Basha: Anëtarësia e partisë, në një piedestal statutor

0
126

Ina Jano

Procesi i zgjedhjes së kryetarit të PD-së

Kandidati për kreun e PD-së, takime në Vlorë, Shijak, Krujë dhe Fushë-Krujë. Sot në Kamëz, Patos, Mallakastër dhe Fier

 

Basha-ne-VloreTakimet e kandidatëve të Partisë Demokratike me bazën dhe anëtarësinë demokrate janë duke u përmbyllur, pasi të hënën të gjithë do të përdorin votën e tyre për të zgjedhur liderin e ri. Njëri prej pretendentëve për të qenë pasardhësi i Sali Berishës, liderit historik të së djathtës, Lulzim Basha ishte ditën e djeshme në qytetin bregdetar të Vlorës, ndërsa më herët ai u ndal edhe në Fushë-Krujë, Krujë dhe Shijak. Basha tek të gjitha takimet dhe bashkëbisedimet me qytetarët u shpreh se anëtarësia e demokratëve do të ketë më shumë prioritet gjatë drejtimit të partisë nga ana e tij, dhe se do të marrë më shumë fuqi. Gjithashtu, kreu i Bashkisë së Tiranës garantoi anëtarët e vjetër dhe të rinj të Partisë Demokratike se nëse zgjidhet kryetar i PD, baza e kësaj partie do të lartësohet në një piedestal të ri statutor, duke u bërë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes në PD. “Mijëra mesazhe nga themelues qëndrestarë dhe anëtarë të rinj të PD-së ma kanë mbushur zemrën që sot me optimizëm, jo vetëm sepse kanë mirëpritur projektin tim por sepse që sot kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të bërë gjithçka që Partia Demokratike të kthehet një orë e më parë në drejtimin e ëndrrës sonë evropiane. Dua t’ju them sot nga Vlora, se në statutin e ri të PD, ne do ta lartësojmë anëtarësinë dhe bazën e PD, në një piedestal të ri statutor. Kjo nënkupton vendosjen me votë të çdo procesi, nga emërimet dhe përzgjedhjet e kryetarëve bazë të seksionëve, grup-seksioneve, degëve e deri tek përzgjedhja e më të mirëve mes nesh, për tu përballur në betejat tona politike, lokale dhe qendrore”, – theksoi zoti Basha. Ai theksoi se vetëm pasi t’i japim garanci çdo anëtari, që zëri i tij do të dëgjohet dhe kontributi do të vlerësohet, Partia Demokratike do të jetë më e fortë për luftën opozitare dhe rrugën për tu rikthyer në pushtet. “Si partia që jep garanci që zëri i çdo anëtari të dëgjohet, që kontributi i çdo anëtari ndër vite e deri më sot, të përkthehet në meritë transparente para anëtarësisë, jemi gati të nisim që sot luftën opozitare më të paepur por dhe rrugëtimin tonë më të vendosur, drejt rikthimit si mazhorancë zyrtare në Shqipëri”, – pohoi Basha.

Ndërsa ditën e djeshme, ai lajmëroi nëpërmjet Facebook-ut takimet e ditës së sotme duke i ftuar të gjithë demokratët të behën pjesë e fushatës. “Të dashur anëtarë të Partisë Demokratike të Kamzës, Patosit, Mallakastrës dhe Fierit, të dashur miq. Kam nderin dhe kënaqësinë e veçante t’ju ftoj, më datë 19 korrik 2013, në orën 11:00 në Pallatin e Kulturës në Kamëz, në orën 17:00 në Pallatin e Kulturës në Patos në orën 18:30 në sallën e kinemasë në Mallakastër dhe në orën 20:00 në kinoteatrin e Fierit, për një bashkëbisedim të hapur e miqësor, gjate të cilit do të kem privilegjin të diskutoj e të ndaj me ju, me të gjithë anëtarësinë e PD të Kamzës, Patosit, Mallakastrës dhe Fier, platformën time për detyrën e lartë të kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe për fitoren tonë të përbashkët. Me respekt Lulzim Basha”, – shkroi dje kreu i Bashkisë së Tiranës.

 

              Akuza

Olldashi: LSI po përpiqet të ndërhyjë në procesin e zgjedhjeve në PD

Sokol Olldashi, kandidati për postin e kryetarit të Partisë Demokratike, kërkoi nga baza e demokratëve të qëndrojnë larg spekulimeve që vektorë të së majtës po kërkojnë të prodhojnë në tentativë për të ndikuar në procesin e zgjedhjeve në Partinë Demokratike. Olldashi deklaroi në Lushnjë se ka një përpjekje të qartë të segmenteve të Lëvizjes Socialiste për Integrim për të ndërhyrë në këtë proces. “Ka një përpjekje të tmerrshme nga vektorë të majtë, brenda shtypit shqiptar. Po t’i shikoni takëmet e analistëve, të cilët nuk gjejnë kurrë asgjë, janë të njëjtët që e luftuan me të gjithë breshërinë e tyre Partinë Demokratike, para zgjedhjeve. Janë të njëjtët që tani po përpiqen të bëjnë diversion. Janë të njëjtët që na vodhën votat me paratë e pista që vodhën gjatë pushtetit tonë, të cilët po përpiqen të ndërhyjnë në këtë proces. Në Lushnjë, Berat dhe gjetkë ka një përpjekje të qartë edhe nga segmente të LSI-së për të ndërhyrë në këtë proces. Mbajini larg! Kjo parti është parti e demokratëve. Kjo parti është e grave dhe burrave të lirë që vendosin vetë me mendje të ftohtë se cila duhet të jetë e ardhmja e kësaj strukture, ku bëjnë pjesë të gjithë”, – tha ai.

Gjatë takimeve në Lushnjë, Berat, Kuçovë dhe Poliçan, Olldashi theksoi se zgjedhjet për pasuesin e liderit historik të demokratëve janë një proces vlerash, një garë dinjitoze që i jep peshë vendimmarrjes së anëtarësisë. Sokol Olldashi u bëri thirrje demokratëve të marrin pjesë në këtë proces dhe të gjithë bashkë të nisin veprimin më të fortë opozitar për të rikthyer Partinë Demokratike në shumicë politike. “Kjo parti nuk është krijuar për të ndenjur në opozitë. Demokratët nuk kanë asnjë minutë dhe asnjë ditë kohë për të humbur. Partia Demokratike ka një mision ende të pambyllur: misioni që ka nisur në vitin ‘90, kur është krijuar, misionin që e ka rimarrë në 2005-ën dhe e ka çuar deri në 2013 dhe misionin që duhet të rimarrë me shpejtësi për të bërë Shqipërinë evropiane, atë Shqipëri që kërkohej që ditën e parë të themelimit të saj. Kundërshtari politik është thyer. Ende pa marrë pushtetin, koalicioni që ringjalli PPSH-në po rrëzon programin e vet. Shqiptarët nuk do të pranojnë që themelet e shtetit të shkatërrohen nga blerja e votës dhe pazaret politike”, – deklaroi Olldashi.

 

 

Takimi

Delegacioni kinez, Berishës: Të interesuar për të investuar në infrastrukturën e Shqipërisë

Kryeministri Sali Berisha priti dje një delegacion të Partisë Komuniste të Kinës, të udhëhequr nga drejtori i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, z. Tian Yongxiang. Anëtarët e delegacionit që në fillim i shprehën shefit të qeverisë mirënjohjen e tyre për arritjen e bashkëpunimit në një nivel të tillë mes dy vendeve. Ata pohuan se Shqipëria është një vend i vogël, por shumë i njohur në Kinë, edhe për shkak të marrëdhënieve në të shkuarën. Shefi i qeverisë shqiptare u bëri atyre një ekspoze të ndryshimeve që ka pësuar vendi gjatë këtyre viteve, ndërsa i njohu ata dhe me zhvillimet më të fundit brenda selisë blu dhe procesit për zgjedhjen e kryetarit të ri. Anëtarët e delegacionit kinez i bënë me dije numrit një të mazhorancës interesin e tyre për të investuar në infrastrukturë dhe pohuan se kjo do të thellonte me tepër bashkëpunimin mes dy vendeve, ndërsa u njohën nga shefi i qeverisë edhe në lidhje me klimën e favorshme që ka vendi për investimet e huaja. Kryeministri Berisha vlerësoi si shumë të rëndësishëm krijimin e Sekretariatit për Bashkëpunim me Evropën Lindore dhe Juglindore dhe fondin e vënë në dispozicion nga qeveria kineze për projekte bashkëpunimi e zhvillimi në këtë rajon. Ai vlerësoi projektet e përbashkëta dhe u ndal tek iniciativa e qeverisë së drejtuar prej tij për mësimin e gjuhës kineze në shkollat e vendit si një hap me rëndësi në zhvillimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve. Gjatë takimit u vu theksi edhe tek bashkëpunimi në lidhje me ndërtimin e Rrugës së Arbrit, si një projekt madhor jo vetëm për vendin por edhe për rajonin. Berisha falënderoi kompaninë e madhe kineze CSCEC (China State Construction Engineering Corp.ltd) dhe qeverinë kineze për ofertën realisht të leverdishme që kanë bërë para zgjedhjeve për Rrugën e Arbrit me zero ndikim ose ndikim të parëndësishëm, sipas variantit mbi borxhin publik. Pas përfundimit të zgjedhjeve oferta po përgatitet për t’u shpallur në përputhje në ligjin si tender i hapur ndërkombëtar. Qeveria e re do të vendosë për përzgjedhjen e variantit dhe do të negociojë kontratën. Ndër të tjera kjo kompani ka shprehur angazhimin e saj edhe për tramvajin e Tiranës. Kreu i delegacionit u shpreh se Shqipëria, në stadin aktual, ka mundësi shumë të mira përfitimi nëpërmjet projektesh nga fondi i qeverisë kineze, i vënë në dispozicion të bashkëpunimit me Evropën Lindore dhe Juglindore. Z. Yongxiang shprehu interesin e palës kineze për të mbështetur në projektet e modernizimit të infrastrukturës. Gjithashtu, ai vlerësoi bashkëpunimin kulturor, përfshirë nismën për mësimin e gjuhës kineze, ne dispozicion të së cilës, qeveria kineze ka vënë një numër mësuesish. Zoti Yongxiang theksoi rolin e padiskutueshëm dhe historik të Partisë Demokratike në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy popujve dhe vendeve tona, duke vënë në pah kontributin e çmuar personal të Kryeministrit Berisha, i cili vlerësohet lart nga pala kineze.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency