Kukësi ka oreks për më shumë

0
156

Altin Vorpsi

Pas plot 26 vitesh Kukësi ka barazuar dy ditë parë një sipërmarrje që qe e zonja ta bënte vetëm Flamurtari i viteve ‘80. Kalimi i dy tureve në Ligën e Evropës nuk është diçka që ndodh çdo ditë, aq më tepër kur e bën realitet një ekip që vetëm dy vite më parë militonte në Kategorinë e Parë Shqiptare. Siç dihet, ëndrrat nuk kushtojnë asgjë dhe për këtë fakt ekipi i drejtuar nga dyshja Starova – Cungu u rikthye dje në Shqipëri me më shumë uri

 

HalilajTë vetëdijshëm për atë që bënë, u kthyen dje në aeroportin “Nënë Tereza” me kokën lart. Skuadra e Kukësit, me kualifikimin që mori dy net më parë në Bosnje, ka barazuar arritjen e Skënderbeut të viteve të arta që, si verilindorët tani, kaluan dy ture.

Heroi

Protagonisti i këtij kualifikimi historik ishte pa dyshim portieri Halili, i cili përveç shumë rasteve gjatë ndeshjes, grushtoi dhe një 11-metërsh në pjesën e dytë. “Ndihem krenar për atë që bëra në Bosnje. Nuk do ta quaja veten hero, por do të uroja të gjithë çunat për këtë arritje kaq të madhe”, – tha portieri Halili.

Cungu sheh për më tej

“Emocionet ishin të mëdha, presioni shumë i madh, megjithatë e thashë, e kam thënë edhe herë të tjera, që zemra, shpirti dhe karakteri i këtyre djemve duhet vlerësuar maksimalisht”, – deklaroi trajneri i Kukësit, Armando Cungu. Oreksi i kuksianëve është shtuar tashmë dhe drejtuesit e skuadrës kërkojnë të tentojnë sërish kualifikimin për më tej në Europa League. “Tashmë jemi në turin e tretë dhe përballë kemi një ekip edhe më të fortë, megjithatë e rëndësishme për ne është që të bëjmë një futboll të bukur, pse jo edhe ta provojmë kualifikimin”, – vazhdoi trajneri Cungu.

Për herë të parë pas 26 vitesh

Kjo është hera e parë pas 26 vjetësh që një skuadër shqiptare kalon dy ture në Evropë. Më parë këtë sukses e kishte arritur Flamurtari i madh i viteve ‘80, kur kaloi Partizanin e Beogradit dhe Vismut Auen dhe u eliminua nga Barcelona.

 

Merkato

Flamurtarin nuk e bind italiani Sonçini

Sulmuesi italian i ardhur në provë te Flamurtari nuk është parë të dilte në stërvitje ditën e djeshme me skuadrën. Me sa duket, ai nuk ka bindur trajnerin Gjoka, i cili mund të ketë marrë vendimin për largimin e tij. Lojtari i Komos nuk ishte në gjendjen e tij optimale thonë drejtues të klubit për shkak edhe të operacionit të kryer tre muaj më parë. E ndërsa largimi i tij nuk konfirmohet zyrtarisht, tashmë largimi i tij është fakt, pasi edhe në stërvitjen e së enjtes ka qëndruar në stol. Ndërkaq, një tjetër sulmues i është bashkuar Flamurtari në stërvitjen e djeshme. 19-vjeçari, Gazmend Zeneli ka luajtur te disa ekipe moshash në Rimini të Italisë dhe tashmë ka si synim të bindë trajnerin Gjoka.

 

Faza përgatitore

Partizani nis punën, dy nigerianët nuk nisen me ekipin

Nën urdhrat e Likës, Partizani ka zhvilluar ditën e djeshme dy seancat e para stërvitore në Grevena të Greqisë (është grumbulluar për të kaluar fazën përgatitore). Burime pranë klubit kanë bërë me dije se trajneri Lika kishte parashikuar një seancë të lehtë stërvitore për 25 futbollistët që kishte në dispozicion, ndërsa në pasdite gjithçka ka ndryshuar dhe lojtarët kanë marrë të gjitha ngarkesat e duhura fizike dhe ato tekniko-taktike. Mësohet se është vendosur edhe një regjim sportiv për lojtarët i cili do të zbatohet me përpikmëri nga ana e tyre. Por këto ditë mjaft të rëndësishëm stërvitore, trajneri i të kuqve duhet t’i parashikojë pa dy futbollistët nigerianë, që janë pjesë e klubit. Oshobe Oladele dhe Feliks Udo ende nuk janë pajisur me vizë nga ambasade Greke në vendin tonë dhe në kushte të tilla nuk mund të udhëtojnë drejt vendit fqinj. Nuk duhet të harrojmë se Udo ka qenë titullar gjatë gjithë fazës së dytë të sezonit të shkuar dhe sipas të gjitha gjasave një gjë e tillë do të ndodhë edhe kampionatin e ardhshëm. Por, trajnerit Lika i duhet të bëjë pa praninë e tij, të paktën edhe për disa ditë në seancat stërvitore, gjë e cila mund të ndikojë edhe në formacionin e kampionatit. Aktualisht të dy futbollistët janë duke u stërvitur me ekipin e 19-vjeçarëve, që drejtohet nga Genc Tomori, i cili ka edhe rolin e drejtorit teknik deri në nisjen drejt Greqisë. Burime pranë klubit bëjnë me dije se do të jetë vetë Tomori, ai që do të shoqërojë Oladelen dhe Udon në fazën përgatitore, duke plotësuar edhe grupin e futbollistëve, i cili aktualisht shkon në 25 lojtarë, pesë nga të cilët janë pjesë e akademisë.

 

 

Cana rrëfen Lacion

Lorik Cana, kapiteni i kombëtares shqiptare, që ka thyer barrierat e paragjykimeve në një skuadër si Lacio, tashmë konsiderohet një prej liderëve të skuadrës italiane. Pas përfundimit të fazës përgatitore me skuadrën bardhekaltër në Auronco di Kadore, mesfushori kuqezi flet për eksperiencën 2-vjeçare në kryeqytetin italian ku iu desh shumë punë për të fituar besimin e tifozëve dhe drejtuesve, ndërsa komenton edhe disa nga emrat më të lakuar të kombëtares shqiptare, të cilët janë në orbitën e shoqërisë së drejtuar nga presidenti Lotito. “Nuk di të them nëse jam një lider te kjo skuadër, por mund të them me siguri se jam përherë gati për të ndihmuar ekipin në momente të vështira. Për mua kanë shumë rëndësi rezultatet dhe në këtë aspekt, suksesi në Kupë është i paharrueshëm”, – tha Cana.

Nga Reja te Petkoviç, ashtu si skuadra edhe Cana nuk e ka ndier shumë fazën e tranzicionit, sepse tekniku boshnjak diti të ruante ekuilibrat në grup: “Besoj se jam rikthyer në formën time më të mirë pasi kam gjetur kondicionin fizik duke lënë pas disa dëmtime jo shumë të lehta. E konsideroj veten një lojtar luftarak. Këtu në Romë ndihem mirë. Kam uri për suksese të tjera”. Kur bëhet fjalë për merkaton e Lacios, dalin përherë në sipërfaqe emrat e shqiptarëve, kjo ndoshta edhe për meritë të drejtorit sportiv, Igli Tare. Kapiteni i kombëtares shqiptare, rezervon disa komente për njërin prej tyre: “Etrit Berisha është një portier shumë i fortë që arriti të fitojë besimin e De Biasit. Është e vështirë të flasësh për lojtarë të panjohur por unë nuk kam asnjë dyshim rreth aftësive të tij. Nuk e di se në çfarë pike janë bisedimet me Lacion, por mund të them se është një lojtar profesionist dhe një djalë fantastik. Besoj gjithashtu se është një numër njësh, dhe i gatshëm për të nisur një aventurë në një skuadër të rëndësishme. Madje po guxoj pak për të thënë që ai do të bëhet një nga portierët më të mirë të Serisë A. Gjithsesi te Lacio do ta ketë të vështirë të luajë që në fillim si titullar pasi Marketi është një portier i madh dhe besoj se do të qëndrojë mes dy shtyllave edhe për shumë kohë. Në këtë aspekt mund të them se zgjedhja e tij është disi delikate”. Në fund, Cana nuk harron të bëjë një koment edhe për mbrojtësin shkodran, Elseid Hysaj, duke theksuar është ende një lojtar i ri që duhet të mësojë shumë, por shton se ka besim në cilësitë e tij. Mbrojtësi i Empolit u ndoq gjatë nga Lacio, por ditët e fundit me rinovimin e belgut Kavanda, duke se skuadra kryeqytetase ka hequr dorë përfundimisht.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency