Problematika, prindërit neglizhojnë të marrin fëmijët gjatë pushimeve verore

0

Gestjana Musha

Loading...

Sigurimi i fëmijëve në vënde të sigurta, pas 15 vjeç

 

femijetNë shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli”pushimet verore vijnë si në çdo shtëpi tjetër. Aktualisht në shtëpinë e fëmijës ndodhen  38 fëmijë nga 48 që është kapaciteti maksimal.Vogëlushat e strehuar në këtë shtëpi gjatë muajve të verës akomodohen nëpër familjet e tyre, por ka edhe nga ata të cilët ditët në shtëpi i kanë të numëruara. Institucioni ka ndërrmarë një sërë aktivitetesh verore për fëmijët gjatë kësaj periudhe. Në një promorcion për gazetën “Standard” përgjegjësia e sektorit social Lindita Neli pohon se : “Numri aktual i fëmijëve deri në fund të qershorit është 38. Fëmijët janë të ndarë në 4 hyrje të mëdha ku secila prej tyre përmban 12 fëmijë të pozicionuar sipas grupmoshës dhe lidhjeve familjare. Në këtë institucion pranohen fëmijët të moshës shkollore në nevojë duke filluar nga mosha 6-15 vjeç.” Kushtet që kjo shtëpi i ofron vogëlushëve janë sipas parametrave normal ku nuk mungojnë bibloteka, këndi i pritjes, salloni, kuzhina, dhomat e gjumit. Një hyrje ka katër dhoma me nga tre fëmijë në çdo dhomë. 12  vogëlushat që ndodhen në një hyrje ndajnë së bashku sallonin dhe kuzhinën.

Te braktisurit

Fëmijët e braktisur ose jetim në këtë institucion janë 5, të cilët i përkasin grupmoshave nga 10-14 vjeç. “Në shtëpinë  e fëmijët “Zyber Hallulli” numri i fëmijëve të braktisur është pesë të cilët janë paraqitur pranë institucionit tonë pa interes familjar me vendim gjykate. Për këta fëmijë përgatitet dosja e birësimit dhe menjëhere bëhet  transferimi në familjen që ka bërë kërkesën.” – shprehet  përgjegjësia e sektorit social. Ndryshe nga fëmijët e tjerë që megjithëse kanë prindër janë të detyruar të qëndrojnë aty deri ne moshën 15 vjeçare, fëmijët e braktisur në mëshirë të fatit janë në pritje të dikujt për t’i dhënë ngrohtësi. Arsyet që i detyrojnë prindërit të dërgojnë fëmijët e tyre në këtë istitucion janë nga më të ndryshmet  ku kryeson gjëndja e ekonomike dhe sociale. Jo të gjithë e kanë mundësinë të garantojnë  të ardhmen e fëmijës së vet, janë problemet mendore shëndetësore që i detyrojnë këta prindër të largohen nga vogëlushat e tyre.

Pushimet verore

Të drejtën për të pushuar e kanë të gjithë, pse jo dhe këta vogëlushë të cilët kanë më shumë nevojë se çdokush tjetër. Për fëmijët të cilët nuk e kanë fatin të qëndrojnë në shtëpi për dy muaj rresht, është menduar që t’i kalojnë pushimet verore në pishina, në kampet verore të ofruara nga fondacionet me të cilat shtëpia e fëmijës bashkëpunon prej vitesh, në bazë të një plani të hartuar nga të dyja palët. “ Nga data 4- 25 korrik  fëmijët sipas moshave janë organizuar në aktivitete të ndryshme të organizuar nga Kisha Ortodokse Shqiptare, falë një plani vjetor që ne kemi  të lidhur me ta. Për muajin gusht  fëmijët shkojnë në pishina  nga ora 09:00-14:00, gjatë kësaj kohe fëmijët përveçse se argëtohen konsumojne edhe ushqime të gatshme të financuara nga fondacionet.”-tha për gazetën “Standard” Lindita Neli.

 

Aktivitetet për fëmijët:

1.- Pushimet verore, në muajin korrik-gushtë  të realizuara në mal ose bregdet

2.- Aktivitetet Artistiko- Kulturore, zhvillohen  kurse të ndryshme si këngë, muzikë, arte figurative, kërcim qëdistari etj.

3.- Aktivitetet Sportive si: futboll, ping-pong, handboll, si dhe lojra të ndryshme tradicionale.

4.- Lojra Psiko- Sociale, me synim zhvillimin dhe fuqizimin e aftësive personale, emocionale, dhe fizike të fëmijëve.

 

Deri 15 vjeç

Fati i fëmijës që rritet në këtë institucion shkon deri në 15 vjeç, pas kësaj moshe fëmija është i lirë të çajë vetë në jetë. Fëmijët të cilët mbushin moshën largohen nga shtëpia “Zyber Hallulli” duke i’u dorzuar sërish prindërve të tyre (me vendim gjykate )ose vazhdojnë arsimin e mesëm të ndihmuar nga shtëpia e fëmijës. Përgjegjësia Neli shprehet se, është detyrim i institucionit t’i sigurojë fëmijët në vënde të sigurta edhe pasi ata kanë mbushur 15 vjeç. Sipas saj ka raste që fëmija ka mbushur 15 vjeç gjatë verës, po kjo s’do të thotë që ky fëmijë duhet të dalë në rrugë. Ajo thekson detyrimin moral dhe qytetar që çdo punonjës i këtij institucioni ka karshi këtyre fëmijëve. “Sivjet kemi dy fëmijë të cilët kanë mbushur 15 vjeç, njërin prej fëmijëve ne po e rregjistrojmë në shkollën e mjeshtrisë sportive, ndërsa për fëmijën tjetër është menduar rregullimi përmes një fondacioni”- thekson Neli. Përgjegjësia e sektorit social shprehet se fëmijët e kësaj shtëpie janë shumë të kuptueshëm, të matur duke mos sjellë asnjë shqetësim për institucionin. Sipas saj mund të evidentohen vetëm problemet e moshës, ato të rritjes që janë të kuptueshme. Gjatë tre viteve të fundit fëmijët e akomoduar në shtëpinë e fëmijës duket se vlerësohen nga personeli si fëmijët më të mbarë dhe të dashur, duke gëzuar respekt dhe admirim nga të gjithë. Çdo grup fëmijësh ka edukatoren dhe kujdestaren e vet, duke qenë gjithmonë në vëzhgim të plotë nga stafi. Nevojat e duhura mjekësore merren nga mjekja e cila harton  një plan ditor për ushqimet dhe vaksinat.

Kutia e Ankesave

 Çdo fëmijë  ka të drejtën të shkruajë një letër ku të bëj ankesat e duhura, lidhur me çdo gjë që e shqetëson. Deri më tani sipas përgjegjëses nuk ka pasur letra ankimi për stafin apo trajtimin. Letrat sipas saj janë paraqitur më tepër në formën e dëshirave, rasti i fundit ishte kërkesa e një fëmije për një çokokrem. Në këtë shtëpi vihet re harmonia në komunikim midis fëmijëve dhe personelit, kjo u reflektua dhe  gjatë bisedës sonë me një nga edukatoret e grupit të fëmijëve të vegjël.

 

Familjarët

Familjarët të cilët kanë fëmijët e tyre tek shtëpia e fëmijës “Zyber Hallulli”, realizojnë takimet me fëmijët e tyre të paktën 2 herë në muaj. Takimet përgjithësisht bëhen në fundjavë, në sallonin e takimit me prindërit. “Familjarët vijnë për të takuar fëmijët e tyre sa herë mund të duan vetë ose sa herë i thërasim ne. Janë fëmijët ata që kërkojnë që të takojnë prindërit e tyre sa herë e  ndjejnë të nevojshme. Ka pasë raste që të afërmit për shkak të një mijë arsyeve nuk janë paraqitur në datën e caktuar për të takuar vogëlushat” -pohon Lindita Neli. Sipas saj momentet kur fëmijët nuk arrijnë të takohen me familjarët i bëjnë ata pesimistë duke u mbyllur  në vetvete, ndaj në këto raste ndërhyn punonjësia sociale. Shpesh herë  janë familjarët ata që përbëjnë problematikën më të madhe, për shkak të pakorrektësisë së tyre në takim me stafin dhe fëmijët. Sipas punonjësve  një problematik e tillë mund të kuptohet dhe të tolerohet nga ata, por jo nga fëmijët të cilët për shkak të moshës nuk mund të kuptojnë shumë gjëra.

Loading...