Nga industria te ndërtimi, ja situata e sektorëve kryesorë të ekonomisë

0
133

 Ervin Kaduku

pallate_11Indeksi i shifrës së afarizimit në total për ekonominë gjithsej ka shënuar një rritje prej 3.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Sektorët kryesorë të ekonomisë kanë shënuar një ecuri pozitive në tre muajt e parë të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas statistikave afatshkurtra të INSTAT për tremujorin e parë 2013. Indeksi i shifrës së afarizimit në total për ekonominë gjithsej ka shënuar një rritje prej 3.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Industria

Shifra e afarizmit në volum, vlerësuar me çmime fikse, me vit bazë 2005=100, në tremujorin e parë 2013, krahasuar me tremujorin e katërt 2014 ka një rritje prej 1.2 për qind. Krahasuar me tremujorin e parë 2012 ka një rritje prej 12.5 për qind.

Volumi i prodhimit industrial ka një rritje 73.7 për qind në tremujorin e parë 2013 ndaj tremujorit të katërt 2012, ndërsa krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të mëparshëm ka rritje me 69.4 për qind.

Në Industrinë Nxjerrëse, shifra e afarizmit e vlerësuar me çmime fikse paraqitet me rritje prej 6.9 për qind në tremujorin e parë 2013 krahasuar me tremujorin paraardhës. Krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të mëparshëm rritja është 26.8 për qind.

Volumi i prodhimit industrial ka një rritje prej 3.5 për qind në tremujorin e parë 2013 krahasuar me tremujorin paraardhës. Ndërsa krahasuar me tremujorin e parë 2012 rritja është 28.8 për qind.

Në Industrinë Përpunuese, shifra e afarizmit vlerësuar me çmime fikse, ka rënie 8.3 për qind në tremujorin e parë 2013 krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Ndërsa krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraardhës ka rritje prej 8.7 për qind.

Volumi i prodhimit industrial në tremujorin e parë 2013 ka rënie 3.4 për qind krahasuar me tremujorin paraardhës. Krahasuar me tremujorin e parë 2012 volumi i prodhimit në industrinë përpunuese është rritur 5.4 për qind.

Energjia Elektrike, furnizimi me gaz, avull dhe ujë Shifra e afarizmit në tremujorin e parë 2013, vlerësuar me çmime fikse, në sektorin e Energjisë elektrike, furnizimit me gaz, avull dhe ujë është rritur 30.0 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Krahasuar me te njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm shifra e afarizmit në tremujorin e parë 2013 ka një rritje prej 22.7 për qind.

Volumi i prodhimit të energjisë në tremujorin e parë 2013 ka rritje 180.9 për qind krahasuar me tremujorin paraardhës.

Krahasuar me tremujorin e parë 2012 ka rritje 139.6 për qind.

 

Ndërtim

Shifra e afarizmit në Ndërtim e vlerësuar me çmime fikse, deflatuar me Indeksin e Kushtimit në Ndërtim, 2005=100, është rritur 2.3 për qind krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit paraardhës, ndërsa krahasuar me tremujorin e katërt 2012 është ulur 12.4 për qind.

Volumi i prodhimit është rritur 0.7 për qind krahasuar me tremujorin e parë 2012.

 

Tregtia me shumicë

Shifra e afarizmit e vlerësuar me çmime fikse, deflatuar me Indeksin e Çmimeve të Prodhimit, 2005=100, në sektorin e Tregtisë me shumicë është ulur 3.2 për qind krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit paraardhës, ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës rënia është 23.3 për qind.

 

Hotele

Shifra e afarizmit në volum, vlerësuar me çmime fikse, deflatuar me Indeksin e Çmimeve të Konsumit, me vit bazë 2005=100, në tremujorin e parë 2013, është ulur 35.1 për qind krahasuar me tremujorin e katërt 2012. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2012 është rritur 10.8 për qind.

 

Posta dhe Komunikacioni

Shifra e afarizmit vlerësuar me çmime korente në aktivitetin postar rritet me 0.3 për qind në tremujorin e parë 2013 në krahasim me tremujorin e parë 2012, ndërsa në komunikacion ky tregues është rritur 0.5 për qind për të njëjtën periudhë.

Krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues në aktivitetin postar paraqitet me ulje 14.3 për qind, ndërsa në Komunikacion paraqitet me ulje 40 për qind.

 

 

 

 

 

Interesi i bonove të thesarit në rekordin e ulët historik

As niveli i rekord i borxhit publik dhe as kërkesa e lartë e qeverisë për para nuk e kanë ndalur rënien e interesave të bonove të thesarit. Në ankandin e zhvilluar sot, bonot me maturim 12-mujor u emetuan me një normë mesatare të ponderuar interesi prej 5.35% duke shënuar një tjetër rekord historik. Që nga fillimi i vitit, interesi i bonove 12 mujore ka rënë me 1.35 përqindje. Interesat ranë edhe në ankandin për bonot me maturim 6 mujor, që u emetuan me një normë mesatare të ponderuar interesi prej 5.3%, nga 5.51% që ishte interesi në ankandin e mëparshëm.

Qeveria mori një shumë totale borxhi prej 25.4 miliardë lekësh, ndërsa oferta për financim ishte sërish mjaft e lartë, në vlerën e 30.5 miliardë lekëve. Një ndikim të rëndësishëm stabilizues, sidomos në ankandin e bonove 6 mujore, pati pjesa e lartë e Bankës së Shqipërisë, që financoi me ofertë jokonkurruese mbi 93% të shumës prej 16.4 miliardë lekësh, duke përballuar edhe barrën kryesore, rifinancimin e borxhit të maturuar.

Tregu financiar vazhdon të shfaqë ofertë të lartë për të financuar borxhin publik, pavarësisht nga përkeqësimi i ndjeshëm i treguesve fiskalë. Për pesëmujorin e këtij viti deficiti ishte 50% më i lartë se planifikimi i buxhetit dhe e gjithë kjo shumë është mbuluar me huamarrje në tregun e brendshëm. E megjithatë, kërkesa e pakët për kredi nga sektori privat dhe rreziku i lartë për shkak të dobësimit të ekonomisë, ka bërë që investimet e sektorit financiar të përqendrohen akoma më shumë te borxhi i qeverisë dhe oferta e lartë i ka ulur interesat në vlerat minimale historike.

 

Huatë me probleme

Huatë me probleme nuk u rritën në maj të këtij viti, në raport me prillin, për herë të parë pas shumë muajsh. Sipas statistikave të Shoqatës së bankave, niveli i huave me probleme mbeti në 22.4% të totalit në maj, nivel i njëjtë me atë të prillit.

Megjithatë, në raport me fundin e vitit 2012, ky tregues është rritur me gati 1.5 pikë përqindjeje, në raport me 22.76% që ishte në dhjetor 2012.

Në vlerë absolute, niveli i kredive me probleme arriti në gati 1 miliardë euro në fund të muajit maj, nga rreth 930 milionë euro në fund të 2012-s, duke e përballur në këtë mënyrë sistemin bankar me menaxhimin edhe të 70 milionë eurove të tjera hua të pakthyer në afat.

Bankat nga ana tjetër, pothuajse e kanë ndaluar tërësisht dhënien e kredisë, e cila me bazë vjetore në muajin maj u rrit vetëm me 0.3%.

Në prill, Kuvendi kaloi disa ndryshime në Kodin Civil, të cilat përshpejtuan procedurat e ekzekutimit të kolateralit nga ana e bankave, për huat e pakthyera në afat. Kryesisht, këto ndryshime kanë për qëllim të vendosin standardet ndërkombëtare ligjore në të cilat mbështetet biznesi dhe praktika bankare, për ekzekutimin eficient të titujve ekzekutivë, duke reduktuar mundësinë e përdorimit të masave të jashtëzakonshme, siç është pezullimi i ekzekutimit, si të ishin masa të zakonshme.

Këto ndryshime duket se kanë filluar të japin efektet, në ngadalësimin e ritmeve të rritjes së kredive jo performuese. Megjithatë, duhet pritur dhe ecuria e muajve në vijim, për të parë nëse kjo është një tendencë e qëndrueshme.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency