KQZ vendos sot për Lezhë, PD kërkon rivlerësim e 10 qendrave, PS pavlefshmëri për të gjithë Qarkun

0
123

Florenc Drizari

“Çështja e Lezhës” në KQZ pritet të shqyrtohet paraditen e së premtes në orën 11:00

 

Nga-mbledhja-e-djeshme-e-KQZRezultatet e kontestuara nga PS dhe PD në Qarkun e Lezhës vazhdojnë të shkaktojnë përplasje qëndrimesh mes këtyre dy forcave të mëdha politike në vend, ndërkohë që KQZ duket ende në mëdyshje për marrjen e një vendimi përfundimtar në lidhje me këtë çështje. Pas një seance që zgjati për rreth tre orë dje në mbrëmje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, administrata zgjedhore kërkoi kohë për marrjen e një vendimi. Kjo për faktin se palët paraqitën prova të reja dhe zgjeruan objektet e kërkesave të tyre. KQZ pritet që paraditen e së premtes në orën 11:00 të nisë sërish shqyrtimin e çështjes e cila vijon prej tri ditësh në komisionin më të lartë të administrimit zgjedhor. Më herët Partia Socialiste kërkoi shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në 6 qendra votimi në Lezhë, ndërkohë që një ditë më parë nga përfaqësuesit e saj ligjor u deklarua se nëse rezultatet ndikojnë në ndarjen e mandateve, atëherë në të gjithë Qarkun e Lezhës zgjedhjet duhet të shpallen të pavlefshme.

PRETENDIMET, GJONÇAJ PS

“Pavlefshmëri në të gjithë Qarkun e Lezhës”. Është ky pretendimi i përfaqësuesve ligjor të Partisë Socialiste në KQZ, deklaruar gjatë mbledhjes së djeshme. Sipas përfaqësuesit Eridian Saliani, jo në 6 qendra ku PS kërkon pavlefshmëri, por edhe në një zonë të vetme në të cilën do të konfirmohen parregullsi, i gjithë qarku shpallet i pavlefshëm. “Të 6 QV-të që ne kemi kërkuar pavlefshmëri dhe ndikimi që ka ndarja e mandateve, zgjedhjet shpallen të pavlefshme në Qarkun e Lezhës. Pavlefshmëria është në të gjithë zonën zgjedhore përderisa ndikon në ndarjen e mandateve sepse diferenca është me 39 vota. Por kjo pyetje është në përfundim”, – deklaroi Saliani.

Më herët përfaqësuesi tjetër i PS-së, Genci Gjonçaj, pas paraqitjes së provave kërkoi që KQZ të zgjerojë objektin e hetimit, duke i kërkuar Ministrisë së Brendshme vërtetimin e kalimeve për 117 shtetasve dhe ekspertizën për firmat e hedhura në fletët e materialeve zgjedhore.

“Vendndodhja brenda ose jashtë territorit të republikës së Shqipërisë për 10 kutitë që u hapën dhe verifikimin e nënshkrimeve në 6 qendra votimit”,- kërkoi Gjonçaj nga KQZ.

Sipas tij,  117 persona në QV 0907 nuk kanë qenë në Republikën e Shqipërisë ndërkohë që sipas listës së votuesve, ato paskan qenë dhe votuar në listë. Nga ana e PS-së u krye një akt ekspertimi grafik për pjesën tjetër. Nga ku rezulton se nga akti i ekspertimit i kryer nga dy ekspertë të njohur rezultoi se nënshkrimet e plotësuara në listat e zgjedhjeve, duke përjashtuar ata persona që janë jashtë territorit të vendit, janë 50 nënshkrime të njëjta. Numri i votuesve fiktiv në këtë qendër mund të jetë më i madh se shumatori”, – deklaroi përfaqësuesi i PS-së.

Në listat e zgjedhësve sipas Gjonçajt, nuk është kryer procedura ligjore e cila përcakton se kryetari pasi identifikon të dhënat e identitetit të zgjedhësit, përputhen me listat e zgjedhësve dhe numrin e identitetin shënon numrat e identitetit. “Nga verifikimet rezulton se nuk janë shënuar numrat e identifikimit por janë fotokopjuar numrat e identitetit”, – tha ai.

“Përsa më sipër për këto 6 prova, konstatohen shkelje të rënda – 0907 0910.1 0856 0856/1 0857 0857/1 të ZAZ 15, KQZ duhet të kryej një hetim të plotë”, -ishte deklarata e Gjonçajt e mbajtur dje në KQZ gjatë fazës së parashtrimit të provave. Nga ana e tij, përfaqësuesi tjetër i PD-së, Ivi Kaso, kërkoi bazën ligjore të këtyre pretendimeve duke i quajtur akte ekspertimi mbi fotokopje, deklaratat e Gjonçajt më sipër.

 

PRETENDIMET E PD-së

QV 708/1, 107 vota në dëm të PD,
QV 702, – 17 vota në dëm të PD-së,
QV 764 – subjekti i favorizuar ishte PS-ja.
QV 769 – manipulimi ka ndodhur brenda koalicionit të majtë.
QV 765 – Subjekti i favorizuar ishte PS me 39 vota.
QV 763 Të katërt numëruesit kanë favorizuar PS në kurriz të aleatëve të saj.

 

Kosovrasti: Drejtësia duhet të jetë pjesë e procesit

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në KQZ, Nizai Kosovrasti, deklaroi dje se drejtësia duhet të jetë pjesë e rëndësishme e procesit për ata që guxuan të manipulojnë në Qarkun e Lezhës. Sipas tij, në këtë proces nuk janë të përfshirë vetëm subjektet politike, por edhe qytetarët që me vullnetin e shprehur, tashmë kërkojnë drejtësi. Sipas tij, rivlerësimi i votave në 10 kutitë e hapura në Lezhë, vërtetoi pretendimet e PD-së për vjedhje dhe manipulime votash. “Vazhdimisht në KQZ jemi ndodhur përballë problematikave të ndryshme që faktorë të ndryshëm, vëzhgues, numërues, janë munduar ta bëjnë pis procesin zgjedhor për të përfituar qëllime elektorale.

Ne si PD paraqitëm një kërkese ku kërkuam që të ndryshohet tabela e rezultateve që në përputhje me nenin 123 nxori për zonën zgjedhore të Qarkut Lezhë, duke iu referuar 248 tabelave të rezultateve, dhe pas verifikimit të rezultateve ku 10 prej tabelave ishin të falsifikuara, kërkuam që KQZ të nxirrje rezultatin me variantet sesi arrihet tek e vërteta. Një nga ato ishte të hapeshin kutitë. Një tjetër ishte që subjektet politike të dorëzonin kopjet kimike, ose t’i drejtoheshit sistemit elektronik që sipas ligjit kishte të gjithë sigurinë për të qenë i praprekshëm”, – deklaroi Kosovrasti.

 

Ilirjan Muho: KQZ të thellojë hetimet për Lezhën

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Muho, duke folur si palë e interesuar në ditë më parë në KQZ, lidhur me parregullsitë e konstatuara për Qarkun e Lezhës, tha se dyshimet e ngritura nga PS për numrin e lartë të pjesëmarrjes në zgjedhjet, duhet të ngrenë shqetësimin e KQZ-së për të thelluar me tej hetimet. Për këtë ai mbështeti kërkesën e PS-së për verifikime nga ana e KQZ në Ministrinë e Brendshme. “Është detyrim i juaji për t’ju drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes për të vërtetuar këtë. Lidhur me ekspertimin e kryer nga ekspertët për firmat e hedhura në listat e votimit, ka qëllim për të vërtetuar saktësinë e firmave. PS ka kryer një ekspertim me dy ekspertë dhe shkaku dhe detyrimi juaj lind tashme me këto që paraqiten. Ju duhet t’i drejtoheni ekspertëve të licencuar për të bërë verifikimet lidhur me pjesëmarrjen në votim dhe për të vërtetuar saktësinë në votim me firmat. Kur të vijnë në KQZ ato do të marrin vlerën e provës. Me shkaqet dhe indicet që na ka dhënë PS në këto momente, duhet thelluar verifikimi në Ministrinë e Brendshme dhe me ekspertët përkatës”,- tha Ilirjan Muho.

 

Animimet në KQZ, shtyhet kërkesa e republikanëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shtyu për një periudhë të papërcaktuar kohore shqyrtimin e kërkesës ankimore të Partisë Republikane, kërkesë e cila kundërshton rezultatet në disa qendra të votimit në Qarkun e Shkodrës. Gjatë mbledhje së KQZ-së, të mbajtur dje në mesditë, përfaqësuesi ligjor i republikanëve në KQZ, Arjan Madhi, kërkoi shtyrjen me disa orë të shqyrtimit të kësaj kërkesë ankimore, duke pretenduar se materialet filmike i janë dorëzuar me vonese dhe për verifikimin e tyre u nevojitej më shumë kohë. Z.Madhi tha dje se PR kërkon rivlerësim të votave në disa QV të Qarkut të Shkodrës. Ndërkaq, kërkesa ankimore  e Partisë Republikane është e fundit pas asaj të PD dhe PS për Qarkun e Lezhës, dhe pas shqyrtimit të kësaj çështjeje në KQZ, pritet që administrata zgjedhore t’i japë fund procesit të animimeve nga subjektet politike, lidhur me miratimin e rezultateve përfundimtare për çdo qark të Shqipërisë.

 

 

.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency