Nëse ju ndodh e keqja jo nga unë, por nga Arjani

0
138

Elton Qyno

I pandehuri për 5 vrasje irritohet pas ndërprerjes së fjalës nga gjykata

Dajti: Më lini të tregoj kush e vrau policin Medi Vatoci në ‘97-ën në Tropojë

 

Gjykata-e-Krimeve-te-Renda-NOA_1Në seancën gjyqësore të 232-të, Dritan Dajti i ka lëshuar një kërcënim të hapur trupës së gjyqtarëve të dosjes së tij, pasi këta të fundit i kanë ndërprerë fjalën teksa i akuzuari për pesë vraje në Durrës dhe një plagosje, fliste për një vrasje të kryer në vitin 1997 në Tropojë. Pikërisht në këtë vit është vrarë sipas Dajtit një efektiv policie që quhet Medi Vatoci dhe se ky është qëlluar nga shefi i krimeve të komisariatit të Tropojës, në atë kohë Arjan Muça, person ky që tashmë drejton zyrën e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe të personaliteteve në Ministrinë e Brendshme dhe që 2009 ka drejtuar operacionin për arrestimin e Dritan Dajtit në Durrës. Mirëpo, deklarata e tij nuk është lënë nga gjykata të çohet deri në fund pasi sipas trupit gjykues nuk është objekt gjykimi vrasja në Tropojë, por procesi zhvillohet për pesë vrasjet e bëra në 7 gusht në 2009 në Durrës. Gjyqtari, i kërkoi Dajtit të flasë rreth objekt të akuzës që prokuroria kishte ngritur ndaj tij dhe jo për çështje që s’janë në gjykim. Mirëpo Dajti ka shpërthyer duke e quajtur procesin të një anshëm dhe kërcënuar trupin gjyqësor se nëse do t’i gjente ndonjë e keqe, kjo nuk do të vinte nga Dritan Dajti, por nga Arjan Muça. Pas këtyre fjalëve Dajti me “ndihmën” edhe të patericave është larguar nga salla e gjyqit, ndërkohë që gjykatës nuk i ka mbetur gjë tjetër vetëm të shtyjë për në muajin shtator seancën e radhës.

Ballafaqimi me Gashin

Që në fillim të séancës i pandehuri për vrasjen e katër efektivëve të policisë dhe vrasjen e shokut të tij Ledion Marra, i është drejtuar me një kërkesë gjykatës, duke kërkuar që të bënte një ballafaqim me efektivin e policisë Flamur Gashi, i cili ka marrë pjesë në operacionin e Gushtit. Dajti e ka argumentuar kërkesën drejtuar gjykatës se kërkon ti bëjë disa pyetje në mënyrë që të marrë prej Gashit, disa përgjigje për momentet e paqarta nga ana e tij. Për këtë kërkesë, trupi gjykues është shprehur se nuk mund të pranohej pasi, i pandehuri Dajti ka qenë disa seanca me radhë përballë dëshmitarit Gashi, dhe se e ka patur kohën e mjaftueshme për pyetjen e jtij për çdo moment të paqartë. Në këto kushte, është rrëzuar kërkesa, ndërkohë që Dajti ka vijuar me akuza se procesi ndaj tij është i njëanshëm. Ndërsa nga ana tjetër Dajti është shprehur se “Gjykata ka frikë nga hapja e kutisë së Pandorës”. Sipas Dajtit, ai nuk është personi që ka vrarë Sajmir Duçkollarin, por njeriu që ka qëlluar me automatik ka qenë shtetasi Flamur Gashi, i vetmi efektiv policie që ka qënë i armatosur në 7 gusht 2009 me automatik dhe që ka hapur zjarr jo në drejtim të Dajtit, por në drejtim të shokut të tij Sajmir Duçkollari. Këtë argument, Dajti e mbron duke u bazuar mbi hapësirën e plagës që ka lënë plumbi në trupin e Duçkollarit, që sipas Dajtit ekspertiza e ka nxjerrë se ai është qëlluar me një plumb, që përdoret nga armë automatike kallashnikov dhe jo nga plumba që përdoren nga pistoleta, që atë ditë Dajti ka qenë me dy të tilla në duar.

“E keqja vjen nga Muça”

“Nëse do t’ju ndodhte diçka e keqe, ajo nuk do t’ju vinte nga Dritan Dajti, por nga Arjan Muça”. Kjo ka qenë fjalia kërcënuese që Dajti ka bërë në gjykatën e Krimeve të Rënda. “Ju e dini se çfarë ka ndodhur në vitin 1997 në Tropojë, por nuk keni interes të dëgjoni”, – ka shtuar Dajti. Ky i fundit nuk është herë e parë që i kërcënon kërcënime trupit gjykues. Disa herë Dajti ka kërcënuar togat e zeza që po gjykojnë çështjen në ngarkim të tij se duhet të mateshin kur merrnin vendime pasi kishin të bënin me Dritan Dajtin dhe jo me ndonjë person do si do. Ndërkohë që vitin e kaluar në derën e shtëpisë së gjyqtarit Ardit Mustafaj, që është anëtar në trupin gjykues është gjetur një letër kërcënuese. Letra nuk është provuar deri më tani se prej nga kush person ishte lënë në derën e pallatit, por nën zë thuhet se pikërisht i gjithë ky skenar është organizuar nga i pandehuri Dajti me qëllim që gjyqtari Mustafaj të tërhiqet nga gjykimi i dosjes së tij. Që prej asaj dite dhe deri më sot, Mustafaj dhe familja e tij që banon në një bllok pallatesh pranë maternitet të ri të Tiranës, është marrë në mbrojtje nga efektivët e repartit special RESI, që ka si synim ruajtjen e personaliteteve dhe njerëzve të drejtësisë. Procesi ndaj Dritan Dajtit prej tre vitesh ka mbetur në udhëkryq pasi për shkak se këtë çështje askush nga avokatët nuk e merr dorëzim për ta mbrojtur. Dajti herë pas herë është shprehur se nuk ka para të paguajë avokatin dhe për këtë arsye ka kërkuar nga gjykata që ti caktojnë një avokat kryesisht. Një gjë e tillë është bërë dhjetëra herë, por që në fakt askush prej avokatëve të zgjedhur nga gjykata nuk kanë pranuar të mbrojnë ligjërisht në sallën e gjyqit të pandehurin Dritan Dajtin.

5 viktima

Ngjarja e 7 gushtit 2009 është cilësuar si një masakër e vërtete pasi në një operacion për arrestimin e Dritan Dajtit, kanë mbetur të vdekur në vend katër oficerë policisë të njësisë më të mirë operacionale. Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Kastriot Feskaj dhe Altin Dizdari, kanë njëri pas tjetrit, në tentativë për të kapur Dajtin. I vrarë ka mbetur dhe Ledion Marra nga Lushnja, i cili ndodhej në makinë me Dajtin.

232 seanca

Prej tri vitesh në Gjykatën e Krimeve të Rënda janë zhvilluar plot 232 seanca gjyqësore. Në këtë proces penal, Dajti ka qenë bashkë i pandehur me kunatin e tij Erget Xhoxhi dhe ish-efektivin e policisë së Durrësit Mariglen Muça. Tashmë të dy këta të fundit janë liruar pasi kishin akuza më të lehta, ndërkohë që betejën me drejtësinë po e vazhdon Drita Dajti.

 

 Shtyhen konkluzionet për vrasjen e kryekomisarit

Pas pafajësisë për vrasjen e Malokut Xhakja do 10 ditë kohë për Tahirajn

Pas marrjes së pafajësisë nga gjykata e Apelit në Durrës, për vrasjen e shtetasit Qerim Maloku, i pandehuri Ilir Xhakja, së bashku me avokatin e tij, kanë kërkuar 10 ditë kohë për të ndërtuar konkluzionet përfundimtare, lidhur me çështjen e tij të dytë, atë të vrasjes së kryekomisarit Adem Tahiraj në Shijak. Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë seancën gjyqësore ndaj Xhakes, duke i lënë atij dhjetë ditë kohë, për konkluzionet përfundimtare. Shtyrja e gjyqit është bërë me kërkesë të palës mbrojtëse, e cila siç ishte parashikuar do të paraqiste dje konkluzionet e saj, por avokati mbrojtës kërkoi 10 ditë kohë për t’u përgatitur. Pas kërkesës së mbrojtjes, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi që seanca e radhës në ngarkim të Ilir Xhakes të zhvillohet pas 10 ditësh. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar burgim të përjetshëm për Ilir Xhaken. Në pretencën e tij, prokurori Eugen Beci ka theksuar se është vërtetuar se Xhakja e ka vrarë me dashje dhe për shkak të cilësive të veçanta, ish-shefin e komisariatit të Shijakut. Ngjarja e rëndë ku humbi jetën oficeri i lartë i policisë së shtetit Adem Tahiraj ndodhi në 13 shtator të vitit të shkuar në Katund Sukth në Durrës. Pikërisht për këtë ngjarje u arrestuar dhe dy efektiva të policisë së Shijakut, të cilët kanë qenë së bashku me Adem Tahirin dhe se nuk kanë bërë asnjë gjë për ti ardhur në ndihmë shefit të tyre, duke lënë të ikte pas krimit autorin e vrasjes shtetasin Ilir Xhakja. Pas kryerjes së krimit, Xhakja është kapur më pas nga forcat RENEA, të cilat e kishin rrethuar në një magazinë të braktisur në një fshat të Durrësit.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency