Nga sot PD me kryetar të ri

0
125

Ina Jano

Pas dorëheqjes së Sali Berishës demokratët zgjedhin sot pasaradhësin e udhëheqësit historik të tyre

 

55295PD seliaMbi 105 mijë demokratë në të gjithë Shqipërinë do tu drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të partisë. Prej ditës së sotme partia më e madhe e djathtë në vend do të ketë një kryetar të ri, pas 22 vitesh që në timonin e saj ka qenë zoti Sali Berisha. Në garë janë Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe Ministri i Transporteve Sokol Olldashi, të cilët që prej 26 qershorit ditë kur lideri Berisha dha dorëheqjen e parevokueshme nga të gjitha postet brenda partisë, kanë zhvilluar takime me bazën e demokratëve në çdo cep të Shqipërisë për të prezantuar platformat e tyre. Të dy kandidatët janë anëtarë të kryesisë dhe janë propozuar nga kjo e fundit në mënyrë zyrtare për të qënë në garë.

Procesi

Në të gjithë vendin Partia Demokratike ka ngritur 39 qendra votimi, 7 prej të cilave janë vetëm në Tiranë dhe që do të qëndrojnë të hapura nga ora 8.00 deri në orën 19.00. Në këtë mënyrë të gjithë anëtarët do të kenë të drejtë të votojnë për të zgjedhur kryetarin e tyre të ri, atë që do ti udhëheqë në të gjitha betejat, duke filluar nga ajo më e afërta, pas dy vjetësh për të fituar zgjedhjet lokale. Vetë selia blu ka njoftuar një ditë më parë mediat për të gjitha vendvotimet dhe ka zbuluar disa prej detajeve që do të duhet të zbatohen në mënyrë që procesi i ditës së sotme të ketë një mbarëvajtje të mirë. “Zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë bëhen më datë 22 korrik, ditën e hënë, nga ora 08.00 deri në orën 19.00. Vendvotimet janë përcaktuar dhe anëtarësia informohet pranë çdo dege të Partisë Demokratike në rrethe, apo çdo grupseksioni në Tiranë. Këshilli Kombëtar dhe deputetët me banim në Tiranë, votojnë në qendrën e votimit, në selinë e Partisë Demokratike”, – saktësoi një ditë më parë, selia blu. Në selinë e demokratëve është ngritur dhe një komision zgjedhor i brendshëm. Ky komision përbëhet nga 7 anëtarë dhe dy ndihmës, që do të jenë anëtarë teknikë. Komisioni zgjedhor i PD-së do të kryesohet nga sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrit, zoti Gjergj Lezhja, ndërsa anëtarë janë caktuar zëvendësministri i Arsimit, Halit Shamata, ish-deputetja Paulina Hoti, ish-kandidati për deputet, Gazmend Dibra, nënkryetarja e PD-së së Vlorës, Bahrije Isufi, drejtori i OST-së, Arben Ibro dhe Genti Minarolli. Por i gjithë procesi i votimit do të asistohet nga dy anëtarët teknikë, Florian Xhuti dhe Albert Avduli, zyrtarë të departamentit të organizimit në PD.

Anëtarësia

Anëtarët që dëshirojnë që të votojnë ditën e sotme duhet të kenë me vete kartën dixhitale të anëtarësisë, të shoqëruar me kartën e identitetit ose pasaportën biometrike. Qendrat e votimit do të hapen në orën 08.00 dhe do të mbyllen në orën 19.00. Udhëzimi i shpërndarë nga Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në Partinë Demokratike bën me dije se në qoftë se ka ende anëtarë të PD-së që presin të votojnë përtej këtij orari, qendra e votimit të mos mbyllet deri në përfundimin e tyre. Kutitë e votimit, fletët e papërdorura, listat e anëtarësisë dhe procesverbali i mbylljes së votimit administrohen nga Komisioni i Qendrës së Votimit, anëtarët e së cilës shoqërojnë kutitë deri në dorëzimin e tyre në Komisionin e Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale. Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale miraton procedurën e numërimit, ndërsa procesi i numërimit fillon pas dorëzimit të kutisë të fundit nga degët. Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në përfundim të procesit të numërimit shpall zyrtarisht fituesin. Ambientet ku do të kryhet votimi miratohen nga Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale me propozim të kryesive të degëve të PD-së jo më vonë se 5 (pesë) ditë para datës së votimit. Për çdo qendër votimi ngrihet një komision votimi që në përbërje do të jetë sekretari i degës (në mungesë të tij nënkryetari), kryetar, dy anëtarë kryesie, zgjedhur në kryesinë e degës dhe dy përfaqësues nga kandidatët në degët përkatëse. Propozimet për anëtarë paraqiten për miratim në Komisionin e Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale jo më vonë se 5 ditë para datës së zgjedhjeve. Gjithashtu, komisionet e votimit për çdo degë miratohen nga Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale jo më vonë se 5 ditë para datës së zgjedhjeve. Udhëzimi bën me dije se fleta e votimit miratohet nga Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale jo më vonë se 10 ditë para datës së zgjedhjeve. Edhe lista përfundimtare e anëtarësisë miratohet nga Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale jo më vonë se 5 (pesë) ditë para ditës së zgjedhjeve.

Qëndrimi

Kryeministri Berisha gjatë prezantimeve të tij në media në këto kohë, ka kërkuar që asnjë nga funksionarët demokratë të mos mbështesë publikisht njërin apo tjetrin kandidat. Për shefin e mazhorancës duhet që nëse një gjë e tillë do të ndodhë atëherë më përpara këta funksionarë do të duhet që të japin dorëheqjen nga të gjitha funksionet shtetërore apo partiake që ata kanë. Ai ka udhëzuar të gjithë demokratët që në mënyrë publike të mos mbështesin asnjë kandidat, ndërsa u ka bërë atyre thirrje që të votojnë me përgjegjësi dhe të mos shpërdorojnë votën e vetme të tyren që ata kanë. Berisha pohon më tej se në respekt të pushtetit të votës së çdo anëtari të PD-së, kërkon që askush të mos përdorë pushtetin partiak, publik, administrativ që ka në mbështetje apo lobim të një kandidati të veçantë. “Asnjë drejtues në asnjë nivel partiak apo qeverisës të mos prononcohet publikisht apo jo publikisht për shkak të postit që ka në mbështetje të një kandidati të caktuar. Në këtë proces çdonjëri prej nesh ka vetëm një votë. Por, çdo drejtues në çdo nivel partiak apo në qeverisje ka të drejtë të lobojë publikisht për kandidatin e preferuar ose të bashkohet me stafin e tij vetëm pasi ai ose ajo të ketë dhënë dorëheqjen nga funksioni partiak apo publik qeverisës që mban”, – ka udhëzuar Berisha gjithë anëtarët e PD-së.
Kryetari i ri

Kryetari i ri i partisë të djathtë më të madhe në vend, do të jetë pasardhësi i Sali Berishës, liderit historik që e ka drejtuar PD-në për më shumë se 22 vjet. Të vetëdijshëm për këtë fakt të dy kandidatët si Sokol Olldashi ashtu edhe Lulzim Basha, kanë deklaruar se do të jetë e vështirë që të marrin drejtimin e selisë blu, por kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të bërë të pamundurën për të mbajtur partinë në të njëjtin nivel. Një nga detyrat më themelore që shtrohen sapo kryetari i ri i zgjedhur të ulet në zyrën e tij do të jetë një analizë e thellë për rezultatin dhe humbjen e thellë në zgjedhjet e 23 qershorit. Pasi një analizë e tillë te jetë përfunduar do të duhet që të zgjidhen organet drejtuese të partisë, siç janë kryesia apo edhe Këshilli Kombëtar të cilat do të duhet të ndryshojnë, edhe për shkak të faktit se PD-ja është duke kaluar një ristrukturim të plotë. Statuti i selisë blu, po ashtu do të ndryshojë, ndryshime këto që janë bërë të ditura edhe nga kryetari në detyrë i demokratëve Sali Berisha , pasi që tani kanë ndryshuar modalitetet. Të dy kandidatët kanë shpalosur platformën e tyre, ndërsa janë shprehur të gatshëm që të marrin përsipër misionin për rikthimin sa më shpejt në mazhorancë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency