Frika nga familja, studentja hidhet nga kati i 3-të i policisë

0
132

Elton Qyno

studenteNgjarja në Drejtorinë e Kukësit, studentja e Infermierisë ishte duke u marrë në pyetje

A. C. u largua nga konvikti. Babai denoncoi për rrëmbimin e të bijës. Pezullohen dy policët

 

Frika nga familja ka shtyrë një vajzë 20-vjeçare të vetëhidhet nga kati i tretë i ndërtesës së policisë së Kukësit, teksa dy oficerë dhe një psikologe ishin duke e marrë në pyetje. Studentja e vitit të dytë të Infermierisë, me inicialet A. C., është ndier e fyer nga denoncimi i babait të saj për rrëmbimin e vajzës dhe në kushtet e depresionit të thellë dhe në gjendje tepër të emocionuar gjatë marrjes në pyetje, 20-vjeçarja është hedhur nga kati i tretë, duke u rrëzuar nga një lartësi prej 10 metrash. Ngjarja e pazakontë ka ndodhur rreth orës 15:50 dhe ka lënë të shtangur dy oficerët e Policisë Gjyqësore dhe psikologen që ishin duke e marrë në pyetje. Pikërisht këta persona kishin thirrur në polici studenten, pasi një ditë më parë kjo e fundit ishte zhdukur pa adresë dhe babai i saj nga Tropoja kishte bërë një ditë denoncim në policinë e Kukësit, duke menduar se vajza e saj ishte rrëmbyer. Menjëherë kanë nisur hetimet dhe kërkimet për vajzën. Por kur të gjithë mendonin se ajo vërtet ishte zhdukur, A. C. është shfaqur në dhomën e saj të konviktit. Në këto kushte, policia e Kukësit e ka thirrur studenten për ta marrë në pyetje rreth zhdukjes disaorëshe që kishte bërë. Mirëpo teksa oficerët dhe psikologia pyesnin, vajza është ndier e turpëruar dhe e frikësuar rreth të vërtetës, që më pas do të mësohej edhe nga familjarët e saj. Ndoshta e sigurt për ndonjë ndëshkim të mundshëm nga familja, A. C. ka zgjedhur të gjykojë vetë veten e saj, duke tentuar të vrasë veten.

Largimi nga konvikti

Mbrëmjen e djeshme A. C. është larguar nga dhoma e konviktit të saj, duke mos lënë asnjë adresë. Mendohet se studentja e Infermierisë është larguar me dëshirën e saj, ku ka qëndruar disa orë nën shoqërinë e ndonjë të njohuri. Mirëpo ky largim ka alarmuar familjen e saj, e cila, në përpjekje për t’u lidhur me vajzën, nuk ka arritur të komunikojë me të. Babai i vajzës ka marrë kontakte edhe me shoqet e A. C., por këto të fundit s’kanë qenë në gjendje të tregojnë rreth vendndodhjes së 20-vjeçares. Për pasojë, babai ka menduar për një rrëmbim të mundshëm të së bijës dhe pa humbur kohë i është drejtuar policisë së Kukësit, duke i kërkuar ndihmë dhe më pas fillimin e kërkimeve për vajzën e zhdukur. Policia është vënë në lëvizje, ku si fillim ka pyetur shoqet e 20-vjeçares dhe më pas ka ushtruar kontrolle në disa hotele të zonës, por pa rezultat. Gjetja e vajzës është bërë vetëm në mëngjes, kur studentja është rikthyer vetë. Pas kësaj situate, policia ka vendosur të marrë në pyetje 20-vjeçaren, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të largimit të saj përgjatë gjithë natës.

Hedhja nga dritarja

Gjatë marrjes në pyetje, 20-vjeçarja është ndier tepër e emocionuar dhe në këto kushte është kërkuar prania e një psikologeje. Pas mbërritjes së psikologes ka filluar seanca e pyetjes së A. C. Mirëpo pyetjeve të dy oficerëve të Policisë Gjyqësore, studentja ka vendosur t’u bëjë bisht. Megjithëse këta të fundit kanë këmbëngulur rreth vendit se ku kishte shkuar gjatë natës dhe se me cilin person ishte larguar, sërish 20-vjeçarja ka mbajtur qëndrim hermetik. Më tej, dy oficerët i kanë kërkuar studentes të Infermierisë se do t’i verifikonin telefonatat e kryera për të mësuar të vërtetën e largimit. Gjatë qëndrimit para tyre, studentja ka shfaqur gjendje ankthi dhe frike dhe se duke përfituar edhe nga dritarja e hapur, ajo është ngritur në këmbë dhe është hedhur më pas nga kati i tretë i ndërtesës së Drejtorisë së Policisë Kukës. Dy oficerët si dhe psikologia me vrap kanë zbritur shkallët dhe më pas kanë dalë në rrugë, ku kanë marrë 20-vjeçaren së bashku me disa efektivë të tjerë të policisë dhe e kanë transportuar në drejtim të spitalit të qytetit. Gjendja e 20-vjeçares aktualisht është jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që në spital kanë shkuar drejtues të lartë të policisë si dhe prokurori i rrethit të Kukësit. Rreth kësaj çështjeje kanë filluar hetimet, ndërkohë që deri në daljen e konkluzionit përfundimtar është vendosur pezullimi i dy oficerëve të policisë së Kukësit. Këta të fundit dhe vetë psikologja janë marrë në pyetje në cilësinë e personave që kanë dijeni rreth rrethanave të krimit. Ata kanë deklaruar se studentja është hedhur nga dritarja e zyrës së tyre me vullnetin e saj dhe oficerët kanë qenë të pafuqishëm për ta ndaluar, pasi gjithçka ka ndodhur shumë papritur, duke i zënë ata në një situatë të papërgatitur. Ky është një rast i paprecedentë që ka ndodhur në Kukës, duke bërë që në të ardhmen mënyra e pyetjes ndaj personave të rinj, por edhe e dëshmitarëve të ndryshëm të ndryshojë praktikë.

 

Reagimi i Malajt dhe Vocit: Vendimi, arbitrar

Burgaj përjashton nga policia dy

punonjës, ngacmonin femra në rrugë

 

Tri ditë pas arrestimit të dy efektivëve të policisë në kryeqytet, të cilët në gjendje të dehur ngacmonin femra në rrugë, janë përjashtuar nga detyra. Shtetasit Pjerin Voci dhe Julian Malaj janë shkarkuar me vendim të drejtorit të Përgjithshëm të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Arrestimi i tyre u bë më 5 korrik, pasi policët në momentin e ndalimit ishin në gjendje të dehur dhe ngacmonin femra në rrugë, pranë zonës së quajtur pallatet 9-katëshe. Madje, në momentin e ndalimit nga forcat “Shqiponja”, ka pasur edhe konfrontim fizik mes efektivëve. Të dy policët kanë qenë civilë, por Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm nisi hetimin ndaj tyre, sepse kanë shkelur Kodin e Etikës. Mirëpo menjëherë pas përjashtimit nga policia, kanë reaguar dy komisarët Pjerin Voci dhe Julian Malaj të cilët kanë pohuar: “Në lidhje me ngjarjen për të cilën është informuar në mënyrë të njëanshme dhe jo korrekte opinioni publik, dëshirojmë t’ju bëjmë me dije se në datën 5 korrik 2013, pranë Bibliotekës Kombëtare në kryeqytet, ndërsa nuk kishim kryer asnjë veprim të pahijshëm ndaj asnjë qytetari, gjë që është profesionalisht e verifikueshme, duke udhëtuar me mjetin tonë u ndaluam në mënyrë pikërisht të pahijshme dhe aspak ligjore nga ana e tre punonjësve të Patrullës së Përgjithshme të Policisë disa gradë profesionale poshtë nesh. Sipas ligjit, ndalimi dhe shoqërimi i çdo oficeri policie apo gjykatësi dhe prokurori kryhet vetëm në një moment në të cilin është realizuar një vepër penale e rëndë dhe në kushtet e flagrancës që nuk ka të bëjë aspak me rastin tonë. Ne u ndaluam nga tre punonjës policie të cilët as nuk u prezantuan sipas ligjit të Policisë së Shtetit dhe as nuk e respektuan ligjin dhe Kodin e Etikës së Punonjësit të Policisë gjë të cilën ne e bëmë me ta në mënyrën e duhur ligjore, duke u prezantuar dhe treguar dokumentet e nevojshme të policisë”.

 

Ngjarja në Gjirokastër

Tritol furgonit, hetime për konkurrencën

 

Një sasi eksplozivi, e vendosur në automjetin në pronësi të shtetasit Gentian Liti, ka shpërthyer mëngjesin e djeshëm në Gjirokastër. Ngjarja ka ndodhur në lagjen Dunavat, rreth orës 03:00 të mëngjesit. Mjeti me targa GJ 8067 A ishte parkuar pranë banesës së Litit në momentin e shpërthimit, i cili nuk ka shkaktuar viktima apo të plagosur, por vetëm dëme materiale. Forcat e policisë në vendngjarje kanë konstatuar se lënda eksplozive ishte vendosur poshtë parafangos së pasagjerit në furgon dhe për pasojë është dëmtuar pjesa e përparme e automjetit. Policia ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve si dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes. Në pyetje është marrë pronari i furgonit por ky i fundit ka pohuar se nuk ka pasur konflikte me ndonjë person. Hetimet rreth këtij rasti do të vijojnë për shkak të konkurrencës.

 

Aksidenti

Milot, goditet për vdekje 19-vjeçari

 

Një aksident me pasojë vdekjen e një të riu ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në aksin Milot – Fushë-Krujë. Ngjarja është shënuar pranë fshatit Gjorm, ku 19-vjeçari Ervin Tafa i cili udhëtonte me motor, është përplasur nga një automjet tip “Mercedes-Benz”, i cili është larguar me shpejtësi nga vendngjarja. Sipas policisë dyshohet se 19-vjeçari Ervin Tafa i ka ndërprerë rrugën makinës. Policia ka nisur punën për identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të mjetit që shkaktoi aksidentin i cili i mori jetën 19-vjeçarit. Gjatë ditës së djeshme nuk është mësuar rreth personit që ka goditur për vdekje 19-vjeçarin, por aktualisht hetimet rreth kësaj ngjarjeje vijojnë. Sipas policisë, në momentin e goditjes nuk është arritur të shikohet nga dëshmitarët, pasi s’ka pasur asnjë në momentin e aksidentit të rëndë.

 

Ngjarja në Elbasan

Aksidentohet efektivi i policisë

 

Një efektiv i Policisë Rrugore u aksidentua me motorin e tij të shërbimit në afërsi të shkollës “Qamil Guranjaku” në qytetin e Elbasanit. Faik Çollaku u përplas nga një automjet që drejtohej nga pronari i një shkolle private, shtetas turk. Çollaku shërben prej vitesh në policinë rrugore dhe ishte duke patrulluar në qytet. Hetimet për rastin janë në vazhdim dhe ende nuk është sqaruar se si ka ndodhur aksidenti. Dyshimet e para të policisë që vijnë nga dëshmitë e personave në vendngjarje, tregojnë se drejtuesi i mjetit ka qenë duke lëvizur, kur papritur ka hyrë me motor punonjësi i policisë rrugore. Pikërisht në këtë moment ai është goditur me forcë nga furgoni. Kanë qenë kalimtarët e rastit si dhe drejtuesi i furgonit ata që i kanë dhënë ndihmën e parë efektivit të policisë, duke e transportuar atë në drejtim të spitalit rajonal të qytetit. Aktualisht efektivi i policisë ndodhet i shtruar jashtë rrezikut për jetën.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency