë e strukturuar tërësisht edhe në përballjen me mazhorancën e majtë.

 

1 muaj Kryeministër i zgjedhur

Berisha: Rama, revansh antikushtetues, urrejtje dhe mashtrim

Kryeministri i vendit, zoti Berisha, është kujdesur që të bëjë një bilanc të qeverisë së re të zgjedhur për muajin e parë, që pas fitimit të zgjedhjeve, megjithëse ajo ende nuk është në funksionim të plotë pasi nuk ka bërë betimin. Megjithatë, shefi historik i demokratëve ka bërë një analizë të mbylljes së një muaji nga koha që kryesocialisti Edi Rama ngriti zyrën e tij të Kryeministrit të zgjedhur në selinë e Partisë Socialiste, quajtur sipas tij selia mavi. Revansh, urrejtje dhe mashtrim e ka quajtur Kryeministri Sali Berisha muajin e parë të “Piktorit të dështuar Kryeministër”. Berisha e ka akuzuar akuzon Ramën se një muaj pas zgjedhjeve të 23 qershorit ka mohuar premtimet e tij, ka mashtruar qytetarët dhe ka nisur një revansh antikushtetues ndaj institucioneve dhe administratës publike. Revansh, urrejtje dhe mashtrim muaji i parë i piktorit të dështuar Kryeministër! “Të dashur miq, kaloi mbi një muaj nga dita që piktori i dështuar Edi Rama ngriti zyrën e tij të Kryeministrit të zgjedhur në selinë mavi. Veprimtaria një mujore e Kryeministrit të zgjedhur mund të përmblidhet në sa vijon:

1 – Mohim i premtimeve antiglobaliste me të cilat mori votën.

2 – Revansh antikushtetues shpallja e vetes Kryeministër i zgjedhur dhe deklarimi i qeverisë së vendit si qeveri kujdestare apo qeveri në detyrë dhe mandat 4.3 vjet për vete.

3 – Revansh antikushtetues ndaj institucioneve kushtetuese, Presidencës, Prokurorisë, KLD-së, pushtetit gjyqësor.

4 – Revansh antishtet ndaj administratës publike. Hapja e tenderit për fshesën në administratën publike dhe vendosja si kryefshesare e kushërirës Koleka.

5 – Paraqitja e një kabineti shumë më të madh në portofola sesa vende, 20 apo 30 herë më të mëdha se Shqipëria.

6 – Përpjekje për të bllokuar me çdo kusht transparencën e mandateve të drogës dhe krimit.

Ky është ndryshim, por jo ai për të cilin votuan shqiptarët, por ai që solli piktori i dështuar në muajin e tij të parë. Përpara kundër revanshit dhe mashtrimit!! sb”, – ka shkruar ditën e djeshme kreu i ekzekutivit.

 

Loading...