Si ndryshon Bajerni me Tiagon

0
143

Punoi Altin Vorpsi

thiagoalcantara_guardiola_3Ardhja e Tiago Alkantarës në Mynih është çështje orësh. Bajerni, nëpërmjet “Kalle” Rrumeniges, i ka paraqitur ofertën Barçës, që nga ana e saj nuk mund ta refuzojë, pasi është katër milionë më e madhe sesa ç’parashikon kontrata e të riut. Me këtë lëvizje pritet që tek skuadra bavareze të ndryshojnë shumë skemat. Tani Pep Guardiola do të ketë shumë alternativa për skuadrën e re

 

Në fushë një mori superlojtarësh që nga bankina do të mbështeten nga të tjerë që mund të ishin titullarë në cilëndo skuadër tjetër të Evropës. Të gjithë këta të drejtuar nga “supertruri” i Pep Guardiolës. Rivaleve të Bajernit të Mynihut në Kupën e Kampioneve dhe Bundesligë, përveçse një skuadër e mirë, trajner i mirë dhe shumë fat, do t’u duhet edhe një “orakull”… vetëm një si ky i fundit do të parashikojë tashmë variantet e lojës së Pep Guardiolës që me Tiago Alkantarën mund të ndryshojë si të dojë dhe sa herë t’i duhet formacionin.

 

Skema 1

Një nga pesë variantet që mund të përdorë Pep Guardiola është ai që i mundësoi fitoren Jup Hejnkesit në çdo front. Flasim për skemën 4-2-3-1. Në këtë skema Tiago do të zinte vendin e Martinezit pranë Shvajnit në “digën” para mbrojtjes. Sa i përket baskut, nuk do të humb vendin e titullarit pasi ai di të luajë edhe në mbrojtje. Kështu në rrezik është vendi i Boatengut. Ndërkohë që për tre vendet prapa sulmuesit të vetëm (Manxhukiçi) do të jenë në garë katër lojtarë si Riberi, Myler, Gëtce dhe Roben.

 

Skema 2

Në variantin e dytë, Pep Guardiola do të “sakrifikojë” Manxhukiçin për të hapur një vend për Tiagon në mesfushë. Me këtë variant Bajerni parashikohet që të luajë me tre sulmues dhe tre mesfushorë. “Tredhëmbëshin” para do ta formojë Riberi, Gëtce dhe Roben, ndërkohë që para katër mbrojtësve do të luajë Martinezi. Spanjolli do të mbështesë dyshen Shvajnshtajger-Tiago.

 

Skema 3

Varianti i tretë i ngjan shumë atij të dytit, vetëm se kësaj here Bajerni parashikohet që të luajë më një sulmues të pastër, siç është Mario Manxhukiçi. Kroati do të kishte përkrah Riberinë dhe Robenin. Ndërkohë, në mesfushë Shvajni dhe Martinezi do të luanin para katërshes së mbrojtjes. Ndërkaq, Tiagoja do të luante para kësaj dysheje. Në këtë skemë nuk ka vend për një tjetër lojtar, që sapo ka mbërritur në Mynih, Mario Gëtce. Mr. 37-milionëshi do të gjente hapësirë në sulm nëse Pep do të vendoset që të luante më “9 fals”.

 

Skema 4

Varianti i katërt është pothuajse i njëjtë me atë të tretë. I vetmi pozicion që do të ndryshonte do të ishte ai i Riberisë. Francezi do të luante si “dhjetësh”, ndërkohë që Tiago do t’i merrte vendin në krah. Siç e ka thënë edhe vetë Pep Guardiola, Alkantara di të bëjë shumë role. Kështu, nëse një ditë tekniku katalanas do të bëjë një lëvizje të tillë, askush të mos habitet.

 

Skema 5

Varianti i pestë do të ishte më i përshtatshmi për këtë skuadër. Në këtë variant Pep Guardiola ka parashikuar që të aktivizojë tre qendërmbrojtës. Dante, Martinez dhe Boateng do të rreshtoheshin para Nojerit, ndërkohë që mbrojtësit e krahut, Alaba dhe Lam, do të kalonin në mesfushë (gjithsesi funksioni i tyre do të ishte i njëjtë, pasi edhe tani ata zbresin dhe ngjiten në tërë krahun). Mes tyre do të aktivizohej Shvajni. Ndërsa para do të luante Riberi, Gëtce ose Myler dhe Tiago. Në sulm do të luante i vetëm Mario Manxhukiç. Deri më tani nga sa kanë shpjeguar takticienët gjermanë nga formacioni bazë nuk ka vend për lojtarë si Toni Kros, Luiz Gustavo, Xherdan Shaqiri dhe Tomas Myler.

 

 

Mendimi

Mojes vlerëson Januzajn: Ka të ardhme

Kur në fushë të shkëlqejnë talentet, atëherë humbjet dalin në planë të dytë. Devid Mojes nuk shqetësohet për disfatën në miqësoren e parë të tij në stolin e Junajtidit, përkundrazi, ka marrë sinjale pozitive nga Januzaj dhe Zaha. “Nuk besoj se kjo disfatë është ogur i keq. Nëse humbasim, jam i lumtur të humbasim këto lloj ndeshjesh. Është vetëm fillimi i fazës përgatitore. Gjendja fizike e lojtarëve nuk ishte e keqe. Adnani luajti shumë mirë dhe ishte një plus për ne. Ai ishte zgjedhja më e mirë në këtë ndeshje. Është gjithnjë mirë kur i jep shansin një lojtari për t’u shfaqur dhe ai e shfrytëzon. Këtë bëri Januzaj. Sa më shumë të luaj kështu, aq më shumë shanse do të ketë në të ardhmen. Edhe Zaha bëri një ndeshje të mirë. Ishim në krizë sulmuesish, pa Van Persin, Runin dhe Hernandezin e Kinin të dëmtuar”.

 

Përgatitjet

Pelegrini “streson” Sitin

Tekniku kilian i Sitit, Manuel Pelegrini, po e bën skuadrën të djersijë në Afrikën e Jugut. Ish-trajneri i Vijarealit, Realit dhe Malagës po e nxjerr Mançester Sitin tri herë në stërvitje për të fituar sa më parë gjendjen fizike të lojtarëve. Trajneri i fitnesit, Hoze Kabejo, po bën gjithçka që faza përgatitore në Durban të mos duket si një kamp pushimi. “Gjëja më e rëndësishme për momentin është gjendja fizike e lojtarëve dhe ne po punojmë fort me Hozenë. Sa i përket stërvitjes taktike, ne po zhvillojmë vetëm disa ndeshje të vogla me skuadra nga 6 apo 7 lojtarë dhe me një takim, asgjë më shumë”, – u shpreh menaxheri. Siti udhëtoi drejt Pretorias ditën e djeshme, sepse sot e pret miqësorja e parë e sezonit në “Loftus Versfeld Stadium” përballë skuadrës së Supersport Junajtidit.

 

“Le Parisien”

Valdano do të jetë pasardhësi i Leonardos

“Le Parisien” ka zbuluar gjithçka. Drejtuesi i ardhshëm i PSG-së do të jetë ish-drejtori sportiv i Realit, Horge Valdano. Kampionët e Francës po mendojnë pasardhësin e Leonardos, i cili do të largohet nga klubi pas skualifikimit 13-mujor që i dha Disiplina për një shtyrje ndaj arbitrit. Ish-drejtuesi i Realit që la detyrën në vitin 2011 si pasojë e konflikteve me trajnerin Murinjo, ka fituar ndaj konkurrencës së Klod Makeleles, ish- lojtar i PSG-së.

 

Prezantimi tek Reali

Ilarramendi: Është një nder të jem këtu

Presidenti i Realit të Madridit prezantoi në “Santiago Bernabeu” blerjen më të re të klubit merenges, Asier Ilarramendi. Talenti spanjoll tha para të pranishmëve se nuk e kishte imagjinuar kurrë se një ditë do të vishte një bluzë tjetër nga ajo e Real Sociedadit: “Është një ditë shumë e veçantë për mua. Të jesh pjesë e Realit të Madridit është një arritje e madhe. Vendimi nuk ishte i lehtë, sepse me Sociedadin kam kaluar momente të bukura. Atje kam luajtur për 12 vjet, që kur isha fëmijë. U jam mirënjohës Real Sociedadit dhe tifozëve për mbështetjen që më kanë dhënë, por ju siguroj se tani do të jap gjithçka për këtë bluzë”. 23-vjeçari do të veshë fanellën më numër 24 për gjashtë vitet e ardhshme në “Santiago Bernabeu”, ku do të përfitojë 2.5 milionë euro në sezon. Spanjolli siguroi se pavarësisht ndryshimeve të mëdha në karrierën e tij, ai do të mbetet i njëjtë . “Unë vij nga një qytet i vogël në një klub të madh. Gjithçka po ndodh do të ndryshojë jetën time, por jo mua. Unë në vend të Ksavit? Alonso është një lojtar i madh, ai ka qenë pika ime e referimit. Edhe ai ka luajtur më parë te Real Sociedad, por këtu do të kem mundësinë ta njoh më mirë”, – tha i riu. Për presidentin Florentino Perez, blerja e Ilarramendit ishte një tjetër hap për realizimin e një projekti ambicioz me talentet e reja. “Ne po punojmë çdo ditë për përsosjen e projektit tonë sportiv. Ne jemi në kërkim të futbollit spektakolar, që e dëshiron edhe trajneri Ançeloti. Duam ta bëjmë realitet ëndrrën e tifozëve”. Perez tha gjithashtu se qenia pjesë e Realit do të jetë një sfidë e madhe për Asier Ilarramendin, që vjen nga një krahinë që ka nxjerrë gjithmonë futbollistë të mëdhenj.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency