Altin Vorpsi
Kampionët e Shqipërisë janë gati për ndeshjen e parë me kampionët e Azerbajxhanit, e cila do të luhet në orën 18:00
Skënderbeu ka zhvilluar pasditen e djeshme seancën e fundit stërvitore në funksion të sfidës së sotme të vlefshme për turin e dytë eliminator të Champions League me Nefçi Bakun. Kampionët e Shqipërisë duken gati për ndeshjen e parë me kampionët e Azerbajxhanit, e cila do të luhet në orën 18:00. Menjëherë pas stërvitjes së zhvilluar në stadiumin ku do të zhvillohet ky takim, trajneri Mirel Josa dhe kapiteni Bledi Shkëmbi kanë dalë në një konferencë për shtyp.
Deklaratat
Për Mirel Josën kjo sfidë do të jetë delikate pasi nëse skuadra e tij nuk merr një rezultat të mirë në Azerbajxhan atëherë ndeshja e kthimit mund të luhet vetëm për statistika. “Do të përpiqemi të zhvillojmë një lojë të mirë. Nefçi ka një mbrojtje dhe një ofensivë shumë të mirë, por unë kam besim te lojtarët e mi. Jam i sigurt që Nefçi do të bëjë një lojë sulmuese, por mos prisni që ne vetëm të mbrohemi. Mbrojtja mund të jetë vetëshkatërrim. Besoj se nesër (sot) do të marrim një rezultat pozitiv, atë që ne dëshirojmë”, – tha Josa. Ndërsa kapiteni Shkëmbi deklaroi: “Kjo do të jetë një ditë e rëndësishme për të gjithë Shqipërinë. Ne kemi dalë 3 vjet radhazi kampion, kemi bërë paraqitje të mira në dy vitet e kaluara, por ky duket momenti më i përshtatshëm. Pavarësisht diferencave financiare midis ekipeve, ne do të zhvillojmë lojën tonë”.
Bastet
Kompanitë e basteve kanë nisur kuotimin e ndeshjes mes Nefçit dhe Skënderbeut, e cila do të luhet më sot në Baku të Azerbajxhanit. Vendësit janë më të favorizuar, duke qenë se kuotohen mes 1.27 dhe 1.33 për fitoren. Barazimi shkon nga 4.4 në 4.8, ndërsa fitorja e Skënderbeut është vërtet e lartë dhe kuotimet për të janë nga 7.5 deri në 10. Në këtë ndeshje të parë azerët janë favoritë për të triumfuar.
Nefçi Baku, skuadra më e suksesshme e Azerbajxhanit
Kundërshtarja e Skënderbeut në turin e dytë eliminator të Champions League, Nefçi, është skuadër e kryeqytetit të Azerbajxhanit, Baku, e themeluar në vitin 1937. Është klubi më i suksesshëm i këtij vendi me 8 tituj kampion dhe 5 Kupa të fituara pas shkëputjes se Azerbajxhanit nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991. Rivali më i madh i kësaj skuadre në kampionatin vendas është Karabak, ku aktivizohen edhe dy futbollistët e kombëtares shqiptare, Ansi Agolli dhe Admir Teli. Në vitin 2012 Nefçi Baku u bë skuadra e vetme e kampionatit të Azerbajxhanit që mori pjesë deri në fazën e grupeve të Europa Ligë, pasi mposhti në raundin e play-off-it Apoel Nikosian e Qipros. Në 6 ndeshjet e kësaj fazë azerët grumbulluan 3 pikë, duke barazuar në dy përballjet me Partizanin e Beogradit dhe me Interin në “San Siro”. Sa i përket pjesëmarrjes në Champions League, kundërshtarja e Skënderbeut ka arritur ta kalojë dy herë turin në vitet 2004 dhe 2005, duke eliminuar fillimisht Shiroki Brieg të Bosnjë Hercegovinës dhe më pas kampionët e Islandës Hofnarfjaroar. Ndërsa në vitin 2008 arriti deri në turin e tretë të Kupës Intertoto. Nefçi Baku i luan ndeshjet në stadiumin “Backell Arena”, me kapacitet 11 mijë vende, i përuruar në vitin 2010.
Nefçi Baku shmang surprizat: Skënderbeun e njohim mirë
Sot në Azerbajxhan nuk do të ketë surpriza. Për këtë po punojnë fort lojtarët dhe trajneri i Nefçi Bakut, rivales së Skënderbeut në turin e dytë eliminator të Ligës së Kampioneve. Në deklaratat para këtij takimi, trajneri dhe lojtarë të kësaj skuadre kanë treguar se e njohin fare mirë Skënderbeun. Ata e vlerësojnë në maksimumin skuadrën e Josës. Kjo e fundit do të gjejë sot një rival të përgatitur për të dhënë 100% në fushë.
Trajneri
Numri një i bankinës së Nefçi Bakut, Hakiev Boikaga ka qenë i pari që ka “predikuar” për kujdes. Gjatë konferencës për shtyp ai tha se pret që Skënderbeu të luajë në mbrojtje:”Ne e respektojmë Skënderbeun. Ne respektojmë dëshirën e tyre për të fituar. Ju them se pres që të luajnë në mbrojtje. Por çdo skemë ka kundërskemën e saj”.
Sadikov
Ndërkohë për Sadikov ekipi shqiptarë nuk duhet nënvleftësuar pasi prej tre vitesh është kampion në Shqipëri: “Ata kanë fituar për tre vite me radhë kampionatin. Kjo do të thotë diçka. Ne e dimë që Skënderbeu është një ekip shumë serioz. Por nga ana tjetër duam që të kalojmë këtë tur. Objektivi ynë i madh është pjesëmarrja në fazën finale të Ligës së Kampioneve”.