Vetëvlerësimi Kurthi “Ndihem mirë me veten”!

0

Michael R. Edelstein

Loading...

David Ramsay Steele

 

Psikologji/ Tri minuta terapi, libri i dy autorëve amerikanë që ndryshon të menduarit në shqip nga “Plejad”, përkthyer nga Aleksandër Loli

 

cat-sees-lion-mirror

Zakonisht, arritjet e mëdha kërkojnë përkushtim të jashtëzakonshëm, investim të vazhdueshëm e të mundimshëm përpjekjesh të zellshme për periudha të gjata kohe.Ato kërkojnë gjithashtu talent të lindur, i cili nuk është i njëllojtë te të gjithë njerëzit. Për disa njerëz mund të jetë relativisht e padëmshme që ta vazhdojnë jetën me iluzionin se janë të zotët në ndonjë fushë, kur në fakt nuk janë. Megjithatë, në qoftë se nga ky iluzion arrijnë të krijojnë një vetëvlerësim, atëherë duhet të përgatiten për një zhgënjim shkatërrues, nëse vendosin që të përballen ndonjë ditë sy më sy me realitetin

Në moshën 25-vjeçare, Xheri ishte një djalosh shtatlartë dhe i pashëm, shpatullgjerë, me trup atleti. Ai ishte mjeshtër sërfi dhe skiator uji. As kostumi 3000-dollarësh i firmës Valentino s’e kishte ndryshuar shumë. Në punë shkonte me një makinë “BMW”, kurse për në plazh përdorte një “Porsche”. Ndryshe nga disa arrivistë fodullë e të paqëndrueshëm, Xheri kishte sjellje modeste të hijshme dhe me buzëqeshjen e tij të ngrohtë e ngjitëse, të përçonte menjëherë simpati. Kohët e fundit qe fejuar me një studente inteligjente dhe të bukur të fakultetit juridik.

Xheri ndihej mirë me veten. Ai zgjohej çdo mëngjes i gatshëm për të përballuar sfidat e ditës dhe gjente kënaqësi në ushtrimin e aftësive të veta. Kishte arritur suksese në biznesin e pronave të paluajtshme, të cilin po e zgjeronte dita-ditës me shpejtësi dhe ndihej krenar me detyrat e veta. Ai padyshim zotëronte atë çka shpesh quhet vlerësim i lartë për vetveten. Askush që e njihte Xherin, nuk dyshonte se ky djalosh ishte një bombë emocionale me sahat, akrepat e së cilës po i aviteshin fundit.

 

Fitimtari bëhet humbës

Gjashtë muaj më vonë, kur erdhi të më takonte, Xheri ndihej si mos më keq dhe ishte i preokupuar nga mendimet për vetëvrasje sepse muajin e kaluar i qe bërë vazhdë t’i dilte gjumi qysh në katër të mëngjesit nga një lloj lëmshi që i sëmbonte në stomak. Nga kjo, gjatë tërë pjesës tjetër të ditës ndihej mjaft i shqetësuar dhe shpesh binte në depresion.

Në marrëdhëniet me të fejuarën po haste probleme ereksioni dhe kishte nisur t’i përvidhej mendimi se do të mbetej ngaherë impotent, një e ardhme, të cilën e shihte si turp të tmerrshëm. “Ndihem i tmerruar se kam për të humbur çdo gjë, duke përfshirë edhe mendjen. Nuk fle dot gjumë. Nuk më tërheq më asgjë. Qaj çdo mëngjes para se të nisem për në punë. Nuk jam fare në vete dhe nuk di se ç’bëj. Më duket sikur s’kam më as shpëtim, as rrugëzgjidhje.

 

Teknika e ndarjes së problemeve

Kurdoherë që ndokush vuan nga probleme emocionale, sikurse ishte Xheri, kam zbuluar se me anën e një procedure të thjeshtë, zakonisht e sqaron situatën:

E para, identifiko Problemin Praktik.

E dyta, identifiko Problemin Emocional.

E treta, bëje sërfistin ta shohë lidhjen mes dy problemeve: emocionalit dhe praktikut.

I shpjegova Xherit ndryshimin mes një Problemi Praktik dhe një Problemi Emocional:

– Mua më duket, – i thashë atij, – se problemi yt praktik përfshin suksesin e biznesit tënd. Si mund të nisësh sërish që të fitosh para nga aktiviteti imobiliar? Apo të bie më mirë të ndryshosh profilin e punës tënde? Problemi Emocional është se ti po e shqetëson veten për pengesat që po has tani. Përse nuk ia kushton gjithë vëmendjen punës me pronat e paluajtshme, pa e gërryer veten nga brenda për këtë?

– Do të doja ta bëja. Por do të ndihesha si i paaftë apo si dështak, nëse biznesi do më merrte të tatëpjetën e më shteronte. Todi sapo përfundoi një shitje dymilionëdollarëshe – prej saj mori një përqindje të pabesueshme. Unë jam një hiç në krahasim me të.

Kam konstatuar thuajse përherë se personi vjen tek mua i bindur se Problemi i tij Praktik i prodhon automatikisht Problemin Emocional. Puna ime e parë është t’ia minoj këtë bindje, duke i treguar se është ai vetë që e shkakton problemin emocional me mënyrën sesi mendon. Problemi i tij praktik është i përcaktuar nga preferencat, kurse problemi emocional i mbin nga “duhet” e tij. Më pas, të dy këto probleme, Emocionali dhe Praktiku mund të trajtohen të shkëputur nga njëri-tjetri.

Kjo mund të mos duket si ndonjë përparim i madh, por në fakt i tillë është. Sapo personi e merr seriozisht dhe nis ta trajtojë të shkëputur problemin e tij emocional nga ai praktik, ndodh shpesh një përmirësim i menjëhershëm i problemit praktik.

 

Ulje-ngritjet e vetëvlerësimit

Pa e kuptuar as vetë, Xheri pati shkelur në kurthin e konceptit: “Ndihem mirë me veten time”. Kur arrinte e bënte shitje me leverdi, e vlerësonte veten si person tepër të zotin dhe kjo ia rriste lart shkallën e vetëvlerësimit.

Gabimi i tij nuk vinte ngaqë i pëlqente të ishte njeri i suksesshëm. Gabimi i vinte ngaqë e vlerësonte shumë veten (si person në tërësi) për shkak të sukseseve. Si rrjedhojë, kur i ranë sukseset, ai e uli automatikisht masën e vetëvlerësimit disa shkallë më poshtë dhe nisi të ndihej i dëshpëruar.

Ndërsa vazhdoja ta eksploroja, Xheri e pohonte përherë e më qartë se i ishte fiksuar bindja se tashmë ai ishte njeri pa pikë vlere. Sikurse shumë njerëz me këtë kornizë mendësie, edhe Xheri besonte se ndjenja e tij tepër e fortë që ishte i pavlefshëm, dëshmonte në njëfarë mënyre se ky opinion qe i vërtetë, pra se ishte i pavlefshëm! Ky lloj arsyetimi e përforcon veten në një lloj qarkullimi vicioz e të pafundmë: sa më i pavlefshëm të ndihet personi, aq më shumë prova ka në dorë për të vërtetuar se qenkësh vërtet i pavlefshëm.

– Ta zëmë se aftësia jote në biznesin imobiliar, tani për tani është e ulët. Në ç’mënyrë të bëka ty kjo gjë tërësisht inferior? – e pyeta unë Xherin. – Fundja, ti je një qenie njerëzore e papërkryer si gjithë të tjerët, pra mund të pritet që edhe ti nganjëherë të bësh diçka në mënyrë të papërkryer. Si dalka prej kësaj se je njeri i pavlefshëm?

– Nuk e di, – u përgjigj ai. – S’e provoj dot. Gjithë sa di është se ndihem njeri pa vlerë, kështu që duhet të jem vërtet pa pikë vlere.

Natyrisht, tani edhe një person i jashtëm, madje edhe pa u thelluar në jetën e brendshme të Xherit, s’e ka vështirë të arrijë e ta kuptojë se ky djalosh po tregohej i palogjikshëm. Dukej qartë se kishte diçka irracionale në këmbënguljen e tij dogmatike, kur thoshte se i dukej vetja si krimb pa vlerë. Por, po aq irracionale është për çdo person pandehja se qenkësh njeri i madh, vetëm e vetëm ngaqë i shkojnë punët mbarë.

Psikoterapistët që predikojnë “vlerësimin lart të vetes” e anashkalojnë këtë lidhje logjike. Ata ndeshin në njerëz të dëshpëruar dhe vënë re se këta të fundit kanë shpesh një mendim jashtëzakonisht të ulët për vetveten. Pastaj, këta terapistë apo “Doktorë Ndihu-mirët”, arrijnë në përfundimin se kura më e përshtatshme qenkësh nxitja e klientit për t’i injektuar vetes një vlerësim më të lartë. Por vetëvlerësimi – çdo lloj vetëvlerësimi, i lartë apo i ulët – përbën shpesh vetë rrënjën e problemit.

 

Idiotët e mashtruar dhe psikopatët e vetëkënaqur

Përpjekja për të përmirësuar shkallëzimin e vlerësimit të vetvetes tek individi, has në probleme të shumta. Një nga ato më patetiket lind kur njerëzit, të cilët shfaqin rendiment tepër të dobët në disa punë specifike (nëse i gjykojmë ata objektivisht), inkurajohen që ta shohin veten sikur janë tejet të shkëlqyer dhe në këtë mënyrë, informacioni për cilësitë e tyre të dobëta, minimizohet.

Në një nga studimet e fundit, në gjashtë shtete: (SHBA, Britani, Kanada, Irlandë, Kore, Spanjë) u bë një testim standard matematike te nxënësit 13-vjeçarë. Veç kësaj, atyre iu kërkua të jepnin një vlerësim për shprehjen: “Unë jam mirë në matematikë!”

Fëmijët amerikanët i vlerësuan aftësitë e veta më lart se të gjithë (68% e tyre pohuan këtë deklaratë!) Por në testin që përmendëm, amerikanët dolën të fundit.

Disa edukatorë mendojnë se të dy këto rezultate qenë të ndërlidhura. Këta nxënës, që morën vlerësime nga dobët deri në mesatare, qenë fryrë nga fantazia se ishin ku e ku më superiorë nga të tjerët. Në fakt, ata ishin viktima të “kurrikulumit vetëvlerësues”, i projektuar për t’i bërë fëmijët që të ndiheshin mirë me veten, pavarësisht nga e vërteta.

Ndjenja e mbivlerësimit të vetvetes mund të shpjerë në vetëzhgënjim. Nuk është e vërtetë se njerëzit që ndihen mirë me veten, japin edhe rezultate më të mira. Është një mashtrim mizor të induktosh përshtypjen sikur suksesi vjen fare kollaj po mbajte qëndrim “pozitiv”. Në fakt, performanca e mirë është e lidhur ngushtë me “Tolerancën e Lartë të Shqetësimit” pra, aftësinë për t’ia dalë mbanë qetësisht vështirësive dhe pengesave. Zakonisht, arritjet e mëdha kërkojnë përkushtim të jashtëzakonshëm, investim të vazhdueshëm e të mundimshëm përpjekjesh të zellshme për periudha të gjata kohe.

Ato kërkojnë gjithashtu talent të lindur, i cili nuk është i njëllojtë te të gjithë njerëzit.

Për disa njerëz mund të jetë relativisht e padëmshme që ta vazhdojnë jetën me iluzionin se janë të zotët në ndonjë fushë, kur në fakt nuk janë. Megjithatë, në qoftë se nga ky iluzion arrijnë të krijojnë një vetëvlerësim, atëherë duhet të përgatiten për një zhgënjim shkatërrues, nëse vendosin që të përballen ndonjë ditë sy më sy me realitetin.

Ky nuk është i vetmi problem që lind nga vlerësimi i lartë i vetvetes. Shumë teoricienë kanë supozuar se kriminelët e dhunshëm vuajnë nga vlerësimi i ulët i vetvetes dhe se mund të rehabilitohen po t’i bësh që ta ngrenë lart këtë vlerësim. Por, sipas rishikimit të kujdesshëm të fakteve nga tre psikologë (Roy Baumeister, Joseph Bowden dhe Laura Smart) u konstatua se mjaft individë të dhunshëm ruajnë opinion shumë të lartë për veten; vetëvlerësimet e tyre të larta irreale i predispozojnë që të sillen dhunshëm. Sikurse përmendin autorët e mësipërm, gjatë trajtimit të përdhunuesve, abuzuesve të femrave apo vrasësve, përpjekjet për t’i bindur ata se janë qenie superiore, rezultuan të pakuptimta, përderisa kjo ishte pikërisht edhe ajo çka këta njerëz besonin se ishin.

 

Sukseset e tua nuk janë Ti – Dështimet e tua nuk janë Ti

Xheri e kishte vështirë ta kuptonte idenë time.

– Përse qenka gabim të ndihesh mirë se je njeri i suksesshëm? A nuk do të ishte më e arsyeshme sikur të kthehesha në po atë gjendje që ndihesha para gjashtë muajve?

– Epo, kjo mundësi është e parealizueshme, – ia ktheva unë. – Nëse arrin që me një kërcitje të gishtave t’ia nisësh e të fitosh sërish para, atëherë mbase ashtu duhej të bëje. Nuk ka asgjë të gabuar në atë që të ndihesh mirë, kur je i suksesshëm. Ajo që hap probleme është ta vlerësosh veten shumë lart kur je i suksesshëm e të ndihesh mirë vetëm e vetëm ngaqë i ke vënë vetes një notë të lartë. Do të bëje më mirë sikur të mos e vlerësoje kurrë veten, por thjesht vlerëso vetëm sjelljen tënde specifike.

– Kjo duket sikur ka kuptim, – pranoi ai. – Por nuk është kjo rruga, mendoj.

– Po si ta thotë mendja ty?

– Eh, kur isha i suksesshëm, ndihesha shkëlqyeshëm fare.

– Ndiheshe mirë me veten. Po ti sërish mund të ndihesh i lumtur dhe i kënaqur, duke u krenuar me arritjet e tua, pa e shkatërruar tërësisht veten me këto. Dhe pas kësaj nuk do t’i lejosh më vetes të ndihesh si krimb, po të falimentoi biznesi imobilar.

– Hëm. Shumë interesant! Pra, nuk qenka mirë ta ngre veten lart në piedestal, ose dhe tjetra, ta shikoj poshtë veten time. A e di, qysh tani po ndihem më pak i dëshpëruar, thjesht duke e parë idenë nga ky këndvështrim. Është një ide shumë e ndryshme nga mënyra sesi jam mësuar të mendoj.

 

Një argument vetëshkatërrimtar

Rasti i Xherit është interesant për faktin se brenda pak muajve ai qe shndërruar nga një person që e mbivlerësonte veten, në një person që tashmë e nënvlerësonte. Por, mënyra e të menduarit të tij është diçka e zakonshme:

1. Unë dua të ndihem mirë. (këtu s’ka asgjë të keqe)

2. Që të ndihem mirë, duhet të ndihem mirë me veten (kjo është gabim).

3. Të ndihem mirë me veten, do të thotë të mendoj se jam person me vlerë.

4. Unë mund t’i vërtetoj vetes se jam me vlerë nga sukseset që arrij në X gjë: (fitim parash, të kaluarit e një provimi, të mbajturit e trupit në formë, joshja e seksit tjetër, të qenët i zoti në shtrat, dhënia lumturi familjes…).

5. Uff! E paskam qelbur në X. Pra, qenkam i pavlerë. Unë NDIHEM KEQ.

 

 

Loading...