Standard.al

Lamtumirë, nënë e përjetshme e jetimëve!

Shuhet Evanthi Ciko, mësuese e merituar, ish-drejtore e shtëpisë së fëmijëve jetimë “Zyber Hallulli”

Nga Agron Sejamini

medium_ciko-jpg1374526059Na u desh të prisnim gjatë para dy ditësh, për të kapur sinjalin e telefonit të saj. E natyrshme dhe e shpjegueshme kjo mbajtje radhe… Nuk ka si të ndodhë ndryshe, në ditëlindjen e një nëne që ka rritur, edukuar dhe shkolluar, 265 fëmijë… E kemi fjalën për Evanthi Cikon, ajo që nuk i la jetimë, jetimët.

Kishte bërë një udhë të gjatë me profesionin e mësuesisë, duke e nisur me shkollën “Naim Frashëri” në Tiranë, vazhduar me “Mihal Gramenon” dhe “Koçi Bakon” në Korçë e vijuar përsëri në Tiranë, me “Hasan Voglin”, “Ismail Qemalin”, “11 Janarin”, “Luigj Gurakuqin” dhe së fundi inspektore në seksionin e arsimit. I duheshin akoma edhe pesë vjet për të dalë në pension, asaj mësueseje të merituar. Doemos, i takonte një vend i rehatshëm për të mbyllur atë karrierë të suksesshme, për më tepër që edhe mund ta zgjidhte vetë, pasi ishte inspektore në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës. Mirëpo, shansi i vuri para drejtimin e shtëpisë së fëmijës. Kërkohej një nënë e dhimbsur, e duruar dhe e pjekur për 265 fëmijë jetimë. Më e lodhshme dhe më e përgjegjshme punë se kjo, nuk mund të gjeje në atë kohë. Tjetër vend i ishte premtuar, por e pati të vështirë për të kundërshtuar këtë propozim. Ishte para një sfide shpirtërore dhe humanizmi. Pikërisht, për këtë arsye edhe e pranoi pa pasur nevojë të mendohej apo pyeste. Më se një herë e kishte parë drejtorin e deriatëhershëm, në mbledhjet e seksionit me atë pamje të zakonshme zymtësie, që vinte dorën në ballë dhe lëshonte përgjigjen standarde, sa herë që e pyeste se si i shkonin punët:

– Mos më pyet! Edhe natën më del gjumi nga problemet…

Ndërsa ditën që iku për të marrë detyrën, ishte po ky njeri që i shprehu keqardhjen:

– Shoqja Evanthi, si e pranuat gjithë këtë përgjegjësi? E harrove ti lodhjen dhe mërzitinë time?!

Mirëpo, kishte dhënë një fjalë. Më shumë sesa kaq, i ishte bindur shpirtit. Edhe nëse nuk do të shkëlqente si drejtore, ishte më se e sigurtë që do të ishte një nënë e mirë për ata jetimë.

Nisur nga përvoja që kishte fituar, vullneti dhe dashuria për profesionin, dhembshuria dhe pastërtia si nënë, durimi dhe shpirti i sakrificës që e kishte karakterizuar në jetë, shëndeti dhe gjendja shpirtërore që gëzonte, i tha vetes:

-Forca! Për të dalë faqebardhë edhe në këtë detyrë të re!

Dhe ia filloi! Ditët e para lodhej shumë. Fëmijët bënin shumë zhurmë nëpër korridore dhe oborr. Bërtisnin dhe grindeshin në ato lojëra të paorganizuara. Disa dilnin jashtë duke u hedhur nga muret e shtëpisë. Ndonjë prej tyre i hipte autobusit të Sanatoriumit dhe bënte shëtitje sipas dëshirës. Në zyrë i kishin shkuar banorë të lagjes ku i ankoheshin për fëmijët që hynin nëpër kopshtet e tyre dhe këpusnin kokrra nga pemët. Më keq akoma ishte ndier, kur kishte parë disa që kontrollonin nëpër koshat e mbeturinave.

Por një nënë e mirë di të rrisë edhe fëmijë të mirë.

Ditën e marrjes në dorëzim të detyrës së re, krahas informacionit dhe dokumentacionit, ish-drejtori i la mbi tavolinë edhe një listë me 30 emra fëmijësh të cilësuar si më problematikët dhe përbri saj, një vizore druri.

Një ditë, Pandora dhe Sherifja, punonjëse të lavanterisë, i çojnë në drejtori dy djem që u kishin bërë pis rrobat e lara, të vendosura në tel. I kujton ende emrat e tyre, Tonini dhe Edi. Ndërsa ato filluan t’i tregonin ngjarjen, Evanthia me gjak të prishur dhe e zverdhur në fytyrë, po mendonte për dënimin që do t’u jepte.

– A lave shumë sot? Dukesh si e lodhur?, – iu drejtua Sherifes, – pa dale të shoh duart…

Në çast, u tërheq vëmendjen fëmijëve:

– Shikojini si i janë bërë duart nënë Sherifes së lari rrobat tuaja. A s’ju vjen keq që lodhet gjithë ditën për ju? Kërkojini të falur dhe premtojini që nuk do t’i mërzisni më. Ashtu vepruan. Ndërkohë, dy punonjëset kuptuan shenjën e drejtoreshës dhe hapën krahët para se ata të shkonin drejt tyre.

– Ejani t’ju përqafoj edhe drejtoresha…

Në të vërtetë, i puthi, kur pa se po u shkëlqente loti në sy, nga pendesa, por edhe çudia që për trupin dhe duart e tyre nuk u përdor ajo vizore druri.

I dukej shumë e shëmtuar ajo praktikë, për më tepër ndaj atyre fëmijëve të pafat që kërkonin më shumë dashuri dhe ngrohtësi.

Por, kjo nuk ishte asgjë, para atyre trajtimeve diskriminuese që i lënduan edhe më shumë shpirtin drejtoreshës. Deri në atë kohë, në shkollën “Labinoti”, formoheshin klasa të veçanta me nxënës të shtëpisë së fëmijëve. Pse duhej mënjanuar kontakti i tyre me fëmijët e jetës normale? Iku në Komitetin Ekzekutiv dhe menjëherë kërkoi ndryshimin e kësaj skeme. Hodhi idenë që në çdo klasë të mos ketë më shumë se pesë fëmijë të shtëpisë së fëmijëve. Dhe e bëri realitet atë që ideoi. Tashmë, ata fëmijë nuk do të shkonin vetëm te “Labinoti”, por edhe te “Mihal Gramenoja”, “1 Maji” dhe “Kosova”.

Po afronte dita e parë e shkollës… Të shtunën, djemtë duheshin qethur dhe më pas kalonin në dushe. Erdhën berberët dhe ia nisën nga puna. Ishte duke bashkëbiseduar me fëmijët që prisnin radhën. Pas disa minutash, kthehen nga berberët dy fëmijët e parë të qethur zero. I nisi të bukur, për t’i lezetuar edhe më shumë, iu kthyen të mërzitur dhe të shëmtuar. Nuk u përmbajt dhe me hap të shpejtë iku te vendi ku ishin vendosur berberët.

– Ç’bëni kështu?

– Po qethim djemtë drejtoreshë, çfarë duhet të bëjmë?

– Ju djemtë tuaj kështu i qethni?

– Ne i qethim karre, siç do ti, por do të ndryshojë pagesa.

– Do ta paguaj unë faturën, vetëm mos më shëmtoni fëmijët!

E ndërsa berberët vazhduan sipas porosisë, në oborr shpërtheu gëzimi fëminor i djemve. Në drekë, kur u ulën për të ngrënë bukë, kishe qejf t’i shikoje ata djem të pastër dhe të rregullt. Nuk ka për t’i harruar kurrë ato vështrime dashamirëse dhe falënderuese. Për ata djem, ajo që bëri drejtoresha, ishte ëmbëlsira e ditës…

E shtuan faturën e pagesës berberët, por ajo që fitoi më shumë ishte Evanthia! Kësaj mirësie i shtoi edhe diçka tjetër. Nuk lejoi më që për në shkollë të shkonin dhe ktheheshin si ushtarë në rresht dhe të shoqëruar nga edukatoret, por të lëviznin si gjithë të tjerët. I përcolli ditën e parë të shkollës dhe iu bë zemra mal, kur shikonte që gati fluturonin për në shkollë, pasi e përshëndesnin te dera kryesore e shtëpisë së madhe: “Ditën e mirë drejtoreshë!”

Shumë herë i thoshte vetes:

– Nëse do që të kesh rezultate, fito dashurinë e tyre! Sepse, ata mund të të nderojnë, ata mund të të turpërojnë!

Pas dy javësh, do të fillonte viti i ri mësimor. Lë Golemin dhe 265 fëmijët që i kishte çuar për pushimin dymujor të verës dhe kthehet në Tiranë. Duhej të bënte lyerjen e të gjithë mjediseve ku studionin dhe jetonin fëmijët. Mendoni se sa e bezdisshme është kjo punë edhe kur lyejmë apartamentin tonë, e jo më një pallat të madh katërkatësh me aq shumë dhoma.

Ditën e hënë, oborri i shtëpisë u mbush nga bojaxhinjtë dhe pajisjet e tyre.

– Si keni menduar ta lyeni shtëpinë tonë?

– Bojë kremi, ashtu siç lyhen të gjitha shkollat, – ia ktheu përgjegjësi i tyre.

– Kjo nuk është shkollë, por një shtëpi e madhe, që ka dhoma gjumi, studimi, argëtimi dhe ushqimi, – ia ktheu Evanthia, duke kontrolluar njëkohësisht edhe tonin e zërit. Mirëpo, u mbushej mendja ustallarëve?!

– Dhomën tënde të gjumit, me çfarë ngjyre e ke lyer?, – e pyet përsëri ajo, duke u munduar të gjente mirëkuptimin në të drejtën e saj.

-Bojë qielli, – thotë ai.

– Ndërsa unë e kam lyer rozë… iu përgjigj ajo, pa e pyetur kush, duke këmbëngulur se edhe këtu, kështu do të veprohet, njëlloj si në shtëpitë tona. Filloi i pari i bojaxhinjve ta sqaronte se ishte vështirë për të siguruar sasinë e bojës dhe atë llojshmëri ngjyrash…

Por, nuk u tërhoq edhe pas këtyre justifikimeve. Nuk mund të ishte e qetë, nëse të gjitha mjediset e fëmijëve do të kishin vetëm ngjyrë shkollash. U shty edhe nja dy-tri ditë ai debat, derisa u gjetën e bardha, bojëqielli, roza, jeshilja… Më 13 korrik, kjo emblemë e fisnikërisë dhe madhështisë njerëzore, mbushi 93 vjeç.

 

 

 

Comments are closed.