Partizani pret Emanuelin, skuadra shtyn nisjen drejt Greqisë

0
115

Altin Vorpsi

Sulmuesi nigerian ka kërkesa të larta ekonomike, por mund të vijë në Tiranë

 Sot skuadra nuk niset drejt Greqisë

 

mqdefaultDrejtuesit e skuadrës së Partizanit kanë bërë çmos që t’i japin Likës një ekip kompetitiv me lojtarë cilësorë për të tentuar gjithçka që në këtë vit “0”. Prurjet e shumta të merkatos do të merrnin edhe më shumë vlerë, nëse skuadrës do t’i bashkohej edhe talenti i Lacios, Emanuel. Mësohet se nigeriani ka bindur Likën që po e pret krahëhapur. Ndërkohë që, sa i përket turit që do të niste sot, gjithçka është shtyrë. Partizani nuk do të niset sot drejt Greqisë për të zhvilluar fazën përgatitore ashtu siç ishte parashikuar, për shkak se tre futbollistët kosovarë, që janë bërë pjesë e ekipit gjatë merkatos së verës, ende nuk kanë marrë vizat greke. Labinot Ibrahimi, Besnik Krasniqi dhe Behar Maliqi prej një jave ndodhen në Prishtinë, ku kanë marrë të gjithë dokumentacionin e duhur nga klubi i kuq dhe kanë aplikuar për vizë, në Ambasadën Greke në vendin e tyre, por ende nuk janë pajisur me vizë.

Në pritje

I kanë mjaftuar vetëm pak orë në stërvitje dhe ka bërë për vetë tërë stafin drejtues “të kuq”. Flasim për Sani Emanuelin, sulmuesin e të rinjve tek Lacio, që iu bashkua vetëm një seancë stërvitore Partizanit dhe pasi tregoi aftësitë e tij, është larguar sërish drejt Italisë. Klubi bëri me dije se futbollisti kishte probleme me dokumentacionin, por gjithashtu flitet edhe për një kërkesë të lartë financiare prej tij. Megjithatë, Emanuel vazhdon të jetë në planet e Partizanit në kampin e kuq. Ata kanë shpresë se rikthimi i tij mund të ndodhë përpara se të mbyllet merkatoja e verës. Për momentin, Partizani ka në përbërje dy sulmues, por drejtuesit janë vënë në kërkim edhe të dy të tjerëve. Kampionati i gjatë dhe objektivat e Partizanit në Kupën e Shqipërisë sjellin nevojën e përforcimit në repartin e avancuar.

Start “fals”

Edhe pse prej ditësh kishin lajmëruar se do të niseshin sot drejt Greqisë për të zhvilluar fazën përgatitore askush nuk do të lëvizë. Shkaku? Tre futbollistët kosovarë, që u bënë “të kuq” gjatë merkatos së verës, ende nuk kanë marrë vizat greke. Labinot Ibrahimi, Besnik Krasniqi dhe Behar Maliqi, prej një jave ndodhen në Prishtinë, ku kanë marrë të gjithë dokumentacionin e duhur nga klubi i kuq dhe kanë aplikuar për vizë, në Ambasadën Greke në vendin e tyre, por ende nuk janë pajisur me vizë. Për këtë arsye, drejtuesit e kuq kanë vendosur që ta shtyjnë nisjen drejt Grevenasë, duke qenë se trajneri Lika ka dëshiruar ta ketë grupin e plotë.

Turneu

Drejtuesit e Partizanit kanë vendosur që skuadra të qëndrojë për rreth tri javë në shtetin fqinj, duke qenë se nga sezoni i shkuar kanë mbetur pak lojtarë dhe të ardhurave u duhet një periudhë më e gjatë për t’u ambientuar me lojën e njëri-tjetrit. Menjëherë pasi të kthehen nga Greqia, Partizani do udhëtojë drejt Italisë, ku është parashikuar të zhvillohet një turne miqësor, me disa ekipe, njëri prej të cilëve do të jetë edhe San Marino, që përfaqësohet në Kategorinë e Tretë. Burime pranë klubit bëjnë me dije se është duke u punuar për të siguruar edhe një ndeshje luksi me një skuadër të njohur, por që për momentin ende nuk ka asnjë konkretizim, pasi tratativat vazhdojnë.

Me leje

Lojtarët kosovarë dhe maqedonas, që nuk kanë nevojë për vizë drejt Greqisë, si Ibrahimi, B. Krasniqi dhe Maliqi, nuk janë parë ditën e djeshme në stërvitjen e paradites që zhvilloi ekipi. Mësohet se trajneri Lika u ka dhënë leje për të shkuar pranë familjeve të tyre, për t’u rikthyer ditën e hënë kur Partizani do të rifillojë nga puna. Ai ka lënë gjithashtu të lirë për gati dy ditë edhe pjesën tjetër të grupit që ka në dispozicion, pasi në fillimjavë ai do të plotësohet sërish. Deri në momentin që ekipi do të niset për fazë përgatitore, seancat do të jenë intensive. Të vetmit që nuk janë larguar për në vendlindje janë dy nigerianët Oshobe Oladele dhe Felix Udo, të cilët vazhdojnë të jenë në kryeqytet, pasi kanë rinovuar edhe kontratat e tyre.

 

Poloni

Bala debuton me gol “trepikëshi”

Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare, Bekim Balaj, pas eksperiencës me Spartën e Pragës vitin e kaluar, këtë sezon është bërë pjesë e skuadrës së Jagielonia Bialystok në Poloni, ku është huazuar për një vit. 22-vjeçari shkodran ka bërë të pamundurën gjatë fazës përgatitore për të fituar besimin e trajnerit Piotr Stokoviec. Falë performancës së tij të parë pa dyshim ai ka fituar jo vetëm besimin e klubit, por edhe të fansave. Balaj e ka nisur aventurën e tij të re në kampionatin polak me një superdebutim. Trajneri Stokoviec ia besoi sulmin Piatkovskit, por deri në minutën e 67-të loja ishte e balancuar nga të dy krahët. Mirëpo duke qenë se kampi sulmues po çalonte, trajneri i Jagielonias e përforcoi sulmin duke aktivuar në minutën e 67-të talentin shqiptar, i cili zëvendëson David Plizgan. Me talentin dhe aftësitë e tij dribluese, sulmuesi shkodran bëri disa lëvizje spektakolare duke mahnitur 9 mijë të pranishmit në stadiumin e Zaviza Bydgozni. Teksa vendësit ishin të fokusuar më shumë te mbrojtja, në minutën e 77-të doli me karton të kuq lojtari i tyre, Hermes, i cili i prishi planet trajnerit dhe balancat ekipit. Por, mjaftuan 60 sekonda që miqtë e Jagielonias të shfrytëzonin diferencën numerike dhe të organizonin një kundërsulm të shpejtë me dy sulmuesit Bekim Balaj dhe Piatkovski. Ky i fundit mori krahun e djathtë dhe pasoi në qendër te sulmuesi shqiptar, i cili me saktësi e çoi topin drejt e në rrjetë, duke e nisur kështu aventurën me gol dhe fitore në Poloni. Mjaftoi goli i Balajt për t’i dhënë ekipit tri pikët dhe për të marrë kreun në javën e parë të kampionatit.

 

Shqiptarët e Bundesligës 2

Mavraj nuk ka më shiritin e kapitenit, Kapllani sfidon të shkuarën

Këtë fundjavë shumë prej futbollistëve shqiptarë që militojnë në Bundesligën e 2-të gjermane do të nisin sezonin e ri. Mesfushori fierak Roshi është i dëmtuar dhe nuk do aktivizohet me FSV Frankfurtin në ndeshjen e parë në shtëpi ndaj Karlsruhes, sot në orën 13:30. E kundërta do të ndodhë me bomberin Edmond Kapllani, i cili pritet të jetë titullar. Për sulmuesin shqiptar do të jetë një sfidë e veçantë, pasi do të luajë kundër ish-ekipit, Karlsruhes, ku zhvilloi 118 ndeshje dhe shënoi 26 gola. Sa i përket mesfushorit Alban Meha nuk ka qenë aktiv me Paderbornin në humbjen 0-1 ndaj Kajzerslauternit. Kjo, sepse vazhdon të jetë i dëmtuar. Qendërmbrojtësi Mërgim Mavraj ndërkaq, edhe pse jo kapiten, do të jetë titullar në sfidën e parë të Fyrthit në shtëpi ndaj Bilefeldit. Ndërsa Jahmir Hyka e ka nisur me fitore kampionatin me Lucernin. Skuadra e tij fitoi ndaj Araut.

 

Liga e Evropës

Cungu sheh me optimizëm takimin e kthimit

Kukësi do të udhëtojë drejt Sarajevës me objektivin e qartë, të kërkojë kualifikimin në turin e tretë paraeliminator të Europa League që do t’i siguronte një vend të privilegjuar përkrah Flamurtarit që është edhe skuadra e vetme shqiptare, e cila ka arritur deri në këtë fazë. Trajneri i nënkampionëve të Shqipërisë, Armando Cungu, vazhdon punën për kolaudimin e detajeve të fundit me skuadrën që do të udhëtojë drejt Bosnjës, ku e pranon se do të jetë një transfertë e vështirë, por shton se skuadra e tij do t’i luajë të gjitha shanset. Tekniku shkodran shton se skuadra e tij po e vuan disi lodhjen e ndeshjes së parë, ndërsa shton se do të zbresë në fushë një formacion pothuajse të njëjtë nga ai i ndeshjes në “Qemal Stafa”. Mesfushori Igli Allmuça është shqetësimi më i madh në radhët e skuadrës veriore për shkak të një dëmtimi në shpatull por sipas vetë futbollistit, ai pritet të jetë i gatshëm për sfidën e kthimit, ndërsa edhe kapiteni Hallaçi është rikuperuar plotësisht dhe do të jetë nën urdhrat e trajnerit.

Ndeshja e kthimit mes Sarajevos dhe Kukësit do të luhet ditën e enjte në datën 25 korrik në kryeqytetin e Bosnje-Hercegovinës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency