Vetëmashtrimi dhe “kuadrati”

0

 “Njerëzit humbasin pikërisht në errësirën e syve të tyre”.

   Black Elk

 

Does-staying-connected-make-us-more-aloneBadi

Bëheshin dy muaj që nga dita kur hyra për herë të parë në selinë e rrethuar të kompanisë “Zagrum”, në stilin e një qyteti universitar, për t’u intervistuar për postin e një drejtuesi të lartë. Kisha mbi dhjetë vjet që e vëzhgoja kompaninë nga strofkëza që kisha te njëri prej konkurrentëve të saj dhe isha lodhur duke dalë i dyti. Pas tetë intervistave dhe një periudhe trijavore heshtjeje dhe vetëdyshimi, më punësuan për të drejtuar njërën nga linjat e prodhimit të “Zagrumit”.

Nuk do të kalonte shumë dhe do të njihesha me një ritual të drejtuesve të lartë, që ishte i veçantë në “Zagrum” ‐ një takim njëditor kokë më kokë me zëvendëspresidentin ekzekutiv, Bad Xhefersonin. Badi ishte krahu i djathtë i presidentes së “Zagrum”‐it, Keiti Shtenrudit. Dhe për shkak të një ndryshimi në ekipin ekzekutiv, ai do të bëhej shefi im i ri.

Isha rrekur të zbuloja për se do të bëhej ky takim, por shpjegimet e kolegëve më çoroditën. Ata përmendën një zbulim që zgjidh “problemet‐njeri”, se si në të vërtetë askush nuk përqendrohet te rezultatet dhe se diçka, që kishte të bënte me “takimin Bad”, siç e quanin, dhe strategjitë që me sa dukej buronin prej tij, ishte kyçi isuksesit të jashtëzakonshëm të “Zagrum”‐it. Nuk e kisha asfare idenë se ku e kishin fjalën, por mezi prisja ta takoja dhe t’i lija përshtypje të mirë shefit tim të ri.

Badin e njihja vetëm nga fama e tij. Ai kishte qenë i pranishëm në një konferencë për paraqitjen e disa produkteve, ku kisha marrë pjesë, por nuk ishte aktivizuar. Ishte një kombinim i pesëdhjetëvjeçarit me pamje rinore, me karakteristika të ngjizura në mënyrë të çuditshme: një burrë i kamur, që ngiste një makinë ekonomike për të mos harxhuar pa hesap; një njeri që gati sa nuk e kishte lënë shkollën e mesme, por që e mbaroi shkëlqyeshëm Harvardin për drejtësi dhe biznes; një njohës i arteve, që kishte për zemër Bitëllsat. Me gjithë kontradiktat e tij të dukshme dhe, ndoshta, pjesërisht edhe për shkak të tyre, Badi nderohej si njëfarë ikone e kompanisë; ashtu si “Zagrum”‐i: misterioz, por megjithatë i hapur; pasiv, por megjithatë njerëzor; i spitulluar, por gjithsesi real. Në kompani të gjithë e admironin, për të mos thënë që ishin të mrekulluar prej tij.

M’u desh të ecja dhjetë minuta më këmbë për të përshkuar largësinë nga zyra ime në Godinën 8, deri te hyrja e Godinës Qendrore. Rruga ‐njëra nga njëzet e tri rrugët që lidhin dhjetë godinat e “Zagrum”‐it ‐ gjarpëronte nën kurorat e lisave dhe panjave përgjatë shpateve të Përroit së Keitit, një vijë uji që e kishte bërë dora e njeriut me një përsosuri si të ishte ndonjë kartolinë. Ky përrua ishte ide origjinale e Keiti Shtenrudit dhe punonjësit i kishin vënë emrin e saj. Ndërsa po ngjisja shkallën e varur prej çeliku të Godinës Qendrore për të shkuar në katin e tretë, shqyrtova veprimtarinë time gjatë muajit të parë në “Zagrum”: kisha qenë gjithmonë ndër ata që vinin të parët dhe largoheshin të fundit. Kisha mendimin se isha i përqendruar dhe nuk lejoja që çështje të jashtme të më pengonin për arritjen e objektivave. Ndonëse ime shoqe ankohej shpesh për këtë, unë kisha këmbëngulur që t’ia kaloja në punë dhe ta eklipsoja çdo koleg që mund të konkurronte për ngritje në detyrë gjatë viteve të ardhshme. Nuk kisha pse të ndihesha i turpëruar për asgjë. Isha gati ta takoja Bad Xhefersonin.

Në hyrjen kryesore të katit të tretë më priti sekretarja e Badit, Maria.

‐ Ju duhet të jeni Tom Kellam, ‐ tha ajo me entuziazëm.

‐ Po, faleminderit! Kam një takim me Badin në orën 09.00, ‐ ia ktheva unë.

‐ Po. Badi më njoftoi t’ju them që ta prisni në sallën “Eastview”. Vjen për pesë minuta.

Maria më shoqëroi përgjatë korridorit dhe më la vetëm në një sallë të madhe konferencash, ku nga vargu i gjatë i dritareve kundrova pamjet e kampusit mes gjetheve të pyllit të blertë të Kënektikatit. Nja dy minuta më pas, u dëgjua një trokitje e shpejtë në derë dhe brenda hyri Badi.

‐ Tungjatjeta, Tom! Faleminderit që erdhe, ‐ tha ai duke buzëqeshur,

teksa më zgjati dorën.‐ Ulu, të lutem! Mund të të sjell ndonjë gjë për të pirë? Kafe, lëng?

‐ Jo, faleminderit! ‐ u përgjigja unë. ‐ Sot kam pirë shumë.

Zura vend në karrigen prej lëkure të zezë që kisha më afër, duke i kthyer kurrizin dritares, dhe prita Badin, që mbushi për vete një gotë me ujë nga kana që ndodhej në këndin ku shërbeheshin lëngjet. Ai u kthye me gotën e ujit. Në dorë mbante kanën dhe një gotë tjetër. I vuri mbi tryezën që kishim në mes.

‐ Nganjëherë nxehet shumë loja këtu brenda. Kam plot punë për të bërë sot paradite. Të lutem, merr ç’ të duash.

‐ Faleminderit! ‐ belbëzova unë.

Isha mirënjohës për gjestin, por më i pasigurt se kurrë ndonjëherë se ku donte të dilte me gjithë këto.

‐ Tom, ‐ tha Badi papritmas, ‐ kërkova që të vish sot për një arsye ‐ një arsye të rëndësishme.

‐ Dakord, ‐ fola unë me zë të qetë, duke u përpjekur të fshihja ankthin që ndieja.

‐ Ti ke një problem ‐ një problem që do të të duhet ta zgjidhësh, nëse kërkon t’ia dalësh në krye këtu në “Zagrum”.

Ndjeva sikur ma kishin ngjeshur me shkelm në stomak. Kërkova ndonjë fjalë a tingull të përshtatshëm, por mendja më punonte me shpejtësi marramendëse dhe fjalët nuk më vinin. Sakaq u bëra i vetëdijshëm për rrahjet e zemrës dhe ndjesinë se gjaku po më ikte nga fytyra.Sado i suksesshëm që kisha qenë në karrierën time, një nga dobësitë e mia të fshehura ishte se e humbja fillin kollaj. Kisha mësuar ta kompensoja këtë duke stërvitur muskujt e fytyrës dhe sytë për t’u lehtësuar, me qëllim që asnjë ngërç i beftë të mos më tradhtonte për panikun që më pushtonte. Kurse atë çast, sikur fytyra ime instinktivisht e kuptoi se duhej të shkëputej nga zemra ose, përndryshe, do ta merrnin vesh se unë isha ende ai nxënësi i klasës së tretë, që mpakej e mbushej me djersë nga ankthi, duke shpresuar që të merrte një pullë “të lumtë”, sa herë që zonja Li kthente detyrat e shtëpisë.

Më në fund arrita të thosha:

‐ Një problem? Ç’doni të thoni?

‐ Do vërtet që ta dish? ‐ pyeti Badi.

‐ S’jam i sigurt. Ma do mendja se duhet ta di… nga mënyra si u tha.

‐ Po, ‐ pranoi Badi, ‐ duhet ta dish.

Shqipëroi: Pranvera Xhelo

Fragment nga pjesa I në “Drejtimi dhe vetëmashtrimi”, Instituti “Arbinger”