Çifti Agalliu: Dhëndri, agresiv, i dhunshëm dhe pijanec, e rrahu vajzën edhe tri ditë para vrasjes

0
371

Sonja Caka

Familja e 35-vjeçares së vrarë nuk pranon në varrim familjen e dhëndrit. Fëmijët e viktimës merren në kujdestari nga prindërit e vajzës

 

ilirjan e alketa cani

Një ditë pas krimit të rëndë, pasi kanë përcjellë për në banesën e fundit vajzën e tyre, Alketën, prindërit e saj vazhdojnë të jenë mjaft të tronditur për ngjarjen e rëndë. Prindërit e viktimës 35-vjeçare, e vrarë nga dora e bashkëshortit të saj Ilirjan Canit, e përshkruajnë si mjaft agresiv, të dhunshëm dhe si konsumator pa masë të alkoolit dhëndrin e tyre, i cili tashmë gjendet në gjendje kritike për jetën në Spitalin Ushtarak. Madje, ata kanë rrëfyer se tri ditë para ngjarjes së rëndë, vajza e tyre Alketa është dhunuar rëndë nga i shoqi, ndërsa shprehen se prej kohësh nuk kishin një komunikim me 40-vjeçarin për shkak të problemeve që i sillte vajzës së tyre. Gruaja rrëfen se ditën e ngjarjes e ka telefonuar Ilirjani rreth orës 13:00, telefonatë që e ka habitur për shkak të mungesës së komunikimit mes tyre. “U habita që më telefoni. Unë isha me nipërit në plazh dhe fillimisht e pyeta se mos kishte ardhur në Durrës. Ndërsa ai më tha: “Flasim më vonë”. Ndërsa për ngjarjen më mori nusja në celular dhe më tha se Alketa ishte pak sëmurë. E parandjeva që diçka do kishte ndodhur, pasi e dija që ai ishte pijanec dhe dhunonte vajzën. E vetmja pyetje që i kam bërë nuses ishte, nëse vajza ime merrte ende frymë. Por ajo kishte humbur jetën në vend, pasi ai e ka goditur me 8 plumba. Pa pasur asnjë motiv, asnjë problem nga vajza ime, e cila mbante familjen me bukë. Kur erdhëm nga plazhi mora vesh se vajza më kishte vdekur, dhe dy djemtë e mi u morën në pyetje në polici. Alketa kishte frikë nga ai dhe nuk donte që të fliste me të, pasi ruante vëllezërit e saj”, – tregon Fluturie Agalliu. Kjo familje, pas krimit të rëndë, ka vetëm një merak, që njerëzve t’u përcillet e vërteta e ngjarjes dhe të mos abuzohet. Prindërit e viktimës shprehen se vajza e tyre kishte përfunduar Fakultetin Ekonomik, por nuk ishte e punësuar në shtet dhe prej disa kohësh punonte si shitëse në një butik. Arsyeja pse kishte filluar në një punë të tillë ishte mirëqenia e familjes, me qëllim që dy fëmijëve të saj të mos u mungonte asgjë. Ndërsa lidhur me përplasjen e tri ditëve para ngjarjes, kur Ilirjani e kishte dhunuar Alketën, nëna e saj lumturia ka rrëfyer se “tri ditë para se të ndodhte ngjarja, vajza imë është dhunuar nga burri i saj. Ai pinte dhe bëhej agresiv duke e goditur. E kishte rrahur dhe vajza ime kishte buzën e çarë. Alketa nuk donte që të fliste dhe të tregonte problemet, pasi kishte merakun e vëllezërve. Para disa vitesh, ai e dhunoi shumë rëndë vajzën tonë, me shenja nxirjeje në fytyrë. Vëllai i madh i Alketës tentoi të ndërhynte dhe ai i theu nofullën djalit tonë. Alketa kishte merak për vëllezërit dhe nuk donet t’i përfshinte. Vetë mua që isha nëna e saj shumë pak më tregonte. Vajza nuk bënte denoncim për dhunë se kishte frikë nga ai, se mos e vriste”. Lidhur me marrëdhëniet mes krushqinë e tyre pas këtij krimi, nëna e 35-vjeçares së vrarë rrëfen se nuk I kanë pranuar familjarët e autorit në varrimin e vajzës. “Nuk i kemi pranuar familjarët që të na vinë në varrim”, përfundon me lot në sy nëna e Alketa Canit. Më pas ndërhyn babai I të ndjerës, Rustemi, I cili shprehet se vajza e tyre nuk dëshironte të komunikonte me ta për problemet personale. “Ajo nuk më thoshte, jo se mendonte se nuk e kuptoja, por me idenë se situata do zgjidhej”, – mbyll reagimin e tij Rustem Agalliu. Tashmë, pas vdekjes së të bijës, Rustem e Lumturie Agalliut u duhet të rrisnin dy djemtë jetimë të vajzës së tyre Alketës, e cila humbi jetën pasi u qëllua me armë automatike nga i shoqi, Ilirjani. Tashmë, dosja e vrasjes së 35-vjeçares i ka kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila ka ngritur akuzë ndaj Ilirjan Canit për veprat penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.

Familja Cani

Situata më e rëndë paraqitet në familjen e Ilirjan Canit. Të afërmit e tij e konsiderojnë mjaft të rëndë ngjarjen, ndërsa mohojnë që mes Ilirjanit dhe Alketës të ketë pasur konflikte, duke kundërshtuar dëshmitë e prindërve dhe të afërmve të Alektës. Ndërkohë që, ata pranojnë se i afërmi i tyre ishte konsumues alkooli dhe kishte borxhe për shkak të kredisë. “Ju lutemi të na lini të qetë! Kjo ngjarje është një fatkeqësi për ne dhe nuk kemi se çfarë të themi. Nuk e kuptojmë se si ndodhi dhe çifti kishte raport shumë të mirë. Çdo pasdite dilnim bashkë të dy dhe i kishin zili të gjithë në lagje. Është e vërtetë që Ilirjani e kishte qejf alkoolin”, – shprehet një nga të afërmit. Ndërsa mes të afërmve është edhe Altin Cani, kushëriri i autorit, i cili gjeti çiftin në banesë pas krimit. Ai shprehet se e mori Ilirjani në telefon dhe i kërkoi ndihmë. “Më mori në telefon dhe më tha që të vija me urgjencë në banesë, pasi nuk ndihej mirë. Më tha që ishte sëmurë. Kur unë vajta, gjeta trupin e pajetë të Alketës, që po përpëlitej. Ndërsa Iliri ishte i plagosur dhe po i dilte gjak. Njoftova me urgjencë policinë dhe ambulanca mori trupin e Ketës. U pyeta nga policia për këtë ngjarje”, – shprehet djali i xhaxhait të Ilirjanit.

 

Konflikti për pronësi, dhëndri qëllon për vdekje me levë në kokë vjehrrin

Policia, arrestohet si i dyshuar për krimin brenda familjes Kiço Gjini, plagosi edhe vjehrrën Lefterie Koka

Krimi brenda familjes jep goditjen e radhës. Kësaj here ka qenë dhëndri ai që ka ngritur dorë ndaj prindërve të gruas, duke lënë të vdekur vjehrrin e moshuar 91-vjeçar, ndërsa e plagosur rëndë ka mbetur gruaja e viktimës. Sipas burimeve policore, sherri për pronën ka përfunduar me një të vrarë në Kaharaxh të Sarandës. Viktima, i cili mësohet të jetë goditur me levë në kokë, është Jani Koka, 91 vjeç, dhe për autor dyshohet dhëndri i tij, Kiço Gjini, 65 vjeç. Paraprakisht dyshohet se sherri ka nisur pasi e bija e viktimës ka pretenduar një pronë që ishte në emër të babait të saj. Dhëndri dhe vjehrri janë konfliktuar në një nga rrugicat e fshatit mes njëri-tjetrit dhe nga fjalët, konflikti degjeneroi në krim, pasi dhëndri e qëlloi me levë në kokë të moshuarin. Por, gjatë kësaj përplasjeje, dhëndri nuk ka kursyer as vjehrrën e tij, Lefeterien, e cila ndodhet e shtruar në spitalin e Sarandës në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Policia, e njoftuar për ngjarjen, ka shkuar menjëherë në fshatin Kaharaxh dhe nga hetimet paraprake arriti të zbardhë se autori i krimit dyshohet dhëndri i viktimës, Kiço Gjino, të cilit i janë vënë prangat për këtë krim.

Ngjarja

Në orët e mesditës, policia e Delvinës është njoftuar se në fshatin Kaharaxh të Delvinës është vrarë me sende të forta një person. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe nga hetimet e para ka rezultuar se në një rrugicë të fshatit Kaharaxh, në afërsi të banesës së tij, shtetasi Jani Koka, 91 vjeç, banues në këtë fshat, për motive pronësie është qëlluar me sende të forta (levë hekuri) nga shtetasi Kristo Gjini, 65 vjeç, banues po në këtë fshat, me të cilin ishte në marrëdhënie familjare (dhëndri i tij). Gjithashtu, nga ky konflikt, e dëmtuar ka mbetur edhe shtetasja Lefterie Koka, (bashkëshortja e viktimës) e cila aktualisht është në Spitalin e Sarandës ku i është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore. Pasi ka zbardhur ngjarjen, policia arrestoi në flagrancë shtetasin Kristo Gjini, 65 vjeç, banues në Kaharaxh, Delvinë. Nga veprimet e kryera nga grupi hetimor rezulton se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit për motive pronësie. Pas hetimeve të para, këqyrjes së vendit të ngjarjes, marrjes së dëshmive dhe mbledhjes së provave, materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë për hetime të mëtejshme.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency