Caktohet Kolegji Penal për dosjen “Gërdeci”, relator gjyqtari Selimi

0
187

Sonja Caka

Në dy shortet e para, dy gjyqtarë u tërhoqën se kishin gjykuar Mediun. Prokuroria kërkon lënien në fuqi të dënimeve të Shkallës së Parë

 

44295_19

Caktohet pesëshja e Kolegjit Penal që do të gjykojë dosjen voluminoze “Gërdeci”. Gjykata e Lartë ka rihedhur për të tretën herë në short këtë çështje dhe më në fund ka përcaktuar Kolegjin që do ta shqyrtojë pas shtatorit. Relator i çështjes së bujshme do të jetë gjyqtari Shkëlzen Selimi, ndërsa në Kolegj me të do të jenë edhe gjyqtarët Admir Thanza, Medi Bici, Tom Ndreca dhe Ardian Nuni. Në dy shortet e mëparshme rezultoi se dy prej gjyqtarëve të kishin konflikt me çështjen, pasi kishin shqyrtuar kërkesat e drejtuara kësaj gjykate për Fatmir Mediun. Rekursi për këtë çështje u bë nga prokuroria, pasi nuk ishte dakord me vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila ndryshoi masat e dënimit për disa të pandehur, ndërsa për të tjera pati edhe pafajësi. Në kërkesën e saj ankimore, prokuroria kërkon të hidhet poshtë pranimi i kërkesës për gjykim të shkurtuar, ndërsa të lihen në fuqi masat e dënimit të dhëna prej trupës gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë. Pritet që çështja të merret në shqyrtim pas pushimeve të verës të trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë.

Vendimi

Në një seancë që zgjati vetëm disa minuta, trupi gjykues i kryesuar nga kryegjyqtari i Apelit Alaudin Malaj shpalli më 13 shkurt të këtij viti vetëm dispozitivin e vendimit, duke argumentuar se vendimi i arsyetuar është dorëzuar në sekretarinë gjyqësore. “Gjykata lë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke bërë disa ndryshime për një pjesë të pandehurve”, – deklaroi në fillim të shpalljes së vendimit gjyqtari, duke lexuar më poshtë ndryshimet për 13 nga të pandehurit. Kështu, pas vendimit të 13 shkurtit dhe pranimit të gjykimit të shkurtuar, Ylli Pinari u dënua me 15 vjet burg, nga të cilat i mbeten vetëm 10 vjet për të vuajtur, Mihal Delijorgji me 10 vjet burg ku i ngelen 7 vjet e gjysmë, Dritan Minxolli me 18 vjet ku i ngelen 12 vjet burg, Sokol Ngjeci me 10 vjet ku i ngelen edhe 7 vjet e 6 muaj burg. Ndërkohë që, i është ulur vetëm 1 vit burg nga masa e dhënë në Shkallën e Parë ish-shefit të Shtabit Luan Hoxha, i cili përfundimisht u dënua me 5 vjet burg. Më fatlum ka qenë gjenerali tjetër, Shpëtim Spahiu, i dënuar nga Shkalla e Parë me 4 vjet burg dhe me pezullim aktiviteti shtetëror prej tre vjet, pasi u shpall i pafajshëm. Gjykata pezulloi dënimi me burg për Shkëlzen Madanin, Ilmi Laçajn, Agim Babameton, Rezart Tërshanën, Besnik Dautin dhe Zija Bajën që në vijim do jenë nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës, ndërkohë që për ta u shtua edhe dënimi plotësues për pezullim të ushtrimit të funksioneve shtetërore për 3 vjet. Gjykata vendosi të heqë sekuestron për pronat e Mihal Delijorgjit, ndërsa lë në fuqi vendimin për sekuestron e pronave të shoqërisë “Albademil”. Për të pandehurit e tjetër të papërmendur në diapozitiv nga trupi gjykues u la në fuqi vendimi i kolegëve të Shkallës së Parë. Vendimi u shpall nga treshja gjykuese Alaudin Malaj, Gent Shala dhe Shkëlqim Miri.

Akuza

Në fillim të procesit gjyqësor në Apel, në muajin nëntor të vitit 2012, dy prokurorët Shkëlqim Hajdari dhe Edmond Hyka u janë referuar provave dhe fakteve mbi të cilat Gjykata e Apelit, sipas tyre, duhet të rrëzojë vendimin e gjyqtarëve Ridvan Hado, Shefkie Demiraj dhe Fatmira Hajdari. Prokurorët u shprehën se Gjykata e Tiranës është treguar kontradiktore dhe se ka gabuar në momentin kur interpreton akuzën e “Vrasjes me dashje”, e cila, sipas kësaj gjykate, nuk është kryer as nga subjekti “Albadamil” dhe as nga të akuzuarit e tjerë. Sipas prokurorëve, Gjykata e Tiranës shprehet në vendimin prej afro 500 faqesh se do të ishte e palogjikshme të thuash se të pandehurit kishin qëllim të vrisnin në një kohë që vetë ata ndodheshin pak minuta para shpërthimit në këtë fabrikë. Lidhur me këtë moment, prokurorët e Apelit mendojnë se të pandehurit me dashje kane përdorur metoda të papërshtatshme për demontimin në Gërdec; me dashje kanë punësuar personel të pakualifikuar dhe po me dashje kanë marrë në punë edhe fëmijë të mitur. Për këto arsye, prokurorët kërkojnë që katër të pandehurit kryesorë, përkatësisht Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Dritan Minxolli dhe Sokol Ngjeçi, të dënohen për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese”, – ndërsa nuk është shprehur mbi vendimin ndaj ushtarakë dhe civilëve të tjerë të këtij procesi. Gjykata e Tiranës shpalli dhjetë pafajësi dhe dha 99 vite burg në total, si dhe 40 milionë gjobë për të pandehurit e këtij procesi gjyqësor.

 

Ndryshimet e dënimeve në Apel

Ylli Pinari u dënua me 15 vjet burg, me gjykim të shkurtuar 10 vjet

Mihal Delijorgji u dënua me 10 vjet burg, me gjykim të shkurtuar 7 vjet e 6 muaj

Dritan Minxholli u dënua me 18 vjet burg, me gjykim të shkurtuar 12 vjet

Sokol Ngjeci u dënua me 10 vjet burg, me gjykim të shkurtuar 7 vjet e 6 muaj burg

Luan Hoxha u dënua me 5 vjet burg

Shpëtim Spahiu shpallet i pafajshëm

Besnik Dauti dënohet me 3 vjet burg, pezullohet dënimi

Zija Baja dënohet me 3 vjet burg, pezullohet e dënimi

Ilmi Laçaj dënohet me 3 vjet burg, u pezullohet dënimi dhe gjoba

Shkëlzen Madani dënohet me 3 vjet burg, i pezullohet dënimi dhe gjoba

Agim Babameto dënohet me 1 vit burg, i pezullohet dënim

Rezart Tërshana dënohet me 1 vit burg, i pezullohet dënimi

Shoqëria Albademil, i ulet 1/3 e dënimit

Prokuroria kërkon lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë

Ylli Pinari u dënua me 18 vjet burg

Mihal Delijorgji u dënua me 10 vjet burg

Dritan Minxolli u dënua me 18 vite burg

Sokol Ngjeci u dënua me 10 vite burg

Ardian Mullahi u shpall i pafajshëm

Shkëlzen Madani u dënua me 3 vjet burg e 300 mijë lekë gjobë

Dashnor Çaushi u dënua me 3 vjet burg

Armand Tartari u dënua me 1 vit burg e 300 mijë lekë gjobë

Luan Hoxha u dënua me 6 vjet burg

Agim Lala u shpall i pafajshëm

Hilmi Laçaj u dënua me 3 vjet burg

Ndue Marku u dënua me 1 vit burg e 300 mijë lekë gjobë

Shpëtim Spahiu u dënua me 4 vjet burg

Zija Bahja u shpall i pafajshëm

Agim Babameto u shpall i pafajshëm

Rezart Tërshana u shpall i pafajshëm

Besnik Dauti u shpall i pafajshëm

Fatbardh Kuçi u dënua me 1 vit burg e 300 mijë lekë gjobë

Gëzim Oshafi u dënua me 3 vjet burg

Jorgo Mino u dënua me 3 vjet burg

Denis Hajdari u dënua me 1 vit burg e 300 mijë lekë gjobë

Fari Toska u dënua me 3 vjet burg

Zenun Fero u dënua me 3 vjet burg

Hysni Çoçka u dënua me 3 vjet burg

Adriatik Mema u shpall i pafajshëm

Juliana Margariti u shpall e pafajshme

Lavdi Shatro, aktet u kthyen ne prokurori

Fiqiret Mato u shpall i pafajshëm

Albademil u dënua me 25 milionë lekë gjobë

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency