Zemërimi: Çmimi i shtrenjtë, kur humbet gjakftohtësinë

0

Michael R. Edelstein

Loading...

David Ramsay Steele

Psikologji/ Tri minuta terapi, libri i dy autorëve amerikanë që ndryshon të menduarit në shqip nga “Plejad”, përkthyer nga Aleksandër Loli

 

anger_photoZemërimi nuk është përgjigje emocionale e pavullnetshme ndaj një situate specifike. Zemërimi lind nga një filozofi – mënyra e të konceptuarit të botës. Në thelbin e vet, zemërimi përfaqëson pikëpamjen e madhështisë, vetëdrejtësisë, komandimit dhe autoritetit për të dënuar. Shumë profesionistë të shëndetit mendor nuk pajtohen me pikëpamjen se të gjitha llojet e zemërimeve zakonisht janë të këqija për njeriun. Shumë terapistë e klasifikojnë zemërimin si “të përshtatshëm” ose “të papërshtatshëm” në vartësi të përmbajtjes dhe zakonisht argumentojnë se, kur është i përshtatshëm, bën mirë ta nxjerrësh jashtë (ta shfresh), ndërsa kur është i papërshtatshëm, duhet ta shtypësh apo ta ndrydhësh në vetvete.

Shenjtërinë e Tij, Dalai Lamën, e pyetën nëse ishte e nevojshme apo e ligjshme që të zemëroheshe ndonjëherë me dikë tjetër. Ai ndenji i heshtur për disa minuta, njëlloj si lojtarët e shahut që meditojnë rreth pasojave të të gjitha lëvizjeve të mundshme dhe pastaj, pasi i bloi të gjitha mundësitë me mend, u përgjigj

Gaj Klakston “Zemra e Budizmit”

 

Alvini, një avokat 53-vjeçar, u paraqit tek unë për shkak të martesës së tij fatkeqe. Më tha se shpesh kishte debate të nxehta me të shoqen, Pegin, e cila mjaft herë e irritonte dhe i ankohej. Ai më raportoi po ashtu hidhurazi se Pegi nuk e mbante kurrë shtëpinë pastër si duhej ose nuk ia përgatiste ushqimet ashtu si i pëlqenin atij të gatuheshin. Gjatë diskutimit doli se të dhënat e së shoqes ai i gjykonte nga pikëpamja e standardeve të një perfeksionisti. Megjithëse u shpreh se këtë martesë e shihte si diçka të padurueshme, gjatë përgjigjeve që u jepte pyetjeve të mia, Alvini la të kuptohej në mënyrë tepër të përcaktuar se nuk e dëshironte aspak divorcin dhe se kishte frikë mos e linte Pegi.

Një burrë kërkues

Çfarë shkonte gabim në fakt te martesa e Alvinit? Meqenëse ajo ankohej shpesh dhe e kërcënonte ta linte, unë e pyeta Alvinin se për çfarë nuk ndihej e lumtur Pegi.

– Nuk e di, – u përgjigj ai turivarur.

– Po mirë, – e pyeta sërish, – nëse ajo do të ishte tani këtu, çfarë mund të thoshte për shkakun që e bën kaq fatkeqe?

– Se unë e korrigjoj atë përherë.

– Dhe vërtet ti e korrigjon atë përherë?

Në përgjigje të kësaj, Alvini nisi të recitonte përsëri i acaruar të metat e së shoqes, sidomos mangësitë në pastrimin e shtëpisë dhe gatimet jo sipas shijes së tij. Rrënja e problemit të Alvinit ishte zemërimi ndaj së shoqes, zemërim i cili e kishte zanafillën te kërkesat e tij.

Në fillim, Alvini qe i pavetëdijshëm se ishte tip kërkues. Megjithatë, në vërejtjet për të shoqen nënkuptohej dukshëm mendimi shabllon, që: ai ishte Zoti i universit, ndërsa e shoqja, vartësja e tij. Një qëndrim i tillë natyrisht ishte qesharak dhe binte mjaft qartë në sy nga toni i zemëruar dhe mënyra e papajtueshme sesi e përshkruante problemin që kishin midis tyre.

Për ta bërë më të shpjegueshme, qëndrimi i Alvinit mund të ndërtohet në këtë mënyrë:

 

* Pegi DUHET ta mbajë shtëpinë pastër dhe ngaqë nuk e bën këtë, meriton të dënohet.

* Pegi DUHET t’i gatuajë ushqimet tamam si më pëlqejnë mua.

* Pegi DUHET të më kuptojë mua (me këtë Alvini donte të thoshte që ajo të pajtohej me pikëpamjet e tija)

Nën këto kërkesa, preferencat që pasqyronin shijet, vlerat dhe shpresat e Alvinit qenë të dukshme:

•           Unë e dua shtëpinë të pastër, ushqimin e gatuar sipas shijeve të mia dhe është tepër zhgënjyese që ato nuk janë ashtu.

•           Unë preferoj që Pegi t’i shohë gjërat sipas mënyrës sime.

 

Alvini kishte një të drejtë legjitime për të tilla preferenca. Ato preferenca nuk qenë problemi i tij emocional. Shqetësimet e Alvinit lindnin kur preferencat e tij subjektive i shkallëzonte në komanda Perëndie, si: “ngaqë më pëlqen mua ta mbash pastër shtëpinë, t’i përgatitësh ushqimet sipas shijes sime dhe mos më mërzitësh, ti DUHET të bësh ashtu si të them unë!”

Alvini kishte një qëndrim, i cili është krejt i zakonshëm në martesat e shqetësuara: “Përse u dashka të jem unë ai që duhet të ndryshojë? Nëse ajo më trajton më mirë, unë s’do të acarohesha kështu.”

Unë i mbusha mendjen Alvinit – dhe me të kjo nuk qe aq e vështirë – se ky qëndrim ishte i pavend dhe jo praktik. Nëse ai nuk e donte divorcin me Pegin, atëhere kjo tregonte se qe i shtënë mbas saj dhe realisht nuk kishte ngjasa që ajo të niste e të vepronte në përputhje me përfytyrimet e tij ideale sesi e qysh DUHEJ të sillej.

Konceptet “DUHET” të Alvinit qenë të pathemelta. Nuk ekzistonte asnjë arsye përse Pegi apo ndonjë tjetër DUHEJ të bënte ashtu si donte Alvini. Nëse ishte ai që e drejtonte vërtet universin, me Pegin si skllave, kërkueshmëria e tij mbase do të kishte qenë e arsyeshme. Ju mund të mendoni se ishte çmenduri që Alvini – një person tepër i kufizuar dhe i papërkryer – e konsideronte veten si komandues të universit. E megjithatë, një pikëpamje e tillë është thelbi i të gjitha zemërimeve.

 

Një emocion i disaktivizuar

Zemërimi nuk është përgjigje emocionale e pavullnetshme ndaj një situate specifike. Zemërimi lind nga një filozofi – mënyra e të konceptuarit të botës. Në thelbin e vet, zemërimi përfaqëson pikëpamjen e madhështisë, vetëdrejtësisë, komandimit dhe autoritetit për të dënuar. Shumë profesionistë të shëndetit mendor nuk pajtohen me pikëpamjen se të gjithë llojet e zemërimeve zakonisht janë të këqija për njeriun. Shumë terapistë e klasifikojnë zemërimin si “të përshtatshëm” ose “të papërshtatshëm” në vartësi të përmbajtjes dhe zakonisht argumentojnë se, kur është i përshtatshëm, bën mirë ta nxjerrësh jashtë (ta shfresh), ndërsa kur është i papërshtatshëm, duhet ta shtypësh apo ta ndrydhësh në vetvete.

Megjithatë, kërkimet e kohëve të fundit e kundërshtojnë këtë pikëpamje popullore dhe sugjerojnë se të gjithë llojet e zemërimeve, të shprehura apo të ndrydhura janë të dëmshme për shëndetin dhe dëmtojnë marrëdhëniet me të tjerët. Mes shumë vështirësive të shoqëruara me zemërimin janë:

•           Rritja e mundësive për infarkt kardiak, krizë cerebrale apo hipertension.

•           Vështirësi më të mëdha në zgjidhjen konstruktive të problemeve.

•           Një prirje për zemëratë, e cila mund të nisë në një nga fushat e jetës suaj dhe të bëhet më pas bashkudhëtarja jote apo të përhapet në fusha të tjera.

•           Shqetësime me mendime hakmarrëse.

•           Adoptimin e një qëndrimi antagonist, i cili t’i armiqëson panevojshmërisht njerëzit e tjerë me të cilët do të qe përfituese të mbaje marrëdhënie të përzemërta.

•           Një predispozicion dhune, sidomos abuzim ndaj fëmijëve.

 

Por, duke e shfryrë zemërimin, a nuk ndihmon kjo për tu çliruar nga sasia e irritimit të pashprehur? Është e vërtetë se për çastin një shfrim zemërimi mund të sjellë përkohësisht një lloj çlirimi, por shpesh herë, shqetësimi psikologjik e merr shpagesën te trupi dhe disa dëshmi paraprake na bëjnë të mendojmë se shfrimet e zemërimit shkaktojnë më shumë dëm sesa zemërimi i ndrydhur. Megjithatë ekziston një alternativë e tretë për ta ndrydhur apo për ta shfryrë inatin tuaj: Pikë së pari, mos e lejoni veten të zemëroheni!

Afrimi “ekspresiv” nënkupton se zemërimi është diçka brenda jush, njëlloj si fshikëza e tëmthit. Nëse kjo e fundit do t’ju shqetësonte, ju do e hiqnit me operacion dhe pas kësaj nuk do ju shqetësonte më. Në mënyrë të ngjashme, nëse ju mund ta shfreni jashtë zemërimin tuaj, ai s’do të jetë më përbrenda jush dhe nuk do t’ju shkaktojë më shqetësime.

Kjo pikëpamje është krejtësisht e gabuar. Zemërimi nuk është entitet fizik. Ai është një ndjenjë e prodhuar nga qëndrimet apo bindjet e juaja. Ju s’e çlironi dot veten nga ndjenjat me anën e shprehjes së qëndrimeve dhe bindjeve që i krijuan ato. Kjo zakonisht i riafirmon dhe i përforcon këto qëndrime dhe kështu u jep ndjenjave më shumë mundësi që të rikthehen.

Merrni për shembull një lloj ndjenje të kundërt, si dashuria – ndjenjë të cilën ne shpesh duam që ta vazhdojmë. Është e qartë se sa më shumë që t’i shprehni ju ndjenjat e dashurisë, të dhembshurisë e të kujdesit, aq më shumë gjasa ka që të bëheni i dashur, i dhembshur dhe i kujdesshëm. Askush nuk do të supozonte se, duke shprehur të tilla ndjenja ju do t’i “linit ato të iknin tutje” dhe kështu t’i humbisnit.

E njëjta gjë ndodh edhe me ndjenjën vetëshkatërruese të zemërimit. Nëse ju e shfreni zemërimin tuaj, ju riafirmoni dhe riforconi qëndrimin tuaj të zemëruar, duke e bërë atë më të vështirë për ta dëbuar. Nëse do të përmbaheshit nga shfrimi i zemërimit tuaj, ky mund të ishte hapi i parë drejt shmangies së tij tërësore.

Vonesat, Kërkesat dhe Shqetësimet

Hedhëri, një grua 35-vjeçare me flokë të gjata bjonde dhe vështrim si të përvajshëm, u konsultua me mua sepse ndjente shpesh herë melankoli dhe mungesë motivacioni.

– Ndihem përherë sikur nuk dua të ngrihem nga shtrati, – më tha mua me hidhërim. – Thjesht, ndjej se asgjë nuk ia vlen më sadopak.

Përveçse ndihej përgjithësisht e depresuar, ajo shpesh shqetësohej seriozisht dhe e zinin spazma të qarash. Pas ca pyetjeve të kujdesshme, arrita në përfundimin se pakënaqësitë e Hedhërit qenë fokusuar kryesisht te martesa e saj gjashtë-vjeçare. Në mjaft aspekte kjo martesë dukej e rregullt. Bashkëshorti i saj, Piteri, ishte tip i dashur, ndihmues dhe komunikues. Por ajo thjesht ndjente se nuk mund t’i duronte dot vonesat e tij të palogjikshme.

Për sa kohë e njihte ajo Piterin, ai s’i kishte ardhur kurrë ndonjëherë nëpër takime në kohën e caktuar. Sado i kërkonte ndjesë dhe tregohej i gatshëm për të qenë këtej e tutje i përpiktë, ai prapëseprapë, madje edhe në rastin më të mirë, do të dukej me njëzet minuta vonesë. S’është nevoja ta themi se kjo i krijonte probleme serioze jo vetëm atij vetë, por edhe Hedhërit. Përveç vonesave në oraret e kinemave apo aktiviteteve sociale, Hedhëri pati humbur edhe fluturimet apo aktet e para të operave, për shkak të tij.

Gjatë tërë atyre viteve Hedhëri kishte provuar stategji të shumta. Për ca kohë pati refuzuar të shkonte ndokund bashkë me të, por kjo praktikisht u kishte shkatërruar jetën sociale. Ta ndihmoje që të bëhej gati ishte sërish diçka e kotë, sepse ai thoshte se ajo veç e vononte edhe më shumë me ato nxitjet e saja. Duke e yshtur e duke ia kujtuar atij parreshtur këtë huq, dukej sikur me to ia shtonte të shoqit edhe më shumë prirjen për tu vonuar, kështu që të gjitha ato përpjekje përfundonin me atë që Hedhëri shpërthente përherë nga zemërimi. Në nja dy raste ajo u përpoq ta gënjente për orët e takimeve dhe disi i eci, por më pas e braktisi edhe këtë taktikë ngaqë kjo i dha Piterit një arsye shtesë për tu vonuar edhe më shumë. Ai nisi ta ketë parasysh gënjeshtrën e saj dhe në kalkulimet që bënte, përcaktonte se koha e vërtetë e ndonjë takimi ishte më vonë se ora që i pati thënë e shoqja.

Në përgjigje të pyetjes sime, Hedhëri e pranoi me mjaft ngurim se për shkak të këtyre vonesave kronike, po e urrente deri në atë pikë Piterin, sa po e mendonte seriozisht divorcin.

Problemi Praktik i Hedhërit ishte se ajo qe bezdisur mjaft shpesh nga vonesat e të shoqit. Problemi emocional ishte se po ndihej fatkeqe për shkak të zemërimit që ndjente ndaj të shoqit.

 

Kërkesat e Hedhërit përmblidhnin:

•           Piteri DUHET të më trajtojë me më shumë vëmendje.

•           Ai DUHET të vijë në kohën e duhur.

•           Ai nuk DUHET të m’i prishë planet e mia.

•           Ai nuk DUHET t’i bëjë miqtë e mi të presin.

•           Ai DUHET të jetë më i kujdesshëm.

•           Meqë ai është kaq i përgjegjshëm në fusha të tjera të jetës, edhe në këtë fushë ai DUHET të veprojë me më shumë përgjegjshmëri.

Gjatë sesionit tim të dytë me Hedhërin, i mësova metodën e Terapisë Treminutëshe. Doli se ajo ishte një nga klientet e mia më të ndërgjegjshme dhe pas njëfarë kohe, nisi t’i praktikonte Ushtrimet Treminutëshe nga tri herë në ditë. Ndërkohë që mendimet po i merrnin trajta më realiste, zemërimi i saj u pakësua.Më pas ajo arriti t’i reduktojë Ushtrimet Treminutëshe dhe të ishte përsëri e aftë për të mos e shqetësuar veten nga mërzitja që i shkaktonte Piteri. Pastaj, mbasi i peshoi më realisht të mirat dhe të metat e martesës së saj, vendosi se Piteri kishte më shumë anë pozitive sesa anë negative.

 

Si të jesh gjakftohtë

Tre hapat e duhura për t’u marrë me zemërimin, inatin apo armiqësinë tënde, janë:

1. Së pari, prano se je ti që po e zemëron veten tënde. Këtë zemërim nuk po ta shkakton ndonjë person, ndonjë përvojë apo ndonjë situatë tjetër. Ti mund ta kuptosh kur një person, përvojë apo situatë është e pakëndshme ose e padëshiruar. Vetëm kjo nuk e shpjegon apo justifikon dot zemërimin tënd. Pavarësisht sa i patolerueshëm mund të jetë objekti i mospëlqimit tënd, zemërimi është përgjegjësia jote. Ai nuk garantohet kurrë nga rrethanat e jashtme.

2. E dyta, identifiko kërkesën që po bën – konceptin DUHET apo PATJETËR që po sajon në kokën tënde – dhe që të shkakton zemërimin ndaj personit apo situatës, e cila të shqetëson.

3. Së fundi, pyete dhe diskutoje këtë kërkesë ad nauseam, derisa ajo ta humbasë krejt besueshmërinë e saj.

 

Loading...