Pronarët, kriteret e reja për të marrë kompensimin, ja sa m2 do të përfitohen

0
154

Dosja e plotë me dokumentet që duhen plotësuar

AKKP do të verifikojë të gjithë procesin

 

4_22Është miratuar vendimi më i fundit për kompensimin e pronarëve. Në këtë vendim qeveria ka ndryshuar kriteret dhe dokumentet që do të duhet për të përfituar masën e kompensimit. Për të marrë kompensimin, pronarët duhet që të plotësojnë 3 kritere. Kushti i parë është që vendimi i i njohjes së pronës dhe i të drejtës së saj për kompensim të jetë përfundimtar, pra të mos jetë në proces trajtimi administrativ apo gjyqësor, ndërsa kriteri i dytë është të jetë i ekzekutueshëm. Kriteri i fundit është që vendimi me të cilin aplikohet të mos jetë trajtuar më parë me kompensim si në të holla, ashtu edhe fizik. “Në rastin e vendimeve, të cilat janë ndryshuar pjesërisht, për efekt klasifikimi, do të merren numri dhe data e vendimit bazë, që është më i hershëm në radhë kronologjike për njohjen, kthimin dhe kompensimin e asaj prone”, – thuhet në vendimin e qeverisë.

Dokumentet që duhen

–  Kërkesa për kompensim në të holla, sipas formularit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi
–  Deklarata për pranimin e kritereve për kompensim dhe të kushteve të tjera që lidhen me to
–  Titulli për njohjen dhe kompensimin e pronës, që, sipas rastit, mund të jetë vendim i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, vendim i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe vendim i gjykatës, në rastet kur vendimet e sipërpërmendura janë ndryshuar në rrugë gjyqësore
– Planvendosja përkatëse bashkëlidhur vendimit, si dhe planin e rilevimit aktual të pronës së njohur për kompensim
– Dëshmia e trashëgimisë
– Nëse disponon, prokurë të posaçme, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm apo disa prej tyre, ku të jetë e përcaktuar tagri për të tërhequr shumën e parave për pjesët takuese, në rast se shpallen fitues
– Vendimet e KKP-së/ZRAKKP-së ku janë përcaktuar pjesët takuese të secilit bashkëpronar, në rastet kur aplikimi kryhet nga një pjesë e trashëgimtarëve përfitues
– Çdo akt tjetër gjyqësor apo administrativ, me anë të të cilit provohet pjesa takuese e secilit bashkëpronar
– Dokumenti i identifikimit (letërnjoftim apo pasaportë) i përfaqësuesit të pajisur me prokurë;
– Mandatpagesa

Subjektet, që kanë aplikuar për kompensimin në të holla, në vitet 2008, 2009, 2011, dhe 2012, të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:

–  Kërkesën për kompensim financiar, sipas formularit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
–  Deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim dhe të kushteve të tjera që lidhen me to, sipas formularit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
–  Dëshminë e trashëgimisë, nëse ka ndryshime në rrethin e trashëgimtarëve të ligjshëm të subjektit të shpronësuar, sipas radhës së trashëgimtarëve, të përcaktuar në Kodin Civil;
–  Prokurën e posaçme, nëse ajo e paraqitur në vitet 2008, 2009, 2011 apo 2012 ka kufizimin në kohë për tagrin e tërheqjes së shumës në të holla.

Detyrat e AKKP-së

Agjencia për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave verifikon dosjen dhe vendimin përkatës, të dhënë nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Kërkon nga zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që, brenda 10 (dhjetë) ditëve, të konfirmojnë, për: Regjistrimin e vendimit përkatës në ZVRPP, përcaktimin e gjendjes juridike aktuale të pronës dhe verifikimin nëse ajo ka ndryshuar nga momenti i daljes së vendimit me të cilin aplikohet, verifikimin e ushtrimit të së drejtës së parablerjes. Kryen verifikimin në terren të gjendjes së pronës dhe mban procesverbalin përkatës. Përgatit planvendosjen e pronës që kompensohet dhe cakton:
-në hartën e vlerës zonën ku ndodhet prona
-në bashkëpunim me subjektin e shpronësuar, pjesën e pronës, që kërkohet për t’u kompensuar, sipas masës që përcaktohet vendimi, dhe i kërkon përfaqësuesit me prokurë të nënshkruajë për pjesën që kompensohet. Po kështu AKKP, llogarit vlerën e sipërfaqes, që kompensohet dhe përgatit vlerësimin ligjor, ku shpjegohen me hollësi për secilin subjekt kërkues:
-vlefshmëria e vendimit të paraqitur nga kërkuesi
– konfirmimet e zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme
– vlerësimi i pronës për kompensim.

 

Masa e kompensimit

– Për pronat e njohura për kompensim deri në 1500 (një mijë e pesëqind) m², masa e kompensimit të jetë deri në 200 (dyqind) m².
– Për pronat e njohura për kompensim mbi 1500 (një mijë e pesëqind) m² deri në 3000 (tre mijë) m², masa e kompensimit të jetë 300 (treqind) m².
– Për pronat e njohura për kompensim mbi 3000 (tre mijë) m² deri në 5000 (pesë mijë) m², masa e kompensimit të jetë 400 (katërqind) m².
– Për pronat e njohura për kompensim mbi 5000 (pesë mijë) m² deri në 10 000 (dhjetë mijë) m², masa e kompensimit të jetë 500 (pesëqind) m².
– Për pronat e njohura për kompensim mbi 10 000 (dhjetë mijë) m², masa e kompensimit të jetë 600 (gjashtëqind) m².

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency