Trepça: As në likuidim, as në privatizim

0
170

TrepcaKombinati metalurgjik “Trepça” duhet të ristrukturohet dhe jo të privatizohet, thonë edhe udhëheqës të kësaj ndërmarrje dhe njohës të çështjeve ekonomike.

Riorganizimi i gjigantit “Trepça” do të ringjallë zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, thotë Zenel Ibrahimi, zëvendësmenaxher i divizionit të shërbimeve të përbashkëta në kombinatin “Trepça”, duke shtuar se për zbatimin e këtij projekti ekzistojnë kapacitete të mjaftueshme.

“Interesi primar është që ‘Trepça’ të ristrukturohet në të ashtuquajturën ‘Trepçë e re’, E  cila do të rrisë kapacitetin e prodhimit edhe pse e ka si lëndë e parë, të rrisë numrin e punëtorëve, sepse ka xehe të mjaftueshme edhe për shumë vite”, thekson Ibrahimi.

Idetë për ringjalljen e gjigantit ekonomik të Kosovës të minierave dhe mineraleve Trepça janë prezantuar ditën e mërkurë nga Qeveria e Kosovës, duke vlerësuar se kjo ndërmarrje nuk duhet privatizuar, por duhet të fillojë një proces ristrukturimi dhe riorganizimi që mundëson rikthimin e këtij gjiganti në shërbim të ekonomisë së Kosovës.

Aktualisht “Trepça” është në procedurë të riorganizimit, nga Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, ndërkohë që Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës nuk kanë ndikim në rrjedhën dhe menaxhimin e saj.

Bardhyl Meta, nga Oda Ekonomike Gjermane në Kosovë, konsideron se ristrukturimi është i nevojshëm, por në radhë të parë sipas tij, këtë kombinat nuk duhet të menaxhojë AKP-ja.

Sipas tij, çështja e “Trepçës” ende qëndron në avull pasi nuk dihet se kush është përgjegjës në  dështim, ose kush mund të jetë meritor për sukseset eventuale.

“Askund në botë një agjenci e privatizimit nuk është i njohur se dinë të menaxhojë, të ristrukturojë firma, t’i shndërrojë ato nga të pasuksesshme apo të  falimentuara, në të suksesshme. Atëherë lind pyetja, kush janë ata menaxherë me famë botërore në AKP-ja, që bëjnë ristrukturimin e Trepçës?”, shprehet Meta.

Për këtë Meta konsideron se nevojiten debate të mëtutjeshme, pasi ë, sipas tij, Trepça është aset kombëtar, dhe nuk guxon të shkojë në procedura të privatizimit “skandaloze”.

“Trepça duhet të hiqet si lëndë në AKP- nuk duhet të hyjë në ato procedura dhe shkojë në rrjedhat e privatizimeve skandaloze që kemi pasur në Kosovë, kjo nuk do të thotë se kjo duhet të shtetëzohet, por t’i shikojmë format dhe modalitet më të mira për ringjalljen e Trepçës”, thotë Meta.Kombinati  “Trepça”, si gjigant ekonomik kosovar me asete dhe degë të ndryshme të shpërndara në rajone të ndryshme, jo vetëm në Republikën e Kosovës, por edhe jashtë saj, ka qenë një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë në vitet ‘80, me mbi 20 mijë punëtorë.

Trepça që gjendet në Mitrovicë është i vetmi prodhues i këtij lloji në Kosovë.

Aktualisht, merret me nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve, kryesisht të plumbit dhe zinkut, por është edhe ndërmarrje industriale. Nga minierat, xehja e plumb-zinkut përpunohet deri në koncentrat, që më pas shitet në tregun evropian.

Ristrukturimi i Trepçës do të jetë në interes të gjithë Kosovës, thotë Zenel Ibrahimi, nga ky kombinat. “Trepça ka resurse humane të mjaftueshme për të vazhduar me punë. Do të thotë ka ekspertë të mjaftueshëm dhe nuk kemi nevojë për ekspertë të huaj, vetëm organizimi i ekspertëve të brendshëm dhe e drejta për veprim”.

“Trepça është duke punuar, fjala është për Stantërg dhe Artanë, i kemi të punësuar 1,505 punëtorë. Dhe sot jemi duke përfunduar kontratën për shitjen e koncentratit që besoj se do të shitet brenda 10 ditësh”, thekson Ibrahimi.

Sidoqoftë, pas përfundimit të luftës, gjatë periudhës 2000 – 2004, miniera nuk ka prodhuar, por ka qenë në  hulumtim dhe përgatitje të punishteve për prodhim.

Kështu në vitin 2005 miniera ka filluar me prodhimin e xehes së Plumbit dhe Zinkut me kapacitet minimal. Suksesi më i madh i kombinatit të Trepçës u arrit në vitin 1983, atëherë kur Trepça eksportoi mallra me vlerë prej 103 milionë dollarë, duke u radhitur në vetin e pestë të eksportuesve në ish Jugosllavi. Për 58 vjet të punës prodhuese, kombinati i Trepçës ka prodhuar 33 milionë ton xeheror me përmbajtje mesatare 9 për qind plumb dhe zink apo rreth 3 milionë ton metal.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency