Version zyrtar: Regjimi komunist u instalua me anë të ushtrisë!

0
122

Një libër studimor me autor Çelo Hoxhën artikulon për herë të parë përmes dokumenteve dhe dosjeve arkivore të nxjerra nga Arkivi i Shtetit dhe ai i Ministrisë së Brendshme mbi ardhjen e regjimit komunist me anë të ushtrisë; ky është një qëndrim zyrtar që mban i vetmi institucion publik, shtetëror, i krijuar 20 vjet pas rënies së komunizmit, Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit

 

3769128490_a6dd789edcTe “Arqipelagu i Gulagut”, shkrimtari rus Aleksander Solzhenicin shpjegon në hyrje të tij se nisi të shkruante këtë libër me dëshmi të gjalla me shpresën e pakët se do të mund të shpëtonin dokumentet e arkivave ruse që do të ndihmonin me zbardhjen e krimeve të Stalinit mbi popullatën. Fjalën e kishte për të lënë një trashëgimi së paku për t’i dëshmuar të ardhmes mbi krimet komuniste dhe gjithë shqetësimin e kishte se dosjet apo dokumentet që do të flisnin për to mund të zhdukeshin ose së paku të manipuloheshin. Dalja e të vërtetës dhe njohja e krimeve komuniste ishte thelbi për Solzhenicinin.

Por ky zë këtu nuk dëgjohej, kur më ‘44-ën u vendos diktatura komuniste në Shqipëri. Të gjithë jemi akoma dëshmitar të krimeve, por kur kanë mbetur pak specie nga ata që vuajtën burgjeve komuniste dhe vuajtën përndjekjet dhe persekutimin, arkivat vazhdojnë të jenë hermetike. Edhe këtu shumë pak besojnë se në to mund të jetë ruajtur e vërteta. Dosjet që flasin për urdhra dhe vendime dënimesh e pushkatimi nuk njihen plotësisht. Fjalë ka deri tani se janë zhdukur, po askush nuk e konfirmon këtë. Ndërsa disa njerëz me vetëmohim e punë murgu shkojnë përditë për ta prekur këtë terren të minuar ende nga psikoza komuniste edhe pas 23 vjetësh nga rënia e regjimit.

Me ngritjen e Institutit të Studimit të Pasojave të Krimeve Komuniste zyrtarisht po krijohet një bibliotekë e njohjes së krimeve komuniste. Pas të parës enciklopedi të krimeve komuniste, para pak ditës është prezantuar një kolanë prej dhjetë botimesh.

Çfarë do quhej fillesë në këtë prezantim sidomos pas botimit të enciklopedisë është një libër studimor që lidhet me zanafillën e të kuptuarit të historisë komuniste në vendin tonë.

Po flasim për një libër të hollë në sasi, por që mbështjell një trajtesë të ngjeshur, thelbësore dhe mjaft të rëndësishme prej nga duhet nisur rruga për studimin e pasojës së krimeve të komunizmit në Shqipëri.

Bëjmë fjalë për librin “Fillimet e diktaturës komuniste në Shqipëri”, me autor Çelo Hoxhën, që përfshin vitet 1944-1948. Në mënyrë sporadike kjo fazë është prekur nga studiues, apo historiane po asnjëherë për ta lëruar si trajtesë e periudhës, kur embrioni i komunizmit filloi të zgjerohet në Shqipëri deri në vendosjen e regjimit në ‘44-ën. Kjo është lënda e parë e librit “Fillimet e diktaturës komuniste në Shqipëri”, ndërsa për herë të parë artikulohet përmes dokumenteve arkivore edhe mendimi i studiuesit se regjimi komunist në Shqipëri u instalua me anë të ushtrisë. Me dëshmimin e kësaj Hoxha i kushton kapitullin e parë “Vendosja e regjimit ushtarak në Shqipëri”, si zgjatim i projektit të dërguar nga Jugosllavia. “Një rëndësi shumë të madhe për ne ka patur fakti i dëshmisë nëpër arkivat e shtetit, është një pjesë dëshmish që kurrë se kanë parë dritën dhe që kanë qenë në arkiva për nga historianët, versioni zyrtar, nuk janë preferuar, pra ka pasur një selektim të skajshëm, kryekëput ideologjik, siç më duket mua dhe pas rënies së komunizmit. Për herë të parë ua sjellim qytetarëve shqiptarë dëshmitë rrëqethëse qoftë të kryengritjeve, të sistemit të trisketimi, një shantazh gjenocidial nëpërmjet urisë”, është shprehur Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, kur u prezantua kolona. “Fillimet e diktaturës në Shqipëri” është e ndarë në tre kapituj: Vendosja e regjimit komunist në Shqipëri; Ekonomia shqiptare në periudhën 1945-1948; si dhe Roli i jugosllavëve në qeverisjen shqiptare në vitet 1945-1948. Përveç zbulimit dhe zbardhjes së kësaj periudhe dhe të rejat që sjell duke u mbështetur në dokumentacione arkivore, studiuesi Hoxha sjell një stil shkrimi që i jep librit jo vetëm narracionin historik, por dhe atë publicistik. Libri ka një referencë të pasur bibliografike, ku mjaft prej dokumenteve dhe autorëve të referuar ndeshen për herë të parë si fakte historike.

V. Murati

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency