Pejiç dhe Shakhter, dy “pengesat” e Skënderbeut

0
161

Altin Vorpsi

Që Skënderbeu të arrijë Ligën e Evropës do t’i duhet që të kalojë së paku dy “pengesat” e fundit. E para është “ngërçi” që ka kapur sulmin e korçarëve, që deri më tani ka shënuar një gol në katër takime, ndërkohë që e dyta është rivalja nga Kazakistani.

 

Pero-Pejic-likuidon-Tiranen-mediumQë Skënderbeu të shkruajë me germa të arta historinë e futbollit shqiptar në kompeticionet evropiane, i duhet që të kalojë dy “pengesa” jo shumë të larta. E para, dhe më shqetësuesja, është ajo e ngërçit që ka zënë sulmuesit e skuadrës kampione. Ndërkohë, pengesa e dytë ka një identitet paksa më të qartë. Flasim për kampionët e Kazakistanit, që vijnë të sfidojnë Skënderbeun pasi mundën Bate Borizovin… një nga dy ekipet që mundën vjet Bajernin e Mynihut, kampionen e Evropës.

Ngërçi

Pero Pejiç duket se i rri “ngushtë” sulmit të Skënderbeut. Sulmuesi kroat ka humbur dy net më parë një mori rastesh që nëse do t’i shndërronte në gol, atëherë fitorja e vendasve mund të ishte “tenistike”. Me largimin e partnerit të sulmit, Sebino Plaku, kroati është gjithmonë e më “i vetëm” para. Dy net më parë, u panë qartë vështirësitë e tij për të gjetur rrugën e golit.

Një në katër

Që Skënderbeu nuk do të “kafshonte” më si më parë, u dallua që në takimet miqësore që zhvilloi ky ekip në Austri. Përballë Terek Groznit dhe Energi Kotbusit ekipi i Josës pësoi dy humbje, duke marrë gjashtë gola në total dhe duke mos shënuar asnjë të tillë në portën kundërshtare. Më pas erdhi takimi i parë me Neftçin, ku në Azerbajxhan gjithçka u mbyll në barazim të bardhë 0-0. Golin që theu “akullin” përveçse e shënuan në minutën e 116-të, korçarët e gjetën nëpërmjet një zgjidhjeje nga jashtë zonës të një mesfushori shkatërrues. Kjo është “kambana” e parë e alarmit për Josën që duhet t’i gjejë një zgjidhje këtij “problemi”.

 

Cili është Shakhteri

Skënderbeu do të ketë përballë në turin e tretë të Ligës së Kampioneve një ekip, që vetëm pesë vjet më parë është dënuar për fiksim të rezultateve të ndeshjeve të futbollit. Shakhter Karagandy, kampionia aktuale e Kazakistanit, është përfshirë në 2008-ën në një skandal në lidhje me trukimin e ndeshjeve dhe është dënuar në atë kohë nga Federata e Futbollit të Kazakistanit. Më 19 shtator 2008, FC Shakhter Karagandy dhe FC Vostok u skualifikuan nga kampionati i Kategorisë Superiore të Kazakistanit, pasi kishin trukuar rezultatin e një prej përballjeve mes tyre. Trajnerët dhe menaxherët e të dyja klubeve u dënuan me 60 muaj përjashtim nga futbolli. Megjithatë, më 2 tetor 2008, Federata e Futbollit të Kazakistanit vendosi të rishikonte ndëshkimet. Për Shakhterin u vendos që t’i zbriteshin nëntë pikë nga tabela e klasifikimit, ndërsa klubi tjetër FC Vostok u përjashtua përfundimisht nga kampionati. Rezultati i ndeshjes në fjalë, për të cilën u dënuan të dyja ekipet, u anulua. Ndërsa, për të gjitha takimet e mbetura deri në fund të kampionatit, ekipet që kishin në kalendar për t’u përballur me Vostok, e fitonin takimin në tavolinë 3-0. Shakhter Karagandy është themeluar në 1958-ën. Një klub i Kazakistanit, i cili i luan ndeshjet në stadiumin “Shakhter”, që ka një kapacitet prej 19 mijë vendesh. Që në vitet e para të krijimit si klub ishin një prej ekipeve më të mira të Kazakistanit në kampionatin e ish-Bashkimit Sovjetik. Madje, më 1962- shin kanë arritur të fitojnë edhe një titull kampion të Bashkimit Sovjetik. Ekipi ka qenë gjithmonë pjesë e Kategorisë Superiore të Kazakistanit që prej themelimit të kësaj lige më 1992-shin. Pas arritjes në vendin e tretë në vitin 1995 dhe 2007, kampionatin e tyre të parë e fituan në vitin 2011. Gjithashtu, këtë sezon ata u shpallën sërish kampionë të Kazakistanit duke regjistruar titullin e dytë në historinë e klubit. Për sa u përket pjesëmarrjeve në Kupat e Evropës, kazakët numërojnë gjashtë të tilla. Në dy raste kanë arritur ta kalojnë turin, fillimisht në 2011-2012 në Ligën e Evropës dhe tashmë që arritën të eliminonin Bate Borisovin në turin e dytë të Ligës së Kampioneve. Kampionët e Kazakistanit, Shakhter Karagandy, eliminuan në turin e dytë të Ligës së Kampioneve kampionët e Bjellorusisë, Bate Borisovin, një ekip që sezonet e fundit ka qenë pjesëmarrës i rregullt në fazat e grupeve të Champions-it dhe Ligës së Evropës. Kazakët i fituan të dyja përballjet me rezultatin 1-0. Në sfidën e parë të zhvilluar në Bjellorusi, Shakhter mundi vendësit 1-0 me gol të Kiçniçenko. Në këtë përballje, kazakistanasit i surprizuan të gjithë, në një kohë që Bate ishte shumë herë më e favorizuar. Edhe në përballjen e djeshme, që u luajt në Kazakistan, bjellorusët ishin favoritë, por fitoi sërish Shakhter 1-0. Përpara golit të vendësve, Bate humbi një 11-metërsh.

 

Rastet e humbura nga Pejiçi

21′ Aksion spektakolar i korçarëve me protagonist Gilman Likën nga krahu i djathtë. Mesfushori shkodran harkon në zonë, duke nxjerrë të lirë Pejiçin dhe Sefën, por kroati bën më të vështirën duke i prishur punë tiranasit, që ishte afër portës.

94′ Pejiç humbet një rast të artë për të shënuar golin e avantazhit. Pas një pasimi të Morinës, kroati përfiton dhe i vetëm me portierin gjuan jashtë.

95′ Radas harkon nga e djathta, Pejiç me kokë, portieri Stamenkoviç bën mrekullinë.

109′ Pejiç bën më të vështirën brenda zone, teksa vonon gjuajtjen dhe gjithashtu pasimin për Morinën.

 

 

Ndeshjet e Skënderbeut të këtij edicioni

Miqësore

Skënderbeu Korçë 0 – 2 Terek Grozni

Skënderbeu Korçë 0 – 4 Energi Kotbus

Liga e Kampioneve               

17.7.13 Neftçi 0 – 0 Skënderbeu Korçë

23.7.13 Skënderbeu Korçë 1 – 0 Neftçi

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency