Shtetit nuk i bën mirë dypushteti

0
126

Artan Fuga

 

Fuga_-_Photo1Pas zgjedhjeve ku koalicioni i majtë fitoi thellë është krijuar një situatë paradoksale ku duket sikur ka dy qeveri.

Sikur ka edhe dy lokale ku qëndrojnë selitë e tyre. Nga njëra anë ndërtesa e Këshillit të Ministrave te bulevardi i “Dëshmorëve të Kombit” dhe nga ana tjetër “Zyra e Kryeministrit të zgjedhur” sikurse shkruhet te foltorja te selia e Partisë Socialiste.

Situata vazhdon tamam si një ditë e nxehtë vere, sepse nga njëra anë në mitingjet e partisë demokratike që vazhdojnë sikur të ishim para 23 qershorit, në fushatë, bëhet thirrje për të mbrojtur vendet e punës të demokratëve në administratën publike, nga ana tjetër te Rilindja vazhdon procesi i dërgimit të CV-ve për vende pune.

Administrata është në mitingje për të mos humb vendet e punës, kurse militantët kërkojnë punë në administratë.

CEZ-i i kundërvihet KESH-it dhe KESH-i i kundërvihet CEZ-it, a thua se janë dy kompani konkurrente dhe duket që tutje se drejtuesit e tyre ndodhen në situata tensioni paszgjedhor.

Qeveria merr disa vendime të rëndësishme financiare dhe kombëtare, duke theksuar se i ka pas parashikuar në buxhet dhe në strategjitë e veta politike, kurse grupi për programin afatshkurtër të qeverisë së ardhshme deklaron se këto vendime nuk do të njihen.

Halli edhe i ceremonive, sepse edhe në ambasada të huaja nuk dihet se kush do ta përfaqësojë shtetin, ekipi i deritanishëm qeveritar apo ekipi i ardhshëm paraqeveritar.

Analistët nëpër studio nuk dinë si të përdorin fjalorin, “minoranca” apo “mazhoranca” kush është? Është në pushtet minoranca e ardhshme dhe në opozitë mazhoranca e dalë nga zgjedhjet, apo është e kundërta?

Cilat janë ministrat, ata që vazhdojnë të jenë apo ata që janë ministra në hije?

Administrata publike është disi e shkoqur, nëpunësi ka hallin e vet dhe nuk ka nge të merret me hallet e qytetarit.

Në fakt, është një situatë që ka nisur qysh kur nisi realisht fushata. Pra ka nisur nga fundi i prillit dhe do të shkojë si duket së paku deri nga fundi i shtatorit.

Fiks gjashtë muaj me administratë publike të çekuilibruar.

Është shumë, kaq shumë.

Gjashtë muaj në katër vjet është një e teta e një mandati qeverisës.

Kush ka të drejtë, ata që ikin nga pushteti, të cilët thonë se janë brenda ligjit derisa kanë ende mandate, apo ata që po vijnë në pushtet derisa thonë se e kanë marrë tashmë mandatin e sovranit?

Unë mendoj se ky problem zgjidhet duke mos e lënë kaq të gjatë periudhën tranzitore mes dy pushteteve. Kjo gjendje kushtetuese nuk është normale. Pas zgjedhjeve Kuvendi i ri duhet të fillojë punë sa më parë.

Dhe puna e parë është të nxjerrë qeverinë.

Brenda 15 ditësh tashmë kjo do të duhej të ishte bërë dhe nuk do të kishim këto ndërlikime. Ndryshimet kushtetuese kanë lënë një periudhë të gjatë dypushteti.

E pëson shteti dhe qytetari.

Duket sikur forcat që do të vijnë në pushtet ende përgatisin programet qeverisëse, dhe ata që ikin kopsitin dokumentet.

Është një kohë kaq e papërcaktuar saqë boshllëkun e saj ulëritës mundohen më kot ta mbushin në ekrane zëdhënëse që bëjnë deklarata të kota dhe pa shumë dobi dhe analistë në studio që kanë kohë boll të merren me detaje pa bukë.

Dikush do të thotë se kjo kohë duhet derisa KQZ të përfundojë certifikimin e rezultateve të votimit.

E ka gabim.

Po të jetë për atë numërimi mund të përfundojë edhe në shtatorin 2017…

Puna është se nuk duhet caktuar apriori një afat kaq i gjatë kushtetues. Nëse KQZ mbaron punë shpejt përse të mos fillojnë punimet e Kuvendit të ri qysh në gusht?

Apo kanë nevojë deputetët për pushime!

Po ashtu Kuvendi mund ta fillojë punën sikurse bëhet gjetiu me deputetët dhe pastaj nëse ankimimet nxjerrin gjera të tjera le të ketë deputetë që ta humbin mandatin.

Qytetari nuk mund të mbetet kaq gjatë në një gjendje të pacaktuar administrative.

Shtetit nuk i bën mire fare dypushteti.

As politikanë besoj, as atyre që këtë radhë kanë humbur, as edhe atyre që këtë radhë kanë fituar.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency