Standard.al

“Lufta në ishull”, Mojesi bëhet guximtar, Murinjo pret ta thërrasin “Kumbari”

Përgatiti Altin Vorpsi

 

moyes-mourinhoI pakënaqur me nofkën e vetëshpallur “Speciali”, Zhoze Murinjo ka zgjedhur nga Kuala Lumpuri një epitet të ri për vetën e vet. Edhe kësaj here ai ia ka dalë që të shkojë pak më tutje: “Ndoshta tani unë do të jem Kumbari”, – tha trajneri i Çelsit dhe nuk harron të sulmojë për herë të parë trajnerin e ri të Junajtidit, Dejvid Mojes.

Në Angli janë gati për “luftë”. Mes Mançester Junajtidit dhe Çelsit priten duele të bukura si në fushë edhe jashtë saj, pasi teknikët përkatës nuk kanë kursyer dje njëri-tjetrin. Nga njëra anë Devid Mojes ka thënë se nuk e ka frikë Murinjon, ndërsa ky i fundit në një intervistë të dhënë nga Kuala Lumpuri ka vendosur që të bëhet edhe më arrogant se ç’ishte. Tashmë nuk preferon që ta thërrasin “Speciali”, pasi ka gjetur një epitet të ri për vetën e vet… tashmë ai është “Kumbari”.

Mojesi e nuk ka frikë

Mojesi nuk ka frikë nga Murinjo dhe provokimet e tij. Trajneri i Junajtidit tha se ai ka imunitet ndaj lojërave të mendjes që nisi 24 orë më parë trajneri i Çelsit. Murinjo tha se Mojesi duhet të ndihej krenar që atij i ishte besuar një skuadër që dinte të fitonte si Junajtid, ndërsa ai ndryshonte nga skocezi, sepse Çelsin e kishte marrë me vetëm një trofe (edhe ai miqësor) dhe fitoi 5 të tillë gjatë eksperiencës së parë në “Stamford Bridge”. Pas fitores 5-1 me Yjet e Australisë, një gazetar e pyeti skocezin, nëse ai priste një luftë të tillë deklaratash nga rivali i tij. “Theksi yt më ngjason me timin dhe, nëse je nga Glasgou, atëherë ty të pëlqejnë këto gjëra, kështu që jepi se edhe unë jam gati”, – tha me humor trajneri i Junajtidit. “Sot (dje) ishte një natë speciale, sepse unë arrita fitoren e parë në stolin e Junajtidit. Në një stadium me 83 mijë tifozë në një miqësore është fantastike dhe e pabesueshme. E përgëzoj skuadrën për paraqitjen”.

“Speciali” shndërrohet në “Kumbari”

Ajo e Murinjos është një metamorfozxë e çuditshme. I pakënaqur me nofkën e vetëshpallur “Speciali”, Zhoze Murinjo ka zgjedhur nga Kuala Lumpuri një epitet të ri për vetën e vet. Edhe kësaj here ai ia ka dalë që të shkojë pak më tutje: “Ndoshta tani unë do të jem Kumbari”, – thotë trajneri i Çelsit dhe nuk harron të sulmojë për herë të parë trajnerin e ri të Junajtidit, Dejvid Mojes. “Pas tërheqjes së skocezit unë do të jem një nga djemtë me më shumë eksperiencë në futboll. Miqtë e mi Roxhers, Boas dhe Klark kanë ende për të mësuar, ashtu siç kisha unë kur isha asistent i Robsonit dhe Van Galit. Kam fituar të gjitha trofetë në Angli dhe janë i vetmi kampion Evrope, por kjo ka pak rëndësi. Ndoshta, do të kem pak më shumë përgjegjësi mbi shpatulla. Duhet të jem një shembull në sjellje dhe mbështetje: duhet të jem atje kur dikush ka nevojë për mua. Kam një jetëshkrim të pasur, një status dhe mendoj se jam njëri nga ata, pavarësisht kombësisë, sepse unë përfaqësoj dhe mbroj vendin dhe futbollin e tyre. Një nga gjërat më të vështira në futboll është të krijosh një kulturë fitoreje. Kur erdha për herë të parë tek Çelsi, skuadra stërvitej në Herlington (ish-fusha e universitetit ku sot stërvitet QPR-ja) dhe i vetmi trofe që kishin ishte Kupa e Malajzisë, të cilën e kishin fituar këtu. Tani Çelsi është një klub i madh. Por ka të tjerë që shkojnë direkt në klube të mëdha. Devid është njëri nga këta. Të gjithë atje dinë si të fitojnë, por ai duhet të ndihet shumë krenar, sepse i është dhënë një shans i madh”, – tha Mou.

 

 

Martino

Miku i Mesit është shumë pranë bankinës së Barcelonës

Mediat spanjolle kanë zbuluar se ka pasur kontakte mes Barcelonës dhe trajnerit argjentinas Gerardo Martino. Ai shihet si kandidati kryesor për momentin, që të zëvendësojë Tito Vilanovën, duke parakaluar në listë Luis Enriken. Ky i fundit pengohet nga fakti që, për të shkuar te katalanasit, duhet paguar një klauzolë prej 10 milionë eurosh te Selta Vigo. Gerardo Martino është një mik i afërt i familjes Mesi, sidomos i babait të futbollit, Horges. Kohët e fundit ai ka qenë pranë drejtimit të dy klubeve spanjollë, Real Sociedadit dhe Malagës, por pa arritur që t’i konkretizojë marrëveshjet. Edicionin e fundit, “Tata” (pseudonimi) ka drejtuar Njuell Old Bojs në Argjentinë, klubin që rriti edhe Lionel Mesin, para se të transferohej tek akademia e Barcelonës. Ndërkohë, për pesë vite Martino ka qenë në krye të Kombëtares së Paraguait. Në karrierën e tij si trajner, 50-vjeçari ka fituar tri tituj kampion në Paraguai me skuadrën e Libertadit. Ai praktikon një stil loje tepër të ngjashëm me atë të katalanasve, duke preferuar futbollistët e shpejtë në sulm dhe një mesfushë të përbërë nga lojtarë me teknikë dhe aftësi organizuese. Gjithsesi, nuk kanë munguar edhe kritikat për mundësinë që ai të emërohet në krye të gjigantëve iberikë, duke u cilësuar si pa eksperiencën e duhur dhe si një tregues i qartë i ndikimit të madh që ka Mesi në vendimet e klubit.

 

Merkato

Reali i ofron Liverpulit Higuainin dhe 22 mln për Suarezin

Reali i Madridit është i vendosur ta fitojë rivalitetin me klubet e tjera për shërbimet e Luis Suarezit. Në fakt, spanjollët mësohet të kenë planifikuar një ofertë që po pritet me optimizëm te Liverpuli. Bëhet fjalë për 22 milionë euro, plus kartonin e Gonzalo Higuainit, i cili është vlerësuar 28 milionë. Me një kosto totale prej 50 milionë eurosh, drejtuesit e klubit anglez nuk do rezistonin më, aq më tepër që do fitonin edhe shërbimet e një tjetër bomberi mjaft cilësor. Rivali kryesor i madrilenëve për të blerë uruguaianin është Arsenali, i cili preferon të paguajë 45 milionë euro për kartonin e tij. Por, nëse nuk arrijnë të marrin dot Suarezin, “topçinjtë” humbasin kështu edhe objektivin tjetër që kanë në merkato, argjentinasin Gonzalo Higuain.

 

 

Supergoli

Berisha “kryqëzon” Mançester Junajtidin

Fitorja e dytë e Mojesit në krye të Mançester Junajtidit “u eklipsua” nga një supergol i Besart Berishës. Ylli i Brisbejn Roarit shënoi golin e vetëm dhe të nderit për seleksionin e trajnerit Ange Postekoglu (trajneri i Melburnit në kampionat), ndërsa iu afrua dhe në disa raste të tjera shansit për të tundur rrjetën e portierit Lindegard. Mund të kishim pasur edhe një tjetër gol shqiptar në Sidnej, por goditjen e Adnan Januzajt në minutën e 92-të nga vetëm 6 metra e ndal vetëm shtylla e portierit Coviç. Për 18-vjeçarin me origjinë shqiptare vetëm 19 minuta në fushë, pasi u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes në miqësoren e parë të kampionëve të Anglisë. Në stadiumin “ANZ” ku mbi 83 mijë tifozë kishin mbushur shkallët e impiantit gjigant në Sidnej, munguan yjet kryesorë të kombëtares australiane për shkak të angazhimit të përfaqësueses në Kupën e Azisë Lindore, por edhe gjigantët që aktivizohen në “A-League”, si Del Piero, Heskej apo Ono për shkak të fazës përgatitore. Pas humbjes kundër Yjeve të Singhas në Tajlandë, Mojes rikthen disa titullarë në fushë, dhe janë pikërisht anglezët ata që dominojnë që prej minutës së parë. Portierit Coviç i duhet të bëjë pritjen e parë që në minutën e gjashtë. 4 minuta më vonë ishullorët do të kalojnë dhe në avantazh. Një asist i Gigsit, shoqëruar dhe nga lëvizja mashtruese e Zahës, nxjerr Lingardin të vetëm përpara porte dhe talenti nuk gabon me të djathtën. Shansi i parë për skuadrën e Berishës i takon Broiçit, i cili me një shpërthim dhe nga 25 metra lëshon një silurë që përfundon jashtë. Junajtid dominon zotërimin e topit dhe i afrohet golit me Evranë, ndërsa Lindegard ndal Bojic për të ardhur tek një gjysmëshans i sulmuesit prishtinas. 27-vjeçari për pak sa nuk befason me një goditje fluturimthi pas hartimit të Boushampit. Trioja e Junajtid Uelbek-Lingard-Gigs, bën gjithçka perfekte në minutën e 33-të, kur sulmuesi i Junajtid tund rrjetën me një të djathtë të saktë. Nëse Berisha nuk e gjen golin që në pjesën e parë kjo falë një ndërhyrjeje shpëtimtare të Ferdinandit që e bllokon në minutën e 41-të. Kosovari ka një tjetër shans të artë pas kthimit nga dhomat e zhveshjes, por me Lindegardin e dorëzuar, topi përfundon pak centimetra jashtë. Shënjestra e Berishës do të korrigjohet 3 minuta më vonë, pas marrjes bukur të topit në hyrje të zonës, rrotullohet dhe e djathta e tij precize përfundon në rrjetë në cepin e djathtë të portierit të Junajtid. Në minutën e 73-të, Berisha i la vendin Ifill, ndërsa porta e australianëve do tronditej edhe 3 herë të tjera.

 

Comments are closed.