Kur Ministria e Kulturës u bën shantazh drejtorëve të padëgjueshëm

0
195

Jeton Neziraj

 

06_G_pol-Ministria_e_Kultures_kerkon_20_milione_euro_per_2012S’është çudi që edhe Gogolin e përrallave një ditë do ta trembin me “dil nga përralla se ta çojmë Auditorin”. Gogoli, jo ai shkrimtari i famshëm rus N. V. Gogol, por figura e tmerrshme e përrallave dhe besimeve të kota, vazhdon të ngacmojë imagjinatën e fëmijëve. Fëmijët e perceptojnë atë si krijesë të përçudnuar e cila mund t’i hajë, t’i grabisë ose t’u bëjë ndonjë gjë të ligë. Shpesh kur të rriturve u sosen argumentet logjike dhe kur dëshirojnë të bëjnë presion tek fëmijët, për t’i urtuar ose për t’i vënë në gjumë, atëherë ata e thërrasin në ndihmë krijesën imagjinare, Gogolin. Gogoli është ai “gardiani rezervë” i frikës dhe tmerrit të fëmijëve.

Ndërsa, në kajde të kësaj figuroje përrallore të fëmijëve, të rriturit kanë krijuar figurën e tyre, prototipin modern të Gogolit. Gogoli i të rriturve, në të vërtetë, ekziston. Quhet “Auditor”. Mes të rriturish, Auditori, si Gogoli, është bërë figurë e urryer, e frikshme. Dallojnë ndoshta fjalët kërcënuese e frikësuese që të rriturit i përdorin për Auditorin. Ata, ta zëmë, nuk thonë: fle se t’ha Auditori, ose “mos bëj zhurmë se t’merr Auditori”, por përdorin shprehje pak më të sofistikuara “mbylle gojën, se ta çojmë Auditorin”, ose “e mori lumi, i hyri Auditori”, ose “mos kundërshto, se ta ‘shtimë’ Auditorin’, apo ‘gjetjet e auditorit dëshmojnë për abuzime…”!

Shkrimtari rus, N. V. Gogol, që e përmenda më lart, ka një komedi të shkëlqyer e cila quhet “Revizori” (Ревизор). Në një qytezë të varfër, që vlon nga korrupsioni e prapambetja, vije lajmi që Revizori kryesor do të vizitojë qytezën e tyre për një inspektim. Kryetari i qytezës mobilizohet dhe i bën një pritje super bujare “Revizorit”, i cili, në të vërtetë, është një turist rasti, por që krejt aksidentalisht është gjetur në tërë këtë histori. Si rezultat, “Revizori” fillon të vjelë para nga të gjithë në qytezë, madje ia merr edhe gruan kryetarit. Komedia përfundon me largimin nga qyteza e këtij Revizori të rremë dhe ardhjes së atij të vërtetit.

Roli dhe autoriteti i Auditorit në Kosovë është devalvuar për shkak të keqpërdorimeve dhe abuzimeve që më të pushtetshmit kanë bërë me të dhe funksionin e tij. Në të vërtetë, shpesh, Auditori është përdorur më tepër për qëllime propagandistike e diskredituese, sesa vërtet për të hedhë dritë mbi funksionimin financiar, administrativ e prokurues të një institucioni. Aq saqë, çdo herë që dëgjojmë fjalën “auditor”, mendja na shkon tek ajo fjala edhe më e urryer: korrupsion. Sipas asaj shprehjes popullore që thotë: “ku ka tym, ka edhe flakë”, emri i Auditorit shpesh na servohet si i lidhur me korrupsionin. “Ku ka korrupsion, ka edhe Auditor”!

Komedia “Revizori” e Gogolit, ma kujton shumë Kosovën. Të gjithëve na ka rënë të dëgjojmë fjalët “Auditori i brendshëm”, “Auditori i jashtëm” apo “Auditori i pavarur”. Dhe përderisa auditorët e jashtëm dhe ata të pavarur kanë njëfarë autoriteti, auditorin e brendshëm nuk e merr seriozisht askush, e si duket as gjykatat. Ai është ajo marioneta që e përdorin të pushtetshmit. Të gjeturat e auditorit të brendshëm nuk e frikësojnë askënd dhe ato shërbejnë vetëm për të ndërsyer masën, për të njollosur të “papërshtatshmin”, për të shkatërruar ndonjë departament ministror kryeneç, ose ndonjë drejtor të padëgjueshëm. Pra, ai bën ato që quhen dëme kolaterale!

Ja një shembull i freskët. Kohë më parë, Ministria e Kulturës ia dërgoi Auditorin e brendshëm drejtorit të padëgjueshëm të Kosovafilmit. Auditori filloi të kontrollonte dosjen e filmit “Kukumi”, pa çka që ajo dosje deri më atëherë paska qenë inspektuar nga i njëjti auditor edhe së paku 5 herë të tjera, e besa një herë ose dy edhe nga auditori i jashtëm (ai i vërteti). Sa për informacion lexuesit: Drejtorin e Kosovafilmit, MKRS e pat pushuar nga puna. Ai u ankua në Këshillin për Shërbyes Civilë që i dha të drejtë, por ministria nuk e përfilli. Tani drejtori e ka çuar lëndën në gjykatë. Vaj halli. Si bën që një drejtor i një institucioni të vockël të sfidojë një institucion kaq të madh e të fuqishëm siç është MKRS? Beteja u tendos dhe, kur u sosën argumentet tjera, MKRS kërcënoi: “Auditori…”. Dhe ata e dërguan, Auditorin e brendshëm. E derisa ai po hulumtonte të njëjtat dosje që

kishte hulumtuar edhe shumë herë më përpara, MKRS trulloste publikun me lajme: “dyshohet për 300 mijë euro të vjedhura”, “dyshohet për 400 mijë euro të paraportuara”, “Auditori gjen shkelje të rënda në dosjes e filmit ‘Kukumi”… e plot këso paqavurash propagandistike. Fundi? Asgjë! Por, për MKRS ishte e rëndësishme që Auditori shkoi prapë në Kosovafilm, sepse kështu publikut i dërgohej mesazhi: “ku ka Auditor, ka korrupsion”.

Me këtë portretim burlesk që i kanë bërë Auditorit, s’është çudi që edhe Gogolin përrallor një ditë do ta trembin me “dil nga përralla se ta çojmë Auditorin”. Madje, ndonjë Auditori të jashtëm kryeneç, ata do t’ia dërgojnë Auditorin e brendshëm, që ta diskreditojnë publikisht. E pastaj, Auditorit të brendshëm mund t’ia dërgojnë Auditorin e brendshëm të brendshëm… E të brendshmit, të brendshmit, mund t’ia dërgojnë Auditorin e brendshëm, e brendshëm, e brendshëm… Shhhhtttt!

*Autori është regjisor dhe dramaturg i njohur nga Kosova

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency