Shtyhet plotësimi i formularit A2, maturantët do të kenë vetëm 3 ditë kohë

0

334 programe për të zgjedhur 10 degë

Loading...

Fituesit publikohen në fillim të muajit shtator

 

maturante-Formulari A2 do të plotësohet duke filluar nga java e ardhshme. Pavarësisht se Agjencia Kombëtare e Provimeve kishte vendosur fundin e kësaj jave për të hapur procedurën e aplikimit, maturantët do ta plotësojnë A2-shin pas datës 29 korrik. Ka qenë drejtori i AKP-së, Alfons Harizaj, i cili ka përmendur se aplikimi do të nisë javën tjetër. “Deri në fund të javës do të kemi gati sistemin dhe udhëzuesin përkatës për maturantët që do ta publikojmë në faqet elektronike të agjencisë dhe Ministrisë së Arsimit. Fundi i javës ose fillimi i javës tjetër do të jetë edhe periudha kur do të startojë plotësimi i formularit nga maturantët”, – përmend Harizaj. Me publikimit e udhëzimit, kandidatët do të jenë më të qartë lidhur me hapat që duhet të ndjekin. Specialistët e AKP-s, theksojnë se afati që do të kenë maturantët për të plotësuar formularin A2 do të jetë 3 ose 4 ditë. Sipas tyre kjo është një kohë më se e mjaftueshme duke qenë se aplikimi do të bëhet online dhe vetëm për disa minuta mund të zgjedhësh degët me të cilat do të konkurrosh për në shkollën e lartë. Sipas Drejtorit të AKP-së, formulari A2 mund të plotësohet nga çdo qendër interneti si dhe në të gjitha ambientet ku ka internet, në momentin që do të hapen procedurat për aplikim.

Larmi programesh

10 degët midis 334 programesh. Kjo do të jetë “sfida” që do të kenë maturantët në momentin që do të plotësojnë formularin A2. Një larmi degësh që pritet t’u japë mundësi 30 mijë maturantëve të bëhen pjesë e universiteteve publike. Sipas specialistëve të arsimit, shumë maturantë janë të vendosur për preferencat e para që do të zgjedhin në formularin A2, por degët e fundit janë dilema e vetme. Përgjithësisht, kandidatët janë “djegur” nga 3-4 preferencat e fundit. Arsyeja sipas tyre lidhet me sigurinë që ata kanë për të kapur një nga preferencat e para dhe degët e fundit i zgjedhin sa për të mbyllur procesin. Kjo sipas specialistëve nuk duhet të ripërsëritet, pasi do t’ju kushtojë universitetin, duke ditur që gara është tepër e fortë.

Plotësimi

Në udhëzimin që MASH do të publikojë brenda disa ditësh, do të përcaktohen edhe hapat se si do të bëhet plotësimi online. Të gjithë kandidatët mund të bëjnë zgjedhjen paraprake të degëve nga shtëpia ose nga një qendër interneti. Pas zgjedhjes së degëve aplikimi do të vazhdojë në qendrat e përcaktuara nga MASH për mbylljen e procesit. Ministria e Arsimit do t’u japë mundësi të gjithëve të rregullojnë gabimet (nëse ka) në fazën e dytë të aplikimit, ku do të bëhet dhe dorëzimi i dokumentacionit përkatës.

Fituesit

Fituesit paraprakë për në universitet publike do të publikohen në fillim të muajit shtator. Lista me fituesit e parë do të përcaktojë pjesën më të madhe të studentëve të rinj. Kjo fazë nuk do të jetë e fundit për ata kandidatë që nuk kanë fituar preferencat e para. Në fund të shtatorit do të publikohet edhe lista me fituesit përfundimtarë, ku një pjesë e kandidatëve që do të studiojnë jashtë dhe ata që do të zgjedhin privatët do t’i lirojnë vendet për studentët që janë poshtë tyre në listë. I gjithë procesi i konkurrimit për në universitet do të mbyllet me formularin A, që përgjithësisht publikohet në fillim të nëntorit. Në këtë fazë mund të konkurrojnë të gjithë kandidatët (edhe ata që janë fitues), me përjashtim të atyre që kanë fituar preferencën e parë me formularin A2.

 

 

INSTAT: Rriten eksportet me 17%

Sipas Institutit të Statistikave, në gjashtë muaj u eksportuan 118 miliardë lekë mallra, ose 17% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Ndërsa importi prej 233 miliardë lekësh ishte 6% më i ulët se një vit më parë. Tregtia me vendet e BE-së në muajin qershor arriti 68.2% dhe partnerët kryesorë tregtarë vazhduan të jenë Italia dhe Greqia. Sipas INSTAT, tregtia me Italinë arriti në 38.8%, ndërsa me Greqinë vetëm 8%. Eksportet shqiptare zgjeruan tregjet në qershor me partnerë nga vende të tilla si Greqi, Kroaci, Rusi, Spanjë, Turqi, etj. Rritje të eksporteve pësuan grupet “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me 11.1%, “Prodhime druri dhe letre” me 8.7%, “Tekstile dhe këpucë” 6.4%. Për shumë ekspertë, rënia e importeve mund të jenë shenjë e tkurrjes se konsumit. Kjo nuk përjashtohet tërësisht, por prodhimet e huaja duket se janë zëvendësuar më së miri nga ato vendase, duke filluar nga perimet deri tek energjia elektrike. Për importet tregtarët shqiptarë vijuan kërkime për tregje të reja për importin e mallrave të ndryshme si në Belgjikë, Britani e Madhe, Greqi, Spanjë, Zvicër, etj. kryesisht importet u rritën në qershor për grup-mallra si “Materiale ndërtimi dhe metale” me 5%, “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” 1.6%.

 

52 miliardë dollarë janë dhënë për vendet në zhvillim

Banka Botërore ka njoftuar dje se ndihma e dhënë për vendet në zhvillim deri në qershor të këtij viti ka qenë 52.6 miliardë dollarë. Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) dhe fondi i BB-së për të varfrit investoi një shumë prej 16.3 miliardësh euro, një shifër rekord në histori. Ndërkohë, Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), kredidhënësi i sektorit privat i Grupit të Bankës Botërore, investoi një shifër rekord prej 18.3 miliardë dollarësh për zhvillimin e bizneseve në vendet në zhvillim. Presidenti i Bankës Botërore Jim Yong Kim u shpreh se vendet anëtare janë të angazhuara për zhdukjen e varfërisë ekstreme para vitit 2030 dhe për nxitjen e rritjes së të ardhurave.

 

Sarandë, prishen ndërtimet pa leje

Ka vazhduar në qytetin e Sarandës prishja e ndërtimeve pa leje. Në një aksion të Inspektoratit Ndërtimor të bashkisë janë prishur me dhjetëra objekte të cilat ishin ndërtuar në hapësira të palejuara. Objektet të ndërtuara kryesisht me konstruksione të lehta u ndërtuan gjatë fushatës së fundit elektorale me shpresën e legalizimeve të mundshme, por mes tyre kishte dhe konstruksione hekuri, lavazhe e shtesa objektesh. Në disa raste aksioni hasi në rezistencën e pronarëve të këtyre objekteve, por e gjithë faza e parë duket se është përmbyllur qetësisht. Vetëm gjatë muajve maj dhe qershor, dhjetëra objekte të reja provizore me konstruksione të lehta i janë shtuar hartës së ndërtimeve pa leje në Sarandë. Krerët lokalë nuk kanë folur për rishqyrtim të lejeve të dhëna buzë detit, por për zbatimin e rreptë dhe pa asnjë hezitim të një plani urban të denjë që do të zëvendësojë betonin me gjelbërimin.

 

 

Loading...