Merkato, Reali “mbron” me Vidalin, Barça “sulmon” me Agueron

0
146

 Përgatiti Altin Vorpsi

Lazio Vs Juventus

Në pamundësi për t’ia shkëputur Mançester Junaitid, Uejn Runejn, në kampin katalanas po artikulohet emri i Kun Aguerros, që ka kontratë me Mançester Sitin deri në vitin 2017

 

Reali dhe Barcelona po tentojnë që të sfidojnë njëra-tjetrën edhe në merkato. Pasi kanë marrë vesh ditën kur do të  luajnë “klasiket” i kanë nisur një thetër duel në distancë edhe në merkato. Si Reali edhe Barcelona po tentojnë që të forcohen sa të munden për të përgatitur më mirë sfidat e radhës.

 

Aguero

Transferimi i David Vijës te Atletiko Madrid për 5.1 milionë euro e lë përfundimisht Barcelonën pa një numër “9” në sulm. Vilanova duhet të ketë një plan B, për të çarë mbrojtjen kundërshtare atëherë kur me lojën e zakonshme të saj Barcelona e ka të pamundur gjetjen e golit. Në këto raste katalanasve u duhet patjetër një qendërsulmues. Në pamundësi për t’ia shkëputur Mançester Junaitid, Uejn Runejn, në kampin katalanas po artikulohet emri i Kun Aguerros, që ka kontratë me Mançester Sitin deri në vitin 2017. Sulmuesi argjentinas mezi e pret një ofertë nga Barcelona edhe për faktin se ëndërron të luajë në të njëjtën skuadër me Lionel Mesin. Por përtej dëshirës së 25-vjeçarit, nuk do të jetë aspak e lehtë për të bindur Sitin, që ka shpenzuar 45 milionë euro për ta blerë nga Atletiko Madrid. Tratativat mund të mbyllen për 30 milionë euro, por Barcelona mund të ofrojë vetëm 15 milionë, plus ndonjë lojtar në shkëmbim.

 

Vidal

Arturo Vidal rikthehet në Itali për të filluar përgatitjet e sezonit të ri por duket se kiliani duket se ka vendosur t’i bëjë më zemër tifozët bardhezi. Gjatë një prononcimi për mediat, mesfushori i lëshon sinjale Realit të Madridit duke u shprehur se është një skuadër që nuk mund të refuzohet. Në vijim të këtij qëndrimi, lojtari mohoi edhe raportimet e fundit të Gazzetta dello Sport, sipas të cilës ai do të rinovojë deri në vitin 2018. Vidal është bërë një ndër lojtarët më të rëndësishëm të Juventusit, por edhe një nga emrat më të lakuar në merkaton evropiane. 26-vjeçari flet edhe për sezonin e ri ku shpreson që të fitojë një titull të rëndësishëm. Përsa i përket kombëtares kiliane, Vidal ka bërë paraqitje shumë të mira me uljen në stol të trajnerit Horge Sampaoli duke hedhur hapa të rëndësishëm drejt botërorit 2014.

 

 

 

Merkato

Roma nis grumbullimin, De Rosi mund të shkojë tek PSG

Sezoni i ri i Romës nis me makinat e policisë jashtë qendrës stërvitore të Trigorias, si dhe me një mister të madh, mosprezantimin e sulmuesit Daniel Osvaldo. Edhe pse të gjithë lojtarët e klubit verdhekuq priteshin në mëngjesin e djeshme, deri në mbrëmje futbollisti italo argjentinas nuk u prezantua. Por vendodhjen e Osvaldos e zbuloi e fejuara e tij, aktroja argjentinase Jimena baron që nëpërmjet profilit të saj në Twitter shkruante se të dy ndodheshin në Çikago të SHBA-ve. Sulmuesi nuk ka lëvizur nga qyteti, ndërsa pak ditë më parë luajti një miqësore bamirësie me Lionel Mesin. Për lojtarët e tjerë të Romës, kthimi në fazën përgatitore nuk ishte nga ata më të bukurit. Tifozët i pritën me kontestime dhe me banderola ku i kritikonin “që baltosën Romën”. Por kritikat nuk u kursyen as ndaj drejtuesve, për derbin e humbur, që nga mbështetësit verdhekuq ende nuk është gëlltitur. Kore pakënaqësie pati ndaj Pjaniçit, Markuinjos dhe Kastanit, kurse duartrokitjet qenë për Françesko Totin dhe blerjen e re Benatia dhe trajnerin Rudi Garsia. Ky i fundit pasi përshëndeti tifozët u tha: “Do të punojmë fort”. E ardhmja e mesfushorit Daniele De Rosi duket se është në Francë. Drejtori i përgjithshëm i klubit të PSG-së, pasi mbylli çështjen Kavani tashmë kërkon një tjetër përforcim në mesfushë. Parisienët e duan me ngulm mesfushorin italian, dhe kanë nisur kontaktet me të, ndërkohë që menaxheri i lojtarit ka pasur takim me drejtuesit e Romës.

 

Largimi

Suarez nuk duron më Liverpulin

Bomberi i Uruguait dhe i Liverpulit, Luis Suarez duhet se nuk duron më gjendjen në “Anfield Road”. Gjatë një interviste për radion uruguaiane “Sport 890”, sulmuesi shpjegoi se ai kërkon të lërë Anglinë pasi ndihet i fyer nga trajtimi i medias dhe federatës angleze. 26-vjeçari është ka marrë dy pezullime ekzemplare, një për akuzat raciste ndaj Evrasë dhe tjetrën pas kafshimit të Ivanoviçit, dënim të cilin është duke e shlyer. Mëngjesin e së hënës, vetëm pak orë pasi Liverpuli mendohet të ketë refuzuar një ofertë prej 35 milionë eurosh të Arsenalit, agjenti i lojtarit, Pere Guardiola, u takua me trajnerin Brendën Roxhers dhe drejtorin e menaxhimit Ian Ajër në kompleksin stërvitor “Melëood”. Agjenti i uruguaianit ka mbajtur kontakte me Liverpulin gjatë gjithë këtyre javëve, por priti interesimin e parë të një klubi për klientin e tij që të takohej me drejtuesit. Takimi është përshkruar si miqësor, por mediat ishullore bëjnë me dije se Guardiola ka kërkuar të negociohet me cilindo klub që interesohet. Nga ana tjetër Ajër i ka përmendur klauzolën e kontratës së Suarezit (nuk negociohet me asnjë klub që ofron më pak se 45 milionë euro). Liverpuli shpreson ende që ta mbaj yllin e skuadrës, i cili publikisht deri dje kishte pranuar se donte të shkonte te Reali. Suarez – Gjatë intervistës ai la të hapur mundësinë që ai mund të mos rikthehet më në Liverpul nëse bisedimet e transferimi të tij përshpejtohen. Suarez nis stërvitjen më 22 korrik, por nuk është konfirmuar ende pjesëmarrja e tij me Liverpulin në turet e Lindjes së Mesme dhe Australisë: “Deri tani nuk ka pasur ende oferta, por Liverpuli e di shumë mirë çka unë dua. Menaxheri im është vigjilent, e di çfarë unë dëshiroj. Unë jam me pushime dhe i qetë. Pritet të kthehem pas afro 10 ditësh, më 21 korrik, por një telefonat mund të ndryshojë gjithçka. Më vjen mirë që vlerësohem ende nga skuadra si Arsenali. Më telefonojnë miqtë dhe me pyesin nëse do shkoj tek Çelsi, dhe më vjen të qesh. U them të mos besojnë gjithçka lexojnë apo dëgjojnë”.

 

 

 

Kërkesa

Çelsi ka gati 70 mln euro për Runin

Sipas “DailyMail”, blutë e Londrës janë gati t’i paguajnë pagën që ai përfiton tek Mançester Junajtid prej 320 mijë eurosh në javë, vetëm që 27-vjeçari t’u bashkohet atyre. Sulmuesi ka kërkuar të largohet nga “Old Trafford” dhe Murinjo e shikon numrin “10” të kombëtares angleze si zgjedhje ideale për sulmin në “Stamford Bridge”. Mediat raportojnë për një kontratë 5-vjeçare, e cila në total do të kushtonte 70 milionë euro përfshirë dhe kartonin e lojtarit (35 milionë euro). Mançester Junajtid dhe Runi nuk i kanë zgjidhur ende mosmarrëveshjet e tyre, edhe pse trajneri Mojes siguroi se ai nuk do largohet. Në garë për të firmosur me yllin e “Tre Luanëve” janë edhe Arsenali me Barcelonën.

 

Premtimi

Bejl: Do e çoj Totenhemin në Ligën e Kampioneve

Garet Bejl po mendon vetëm se si të rikthejë Totenhemin në Champions, duke garantuar edhe një herë se e ardhmja e tij mbetet Londra. “Shpresoj të përmirësohem nga sezoni i fundit. Dua të bëhem një lojtar më i mirë. Tani kam më tepër eksperiencë dhe shpresoj të ndihmoj skuadrën të renditet mes katër vendeve të para, pasi sezonin e fundit e humbëm vetëm për pak”, – tha uellsiani për të cilin Reali është gati të bëjë çmendurira.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency