Përplaset nga një automjet 13-vjeçari, vetëdorëzohet autori

0
150

Sonja Caka

Prindërit dhe mjekët e spitalit të Durrësit apel për transport të fëmijës drejt Spitalit Ushtarak, ministri Kosova dërgon staf mjekësh nga Tirana për në Durrës. Mjekët: I rrezikshëm transporti në Tiranë

 

policia-vendngjarje_copy_6Përplaset dhe plagoset rëndë një fëmijë ndërsa po kalonte rrugës me biçikletë nga një automjet që po udhëtonte me shpejtësi tej normave të lejuara. Ka qenë vetë drejtuesi i automjetit që ka ndaluar dhe ka bërë transportin me urgjencë të 13-vjeçarit të mitur për në urgjencën e Durrësit, ndërsa vetë është dorëzuar në polici ku ka dhënë shpjegime për ngjarjen. Ndërkohë, familjarët e fëmijës, të alarmuar, por edhe mjekët e Durrësit, kërkuan përmes medias që fëmija të transportohet për në Spital Ushtarak për një ndihmë më të specializuar. Por, lëvizja e fëmijës nga spitali është e pamundur për shkak të gjendjes së tij të rëndë, ndaj dhe me urdhër të ministrit të Shëndetësisë Halim Kosova ka shkuar në spitalin e Durrësit një grup mjekësh neurokurgë. Sipas stafit të ardhur nga Tirana, transporti i fëmijës drejt Spitalit Ushtarak është i pamundur për shkak të gjendjes së tij. Për këtë arsye, atij po i jepet gjithë ndihma e nevojshme në spitalin kirugjik të qytetit bregdetar, ndërsa mjekët durrsakë po asistohen prej atyre të ardhur nga Tirana.

 

Ngjarja

Fëmija 13-vjeçar SH. Mushlika po udhëtonte me biçikletë, kur është përplasur nga një makinë që udhëtonte me shpejtësi. Burime policore bëjnë me dije se ka qenë vetë drejtuesi i makinës që e ka transportuar djalin në spitalin e Durrësit, prej ku mësohet se 13-vjeçari është në gjendje tepër të rëndë. Pas kqyrjeve të para, mjekët e spitalit të Durrësit kanë kërkuar transportimin e tij në Spitalin Ushtarak në Tiranë, apo në ndonjë spital privat më të specializuar, por transportimi i tij është shumë i vështirë, pasi nevojitet një auto-ambulancë me respiratorë, apo një helikopter i posaçëm. Familjarët i bënë apel ministrit të Shëndetësisë Halim Kosova për të bërë të mundur transportimin e djalit në një spital të specializuar, në mënyrë që ai të mbijetojë. Sipas mjekëve të spitalit të Durrësit, 13-vjeçari ka marrë plagë të rënda në trup dhe ndodhet prej 4 orësh në gjendje kome. I menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit Kosova, i cili dërgoi një grup mjekësh neurokirurgë në spitalin e Durrësit për të asistuar kolegët e këtij spitali, për shkak se gjendja e fëmijës është e rëndë. “Do të bëjmë të pamundur që fëmija të shpëtojë”, ka deklaruar për mediat ministri. Ndërkohë që, të interesuar për gjendjen e fëmijës kanë qenë edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani, deputeti i zonës Agron Duka dhe prefekti i Durrësit, Genci Alizoti.

Reagimi

Ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova ka reaguar menjëherë pas aksidentit të fëmijës dhe thirrjes së familjarëve dhe mjekëve të Durrësit për transport të 13-vjeçarit drejt Spitalit Ushtarak. Ministri Kosova u shpreh se është duke u marrë personalisht me rastin e 13-vjecarit, që ndodhet në koma në spitalin e Durrësit. Sipas Kosovës, lëvizja e tij drejt Tiranës paraqet rrezikshmëri për jetën e djalit. “Po merrem personalisht me rastin. Kam dërguar një ekip me neurokirurg nga Tirana dhe fëmija do të trajtohet në spitalin e Durrësit, pasi lëvizja paraqet rrezik për jetën e tij. Fëmija ka shkuar në spital i është dhënë ndihma e parë dhe është lidhur me aparatin me respirator, i domosdoshëm për këtë gjendje kaq të rëndë. Në këto raste, kur trauma është komplekse, nga koka te këmbët dhe spitali i Durrësit nuk ka neokirurg për politrauma të tilla, është më logjike që mjeku të shkojë te i sëmuri, jo i sëmuri te mjeku. Kemi një kirurg me shumë eksperiencë, që do shkojë për t’iu bashkuar të tjerëve të Durrësit, për t’i dhënë ndihmën fëmijës në gjendje shumë  të rëndë. Nuk më duket se transporti, qoftë me helikopter, do ishte gjetja më e mirë. Por hap pas hapi do shohim se ç’do bëjmë. Jam në kontakte të vazhdueshme me ekipin e mjekëve, me spitalin. Shumë më të rënda janë defektet në trasport, se dëmet që bën vetë aksidenti. Edhe në krevat të sëmurë të tillë duan shumë kujdes. Nuk na mungojnë helikopterët. Nuk ka ambulancë me aspirator, por kemi ambulancë me të gjitha kushtet. Jemi mobilizuar me gjithë strukturat. Po t’i jepet ndihma aty ku është rasti është idealja. Jam në kontakt për të bërë më të mirën. Jemi në gatishmëri të japim atë që duhet”, deklaroi mjeku Kosova.

 

 

Elbasan

Makina humb kontrollin, vdes dhëndrri, plagoset vjehrri

Përgjaket e diela nga aksidentet. Në dy akse rrugore janë shënuar dy të tilla, një prej të cilave me pasojë një të vdekur dhe një të plagosur rëndë. Aksidenti i rëndë ka ndodhur në aksin Elbasan-Peqin. Sipas burimeve policore, mësohet se ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Pajovë, ku mjeti tip Benz me targë TR 5431 T, i cili drejtohej nga shtetasi Qemal Flija ka humbur kontrollin si pasojë e shpejtësisë së madhe me të cilën udhëtonte dhe është përplasur me murin mbrojtës të rrugës. Për pasojë ka humbur jetën dhëndri i tij pasagjer, Arben Duja, 47 vjeç me origjinë nga Cërriku dhe është plagosur lehtë një tjetër pasagjer. Vetë drejtuesi i mjetit, Qemal Filja ka marrë plagë të shumta dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia ndërkohë ka nisur hetimet në lidhje me këtë aksident.

Durrës

Grabitën tri kosovarë, “arrest me burg” për 4 të rinjtë

Gjykata e Durrësit caktoi dje masën e sigurisë “arrest me burg” për 4 të rinjtë e akuzuar për “grabitjen me armë” të turistëve që frekuentojnë plazhet e Durrësit. Sipas policisë, 18-vjeçari Jetmir Mera banues në lagjen “Kënetë” në Durrës; 20-vjeçari Leonard Fierza banues në Shkodër; 18-vjeçari Hasan Toska banues në Bulqizë dhe 17-vjeçari Haki Nuçi banues në Bulqizë janë autorë për të paktën katër grabitjeve me armë të pushuesve kosovarë. Personat në fjalë janë arrestuar tri ditë më parë, pas denoncimit që kryen tre të rinj nga Drenasi i Kosovës. Sipas policisë lokale, pushuesit nga Kosova u sulmuan në sektorin “Apollonia” të plazhit gjatë kohës që kryenin shëtitje në bregdet. Sipas akuzës, dy kushërinjtë 23-vjeçarë, Viktor e Korab Bashota si dhe shoku i tyre Çlirim Zogu, në orën 23:00 të së mërkurës kanë qenë duke shëtitur bregut të detit, në sektorin “Apollonia”. Ata janë sulmuar në mënyrë të rrufeshme nga katër persona, të cilët nën kërcënimin e pistoletës u kanë rrëmbyer të gjitha sendet personale. Sipas policisë lokale, Korab Bashota ka rezistuar, ndërkohë që grabitësit e kanë goditur me qytën e pistoletës në kokë. Pas grabitjes, katër autorët e krimit janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Hetuesit e çështjes pohojnë se autorët e krimit kishin marrë për një muaj një shtëpi me qira

Tiranë

Shpërthen bombola e gazit, plagoset 35-vjeçarja

Shpërthimi i një bombole gazi ka plagosur brenda ambjenteve të shtëpisë një 35-vjeçare. Policia njofton se ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në Kamëz të Tiranës. Sipas të njëjtave burimeve, ngjarja ka ndodhur në një banesë në rrugën ‘Skënderbeu’ në Kamëz, ku si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi është lënduar e zonja e shtëpisë, rreth 35 vjeç, e cila fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur pasi bombola nuk ishte mbushur dhe vendosur në kushtet e duhura. Mësohet se bombola është montuar pak minuta para shpërthimit nga një person i cili ka në pronësi një pike të shpërndarjes së gazit, të palicencuar në zonën e Kamzës. Sapo gruaja ka tentuar të ndezë gazin, bombola ka shpërthyer duke i shkaktuar plagë në trup. Ndërkohë policia po heton për të zbardhur shkaqet e ngjarjes, ndërsa është vënë në kërkim të personit që ka montuar bombolën e gazit në shtëpinë e 35-vjeçares.

Gjirokastër

Kapet me dy doza heroinë, pranga 30-vjeçarit Cinga

Një 30-vjeçar është arrestuar nga policia e Gjirokastrës pasi u kap me 2 doza heroinë të cilat do t`i tregëtonte në këtë qytet. Burime nga policia bëjnë me dije se 30-vjeçari Mirel Cinga, heroinën e kishte siguruar në fshatin Lazarat dhe ishte në pritje të klientëve të tij për ta shitur. Ndërkohë policia po punon për identifikimin dhe kapjen e personit i cili e furnizonte 30-vjeçarin Cinga me heroinë. Sipas policisë së Gjirokastrës, ndalimi i të riut u bë i mundur pas kontrolleve që policia ka ndërmarrë me qëllim ndalimin dhe shoqërimin e të gjithë atyre personave të cilët ky komisariat i konsideron kontigjent për një seri vjedhjesh.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency