Qeveria disiplinon shpenzimet buxhetore, ja sa shkurtohen shpenzimet e administratës

0
101

buxhetiiErvin Kaduku

 

Qeveria ka treguar edhe një herë përgjegjshmërinë maksimale në menaxhimin e buxhetit të shtetit, ashtu si e ka treguar një gjë të tillë për tetë vjet rresht. Pas datës 15 korrik, nuk do të zhvillohet asnjë prokurim publik. Projektvendimi tashmë i hartuar nga Ministria e Financave pritet të miratohet nga qeveria të mërkurën në mbledhjen e radhës. Më pas, çdo institucion do t’i nënshtrohet disiplinimit të shpenzimeve buxhetore. Marrja e këtij vendimi nënkupton që të mos merren vendime për koncesione të reja të pasurisë publike, të garantohet që administrata të mos përfshihet në veprime antiligjore apo joetike të orës së fundit me arkën e shtetit.

Në projektvendimin e Ministrisë së Financave thuhet se botimi i çdo lloj njoftimi, duke përfshirë këtu edhe negocimin pa publikim, me përjashtim të njoftimit të kontratës së nënshkruar, për prokurim të fondeve buxhetore për shpenzimet kapitale dhe korente të njësive të qeverisjes së përgjithshme do të bëhet vetëm më vendim të Këshillit të Ministrave. Nga ky rregull do të përjashtohen fondet buxhetore që shkojnë për shërbimin e ushqimit apo medikamenteve, në ato njësi ku kryhet ky shërbim, prokurimet për blerjet e vogla, ku hyjnë blerjet deri në 10 mijë lekë dhe investimet nga të ardhurat e realizuara nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme.

Gjithashtu, do të reduktohen shpenzimet operative e të gjitha njësive me 20%, reduktohet 30% masa e mbulimit të shërbimit të telefonisë celulare për të gjithë ata që përfitojnë, fondet e papërdorura për pagesën e telefonisë fikse për periudhën e mbetur përgjysmohen, si dhe hiqen pagesat e anëtarëve të bordeve të ndryshme.

Ky projektvendim i Ministrisë së Financave vjen në një kohë kur qeveria bëhet gati të lërë stafetën për ekzekutivin e ri, i cili do të marrë në dorëzim në mënyrë të rregullt arkën e shtetit. Megjithëse me vështirësi të konsiderueshme, në kuadër të krizës globale, gjatë 6 muajve të parë të vitit u rritën mbi planifikimin shpenzimet publike. Sipas Kryeministrit Berisha, një gjë e tillë, ashtu si dhe politika e pandërprerë e rritjes së pagave dhe pensioneve çdo vit, sjellin rritje të konsumit dhe prodhimit, duke shmangur krizën ekonomike, siç është shmangur në fakt.

 

 

 

 

Qershor, vijon ulja e çmimeve në treg

Ervin Kaduku

 

Çmimet në muajin qershor 2013, shënuan një ulje prej 0.6 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm, njoftoi INSTAT, kryesisht si rrjedhojë e produkteve bujqësore më të lira, teksa kanë dalë në treg produktet vendase. Megjithatë, ndryshimi vjetor është pak më i lartë se një vit më parë. Ndryshimi vjetor në muajin Qershor është 2.3 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2.2 për qind.

Inflacioni mbetet afër kufirit minimal të objektivit të Bankës së Shqipërisë, prej 2-4%, duke i dhënë asaj hapësirë për të vazhduar me politikën lehtësuese monetare. Banka Qendrore, institucioni përgjegjës për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve ka paralajmëruar se presionet inflacioniste do të jenë të ulëta dhe në pjesën e mbetur të vitit, për shkak të kërkesës së dobët të brendshme. “Rritja e kërkesës nën potencialin e ekonomisë edhe gjatë pjesës së mbetur të vitit do të vijojë të ushtrojë presione të dobëta inflacioniste nga kahu i kërkesës”, ka pohuar guvernatori Fullani në daljen e fundit për shtyp, dy javë më parë.

 

Mallrat dhe çmimet

Sipas INSTAT, krahasuar me muajin e mëparshëm:

1. Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një ulje prej 1.4 për qind. Ulja më e madhe prej 10.4 për qind vërehet në nëngrupin “Zarzavate përfshirë patatet”. Çmimet në nëngrupin “Fruta” shënuan një rritje prej 3.5 për qind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të limonëve me 19.5 për qind, portokalleve me 16.0 për qind etj.

2. Indeksi i grupit “Pije alkoolike dhe duhan” ka shënuar një ulje 0.2 për qind. Brenda këtij grupi çmimet e pijeve alkoolike shënuan një rritje prej 0.1 për qind dhe çmimi i duhanit një ulje prej 0.4 për qind.

3. Indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” ka shënuar një ulje prej 1.2 për qind.

4. Indeksi i grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” shënoi një rritje prej 0.4 për qind ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të qirave të banesave me 0.6 për qind si edhe uljen e çmimit të lëndëve djegëse me 0.4 për qind.

5. Indeksi i grupit ”Transport” ka shënuar një ulje prej 0.3 për qind. Brenda këtij grupi çmimi i naftës shënoi një ulje prej 0.7 për qind dhe çmimi i benzinës një ulje prej 0.4 për qind.

6. Indeksi i grupit ”Mallra dhe shërbime të ndryshme” ka shënuar një ulje prej 0.4 për qind, ulje kjo që ka ardhur si rezultat i uljes së tarifave të siguracionit të makinave.

Në grupet e tjera ndryshimet variojnë nga -0.1 për qind në 0.4 për qind

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency