Kërkohet largimi i Gjinushit rrëzohet urdhri i ekzekutimit

0
135

Elton Qyno

 flamurMinistri Flamur Noka, kërkesë gjykatës për urdhër ekzekutimi kundër Skënder Gjinushit

 Gjykata hedh poshtë kërkesën. “Nuk mund të lëshohen ambientet e partisë me një shkresë”

 

 

Ministri i Brendshëm Flamur Noka ka kërkuar nxjerrjen nga zyrat e Partisë Social-Demokrate të kryetarit të kësaj force politike Skënder Gjinushi. Kjo kërkesë është bazuar në faktin se kati i pestë i ndërtesës ku ushtron aktivitet politik forca politike e Gjinushit është pronë private dhe se duhet t’i kthehet pronarit. Mirëpo një vendimi të tillë nuk i është bindur Skënder Gjinushi, i cili ka refuzuar të lëshojë ambientet, ku forca politike që ai drejton prej disa vitesh ushtron aktivitetin politik. Në këto kushte, ministri i Brendshëm Flamur Noka ka zgjedhur një rrugë tjetër me qëllim nxjerrjen nga objekti të partisë së Gjinushit, duke i ofruar disa ambiente të tjera që ndodhen në katin e pestë në bulevardin “Zogu I”. Noka i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Tiranës, ku ka kërkuar nxjerrjen e një urdhri ekzekutimi. Kërkesa është bërë pak kohë më parë dhe në 29 qershor të këtij viti, gjyqtari Artur Gaxhi ka hedhur poshtë kërkesën, duke e quajtur atë si të pabazuar në prova dhe ligj. Nëpërmjet këtij vendimi, duket se ka “shpëtuar” nxjerrja jashtë nga ndërtesa e Partisë Social-Demokrate. Në rast se kërkesa e ministrit të Brendshëm do të ishte pranuar nga gjykata, atëherë në lojë do të hynte Përmbarimi, duke kërkuar qoftë edhe me forcë nxjerrjen nga objekti të partisë që drejtohet nga Skënder Gjinushi.

Kërkesa e ministrisë

Kërkuesi Ministria e Brendshme në kërkesën drejtuar gjykatës ka kërkuar siç është përcaktuar në objektin e kërkesës e konkretisht lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për shkresën nr. A-46/1 prot., dt. 24.5.2013 të ministrit të Brendshëm. Nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi e provuar që ministri i Brendshëm me shkresën nr. A-46/1 prot., dt. 24.5.2013 me lëndë “Marrje në dorëzim e ambientit të vëna në dispozicion nga ana e Bashkisë Tiranë për subjektin Partia Social-Demokrate e Shqipërisë”, pasi bën një përshkrim të situatës ligjore dhe detyrimit për të pajisur me seli këtë parti, ai sqaron që selia ku sot zhvillon aktivitetin e saj politik, partia e cituar më sipër është pronë private, njofton Kryetarin e Partisë Social Demokrate të Shqipërisë për të marrë në dorëzim ambientin e ndodhur në bulevardin “Zogu I”, ZK nr. 8360 me nr. pasurie 6/127+1-5. Përfaqësueset e kërkuesit në gjykim pretenduan që shkresa e cituar më sipër në zbatim të nenit 19 të ligjit nr. 8510 dt. 15.07.1999 “Për përgjegjësinë

jashtëkontraktore të organeve të administratës shtetërore” i ndryshuar është titull ekzekutiv dhe kërkuan lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për të.

Vendimi i gjykatës

Gjykata pas analizës së provave dhe pretendimeve të përfaqësueseve të kërkuesit në gjykim vlerëson që kërkesa është e pabazuar në ligj dhe për rrjedhojë duhet të refuzohet. Kështu nga gjykimi rezultoi e provuar që ministri i Brendshëm me shkresën nr. A-46/1 prot., dt. 24.5.2013 me lëndë “Marrje në dorëzim e ambientit të venë në dispozicion nga ana e Bashkisë Tiranë për subjektin Partia Social-Demokrate e Shqipërisë”, pasi bën një përshkrim situatës ligjore dhe detyrimit për të pajisur me seli këtë parti, si sqaron që selia ku sot zhvillon aktivitetin e saj politik, partia e cituar më sipër është prone private, njofton kryetarin e Partisë Social-Demokrate të Shqipërisë për të marrë në dorëzim ambientin e ndodhur në bulevardin “Zogu I”, ZK nr. 8360 me nr. pasurie 6/127+1-5 (kati i pestë). Gjykata arrin në përfundimin e cituar më sipër pasi analizon përmbajtjen e nenit 19 të ligjit nr. 8510 dt 15.07.1999 “Për përgjegjësinë jashtëkontraktore të organeve të administratës shtetërore” i ndryshuar i cili në mënyrë eksplicite parashikon që “Vendimi i organit të administratës shtetërore për njohjen e përgjegjësisë në shkaktimin e dëmit, për pagimin e dëmshpërblimit përkatës dhe të masës së tij, përbën titull ekzekutiv”. Pra nga dispozita në të cilën është referuar kërkuesi konkludohet që konsiderohet titull ekzekutiv vetëm vendimi i organit të administratës shtetërore për njohjen e përgjegjësisë në shkaktimin e dëmit, për pagimin e dëmshpërblimit përkatës dhe të masës së tij-ndërkohë që në rastin objekt gjykimi nuk jemi përpara një akti të tillë por thjesht të një shkrese me anë të të cilës i është vënë në dispozicion Partisë Social Demokrate një ambient për ta përdorur për të kryer aktivitetin e vet politik. Ndodhur në këto kushte Gjykata duke e gjetur kërkesën të pabazuar në ligj e konkretisht në dispozitën e cila ka shërbyer si bazë ligjore për kërkesën çmon të refuzojë atë.

 

Sokol Shytaj, me urdhër arresti italian për drogë

 Kapet në Vlorë i kërkuari për trafik droge

Tiranë, arrestohet nga specialët Fredi Seferi

 

Kishte disa vite që i fshihej drejtësisë italiane, por pas kërkimeve të shumta është arritur të prangoset nga skuadrat speciale të policisë së Vlorës shtetasi Sokol Shytaj, i akuzuar për trafik droge. 29-vjeçari ka kryer trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe se ndaj tij drejtësia italiane kishte lëshuar një urdhër-arresti, por gjatë kësaj kohe Shytaj, kishte mundur ti fshihej arrestimit duke u strehuar në disa fshatra të Vlorës. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se në kuadër të një superoperacioni policor antidrogë të agjencive italiane të zbatimit të ligjit, është bërë ekzekutimi i mandat-arrestit ndërkombëtar në ngarkim të shtetasit: Sokol Shytaj, 29 vjeç, banues në qytetin e Orikumit. Sipas policisë, arrestimi i këtij shtetasi u krye në orët e para të mëngjesit të djeshëm në të njëjtën kohë me arrestime të tjera të kryera në Itali. Gjykata e Romës në ngarkim të këtij shtetasi ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” me qëllim ekstradimin dhe gjykimin e këtij shtetasi në Itali pasi dyshohet për “Trafikim narkotikësh”. 29-vjeçari Sokol Shytaj dyshohet të jetë pjesë e një rrjeti të gjerë organizatash kriminale të narkotrafikut në Itali. Ndërkohë që po ditën e djeshme në Tiranë është zhvilluar një operacion ku në pranga ka rënë shtetasi Fredi Seferi, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Arrestimi i Seferit u bë i mundur në orët e para të mëngjesit nga njësia speciale e kërkimit të personave të shpallur në kërkim. Shtetasi njihet për vepra të tjera penale, në 2011 është arrestuar për klonim e shasive dhe numrave të identifikimit të makinave italiane që i vidhte ne qytetet kryesore te Italisë dhe i sillte në Shqipëri.

 

Roberto Pannunzi bashkëpunoi me shqiptarë

 Pranga 15 shqiptarëve, trafikonin

drogë me bosin e kokainës

 

Policia italiane ka shkatërruar 4 banda të trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe ka arrestuar 50 persona. Ndërmjet të arrestuarve janë edhe 15 shqiptarë, të cilët prej disa kohësh kryenin aktivitet kriminal duke transportuar kokainë drejt Evropës nga territore si Kolumbia, Amerika e Jugut dhe Shqipëria. Fryt i operacionit të policisë janë edhe 240 kg kokainë e pastër e sekuestruar. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se shqiptarët kanë qenë dhe anëtarë të bandës së Roberto Pannunzit, personit të cilësuar si kryemafiozi botëror për trafikun e kokainës. Pannunzi u arrestua pak ditë më parë në Kolumbi dhe është ekstraduar në Romë për t’u përballur me drejtësinë. Operacioni i policisë italiane është kryer në bashkëpunim me homologët shqiptarë, portugezë dhe spanjollë. Roberto Pannunzi, i cili ishte në kërkim prej vitit 2010, është arrestuar në një qendër tregtare në Bogota me dokument të falsifikuar të identitetit. I njëjti dikaster ka njoftuar se Administrata për Drogë e Shteteve të Bashkuara ka punuar me autoritetet e Kolumbisë për arrestimin e trafikantit Pannunzi. Ky person është i lidhur me mafien në Kalabri në pjesën jugore të Italisë dhe akuzohet se ka lidhje të afërta me grupet e drogës në Kolumbia dhe Meksikë. Prokurorët italianë thonë se ai ka organizuar transportin e mijëra kilogramëve të kokainës nga Amerika Jugore në Evropë, kështu që Pannunzi ishte shndërruar në importuesin më të madh të drogës në botë.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency