Shefi i Imazherisë: 70% e rasteve urgjente janë në observim spitalor

0
169

Gestjana Musha

2 skanerë bashkëkohorë, në shërbim të qytetarëve 24 orë

 

qsut

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në pavijonin e urgjencave, fluksi i të sëmurëve këto ditë ka qenë në rritje. Vetëm gjatë ditës së djeshme janë paraqitur 20 raste me indikacion kirurgjikal dhe patologji neurologjike. Pavijoni i urgjencës gjatë këtyre ditëve të nxehta ka qenë një ndër pavijonet me fluksin më të madh të pacientëve të paraqitur me simptoma nga më të ndryshmet. Lidhur më këtë fenomen shefi i Imazherisë në Urgjencën e QSUT, zoti Maksim Basho i kontaktuar nga “Standard” u shpreh:“Fluksi i urgjencave në qendrën tonë spitalore ka qenë gjithmonë i lartë dhe vazhdon të jetë kjo falë aparaturave modern dhe personelit mjekësor. Ne bëjmë 100 ekografi në ditë në raste urgjence, 35 skanerë dhe 15 raste urgjence rezonancë magnetike.” Të sëmurët e ardhur nga rrethet rrisin rastet e urgjencave në këtë institucioni, të cilët me rekomandimin e mjekut të rrethit paraqiten afër kësaj qendre për të marrë mjekimin e duhur. Ky fenomen ka sjellë radhë pacientësh, fluks vizitash, kaos nëpër korridore, çka pengon punën për pacientët që kanë vërtet nevojë për vizitë, duke theksuar se aty nuk shkojnë vetëm rastet e urgjencës, por çdo rast që ka një shqetësim.

Pacientët

Qytetarët shprehen se i drejtohen këtij shërbimi për shkak të aparaturave moderne të cilat nuk gjenden lehtë në spitalet e rretheve. Vëllai i një pacienti nga Korça pohon se i është drejtuar QSUT, për shkak të gjendjes së rëndë të vëllait të tij. Kanë qenë mjekët e Korçës ata që për shkak të mungesës së aparaturave përkatëse kanë drejtuar pacientin drejt Tiranës. “Ky spital ofron të gjitha shërbimet e QSUT, të cilat duke u konsultuar me shefat e shërbimeve të tjera planifikojnë ekzaminime që ndihmojnë në vënien e hershme të diagnozës, duke ulur ditët e qëndrimit të pacientëve në spital, nëpër pavijonet përkatëse”, – shprehet Maksim Basho. Rreth 70% e rasteve të urgjencës së djeshme sipas shefit të urgjencës janë mbajtur në observim spitalor, ndërsa rastet e tjera janë ekzaminuar duke marrë shërbimin e duhur për t’u trajtuar më pas në kushte shtëpie. Personat më të rrezikuar nga i nxehti veror janë moshat e treta, të cilët preken lehtësisht nga problemet kardiake. Ky fakt shpjegon më së miri dhe fluksin e madh të kësaj grupmoshe në urgjencë.

Funksionimi

Në urgjencë ndodhen të instaluar dy skanerë, një rezonancë magnetike, 3 ekografi duke përfshirë këtu dhe aparaturat konvencionale, të cilat plotësojnë nevojat e pacientëve gjatë 24 orëve. Sipas shefit të urgjencës të dy skanerët funksionojnë më së miri, arsyeja që qytetarët mendojnë se vetëm një punon është për faktin që një skaner ndodhet nën katin e parë në të cilin ekzaminohen personat pa komplikacione të mëdha. Skaneri tjetër i pozicionuar në katin e parë është në funksion të rasteve shumë emergjente, si ato të moshuarve të cilët shfaqin komplikacione, thekson shefi i pavijonit.

 

 

Lirimi i hapësirave publike, aksion nga Policia Bashkiake në Tiranë

Policia Bashkiake ka ndërmarrë një aksion për lirimin e hapësirave publike në kryeqytet. Aksioni u zhvillua paraditen e së enjtes në rrugën “Nikolla Tupe” në zonën e ish-Bllokut, ndërsa përgjegjësi i sektorit për Ligjshmërinë Fiskale në Bashki, Bashkim Koçi, tha për mediat se krahas prishjes së blloqeve të betonit të cilat pengojnë lëvizjen e lirë të automjeteve brenda datës 31 korrik do të lirohen dhe hapësirat publike të cilat janë zënë nga lokalet. “Sot po merremi me lirimin e atyre rrugëve dhe hapësirave publike të zëna nga kundërvajtësit me blloqe betoni, hekura, zinxhirë, të cilët i kanë privatizuar në mënyrë të kundërligjshme këto hapësira për të parkuar makinat e tyre. Ne kemi evidentuar të gjithë këtë lloj problematike. Kemi lënë akt konstatimin dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatim-Taksave kemi vendosur kufizimin e dhënies së lejes së shfrytëzimit të hapësirës”, – tha Bashkim Koçi. Aksioni i bashkisë konsistoi në lirimin e zonës publike të bllokuar nga bizneset, me objekte si, çadra, vazo lulesh apo sende të tjera të kësaj natyre, të cilat, sipas Policisë Bashkiake, bllokonin hapësirën publike në mënyrë të paligjshme. “Këta janë lajmëruar, kemi marrë masat, kemi bërë procedurën ligjore të gjobitjes me gjobë dhe brenda datës 31 do të shikoni një ndryshim rrënjësor”, – thekson Koçi.

 

400 inspektime në zonat turistike, kujdes nga vaji në fast food-e

Nëse vaji ka ndryshuar ngjyrë, është trashur apo nxjerr tym gjatë skuqjes, mos e përdorni më!
Ai është shkatërruar duke u kthyer në një produkt kancerogjen. Specialistët e shëndetit publik ngrenë shqetësimin se nëse kanë gjetur të përdoret vaji në kushte të tilla në fast food-e dhe restorante në vend. Madje, pasi janë kryer analizat laboratorike vihej re tejkalimi gati dyfish i normave të lejuara. Problematikë më e madhe është vënë re në qytetet e Tiranës, Vlorës dhe Korçës. Nisur nga problematika një urdhër të posaçëm kontrolli për inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ka nxjerre edhe Ministri i Bujqësisë. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ushtruar rreth 400 inspektime kryesisht në zonat turistike, ku edhe përqendrimi i njerëzve gjatë këtij sezoni është më i madh. Ka sekuestruar produktet dhe ka vendosur gjoba në ato subjekte ku ka konstatuar shkelje.

 

Kukësi, në mungesë të ujësjellësit, shkak moszbatimi tërësor i projektit

Bashkia e qytetit të Kukësit rrezikon të mos marrë në dorëzim ujësjellësin e ri të qytetit, i cili pas pak kohësh do të përfundojë së ndërtuari, pas më shumë se 5 vitesh punime. Shkak për këtë duket se do bëhet moszbatimi tërësor i projektit pasi specialistët e bashkisë kanë dyshime se ai nuk është zbatuar ashtu siç është projektuar. Vetë kreu i Bashkisë së Kukësit, Hasan Halilaj, thotë se projekti nuk është zbatuar as në masën 50 për qind, çka përkthehet në mungesë të ujit në çezmat e konsumatorëve, përgjegjësi të cilën ajo nuk dëshiron ta mbajë përpara qytetarëve. Po ashtu, ai thotë se do t’i drejtohet Ministrisë së Transporteve për rishikimin e kontratës dhe punimeve, pasi projekti jo vetëm që nuk është zbatuar mirë, por kanë dalë në pah problemet e cilësisë së punimeve. Ujësjellësi i ri i qytetit të Kukësit ka filluar së ndërtuari që në vitin 2008 me një vlerë prej 3.5 milionë euro. Punimet u zvarritën për një kohë të gjatë pasi firma që pati fituar tenderin për ndërtimin e tij u largua, për shkak të problemeve të hasura në terren. Që prej asaj kohe, projekti është dhënë në disa kompani për t’u zbatuar dhe në vitin 2011 rinisi puna për ndërtimin e ujësjellësit. Problemet që shfaqen dita-ditës, në rrjetin e ri të ndërtuar janë të shumta, çka ka bërë që në shumë lagje të Kukësit, por edhe në 14 fshatrat rreth tij, shpeshherë të mungojë uji apo të dalë në sipërfaqe të tokës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency