Kritikë Bretkosat e Aristofanit – dokumenti i parë i kritikës

0

aristofani (1)Ekziston tipi i poetikës eksplicite, normative, të shkruar nga kritikët e estetët dhe tipi i poetikës implicite të vetë shkrimtarëve e poetëve, të cilët shfaqin në veprat e tyre mendime për artin dhe krijimtarinë letrare.

Loading...

Një vepër e tillë është komedia “Bretkosat” e komediografit të njohur të shek. V p.e.s, Aristofanit. Aristofani (rreth 445-385 p.e.s) konsiderohet si komediografi më i madh antik grek.

Atij i mvishen 44 komedi, prej të cilave 11 janë të ruajtura të plota gjer në ditët tona, kurse disa të tjera vetëm fragmentarisht shfaqen si vijon: Akarnienët, Kalorësit, Retë, Grerëzat, Paqja, Zogjtë, Tesmoforet, Lisistrata, Bretkosa, Parlamenti i grave dhe Pluti. Rreth dyzet vjet mbizotëroi në skenën komike të Athinës, duke qenë shumë i dashur dhe i kërkuar nga publiku. Në komedinë e tij trajtohen tema bashkëkohore, shumë herë me subjekt fantastik, e tillë është komedia “Bretkosat”, ku përshkruhet një udhëtim në Had, si dhe biseda me të vdekurit.

Subjekti i shkurtër i komedisë është ky: Pas vdekjes së Sofokliut dhe Euripidit, teatri në Athinë erdhi duke e humbur shkëlqimin, kurse artdashësit interesimin për të. Për këtë arsye, Perëndia e Verës dhe mbrojtësi i artit tragjik Dionisi, vendos të zbresë në ferr, që ta sjell nga bota e përtejme ndonjërin nga tragjedianët e vdekur.

Më nevojitet poet i zoti:

Të mirët s’rrojnë; ata që janë

Nuk vlejnë gjë.

Pas shumë peripecish, i ndjekur në udhëtimin e tij nëpër Akeront nga kori i bretkosave (nga e merr titullin vepra), ai arrin në Had. Atje zhvillohet një dialog i ashpër midis dy tragjedianëve të mëdhenj, Eskilit dhe Euripidit, rivalë me njëri-tjetrin. Gjatë kësaj rragate, prej së cilës Eskili del fitues, ata qortojnë veprat e njëri-tjetrit, si nga ana e kuptimit dhe e shprehjes, ashtu edhe në planin e ritmit e të metrit. Përmes fjalëve të këtyre dy rivalëve të mëdhenj, Aristofani mëton t’i vërë në pah dobësitë e artit të tyre. Duke dashur ta karakterizojë në mënyrën sintetike artin e tyre, Dionisi në një rast thotë: “Këtë këtu, (Euripidin) e quaj të ditur, ai atje (Eskili) më kënaq shpirtin”, gjë që do të thotë se Euripidi është tipi i shkrimtarit erudite, intelektual, kurse Eskili shkrimtar me frymëzim të fuqishëm e të vetvetishëm. Edhe pse në dallim simpatitë e Dionisit duket sikur janë në anën e Euripidit, në fund, ai, megjithatë përcaktohet për Eskilin.

Përmes gojës së personazheve, Aristofani mëton të shprehë mendimin e vet për artin e këtyre dy tragjedianëve, duke nënvizuar si vlerat, ashtu dhe dobësitë e tyre. Kështu, sipas tij, Eskili përdor fjalë e shprehje të rënda, por i edukon njerëzit, kurse Euripidi ka një stil më të lehtë e më popullor, por është më konservator. I pari është “gjëmimtarë”, i dyti “mbrojtës i traditave të vjetra”.

Komedia “Bretkosat” e Aristofanit, konsiderohet si model i parë i kritikëve letrarë, por edhe i polemikës dhe debatit midis shkrimtarëve, rivaliteti i të cilëve është siç mund të shihet, dukuri e vjetër sa dhe vetë letërsia. Edhe pse në një rast, përmes gojës së Dionist, shqiptohet mendimi se poetëve nuk u ka hije të shahen në mënyrë banale (juve poetëve nuk u ka hije/ të shahi bash si bukëshitësit), dialogu mes Eskilit dhe Euripidit është i rreptë dhe i pakompromis. Ata nuk i zgjedhin as fjalët e as argumentet për eliminimin e njëri-tjetrit.

Te “Bretkosat”, për poezinë flasin dy poetë të mëdhenj tragjik të antikës, Eskili dhe Euripidi, mirëpo, nëpërmjet tyre Aristofani shfaq pikëpamjet e tij për poezinë dhe rolin e saj.

Eskili mburret se i takon kryet e vendit në fushën e poezisë, sepse e ka ngritur lart frymën luftarake të qytetarëve, shtetasve të polisit, gjë që, sipas konceptit homerik mbi poetin është detyrë e poetit. Të njëjtën gjë e thotë në mënyrën e vet edhe rivali i tij, Euripidi. Që të dy afirmojnë vlerën epiko-morale të poezisë, të cilën asaj ia mohonte Platoni.

Të gjithë poetët antikë e konsideronin të drejtë këtë pikëpamje, e cila nga perspektiva e sotme mund të duket pak a shumë utilitare. Në Athinë, në shek. V p.e.s, kjo kur krijonin një varg poetësh të mëdhenj, mendohej se poezia “duhet t’i bëjë më të mirë njerëzit”. Mirëpo, ky efekt i poezisë duhet të arrihet në mënyrë të tërthortë e jo të drejtpërdrejtë dhe pa u cenuar liria krijuese e poetit. Këto pikëpamje mbron Aristofani në “Bretkosat” e tij. Ai luftonte për një pozitë më të volitshme të poezisë në trekëndëshin politika-filozofia-poezia, duke favorizuar poezinë e glorifikuar, rolin e saj, përkundër Platonit, i cili, siç theksojnë njohësit e mendimit estetik të antikës, Aristofani ia bëri mbrojtjen e parë poezisë.

Komik i lindur, Aristofani vuri në lojë dy bashkëkohësit e tij më të mëdhenj, Eskilin dhe Euripidin. Përmes debatit që zhvillojnë këta dy në Had, ai vë në pah dobësitë e artit të tyre, por edhe vlerat e tij. Duke qenë kritikë e poezisë, komedia “Bretkosat” bëhet njëkohësisht edhe mbrojtja e saj. Autori i saj, Aristofani, thumbon poetët, por mbron poezinë.

Agim Vinca

 

 

Loading...