“Valsi i topçinjve”, Gomez dhe Vija gjejnë “kazerma” të reja, Suarez ende jo

0
175

marioPërgatiti Altin Vorpsi

Dita e djeshme ishte shumë “e lëvizshme”. Disa prej “topçinjve” më të mirë të Evropës kanë kuptuar se kanë qenë “viktimë” e perfeksionit të ekipeve respektive pasi janë detyruar që të ndryshojnë skuadër. Dje Bajerni i Mynihut i dha lamtumirën Mario Gomezit. Njëri nga të paktët lojtarë që ka “sfiduar” Mesin dhe Ronaldon për mesatare shënimi. Ndërkohë që edhe Barça u detyrua që të largonte David Vijën. “El guaje” u pa si i tepërt me ardhjen në “Camp Nou” të Nejmarit. Ndërsa një tjetër “topçi” i madh pret që të mësojë fatin e vet. Flasim për Suarezin, që shihet si pikë presionin për Realin nga ana e Arsenalit.

 

Gomez zgjedh Firencen

Pasi fitoi gjithçka që mund të fitohej në sezonin e shkuar me fanellën e Bajernit të Mynihut, Mario Gomez iu bashkua zyrtarisht Fiorentinës këtë të hënë. Lajmi u konfirmua në faqen zyrtare të Bajernit. Vlera e këtij operacioni nuk është bërë e ditur për mediat, por besohet se të dy klubet ranë dakord mbi bazën e 20 milionë eurove. 16 milionë euro bavarazët do t’i marrin që tani. Ndërkohë që katër të tjerët do të vijnë në katër vitet e ardhshëm. Për Gomezin kishte shfaqur interes edhe Napoli me Mançester Siti, por 27-vjeçari duket se ishte ai që kërkoi të kalonte tek Fiorentina, për shkak të dëshirës së tij për të luajtur në Serinë A, në një prej qyteteve të tij të preferuara evropiane, në Firence.

Marrëveshja e realizuar me pëlqimin e futbollistit ndodhi pasi si Gomez, ashtu Bajerni pranuan një zbritje të fitimeve, pasi Fiorentina paguante më pak se dy skuadrat e tjera si për vlerën e futbollistit, ashtu edhepër pagën e tij. “Ishte dëshira e Gomezit për të kërkuar një aventurë të re dhe Fiorentina ishte skuadra e përzgjedhur prej vetë futbollistit, të cilin e falënderojmë për kontributin e dhënë për të gjithë sukseset e arritura gjatë qëndrimit të tij në klub”, – deklaroi drejtori ekzekutiv i bavarezëve në faqen e internetit të klubit.

 

Vija shkon tek Atletiko

Atletiko i Madridit zyrtarizoi blerjen e sulmuesit David Vija nga Barcelona. Vija, i cili kishte shprehur dëshirën për t’u larguar nga katalanasit pasi klubi bleu Nejmarin në repartin ofensiv, do të luajë në kryeqytetin spanjoll për tre vitet e ardhshme. Kampioni i botës dhe i Evropës me Spanjën, David Vija, i bashkohet Atletikos për 5.1 milionë euro, që do të paguhen me këste, plus 50% të vlerës së një transferimi të ardhshëm. Tek Atletiko, Vija do të ketë mundësinë që të luajë në Champions League në këtë sezon, por mbi të gjitha do të rikthehet të jetë protagonist në një skuadër, me shpresën që të fitojë një ftesë për Botërorin 2014. Për sa i përket futbollistit, ai do të përfitojë një pagë prej 6 milionë eurosh në sezon në skuadrën e tij të re. Atij nuk do t’i duhet të presë gjatë për t’u përballur me tashmë ish-skuadrën e tij, pas Atletiko dhe Barcelona do të përballen në një sfidë të dyfishtë në fund të gushtit, e vlefshme për Superkupën e Spanjës.

 

Çështja “Suarez”

Reali po vonon të mbyllë marrëveshjen me Arsenalin për Higuainin, prandaj dhe Arsenali kërkon të mbajë hapur çdo opsion në rast se transferimi i argjentinasit do të dështonte. Arsen Venger ka kontaktuar zyrtarisht me Liverpulin për të bërë një ofertë për Luis Suarezin. Mediat britanike, flasin edhe për një ofertë zyrtare prej 35 milionë eurosh në tavolinën e 18 herë kampionëve të Anglisë, por një gjë e tillë mohohet nga “topçinjtë”. Londinezët kanë pranuar interesimin, por jo propozimin zyrtar. Venger është një admirues i Suarezit dhe po monitoron nga afër uruguaianin në rast të një largimi nga “Anfield Road”. Megjithatë, objektivi kryesor i Arsenalit mbetet Higuain. Me bomberin e Realit është arritur prej kohësh akordi, por presidenti i spanjollëve ka frenuar tratativën me justifikimin se do të pyetet edhe njëherë Ançeloti nëse argjentinasi është në planet e tij apo jo.

 

Garancia

Garet Bejl prezanton fanellën e re të Totenhemit

Tifozët e Totenhemit kanë marrë një tjetër garanci se Garet Bejl do të qëndrojë në “White Hart Lane” të paktën edhe për një tjetër sezon. Uellsiani, i cili dje është vënë nën urdhrat e Boasit për herë të parë pas pushimeve, ka promovuar dhe fanellën e re të sezonit 2013/14. Uellsiani 23-vjeçar, i cili kërkohet me ngulm nga Reali i Madridit, është modeli kryesor i fanellës i shoqëruar dhe nga lojtarët e tjerë si Uoker, Vertongen dhe Loris.

 

Vendimi

Alonso: Nuk dua të shkoj përsëri në Angli

Çelsi dhe Liverpuli ishin vendosur në gjurmët e Ksavi Alonsos pas ardhjes së Ijaramendit në Madrid, por fantazisti 31-vjeçar i i ka mbyllur derën një rikthimi të mundshëm në Premier Ligë. “Premier Liga? Jo nuk ka asnjë shans”, – ishte përgjigja e shkurtër dhe kategorike e Alonsos kur e pyetën nëse do t’i bashkohej ish-trajnerit të tij Murinjo në Londër, apo ish-klubit të Liverpulit ku luajti për 5 vite. Megjithatë, mesfushorit i skadon kontrata verën e ardhshme dhe ai vazhdon të mos vendosë”.

 

Man. Junajtid

Mojes, i uritur: I dua të gjitha

Dejvid Mojes këmbëngul se ai do luftojë të fitojë më shumë se një trofe që në sezonin e parë në Mançester. Skocezi nuk ka fituar asnjë titull të rëndësishëm në karrierën e tij 15-vjeçare, por do ketë shansin të luaj për 5 tituj në sezonin e parë me “djajtë”. “Duhet të japim më të mirën në të gjitha kompeticionet jo vetëm në Premier Ligë. Të drejtosh një klub si Mançester Junajtid do të thotë të luftosh për çdo trofe”, – u shpreh 50-vjeçari gjatë një interviste për “The Sun”.

 

Opinioni

Blank i do të dy: Dyshja Kavani-Ibra funksionon

PSG-ja po bën gjithçka për të bindur Tiago Silvën të qëndrojë në Paris. Trajneri Lorant Blank tha për “L’Equipe” se mbrojtësi brazilian ka shanse të mira për të qenë kapiteni i së ardhmes te kampionët e Francës. “Unë mendoj se Tiago do vijojë të qëndrojë me ne edhe këtë sezon. Ai do të ketë një shans të mirë për të qenë kapiteni”, – u shpreh tekniku i ri i parisienëve. Zëvendësuesi i Ançelotit foli edhe për blerjen e re të klubit, Edinson Kavanin, i cili pritet vetëm që të zyrtarizohet në “Parc des Princes” këtë javë. “Kavani-Ibrahimoviç nuk përshtaten me njëri-tjetrin? Nuk është absolutisht e vërtetë. Përkundrazi, ata mund të luajnë mjaft mirë, pasi plotësojnë njëri-tjetrin”, – nënvizoi ish-tekniku i kombëtares.

 

Francë

Abidal zgjedh Monakon

Ish-mbrojtësi i Barcelonës, Erik Abidal, ka firmosur me Monakon një kontratë 1-vjeçare me opsion rinovimin edhe për një tjetër sezon (1+1). 33-vjeçari që u la i lirë nga katalanasit në qershor, pasi nuk ishte më në planet e Vilanovës, u zyrtarizua në klubin francez ditën e hënë. “Jam shumë i lumtur që u riktheva në Francë dhe te Monako, atje ku filloi gjithçka për mua”. Abidal u prezantua në “Stade Louis II” dhe i bashkohet emrave të tjerë të mëdhenj që do përpiqen të shkurorëzojnë PSG-në me klubin e Principatës, pas Radamel Falkaos, Xhejms Rodrigezit, Rikardo Karvajos, Zheremi Tulalanit dhe Zhoao Mutinjos.

 

Oferta

Anzhi i jep “vetëm” 7 mln euro pagë Etosë

 

Në kohë krize qajnë edhe të pasurit. Kjo mund të thuhet edhe për futbollistin më të paguar sot për sot në botë, Samuel Eto. Anzhi i ka ofruar rinovimin sulmuesit kamerunas, por kontrata e re parashikon një rrogë prej vetëm 7 milionë eurosh në sezon. Një ofertë shumë herë më e ulët nga 20.5 milionë eurot që klubi rus i paguan në vit ish-yllit të Interit. Ai ka një kontratë deri në qershor të 2014-s me klubin, ndërsa nuk dihet ende se çfarë përgjigje i ka dhënë apo pritet t’u japë drejtuesve. Përgjigja e Etosë pritet me shumë interes, veçanërisht në Itali, ku ish-bomeri zikaltër deklaroi se në Dagestan nuk po shkonte thjesht për motive ekonomike. Pas fjalëve, ka ardhur momenti për të treguar vullnetin e vërtetë për të qëndruar me skuadrën e Gus Hidinkat, edhe me një pagë të konsideruar “normale” për një futbollist të kalibrit të tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency